21/12/2024

BOTA SHQIPTARE DHE POLITIKANËT E FISIT

0
Xhelal-Zejneli

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Bota shqiptare nënkupton popullin shqiptar në gadishull – në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), shqiptarët në Maqedoni, shqiptarët në Mal të Zi, çamët, shqiptarët në Evropë dhe ata në ShBA. Në vitin 1991 bota shqiptare hyri në atë që u quajt periudhë tranzicioni. Askush nuk di të tregojë në ndodhet bota shqiptare ende në  tranzicion apo ka dalë prej tij. Mbi tridhjetë vjet tranzicion!! Gjatë kësaj periudhe kalimtare, në hapësirat shqiptare në gadishull kanë ndodhur abuzime, keqpërdorime, shpërdorime, veprime të paligjshme, të kundërligjshme, vjedhje, hajdutëri. Ka të tillë që nuk e dinë kuptimin e fjalës abuzim. Në të folmen popullore, abuzim do të thotë vjedhje. Në tridhjetë e tre vitet e kaluara veprime të paligjshme apo vjedhje dhe hajdutëri ka pasur në të gjitha poret, fushat, sferat dhe lëmenjtë e jetës. Vjedhje apo veprime të paligjshme ka pasur si në nivelet vertikale, ashtu edhe në ato horizontale të shtetit apo të qeverisë. Veprime të paligjshme ka pasur si në pushtetin qendror, ashtu edhe në pushtetin vendor. Veprime të paligjshme apo vjedhje ka pasur në lëmin e politikës, përkatësisht në qarqet apo në rrethet politike.

Ka ndodhur që veprime të kundërligjshme apo vjedhje të kenë kryer: kryetari i shtetit, kryeministri, kryetari i kuvendit. Në periudhën e viteve 1991-2024 kanë vjedhur edhe një numër i caktuar i ministrave dhe i të zgjedhurve të popullit. Kanë vjedhur sa kanë mundur edhe një numër i konsiderueshëm i kryetarëve të bashkive apo i kryetarëve të komunave. Kanë zaptuar sa kanë dashur edhe zëvendësit e tyre. Në një anë e vjedh shtetin e vet, kurse në anën tjetër veten e quan shtetar, qeveritar dhe burrë shteti.

Ka pasur kryetar shteti dhe pushtetar i cili detyrën e vet e ka ushtruar sipas ligjit. Por, ky farë pushtetari i ndershëm, para vjedhjeve dhe veprimeve të paligjshme të pushtetarëve të tjerë që përbëjnë nomenklaturën e pushtetit dhe të qeverisjes – i ka mbyllur sytë. Brenda viteve 1991-2024, në shenjë proteste ndaj vjedhjeve dhe veprimeve të paligjshme të drejtuesve të shtetit, askush në botën shqiptare nuk dha dorëheqje. Nuk dha dorëheqje asnjë kryetar shteti, asnjë kryetar kuvendi, asnjë kryeministër, asnjë ministër, asnjë deputet, asnjë kryebashkiak, asnjë kryetar komune.

Kanë vjedhur me dy duar edhe disa prej liderëve partiakë, përkatësisht kryetarë partish. Nuk ka vjedhur vetëm ai që s’ka mundur. Gazetarë të pandërgjegjshëm vjedhësit e sipërthënë i kanë quajtur elitë politike. Kjo farë elite politike, para se të hynte në politikë, mezi e ka siguruar bukën e gojës. Shumë prej këtyre pseudo-politikanëve i kanë lënë opingat dhe kanë  mbathur këpucë, duke ngjeshur në gjoks edhe kollare. Këta sankilotë kanë vjedhur, kanë rrëmbyer dhe kanë zaptuar pushtet, janë bërë pushtetarë. Brenda një kohe të shkurtër janë pasuruar dhe kanë bërë miliona euro dhe dollarë. Vila, jo një por më shumë sosh, mjete në llogaritë bankare, brenda dhe jashtë shtetit, pasuri dhe prona në emër të vet apo në emra bijsh e bijash, dhëndurësh dhe rejash. Ndërtesë apo kompleks ndërtesash, hotele në qendra qytetesh, hotele në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit, hotele në plazhe dhe pranë plazheve. Zapto sa të mundësh pronat dhe pasuritë e popullit. Blej atdhetarizëm dhe shit patriotizëm. Hiqu para tyre i ndershëm dhe burrë i mirë. Dje sankilot, sot me veturë të shtrenjtë që kushton mbi pesëdhjetë mijë euro. Fëmijët e këtyre plaçkitësve të popullit i kalojnë pushimet nëpër vendet ezoterikë të planetit, ndërsa një pjesë e bashkëkombësve të tyre mezi mbijetojnë dhe mezi e sigurojnë ekzistencën lakuriqe. Fëmijët e këtyre zhvatësve të popullit “shkollohen” jashtë shtetit. Nëpër shkolla dhe institucione arsimore private blejnë diploma dhe pajisen me tituj akademikë.

Të ashtuquajturit liderë politikë, shtetarë, burra shteti, politikanë, ministra, deputetë,  kryebashkiakë, kryetarë komunash dhe bashkëpunëtorët, ndihmësit apo këshilltarët e tyre e kanë ngulfatur demokracinë. Këta janë shkaktarët kryesorë të prolongimit të periudhës së tranzicionit deri në pambarim. Hajdutët e lartpërmendur kontrollojnë lirinë e fjalës. Ata kanë vënë nën kontroll të egër një pjesë të mediumeve, gazeta, revista, radio, studio televizive, mediume digjitale, portale. Këta pseudo-politikanë e kanë vrarë shtypin e lirë, dhe shtypin e pavarur; ia kanë zënë frymën lirisë së fjalës. I kanë blerë dhe i kanë vënë nën kontroll drejtuesit e mediumeve, mediumet e shkruara, ato elektronike, redaktorët dhe kryeredaktorët, analistët politikë, drejtuesit e debateve të studiove televizive, moderatorët e TV-emisioneve. Në botën shqiptare mungon mendimi kritik, mungon mendimi politik, mungon kritika politike, mungon kritika sociale. Një shtet ku mungon mendimi kritik nuk ecën para. Shteti i tillë ngec. Në botën shqiptare mbizotëron mendimi kritik i rrejshëm apo fiktiv. Aty kemi edhe shpëlarje truri. Shpëlarës të trurit janë partitë politike dhe pushtetarët. Shpëlarje truri ka pasur në kohën e bolshevikëve, në epokën e stalinizmit. Edhe sot në këtë farë kuazi-demokracie kemi ndërtimin e kultit të individit. Që nga viti 1991 deri më sot, niveli i demokracisë në partitë shqiptare ndodhet në pikën zero. Në botën shqiptare lideri i partisë ka pushtet të pafund. Çdo gjë është në duart e tij, për çdo gjë vendos ai. Ai është autoritar dhe autokrat, i ka tiparet e një despoti. Me ideologji totalitare, tiranike dhe diktatoriale ushqehej Josip Visarionoviç Xhugashvili Stalini (1879-1953).

Hajdutët e lartpërmendur zbatojnë nepotizëm. S’kanë lënë pa i punësuar anëtarët dhe pjesëtarët e familjeve të veta dhe të fisit. Këta janë politikanë fisi dhe shtetarë fisi. Në fund maten arritjet. Mbi një e katërta e popullsisë së hapësirave shqiptare i kanë marrë në sy botën, rrugët e asimilimit dhe të shkrirjes së identitetit. Shumë prej tyre në vendet e huaja kërkojnë azil. Një pjesë e tyre kërkojnë shtetësinë e vendit të huaj. Shpopullimi i trojeve shqiptare e dobëson substancën e kombit. Megjithëkëtë, ka të tillë që këtë dramë tragjike e quajnë tendencë apo trend global. Në trojet shqiptare ka fshat vetëm me një banor. Kur të vdes, kush do ta varrosë këtë vetmitar të mjerë?! Kush do të mësojë për vdekjen e tij!? Në një shkollë të një fshati të malësisë së Sharrit kishte mbetur vetëm një nxënës. Lëvizjet demografike prej fshati në qytet, mbase janë të pashmangshme. Por, migrimet e brendshme determinohen edhe nga mungesa e investimeve në infrastrukturë. Vjedhacakët që e udhëheqin shtetin, në vend që të investojnë në ndërtimin e udhëve të fshatit, i fusin paratë në xhepa. Në rrethana të tilla, lënia e vatrave bëhet e pashmangshme. Në trojet arbërore të zbrazura do të vijnë njerëz nga Bangladeshi dhe Nepali. Ata do të thonë: “Jemi pasardhës të ilirëve, stërnipa të Skënderbeut”.

Shpopullimin e trojeve shqiptare e kritikojnë edhe ata të cilët dikur vetë kanë qenë pushtetarë. Këta ish-pushtetarë, në kohën kur kanë qeverisur nuk bërë asgjë për ta ndalur dyndjen e rinisë shqiptare. Ku ke parë ti: Paga apo rroga e punëtorit është 200-300 euro, pensioni 200-250 euro, kurse vila jote kushton mbi një milion euro, vetura jote kushton dhjetëra mijë euro, veshmbathja jote është prej më të shtrenjtës. Prej ku paratë?! Një rrogë mujore le të ketë qenë 1.000 euro apo 1500 euro. O hajdut, vila milionëshe s’bëhet dot me paga mujore.

Para kësaj drame tragjike të gjithë i mbyllin sytë. I kanë mbyllur sytë: Akademia e Shkencave, akademikët, universitetet, profesorët universitarë, Lidhja e Shkrimtarëve, shkrimtarët, sociologët, studentët, rinia etj.

“Rini, thueja kangës ma të bukur që di!

Thueja kangës sate që të vlon në gji.” Migjeni

Në çdo vend të Evropës, shkrimtarët e mëdhenj kanë qenë ndërgjegjja e kombit, kanë qenë zëri kombit, siç ishte Gjergj Fishta (1871-1940) dikur. Sot shqiptarët, kanë ose jo,  ndërgjegje të kombit?! Shoqërinë shqiptare e ka kapluar oportunizmi, konformizmi, poltronizmi, hipokrizia, dyfytyrësia, tartufizmi, demagogjia, ambiciet makbetiane, karrierizmi, materializmi i egër, rendja pas parasë dhe pas të mirave materiale. Ka shumë të tillë të cilët ndryshe mendojnë dhe ndryshe flasin. Kurrë s’e thonë publikisht atë që e mendojnë dhe kurrë s’e mendojnë, atë që e thonë publikisht. Mashtrues, xhambazë, shitblerës, pseudo-atdhetarë, snobë, snobistë.

Çdo ditë vrasje, madje vrasje në stilin mafioz, breshëri plumbash, armë llojesh të ndryshme, një pjesë e popullatës mban me vete armë, mban armë në shtëpi; kultivim, shitje dhe përdorim lëndësh narkotike, vrasës me pagesë, vrasje për motive të dobëta, vrasje për parking, vrasje për hakmarrje, vetëvrasje, vjedhje, vjedhje me dhunë, djali vret babanë, fëmijët vrasin të atin, dhunë në familje, burri vret gruan, shkurorëzime bashkëshortësh, ndarje familjesh apo divorce, jetimore të mbushura me fëmijë prindërish të shkurorëzuar, lypës nëpër trotuare, nëpër rrugë, nëpër semaforë udhëkryqesh, abuzimi i fëmijëve të mitur që i detyrojnë të lypin, aksidente rrugore të shpeshta, më të shpeshta se në çdo vend tjetër të rajonit dhe të kontinentit, ngasje automjeti pa leje drejtimi, drejtimi i automjetit nga persona të moshës së mitur, drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit, drejtimi i mjetit në gjendje të dehur, drejtimi i automjetit nën efektin e lëndëve narkotike, trafikim lëndësh narkotike, armësh dhe qeniesh njerëzore, burgje të stërmbushura, pedofili.

Nëna me fëmijët hidhet në ujërat e rrëmbyeshme të lumit. Shoqëria hesht. Heshtin edhe ata që e konsiderojnë veten shoqëri civile. Institucionet sociale të shtetit apo të shoqërisë kanë rënë në letargji, në gjumë dimëror. Shpirti krijues është bërë indolent. Përballë kësaj bote markeziane të trishtueshme shfaqen reality programet glamuroze mu si në skenat e San Remos. Kjo flet për mungesë të plotë të kultivimit të qytetarisë. Muzika klasike dhe ajo popullore shqiptare është zëvendësuar me muzikë pornografike. Kudo sheh kiç dhe shund. E kanë fjalën snobët. Nuk mungojnë as pseudo-poetët që s’i lexon kush. Quo vadis bota shqiptare?!

Si është e mundur të ketë probleme ekonomike dhe sociale, të ketë emigrim përmasash të frikshme në një vend që ka pasuri natyrore?!

“… anës detit i palarë, anës dritës i paparë, pranë sofrës i pangrënë, pranë dijes i panxënë” Noli

Politizimi dhe partizimi i skajshëm i institucioneve publike, politizimi dhe partizimi i administratës publike, politizimi dhe partizimi i institucioneve arsimore dhe i institucioneve shëndetësore, paga të ulëta, pensione të vogla, administratë e ngarkuar e pushtetit qendror, administratë e tej-ngarkuar e pushtetit vendor. Punësime të reja në prag të zgjedhjeve, punësime pa vendim pune, punësime me kontratë në vepër, punësime partiake, krijime i armatës votuese nëpërmjet punësimeve partiake, futja në listën e pagave të veprimtarëve apo të militantëve partiakë. A kështu shkohet në Evropë!?

Mitë, korrupsion dhe ryshfet në të gjitha poret e shoqërisë, nëpër institucione publike, në institucionet e nivelit qendror dhe në ato të nivelit vendor. Mitë, korrupsion dhe ryshfet në sektorë të caktuar të bashkive apo të komunave, veprime të paligjshme në lëmin e urbanizmit, mafia urbane, larje apo pastrim parash, ryshfet dhe veprime të kundërligjshme në fushën e arsimit, në lëmin e shëndetësisë, në dogana, në polici; shitje notash në universitet, shitblerje e diplomave universitare, shitblerje e titujve akademikë, plagjiatura nga individë që marrin tituj akademikë – magjistër apo doktor shkence.

Mitë, ryshfet dhe korrupsion ka kudo në shoqëri, por kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë se të korruptuar janë të gjithë mjekët, të gjithë kirurgët, të gjitha infermieret, të gjithë pedagogët e universiteteve, të gjithë policët, të gjithë doganierët, të gjithë nëpunësit e bashkive apo të komunave, të gjithë ministrat, të gjithë deputetët. Po të ishte ashtu, shteti do të zhbëhej si flluskë sapuni.

Në matjen ndërkombëtare të njohuri të nxënësve të moshës 15-vjeçare, të quajtur PISA, nxënësit shqiptarë të kësaj moshe renditen në fund të listës prej 80 vendeve të botës. Në renditjen e universiteteve të botës, universitetet shqiptare radhiten kah fundi i listës apo nuk figurojnë fare. Nuk është parë në historinë e botës që personi me titull akademik mos të dijë asnjë gjuhë të huaj. Në hapësirat shqiptare ka pasur “dijetarë” të cilët të vetmen gjuhë të huaj që e kanë ditur ka qenë serbishtja.

Skena si në romanet e romancierit anglez Çarls Dikens (Charles Dickens, 1812-1870), të romancierit anglez Uilliam Thekeri (William Makepeace Theckeray, Kalkutë, Indi, 1811 Londër, 1863), të romancierit francez Honore dë Balzak (Honore de Balzac, 1799-1850), të poetit, romancierit dhe dramaturgut francez Viktor Hygo (Victor Marie Hugo, 1802- 1885), të romancierit francez me prejardhje italiane, i cili pas rënies në maturë hoqi dorë nga shkollim i mëtejmë, Emil Zola (Ḗmile Zola, 1840-1902), të romancierit dhe novelistit rus Fjodor Mihajloviç Dostojevski (1821-1881). Skena migjeniane të viteve ’30 të shekullit të kaluar. Dhe këto vende synojnë dhe pretendojnë anëtarësimin në BE!! Me politikanë dhe shtetarë të korruptuar nuk hyhet në familjen e vendeve të demokracisë parlamentare.

Shtetin apo kombin e çojnë para prijësit idealistë dhe jo qeveritarët lakmitarë, të pangopur dhe të etshëm për pushtet.

“se ç’e shempnë derbederët, mercenarët dhe bejlerët, se ç’e shtypnë jabanxhinjtë, se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë, se ç’e pren’ e se ç’e vranë; ç’e shkretuan anembanë, nënë thundrën e përdhunës, anës Vjosës, anës Bunës” ­Noli

Në hapësirat shqiptare ka edhe ekonomi gri ose ekonomi informale. Ekonomia gri ose informale (grey economiy, informal economy) është pjesë e veprimtarisë ekonomike e cila nuk është e regjistruar në statistikën zyrtare. Shteti që ka ekonomi gri nuk meriton të jetë anëtare e BE-së. Të tilla janë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe disa shtete të Evropës Lindore. Personat që kanë punuar në ndërmarrjet që kanë ushtruar ekonomi gri, nuk kanë pasur sigurim social, sigurim shëndetësor, as sigurim pensional. Këta punëtorë sot e kësaj dite shfrytëzohen si në Anglinë e shekullit XIX. Për t’iu shmangur eksploatimit të egër, ata kërkojnë shpëtim duke emigruar në Gjermani dhe gjetkë.

Në komunizmin e keq, në gadishull kishte rreth shtatë milionë shqiptarë, ndërsa në demokracinë e mirë dhe të shumëpritur, ky numër shënon rënie të frikshme. Problemet ekonomiko-sociale në hapësirat shqiptare pasjellin edhe probleme morale. Ç’është kjo përqindje kaq e madhe e shkurorëzimeve, e ndarjeve, e divorceve. A mban kush përgjegjësi për fëmijët e prindërve të ndarë?! Shumë të rinj dhe të reja, ndonëse i kanë bërë mbi 30 vjeç, nuk martohen dhe nuk krijojnë familje. Kjo ndikon në uljen e lindshmërisë apo të natalitetit. Mund të vijë një kohë kur lindshmëri apo nataliteti të jetë nën vdekshmërinë apo mortalitetin. Demografët kësaj i thonë vdekje e bardhë. Shumë banesa të ndërtesave janë të zbrazëta. Çmimet e tyre janë të papërballueshme për të rinjtë me të ardhura të kufizuara.

Shumë të rinj shqiptarë vuajnë dënime me burg në shumë shtete të kontinentit. Ata janë të fajësuar si trafikantë lëndësh narkotike, armësh dhe qeniesh njerëzore. Ka të dënuar edhe për vrasje dhe ushtrim prostitucioni.

Në botën shqiptare ka edhe raste të keqtrajtimit të kafshëve të rrugës. Në një shtet ligjor apo në një shoqëri të ngritur kafshët endacakë trajtohen në mënyrë humane. Organizmat e shoqërisë civile që veprojnë në hapësirat shqiptare nuk luajnë kurrfarë roli. Edhe po të mos ekzistonin, shoqëria shqiptare nuk do të humbte gjë. Veprojnë edhe do institute të demokracisë. Pavarësisht nga fakti se kush i  financon këto farë institute demokracie, ato nuk kanë kontribuar fare për zhvillimin e demokracisë në botën shqiptare. Shqiptarët ndodhen në dhjetëvjeçarin e katërt të shkëputjes nga sistemi monist. Tridhjetë e tre vjet pluralizëm nuk janë pak, por shteti ligjor apo shteti i së drejtës nuk duken gjëkundi.

Në Ballkanin Perëndimor, vetëm Kosova i plotëson kushtet për të qenë anëtare e BE-së. Aty ka rend dhe rregull, mbizotëron ligji, luftohen korrupsioni dhe nepotizmi, minoritetet ndërkaq gëzojnë të drejta si në asnjë vend të BE-së.

Shteti që nuk realizon zgjedhje të lira nuk gëzon respekt nga Perëndimit. Shteti i tillë nuk ka për të hyrë shpejt nën diellin e Evropës. Do të ishte në të mirë të shoqërisë që politikanët e moshuar të botës shqiptare të largohen vullnetarisht nga skena politike. Me të dalë nga skena politike, ata do të mundë të shkruanin kujtime apo memoare të cilat do t’i përkthenin edhe në gjuhën angleze. Dalja e tyre nga skena do t’i ndihmonte demokracisë shqiptare dhe kauzës shqiptare. Shqiptarët s’kanë kohë për të bërë hapa prapa. E vetmja forcë ndriçuese e hapësirave shqiptare është rinia.

Do të ishte në interes të demokracisë që i njëjti subjekt politik mos ta qeverisë vendin më shumë se dy mandate radhazi. Angela Merkeli (1954- ) vërtet ka qeverisur gjashtëmbëdhjetë vjet pa ndërprerë, por bota shqiptare s’është Gjermani!

Zënkat brenda partive politike shqiptare, kudo në botën shqiptare, shkojnë në dëm të forcimit të shtetësisë së Kosovës.

Kosova duhet ta ndalojë me rreptësi kultivimin e kanabisit në hapësirat e veta, ndryshe do t’u jepte pretekst armiqve të saj që ta cilësonin si Kolumbi të rajonit.

*   *   *

Që nga viti 1991 deri më sot, në botën shqiptare janë të pranishëm perëndimorët –  ShBA-ja dhe BE-ja. Përkundër pranisë së tyre, në shumë vise të botës shqiptare vlojnë problemet. Tridhjetë e tre vjet pa ndërprerë, të dërguarit e qendrave perëndimore kanë ardhur dhe kanë ikur pa ndonjë efekt, për të mos thënë pa kurrfarë efekti. Sidoqoftë, BE-ja për shqiptarët është një zonë mundësish. Shqiptarët duhet t’i drejtojë sytë nga miqësia e përjetshme me ShBA-në. Alternativë nuk kanë. Pa Amerikën shqiptarët nuk mund të konsolidohen. Pa Uashingtonin, shqiptarët e kanë vështirë të ndërtojnë shtet ligjor. Shqiptarët i jenë mirënjohës ShBA-së që ndihmon për konsolidimin e Shqipërisë dhe të Kosovës. Pa Amerikën, shqiptarët në gadishull janë të rrezikuar prej hienave.

*   *   *

Në brigjet e deteve shqiptare, në alpet dhe në bjeshkët arbërore vijnë turistë nga të gjitha vendet e botës, nga të pesë kontinentet. Thonë se janë mbi dhjetë milionë turistë. Brenda katër-pesë vjetëve, numri i turistëve mund të arrijë mbi pesëmbëdhjetë milionë. Në këtë pikëpamje, Shqipëria matet me fuqitë turistike të kontinentit – Italinë, Spanjën, Greqinë dhe Kroacinë. Të gjithë turistët, pa përjashtim prononcohen: “Popull më fisnik dhe më bujar se shqiptarët nuk kemi parë në asnjë vend të rruzullit tokësor. Këto brigje dhe këto zabele e gërxhe përgjithmonë do t’i mbajmë në kujtesë”.

“… fusha të gjera me lule, bregore, lumenj të kulluar,

çuka, kodra, brinja, gërxhe, pyje të gjelbëruar …” – Naimi

Sa më e fortë Shqipëria, aq më e fortë edhe bota shqiptare. Shqipëria do të bëhet!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok