22/12/2024

“Castello di Barletta, në Puglia, një vend i lidhur shumë ngushtë me jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”

0
Zefi-Barletta

Nga Paulin Z. Zefi

Kryeheroi jetoi në këtë kështjellë për 5 muaj me rradhë, duke nisur nga data 3 shtator 1461 dhe deri në fund të muajit janar të vitit 1462. Bëhet fjalë për Ekspeditën ushtarake në Italinë e Jugut (1461-1462) kur ai u angazhua në ndihmë të mbretit të Napolit, Ferrante ose Ferdinandit të Aragonës, i cili gjendej në një situatë të pashpresë, ndërkohë që kishte humbur pothuajse të gjithë mbretërinë me përjashtim të tre qyteteve: Napoli, Barletta dhe Trani. Ishte pikërisht ndërhyrja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, që jo vetëm e çliroi mbretin e pikëlluar Ferrante nga rrethimi në Barletta, duke kaluar nga mbrojtja në sulm, por edhe i riktheu të gjithë mbretërinë pas shpartallimit ose asgjësimit të pjesës më të madhe të armiqve të tij. Është pikërisht qyteti në fjalë, Barletta, që ka shërbyer nga fillimi dhe deri në fund të Ekspeditës Italiane si bazë kryesore për operacionet e ushtrisë arbëre.

  • Një dëshmitar sypamës siç ishte humanisti italian dhe historiani i njohur, Giovanni Pontano (1429-1503), i cili është marrë me përshkrimin e detajuar të kësaj lufte, rrëfen se: “Po të mos ia kishte mbërritur menjëherë nga Maqedonia me armatën e tij, Gjergj Kastrioti i quajtur Skënderbeu (Giorgio Castriota, detto per altro nome Scanderbeco), burrë i famshëm për shumë fitore që kishte korrur kundër turqve, mbretit Ferdinand do t’i mbetej ose t’ia kishte mbathur me turp së andejmi nëpërmjet detit, ose të kishte provuar luftën, por me rrezik të madh për veten dhe gjërat e tij (1).” Të njëjtin njoftim e ndeshim më vonë edhe te Giovanni Battista Pigna (2). P.Giovio, kur përshkruan në mënyrë sintetike Ekspeditën Italiane, shkruan se thirrjes së mbretit Ferdinand për ndihmë të shpejtë, Skënderbeu iu përgjigj menjëherë dhe me arritjen e tij në Puglia fuqitë franceze u thyen dhe u mundën aq keq sa mbreti e pohoi me gojën e vet se vetëm nga trimëria e pashoqe e Gjergjit i erdhi shpëtimi (3).
  • Janë aq të shumtë historianët dhe personalitetet nga Europa Perëndimore, të cilët kanë shprehur vlerësimet dhe konsideratat e tyre më të larta për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun aq sa për të paraqitur këtu një listë të plotë, është diçka e pamundur si rezultat i mungesës së hapësirës. Historiani i njohur italian i shek. XVI, Angelo Di Costanzo, i lindur në Napoli, në kryeveprën e tij “Istoria del Regno di Napoli”, e cila përbëhet nga 20 libra dhe që për herë të parë është botuar pjesërisht në Napoli, në vitin 1572, në “Libro XX”, konkludon se: ardhja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut ishte aq efektive sa armiqtë e Ferdinandit të Aragonës, pasi u tërhoqën nga Barletta dhe u mblodhën sërish, ata nuk kishin më besim te vetja për t’u përballur në betejë me Mbretin, dhe gjykohet se po të mos i kishte ardhur kjo ndihmë nga Arbëria, Mbreti do të ishte rrënuar përfundimisht (4).” Filozofi, historiani, juristi, publicisti italian dhe një eksponent kryesor i iluminizmit italian në fund të shek. XVII dhe në gjysmën e parë të shek. XVIII, Pietro Giannone, në veprën e tij “Istoria civile del Regno di Napoli”, të ribituar në Venezia më 1766, shkruan se: “ardhja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Mbretërinë e Napolit për të ndihmuar Ferdinandin, ishte aq efektive saqë i bëri armiqtë e tij të refuzonin për ta sulmuar (5).” Juristi i diplomuar për të drejtën civile e kanonike dhe një nga historiografët më të mëdhenj dhe më seriozë të Salentos, Baldassar Papadia, në veprën e tij “Memorie storiche della citta di Galatina nella Japigia”, të botuar në Napoli më 1792, shënon se: “I shkëlqyeshmi dhe madhështori, Gjergj Kastrioti, i njohur si Skënderbeu, Zot i Arbërisë (l’Illustre, e Magnanimo Giorgio Caltrioto, detto Scandeberch, Duca di Albania), i cili ishte si një baba shumë i dashur (për Ferdinandin) dhe gjithashtu Gjeneral Lejtnant i tij në Puglia, hipi në anije me shumë kalorës dhe këmbësorë (con molti Cavalli, e Genti a piedi), që kaloi nëpërmjet detit nga Arbëria dhe u angazhua ushtarakisht kundër armiqve të tij, të cilët, pavarësisht të gjitha përpjekjeve të tyre të mundimshme për të pushtuar pjesë të Puglia-s, ata dështuan plotësisht, dhe vetëm ai ishte shkaku i fitores së arritur (6).” Eruditi i shquar napolitan, udhëtari, juristi dhe biografi i Mbretërisë së Napolit, Lorenzo Giustiniani, në veprën e tij “Dizionario geografico-ragionato del Regno di Napoli” të botuar në Napoli në vitin 1797, ka shënuar: “Sovrani i përmendur (Ferdinandi) u rrethua nga ushtria e René d’Anjou, nën komandën e Giacomo Piccinino dhe në këtë pëballje ai kërkoi ndihmë nga i famshmi Gjergj Kastrioti, princi i Epirit (Giorgio Castrioto principe d’ Epiro), i cili më pas shkoi personalisht atje për ta ndihmuar dhe bëri gjithçka për ta poshtëruar plotësisht ushtrinë franceze dhe pasi bëri të gjithë baronët rebelë të betoheshin për besnikëri ndaj mbretit Ferdinand, ai u kthye në Arbëri (7).”
  • Ndërsa, vlerësimin e përzemërt që vetë Ferdinandi i Aragonës kishte për Heroin tonë Kombëtar e dëshmojnë jo vetëm aktet e dhurimit të pronave feudale, por edhe letërkëmbimet midis tyre, ku Ferdinandi i shpreh mirënjohjen e tij të përjetshme, duke ju drejtuar me fjalët: “I dashur si Atë (😎” dhe sidomos mënyra sesi e trajtoi familjen tij, por edhe të gjithë arbërit që zbarkuan në brigjet e Puglia-s, gjatë atij eksodi biblik, që filloi menjëherë pas vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, në qytetin e Lezhës, më 17 janar 1468. Dashuria dhe mirënjohja e mbretit Ferdinand, del në pah gjithashtu edhe në letrat e dërguara Donika Kastriotit, të cilat mbajnë datat 5 e 26 shkurt dhe 21 mars të vitit 1467, por sidomos në letrën e dërguar më 24 shkurt të vitit 1468, kur e quan atë “Fort e nderuara zonjë, sikurse nënë shumë e dashur (Illustrissima domina anquam mater carissima)” dhe më pas i shpreh dhimbjen e tij të thellë për vdekjen e bashkëshortit të saj dhe i dërgon Jeronimo de Carvineo, për ta ftuar së bashku me djalin, Gjonin II, të vinin në Mbretërinë e Napolit (9). Nga ana tjetër, duhet të nënvizoj faktin se pikërisht gjatë zhvillimit të Ekspeditës Ushtarake në Italinë e Jugut,Gjergj Kastriori-Skënderbeu i dëshmoi monarkëve perëndimorë dhe të gjithë opinionit publik perëndimor aftësitë e tij të spikatura si udhëheqësi ushtarak më i shkëlqyer i kohës dhe njëkohësisht, epërsinë e padiskutueshme të luftëtarëve arbër mbi vetë artin ushtarak të Europës Perëndimore. Ushtritë e kombinuara italo-franceze, që forcën e tyre kryesore e mbështesnin te kalorësia e rëndë dhe e koracuar, e pajisur me kuaj të mëdhenj e të fuqishëm, u mundën dhe u poshtëruan vazhdimisht nga kalorësia e lehtë arbëre dhe nga repartet e saj mbështetëse të këmbësorisë. Pas viteve 1461-1462, kalorësia e rëndë, e cila deri atëherë mbahej si arma më e fortë dhe vetë krenaria e ushtrive perëndimore e humbi prestigjin e saj historik si pasojë e disfatave të turpshme, që ajo pësoi në luftimet e zhvilluara kundër ushtrisë së  pamposhtur  arbëre. Në lidhje me këtë çështje kaq të rëndësishme për historinë e artit ushtarak botëror, historiani rus, G.K.Gurbatov, shkruan se: “Lufta e bërë aq shkëlqyeshëm nga Skënderbeu kundër baronëve rebelë e ngriti famën e tij edhe më lart. Para kësaj, Perëndimi besonte se ushtria arbëre mund të luftonte me sukses vetëm kundër hordhive turke. Udhëheqësit e Europës Perëndimore ishin të bindur se arbërit nuk mund t’i rezistonin ushtrive europiane. Mirëpo, lufta kundër baronëve napolitanë i shkatërroi këto trillime. U bë e qartë se ushtria arbëre mund të mposhtte edhe ushtri të forta europiane… Ushtria e Skënderbeut përbëhej kryesisht nga fshatarë të lirë arbër. Ai bazohej në skuadra të disiplinuara dhe jo në skuadra të larmishme dhe as në detashmente mercenarësh të gatshëm për t’i shërbyer ofertuesit më të lartë. Kjo ishte fuqia e ushtrisë popullore të Skënderbeut (10).” Me pak fjalë, angazhimi i tij ushtarak në Itali i dha të gjitha rezultatet e dëshiruara, në mos më shumë, duke bërë që figura e Kryeheroit të ngrihej deri në kulmin e lavdisë….

Në hapësirën e brendshme të kështjellës ruhen ende dy objekte shumë të rëndësishëm:

1) Brenda sallës së kështjellës, ku qëndron busti i mbretit, Frederiku II, ndodhet stema e Kastriotëve dhe një pllakë përkujtimore, e cila dëshmon ardhjen e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

2) Në vendin, ku ka qenë kishëza e vogël e garnizonit të kështjellës (menjëherë përballë hyrjes, në të djathtë) ndodhet një monument mortor, i njohur si “Guri i varrit të Gjon Kastriotit-Skënderbeut (Lapide tombale di Giovanni Castriota Scanderbeg).” Ky personalitet i  shquar i shek. XVIII, ka qenë pasardhës i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe arsyeja pse eshtrat e tij prehen brenda kështjellës në fjalë lidhet me faktin se Gjon Kastrioti ka shërbyer si kështjellar i Barletta në vitet 1750-1762.

BIBLIOGRAFIA:

1) G.Pontano, Historia della Gverra di Napoli, Secondo libro, (Tradotta da M.Giacomo Mauro), Napoli: 1590, f. 136.

2) G.B.Pigna, Historia de principi di Este di Gio. Batt. Pigna, a Donno Alfonso secondo, duca di Ferrara, Primo Volume, Nel quale si contengono congiuntamente le cose principali dalla riuolutione del romano imp. in fino al M.CCCC.LXXVI (1476), In Ferrara: Appresso Francesco Rossi stampator ducale, M.D.LXX. (1570), f. 566.

3) P.Jovius, Sub Effigie Georgii Castrioti Scanderbechi Epiri Principis, në: Pavli Iovii novocomensis episcopi nucerini Elogia virorum bellica virtute illustrium veris imaginibus supposita: quæ apud musæum spectantur. Volumen digestum est in septem libros, Florentiae, In officina Laurentii Torrentini DVCALIS Typographi, M.D.L.I. (1551), f. 130; Shih dhe krahaso me P.Jovius, Skanderbeg, f. 17.

4) A. Di Costanzo, Istoria del Regno di Napoli, Vol. III, Milano: Società Tipografica De’ Classici Italiani, 1805, f. 229.

5) P.Giannone, Istoria civile del Regno di Napoli, Tomo Terzo, Venezia: Presso Giambatista Pasquali, MDCCLXVI (1766), f. 320-321.

6) B.Papadia, Memorie storiche della citta di Galatina nella Japigia, Napoli: Presso Vincenzo Orsini, MDCCXCII (1792), f. 94-95, Dok. Nr. VIII.

7) L.Giustiniani, Dizionario geografico-ragionato del Regno di Napoli, Vol. I – II, Napoli: Vincenzo Manfredi, 1797, f. 212.

8)E.Benvenuto, Giorgio Castriota Skanderbeg, eroe nazionale albanese e barone di Monte S. Angelo e S. Giovanni Rotondo, f. 17.

9) F.Trinchera, Codice Aragonese o sia lettere regie: …. Vol. I, f. 439-440, Dok. Nr. CCCXXVIII; Shih edhe C.Padiglione, Di Giorgio Castriota Scanderbech e de’ suoi Discendenti, f. 12-13; Јован Радонић, Ђурађ Кастриот Скендербег и Арбанија у XV веку, (историска грађа), Споменик XCV, Други разеред, 74, Београд: Српскa краљевскa академијa, 1942, f. 210, Doc. Nr. 389 & Doc. Nr. 390; Dokumente të ndryshme dhe letër çkëmbime të Skënderbeut, në: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu: 1468-1968, (Përgatitur nga Edward A. Licho), Boston, Massachusetts: Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA”/Pan-Albanian Federation “VATRA”, 1968, f. 141; G.M.Monti, La spedizione in Puglia di Giorgio Castriota Scanderbeg, f. 173-174; K.Frashëri, Skënderbeu dhe lufta shqiptaro-osmane në shek. XV (Në origjinal dhe me përkthim shqip), Vëllimi VIII, Burime Kancelareske Perëndimore (1464-1497), Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2019, f. 285-286, Dok. Nr. 147.

10) Г.Л.Курбатов, Скандербег, народный герой Албаний: популярный очерк, f. 87.

Nga: Paulin Zefi.

Barletta, Puglia, Italia, Dt. 07.08.2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok