08/12/2025

BONUSI I QEVERISË, KJO KARTË E SHËMTUAR E MËSHIRËS SOCIALE…!

0
Rama-Pensionistet

Nga Ilir Çumani

Çdo fundvit, kur rrugët mbushen me drita dhe qytetet përpiqen të simulojnë një atmosferë gëzimi kolektiv, qeveria shqiptare ringjall ritualin e shpërndarjes së bonusit prej 100 apo 150 eurosh për pensionistët dhe disa kategori të tjera sociale.

Kryeministri Edi Rama e përdor këtë “dhuratë” si mekanizëm shfryrës – si një injeksion të shpejtë financiar për të amortizuar zemërimin dhe zbutur pakënaqësinë, për të frenuar revoltën sociale që është grumbulluar vit pas viti te pjesa më e madhe e shqiptarëve. Bonuset projektohen si akt “bujarie”, por interpretohen gjithnjë e më shumë si mjet manipulimi politik, një taktikë që synon t’i japë qeverisjes një aureolë ndjeshmërie e dhembshurie në një realitet ku premtimet kanë dështuar të materializohen.

Shfaqja është gjithmonë e njëjtë: kamera, drita, entuziazëm i prodhuar, buzëqeshje e lehtë, gjuhë e butë, zarfat që kalojnë nga një dorë në tjetrën. Një skenë pothuajse rituale, e kuruar deri në detaj. Por pas gjithë këtij iluminimi teatral fshihet një heshtje e rëndë: mungesa e çdo politike serioze që do t’u garantonte pensionistëve, shtresave në nevojë dhe qytetarëve të zakonshëm një jetë të denjë, pa nevojën të presin dhjetorin sikur të ishte e vetmja ditë kur shteti kujtohet për ta.

Ky nuk është humanizëm, sepse shteti nuk është OJQ, as Kishë dhe as Xhami; nuk është as fondacion bamirësie, dhe asesi nuk mund të sillet si i tillë.

Por ajo që ndodh realisht te ne është një teatër oriental i mëshirës publike, ku pushteti shfaqet si shpëtimtar i atyre që në fakt i ka braktisur. Sociologjikisht, ky model nuk i fuqizon shtresat në nevojë; përkundrazi, e mban varfërinë në gjendje pezull, duke e lejuar të riprodhohet si e tillë brez pas brezi. Është një sistem që nuk shëron plagët sociale, por i përdor ato si fasadë për të justifikuar ekzistencën e vet.

Le ti themi gjërat ashtu siç janë: një pensionist shqiptar nuk ka nevojë për dhurata të fundvitit. Ai ka nevojë për një sistem që funksionon çdo ditë të vitit. Ka nevojë të mos e ndiejë frikën e muajit të ardhshëm, as peshën e zgjedhjes mes ilaçeve dhe bukës. Ka nevojë të mos i numërojë ditët e pleqërisë si të ishin borxhe ndaj shtetit, por si vite të kontributeve të tyre që shteti ia kthen me respekt, dinjitet dhe kujdes.

Sepse pleqëria nuk është luks. Pleqëria është e drejta më elementare që një shtet i civilizuar duhet t’ia garantojë qytetarit të vet. Dhe një shtet që i përkushtohet vetëm skenografisë së bamirësisë në kamera nuk është shtet social; është një aparat propagandistik që e ka humbur lidhjen me realitetin.

Filozofikisht, lemosha e pushtetit është forma më e ulët e marrëdhënies shtet–qytetar. Ajo nuk ndërtohet mbi përgjegjësi institucionale, por mbi një lloj nostalgjie feudale, ku sundimtari kujtohet për të varfrin herë pas here, për të krijuar iluzionin e mëshirës.

Ky model rrezikshëm ushqen varësinë, jo emancipimin. E mban qytetarin “mirënjohës”, jo të fuqizuar. Dhe ndërsa qeveria prodhon spektakël, realiteti i dhimbshëm mbetet i pandryshuar: pensionet ndër më të ulëtat në rajon, shëndetësia e ndërtuar mbi barrën e vetë pacientit, çmimet që rriten pa kontroll dhe një treg pune që nuk ofron stabilitet për familjet e zakonshme.

E vërteta është se lemosha e pushtetit nuk maskon thjesht mangësitë ekonomike; ajo maskon një dështim moral dhe institucional.

Sepse misioni i një qeverie nuk është të japë dhurata. Misioni i saj është të ndërtojë një sistem që i bën dhuratat të panevojshme.

Dhe pikërisht këtu qëndron dramatika e situatës: shteti shqiptar nuk po ndërton siguri sociale, por po ndërton skena. Nuk po krijon dinjitet, por varësi. Nuk po investon në politika afatgjata, por në narrativë afatshkurtër. Kjo është arsyeja pse pensionistët sot ndihen të padukshëm, të papërfillur, të mënjanuar. Sepse sistemet nuk ndërtohen me video, me spektakle dhe pamje magjike të siguruara me dronë, por me vullnet. Nuk ndërtohen me bujari të përkohshme, por me përgjegjësi të vazhdueshme.

Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi cinik: ndërsa pensionistët, administrata e ulët dhe shtresat vulnerabël e të margjinalizuara marrin “frymëmarrje” vetëm për disa ditë, brenda shtetit shqiptar vazhdon të funksionojë një sistem i padrejtë shpërndarjeje të të mirave publike që është krejtësisht dhe në ekstrem disproporcional.

Sot, Shqipëria është vendi ku 38 kategori zyrtarësh të lartë përfitojnë paga të majme, privilegje dhe bonuse të nivelit europian — ndërkohë që administrata e zakonshme merr shpërblime qesharake, pagat mbeten minimale, ndërsa pensionet janë të padinjitshme, cinike dhe denigruese.

Në asnjë vend demokratik të kontinentit nuk ekziston një disproporcion kaq dramatik. Në Belgjikë, Holandë, Danimarkë apo Francë, Itali, Gjermani, etj, raporti mes pagesës së zyrtarëve të lartë dhe pagës mesatare është shumë më i balancuar sesa në Shqipëri.

Madje edhe në vendet e rajonit — Kosovë, Serbi, Maqedoni e Mal i Zi — nuk vihet re ky fenomen.

Aty ku shtetet kanë funksionuar si organizma të shekujve të industrializimit, paga e zyrtarit nuk është thjesht shpërblim individual, por barometër i drejtësisë sociale dhe i funksionalitetit logjik të administratës.

Ndërsa në Shqipëri, piramida e pagave është përmbysur me kokë poshtë: zyrtarët e lartë marrin shpërblime që nuk i gjen as në disa vende të BE-së, ndërsa punonjësi i thjeshtë ka të ardhura që nuk mbulojnë as koston e një shporte bazike ushqimore.

Ky realitet nuk është vetëm ekonomik — është politik, social dhe thellësisht moral.

Kur një qeveri përdor bonuse modeste për të qetësuar popullin, por i mban privilegjet e saj të paprekura, ajo ekspozon natyrën e vërtetë të një modeli qeverisës që funksionon si kleptokraci moderne: një sistem që e sheh shumicën si statistikë dhe pakicën si përfitues permanent.

Në historinë shqiptare, pushteti ka përdorur gjithnjë metoda manipulative të “qetësimit” të shumicës së popullit të abuzuar prej keqqeverisjes — përmes injektimit të “kartës së mëshirës sociale”, qoftë me bukë e spektakle, qoftë me privilegje të kontrolluara.

Por, në dallim nga periudhat autoritare të shekullit XX, sot disproporcionet janë transparente: të gjithë i shohin, të gjithë i dinë, të gjithë i krahasojnë. Çdo qytetar i thjeshtë është i ekspozuar ndaj pamjes së një shteti që shpenzon më shumë për privilegje vertikale sesa për shërbime publike horizontale në formë kapilare.

Nëse e analizojmë në thelb, “politika” e bonusit si “shpërblim” për pensionistët dhe shtresat në nevojë, nuk është gjë tjetër, veçse një strategji e vjetër, idhnake e djallëzore; një strategji apo mjet politik i një pushteti të lëkundur tashmë nga arkitektura e shtetit prej qëndrimit gjatë në qeverisje, i zhytur në skandale korruptive të pafund, i padhembshur njëkohësisht dhe aspak social, i veshur me retorikën e re të propagandës dixhitale.

Ky është një akt i shpejtë, por i pamjaftueshëm: një eksperiment djallëzor i regjimeve autoritare që synon të mbajë në letargji vetëdijen qytetare, ndërgjegjen kolektive, nervin e revoltës, të pakënaqësisë dhe të protestës legjitime popullore.

Por stabiliteti politik dhe social nuk ndërtohet mbi përkohshmërinë, as mbi 100 euro që zhduken brenda ditës nga çmimet e papërballueshme dhe kostoja e lartë e jetesës.

Nuk ndërtohen dhe nuk fuqizohen shtyllat e kohezionit social mbi një shtet ku privilegjet e majme të 38 kategorive të zyrtarëve të lartë shembin çdo ide dhe bjerrin standard të meritokracisë.

Problemi është më i thellë se aq: shqiptarët nuk po revoltohen vetëm nga varfëria, por nga pabarazia dhe padrejtësia sociale. Një vend i varfër mund të jetë i qetë. Por një vend i pasur për të privilegjuarit e pushtetit dhe i varfër për shumicën dërmuese të shoqërisë është gjithmonë i trazuar në shpirt. Aty lind pakënaqësia e brendshme, ajo ndjesi kolektive se shteti nuk punon për qytetarin, por qytetari punon për privilegjet e pamerituara të një pakice që sundon egërsisht, pa pasur kurrfarë empatie e dhembshurie.

Sociologët e kanë përshkruar qartë këtë fenomen: kur qytetarët humbin besimin te drejtësia e shpërndarjes së pasurisë publike, humbasin edhe besimin te institucioni, te ligji, te politika, te vota. Shpërblimet e vogla nuk ndryshojnë këtë prirje — madje shpesh e thellojnë hendekun social që të çon në greminë.

Shteti nuk mbahet mbi bonuse bamirësie të fundvitit. Shteti mbahet mbi drejtësi, mbi balancë, mbi respektin e dinjitetit të qytetarit. Shqipëria nuk mund të pranojë më një model qeverisës që ushqen e majmë pafund pakicën dhe “qetëson” shumicën e varfër përmes lëmoshave. Ky disproporcion është jo vetëm ekonomik, por edhe etik; jo vetëm financiar, por edhe historik.

Në thelb, çështja nuk ka të bëjë as me shumën e dhënë, as me periudhën kur jepet. Ka të bëjë me parimin që qeverisja i ka kthyer politikat sociale në instrument propagande. Dhe ky është një dëm që nuk prek vetëm pensionistët — prek vetë moralin e shtetit.

Një vend nuk ecën përpara duke i mbajtur njerëzit në pritje të dhuratave, por duke i bërë ata të zotët e jetës së tyre. Duke u dhënë siguri, mundësi, dinjitet. Duke u dhënë një shtet që funksionon jo sepse “dëshiron”, por sepse ka detyrimin të funksionojë.

Nëse duam një shoqëri që ecën drejt Europës, duhet të refuzojmë logjikën e një pushteti që shpërndan nga torta e të mirave publike copëza të vogla për popullin dhe privilegje të mëdha për veten.

Shqipëria meriton një model të ri: një shtet që nuk shpërndan “bonuse si kartë të mëshirës sociale”, por garanton drejtësi; që nuk shpërndan lëmoshë, por krijon mundësi reale; një qeveri që nuk qetëson revoltën e popullit të lodhur nga padrejtësia dhe padhembshuria, por e shmang atë duke u treguar i drejtë.

Vetëm atëherë populli nuk do të presë si i vobekt te dera e një kryeministri zengjin që shpërndan lëmoshë për të marrë vëmendjen e shtetit çdo fundvit — sepse shteti duhet ta ketë pranë qytetarin e vet çdo ditë, duke e parë drejt e në sy.

Dhe deri në momentin kur Shqipëria të ketë një qeveri që e kupton këtë të vërtetë bazike, zarfat e fundvitit do të mbeten thjesht simboli më i hidhur i një shteti që zgjodhi të dukej “mëshirshëm”, në vend që të ishte i drejtë.

Tiranë, e diel, 7 dhjetor, 2025

Comments (0)

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok