23/12/2024
Edison_Ypi

Nga Edison Ypi

Në Strelcë, rrëzë Valamarës, vetëm, në një shtëpi guri, jeton Çartallozi.

Çartallozi ngrihet më tre të mëngjesit. Kthen shpejt e shpejt pak mjaltë, nja dy vezë, një gotë qumësht. Dhe vrik përpjetë. Ikën rrëkëllen gurë për prita për të ndalur erozionin, a vete të bëjë ndonjë ndreqje te rezervatet e peshkut që i ka ndërtuar vetë. Rezervatet ishin tre. Tani kanë mbetur dy. Njërin rezervat ja hodhën në erë me tritol ca banditë më ’97-ën. Nëse s’ka për të bërë nga këto, i futet, mbjell, korr, vadit, prashit, misër, grurë, fasule, jonxhë. Kur del Dielli, se Çartallozi “orë” ka diellin, kthehet në shtëpi ha mëngjes. Ç’të ketë. Mish, fasule, trahana. Pastaj bën punët e zakonshme, çan dru, kujdeset për kopshtin, bën ndonjë ndreqje të vogël rrotull shtëpisë, ndonjë vijë uji për shembull, dhe, kur është më nge’, lexon ndonjë libër.

Mbasdite Çartallozi zbavitet. Del nga rezervatet e peshkut. I hipën një varke me lopata, që edhe atë e ka bërë vetë, dhe shëtit mbi ujë duke këqyrur Qiellin. Kur është behar bën not dhe banjo Dielli. Në 8 të mbrëmjes bie fle.

Çartallozi nuk ka sëmundje në trup’ të tij. Nuk është vizituar kurrë te ndonjë doktorr. Nuk ka marrë kurrë ndonjë ilaç. Nuk ka bërë kurrë ndonjë gjilpërë.

Në kohën e Diktaturës Çartallozi vuajti.

Tre herë e burgosën nga zullumet që bënte. Një herë 17 ditë. Tjetrën herë 45 ditë. Të tretën herë plot 1 vit. Të treja herët për: “Prekje të figurës së nëpunësit gjatë kryerjes së detyrës”. “Prekje” qe llafi, se Çartallozi, në të vërtetë, nëpunësit i rrihte. Kur ishin vetëm. Të mos kishte dëshmitarë. Se e dinte që zagarët më mirë duronin të rrahurën se ta denonconin duke thënë “Më rrahu Çartallozi”. Të mos e burgosnin nga prapësitë e shumta që bënte, pesë herë Çartallozi mori malet. Nga Valamara drejt Veriut. Nga tetë deri 48 orë rrugë më këmbë. Mes shkëmbinjve, pyjeve, ujqërve, arinjve. Ditën e natën, në zheg e në ngricë, ngrënë e pa ngrënë, derisa arrinte në Gramsh a Elbasan.

Që brigadierët, shefat, sekretarët, të shpëtonin nga grushtet dhe prapësitë e tjera të Çartallozit, e nxorën disa herë përpara komisionit psikiatrik që ta mbyllnin në çmendinë, t’i bënin ca gjilpëra, dhe ta vdisnin fare. Mirëpo që që të niste kjo procedurë duhej që Çartallozi të vinte një firmë. Çartallozi s’e hëngri. Firmën nuk e vuri. Dhe mbeti si ishte, Çartalloz.

Çartallozi ka qasje magjike me Natyrën. Ahet, pishat, rrobujt, blirët, panjat, shqiponjat, arinjtë, ujqit, dhelprat, sorkadhet, kunadhet, janë jeta e tij.

Çartallozi tërbohet me banditët që presin pyjet i shpien në Itali, Greqi, Maqedoni. Banditët, në bashkëpunim me njëri-tjetjetrin ngulin tabela “Mbroni pyjet”. I shkruajnë ato tabela me atë ngjyrë dhe në atë mënyrë, që banditit tjetër ta lexojë “Këtu pyllin digje” ose “Këtu pyllin sharroje”.

Çartallozi nis letra nëpër zyra dhe ministrira. Asnjeri s’e dëgjon. Megjithatë Çartallozi vazhdon, shpreson, ëndërron. Për drurin e Rrobullit tremijëvjeçar trungu i të cilit ishte aq i madh sa nuk e pushtonin dot as gjashtë burra me krahët e nderë, brenda të cilit Perëndia pagane Konda kishte ndërtuar shtëpinë e vet me gjithato dhoma, ballkone, korridore, e të tjera e të tjera.

Por Çartallozi nuk ëndërron vetëm për drurë dhe gurë. Më së shumti Çartallozi Reis Petriti ëndërron për Shqipëri, Histori, Flamur.

-Shqipëria është vendi më i bukur në botë, thotë Çartallozi. Duhet ruajtur. Duhet shpëtuar. Nga Dreqi që e ka kapur. Nga hajdutët që e vjedhin. Nga sëmundjet. Nga vëllavrasja. Nga minjtë e Diktaturës që na janë kthyer në “Luanë” të Demokracisë. Nga ushqimet e skaduara. Nga kriminelët që presin drurët dhe vrasin kafshët.

-Si do t’i bësh të tëra këto Çartalloz ?

-Do martohem me Perëndeshën e këtyre anëve, shpëtimtaren Konda. Perëndeshës do t’i ble një Pelë të bardhë. Unë dhe Konda mbi Pelë do shëtisim nëpër male, pyje, shkëmbinj, lumenj, duke përhapur gjithandej, dritë, urtësi, mbarësi, mirësi, dashuri, shumë mirësi, shumë dashuri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok