22/12/2024

Carrie Hooper: E dua Shqipërinë, gjuhën shqipe dhe shqiptarët me gjithë shpirtin tim!

0
Carrie-Hooper

Nga Entela Binjaku

Znj. Carrie shqipja juaj është befasuese! Si jeni njohur me gjuhën shqipe dhe si keni arritur ta mësoni kaq mirë?

Carrie Hooper: Në vitin 2008, jepja gjermanisht dhe italisht te një universitet i vogël në Elmira, qytetin tim të lindjes, që ndodhet në shtetin e Nju Jorkut. Atë vit, kisha një student nga Shqipëria në kursin tim të italishtes. Kur mësova se ishte nga Shqipëria, u lind dëshira ta mësoja gjuhën shqipe. Më pëlqen të mësoj gjuhë të huaja. Meqenëse jam krejtsisht e verbër, duhej të gjeja një libër në një format të aksesshëm. Më në fund, gjeta një libër në Brail për të mësuar shqip te Biblioteka për të verbërit në Angli. Më tej, studenti im shqiptar më ndihmonte me shqiptimin e fjalëve. Më vonë gjeta një kaset me përralla në shqip te biblioteka për të verbërit në Stockholm të Suedisë. Përveç kësaj, shoku im, Timi, edhe ai i verbër, bëri kontributin e vet. Edhepse nuk e di shqip, duke qenë se ai ka mësuar shumë gjuhë të huaja dhe ka qenë profesor i gjuhëve të huaja, kupton rëndësinë e dëgjimit të gjuhëve në procesin e mësimit të tyre. Prandaj më inçizonte emisione radiofonike në shqip nga Radio Tirana, Radio Vatikani, Radio Maria, Zëri i Amerikës, Radio Imigranti, Radio Top Albania, dhe Radio Bulgaria. Inçizonte herë pas here edhe programin Radio e diela që transmetohet në valët e CHIN AM 1540 nga Torontoja e Kanadasë. Shumicën e programeve i mori Timi nga Interneti, por nganjëherë, inçonte Radio Tirana në valë të shkurtra. Për ta marrë sa më mirë, shkonte te një park afër apartamentit të tij, ngrinte antenën e tij, dhe inçizonte programin. Timi m’i dërgonte inçizimet në kaset me postën, dhe duke dëgjuar gjuhën, e kuptoja më mirë. I jam shumë mirënjohëse Timit për këtë punë të cilën e bënte me përkushtim dhe dashuri. Sot nuk ka nevojë që Timi të më inçizojë emisione sepse mund t’i dëgjoj duke përdorur aparatin Echo të Amazonit. Në verat e viteve 2009 dhe 2010, ndoqa kurse të gjuhës shqipe tek universiteti shtetëror i Arizonës në Tempe.

Shkruaj poezi në shqip dhe në vitin 2018, u botua libri im dygjuhësor, “Piktura në fjalë” i cili mban poezi të cilat i shkruajta në shqip. I përktheva pastaj në anglisht. Libri u botua te Shtëpia Botuese Buzuku në Prishtinë. Më tej kam përkthyer artikuj, tregime të shkurtra, dhe një libër nga shqipja në anglisht. Madje, përktheva një artikull nga anglishtja në shqip. Kam mësuar shumë këngë shqiptare duke përfshirë “Luleborë”, “Për ty, atdhe”, dhe himnin kombëtar shqiptar.

Po lidhja me Shqipërinë si ka nisur, a e keni vizituar vendin dhe nëse po cila është përshtypja juaj? Nëse jo, a janë hapësirat shqiptare në planet tuaja?

Carrie Hooper:  Kam mësuar shumë për Shqipërinë duke dëgjuar radio dhe duke lexuar materiale me kompjuterin tim Braili. Kam lexuar artikuj nga gazeta shqiptare. Më tej, lexova një libër për Kosovën, një libër për historinë e Shqipërisë, dhe një libër për letërsinë shqipe, të gjitha të shkruara në gjuhën shqipe.

U lidha me shqiptarë në Amerikë pasi që fillova të mësoja shqip. I shkruajta një email At Artur Liolinit, priftit të Kishës Ortodoxe të Shën Gjergjit në Boston të Massachusettsit dhe i shpjegova se po mësoja shqip dhe se doja të flisja me shqiptarë për ta ushtruar gjuhën. At Arturi më lidhi me shqiptarë në Pensilvania, Virginia, dhe Massachusetts, dhe i mora në telefon për të folur shqip. Më vonë erdha në kontakt me bashkësitë shqiptare të Nju Jorkut dhe të Torontos.

Në shtator 2010, dhashë një koncert në Kishën e Shën Elias në Jamestown të Nju Jorkut. Në tetor 2010, këndova në Kishën e Shën Gjergjit në Boston. Në qershor 2011, këndova gjatë festimeve të fundvitit shkollor në Shkollën shqipe të Torontos. Në prill 2012, këndova në festën e 100-vjetorit të Vatrës në Nju Jork. Në tetor 2012, dhashë një prezantim për përvojën time duke mësuar shqip dhe këndova për prindër dhe nxënësë në shkollën shqipe në Bronx të Nju Jorkut. Në qershor 2013, këndova gjatë festës së fundvitit shkollor të shkollës shqipe në Bronx të Nju Jorkut. Në atë kohë, u bëra anëtare e ansamblit Bashkimi kombëtar drejtuar nga Gjergj Dedvukaj me seli në Nju Jork, dhe mësova t’i bija çiftelisë. Në korrik 2013 mora pjesë në një koncert me ansamblin Bashkimi kombëtar në Kishën e Shën Palit në Detroit të Michiganit.

Jo vetëm që kam kënduar në bashkësi shqiptare, por kam dhënë edhe disa intervista për gazetarë dhe programe radiofonike dhe televizive të diasporës shqiptare. Dhashë intervista për Dalip Grecën, Beqir Sinën, Kozeta Zylon, dhe Zyba Hysën të cilat u botuan në Gazetën Dielli. Dhashë gjithashtu intervista për Raimonda Moisiun dhe Qazim Dodën. Më tej dhashë intervista për Radio Kosovën dhe për emisionin Radio e diela nga Torontoja. Për më tepër, Laura Konda bëri një kronikë për mua për Zërin e Amerikës.

Prin Albanian Yellow Pages, u lidha me Adnan Mehmetin, kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaroamerikanë dhe ai më ndihmoi të botoja librin tim të lartpërmendur, “Piktura në fjalë.” Zoti Mehmeti organizoi një promovim të librit në tetor të vitit 2018 në Monroe College në Bronx të Nju Jorkut.

Nuk kam vizituar Shqipërinë asnjëherë, por do të doja ta vizitoja. Do të kisha nevojë për vendqëndrime dhe shoqëruesë atje. Do të dëshiroja të këndoja në një koncert në Shqipëri. Do të dëshiroja t’i vizitoja, ndër të tjera, Kështjelli i Rozafës në Shkodër, Shkollën për të verbërit në Tiranë, dhe qytetet e Krujës, Durrësit, dhe Korçës.

Lexuesit tanë do të dëshironin të dinin më shumë për ju. Ne dimë që ju keni studiuar muzikë në Suedi. A mund të na bëni një përshkrim të figurës suaj edhe si pianiste e këngëtare?

Carrie Hooper:  U linda dhe u rrita në Elmira të Nju Jorkut. Është një qytet mesatar që ndodhet afër kufirit me Pensilvaninë. Jam komplet e verbër që nga lindja. U linda dy muaj e gjysmë para kohës dhe mushkrinjtë nuk më kishin zhvilluar siç duhej. Prandaj në moshën 8-ditore, u nënshtrova një operacioni për të hequr një pjesë e një mushkrie. U lidha në respirator për një kohë të shkurtër dhe qëndrova në inkubator për tre muaj. Mora tepër oksigjen çfarë më dëmtoi retinat dhe më shkaktoi verbërinë. Por nuk kam asnjë arsye për t’u ankuar. Zoti më dha një familje të dashur, një jetë të plotë, dhe shëndet të mirë.

Shkova në shkollën normale me fëmijë që shikonin. Mësova Brail, të shkruarit me makinën e shkrimit, dhe të shkuarit me bastun. Mora librat në Brail ose audio dhe nëse nuk ishin të disponueshëm në këto formate, dikush më lexonte materialin me zë të lartë. Fillova mësime për piano në moshën 4-vjeçare dhe mësime për kanto në moshën 15-vjeçare. Mësova pjesët duke i dëgjuar ose me nota në Brail.

Pasi që mbarova shkollën e mesme, studiova kanto dhe gjermanisht tek Universiteti Mansfield në Pennsylvani, dhe pastaj vazhdova studimet për kanto dhe gjermanisht tek Universiteti shtetëror i Nju Jorkut në Buffalo. Pas studimeve universitare, mora një bursë Fulbright dhe studiova kanto për një vit akademik tek Universiteti mbretëror i muzikës në Stockholm të Suedisë.

Pasi që u ktheva nga Suedia, dhashë gjermanisht tek Elmira College për 17 vjet dhe për nëntë vjet, dhashë edhe italisht atje. Në semestrin e fundit që punoja atje, dhashë rumanisht. Tani jap mësime për piano dhe për kanto në një studio në rrethin tim. Gjithashtu i bie pianos dhe organos në një kishë episkopale, dhe kam një student për gjermanisht. Këndoj në një kor vendor dhe jap koncerte vokale.

Vazhdoj të shkruaj poezi dhe jam anëtare e një organizate për shkrimtarë me aftësi të kufizuara, Behind Our Our Eyes. Poezitë e mia janë botuar në disa revista në Internet. Në vitin 2018 botova librin tim të parë me poezi në anglisht, “My Life in My Words”, në një faqe të Internetit të vetëbotimit, Lulu.

Mund të blihet tek: www.lulu.com

Përvec anglishtes, ju zotëroni shqipen, rumanishten dhe suedishten, si keni arritur të mësoni këto gjuhë kaq të ndryshme?

Carrie Hooper: Në fakt, zotëroj gjashtë gjuhë të huaja: gjarmanishten, italishten, spanjishten, rumanishten, suedishten, dhe shqipen. Ndiqja kurse të gjermanishtes. Mësova italishten në shtëpi dhe ndoqa kurse në Romë të Italisë gjatë katër javësh në 1998. Mësova suedisht kur studioja gjermanisht tek Universiteti i Buffalos. Isha njohur me dirigjentin e orkestrës universitare dhe kur mësova se ishte nga Suedia, doja të flisja suedisht me të. Nuk ndiqja kurse të gjuhës suedeze por përdorja libra audio, dëgjoja radio, dhe flisja me suedezë për ta mësuar gjuhën. Në të njëjtën kohë, lexoja literaturë suedezë në Brail dhe audio.

Fillova ta mësoja spanjishten në vitin 2013 me nxitjen e shokut tim, Timin. Më sugjeroi ta mësoja sepse shumë universitete amerikane shkurtojnë kurset e tyre të gjuhëve të huaja dhe meqenëse spanjishtja është një gjuhë që përdoret shumë, Timi mendoi se njohja e kësaj gjuhe mund të më siguronte një punë në të ardhmen. Për ta mësuar spanjishten, përdorja libra audio dhe ndiqja kurse të gjuhës spanjolle, një kurs për qytetarinë spanjolle, dhe një kurs për letërsinë spanjolle për fëmijë tek Elmira College ku punoja. Më tej, Timi më inçizonte emisione radiofonike në spaanjisht nga Zëri i Amerikës, Radio Vatikani, Radio Havana Cuba, kanale në SHBA, dhe Radio Rumania që të mund ta dëgjoja gjuhën. Tani lexoj libra në spanjisht dhe abonoj një revistë në spanjisht. Njëherë në javë, takohem me profesoren e spanjishtes fillestare tek Elmira College për të biseduar në spanjisht.

Fillova të mësoja rumanisht ndërsa mësoja spanjisht. Programi spanjisht i Radio Rumanisë transmeton mësime për gjuhën rumune. Një ditë, ndërsa po vizitoja Timin, dëgjova një mësim për gjuhën rumune dhe më tërhoq shumë. Pastaj e pyeta Timin për çfarë se kisha dëgjuar. Timi kishte ndjekur kurse të gjuhës rumune tek universiteti Columbia në Nju Jork kur studionte për Masterin e tij. Prandaj, mbante mend gramatikën dhe fjalorin themelor. Më shpjegoi disa koncepte gramatikore dhe më mësoi disa fjalë në gjuhën rumune. Pastaj kërkoja më shumë të dhëna për gramatikën rumune dhe gjeta disa mësime për rumanishten në Internet. Më vonë, fillova të lexoja texte në gjuhën rumune të cilat i gjeta në Internet me kompjuterin tim të aksesshëm. U lidha me disa rumunë dhe i merrja në telefon për ta ushtruar gjuhën. Njëri prej tyre më dërgon libra në gjuhën rumune në një format të aksesshëm. Në fillim, Timi më inçizonte programe në gjuhën  rumune nga Radio Rumania dhe Radio Vatikani. Më inçizonte edhe mësimet për gjuhën rumune nga programet spanjisht dhe anglisht të Radio Rumanisë. Çmoj shumë punën që e bënte Timi për të më ndihmuar t’i mësoja këto gjuhë. Tani dëgjoj programe radiofonike në gjuhën rumune dhe gjuhë të tjera duke përdorur aparatin tim Echo të Amazonit.

  1. Duke qenë se lexuesit tanë janë shqiptarë cili mund të ishte një mesazh që do të dëshironit të ndanit me ta?

Carrie Hooper: Duani gjuhën tuaj dhe mos e harroni edhe në mërgim! Gjuha e një populli mbart identitetin e tij dhe pa gjuhën e tij, rri populli pa identitetin e tij. Mësojuni fëmijëve tuaj shqip dhe ruani kulturën dhe traditat tuaja! E dua Shqipërinë, gjuhën shqipe, dhe shqiptarët me gjithë shpirtin tim!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok