06/11/2024

Skicë meditative

Nga Resmi osmani

E dëgjoj shpesh.

E kompozuar nga Raveli, e tëra është një hymn për jetën dhe dashurinë.

O dashuri!

Nis e na kumton ardhjen nga një tambur, e vetme, me rrahje zemre. Zemër e dashuruar, rrahje të qeta, të një trajtshme të  përmalluara, pulsime si psherëtima që si befasi tunduese pushtojnë hapësirën i japin jetë ritmit.Si fillim një zemër, e vetmuar, që rreh e pulson gjakun e dashurisë në rrëmbat e planetit. Pastaj, si të drojtura, si psherëtima molisëse, kënga e flautit, gjithsesi veshur me vel të  mistershëm, mistik. I bashkohen thirrjes të tjera e të tjera, ëmbëlsisht violonat, oboet, klarinetat, trompat, violinçelat. Një ansambël i tërë. Secila pulson e vibron me tinguj të qetë e të harmonishëm, zihen dorë për dore, bëhen ujem, edhe bashkë edhe veçë, secila me bukuri dhe dashuri! Jonet tingëlluese mijëra, miliona, ngiten qiellit si një galaksi. Me ritëm të qetë, si dallgë deti nën puhizën e lehtë. Bëhen njësh me ajrin, frymohen,nga dëgjuesi, bëhen njësh me gjithë shqisat. Janë aty të gjitha: shpresa, pritja, padurimi, dritësimi i syve, vështrimi ngashenjyes,  ëmbëlsia dhe kumbimi tingëllues i fjalëve mikluese: Të dua, të dua! Mjalti i të puthurave, pëshpërimat dhe psherëtimat, ngashërimi nga magjia e ndjenjave, ankthi i pritjes, fshehtësia e ndrojtur misterioze dhe përvëluese e Romeos dhe Zhulietës, pafajësia vergjine e Ofelisë, pastërtia dhe  dlirësia e  Desdemonës, pritja në anëdet dhe shpresa e Vajzës së valëve, por edhe lotët, dhimbja dhe rënkimi për dashurinë mëmësore të Ajkunës për Omerin.

Dashuri, ti je kudo, në gëzim, pikëllim e hidhërim, në të qeshurat e të lumturve dhe lotët e fatkeqëve, në të lindurit që vijnë në jetë dhe atyre që ikin nga jeta, se brenga dhe hidhërimi ushqehen nga dashuria. Zoti është dashuri, dhe jeta fryt dashurie.

Rri e dëgjoj. Një mahnitje. Nga Boleroja derdhet deti i tingujve, harmoni qiellore, mistike, ku nuk mungon gjëmimi, vrulli furia dalldisëse e ndjenjave. Në to janë gjithë dashuritë.Se dashuritë janë të shumta. Po kjo ç’është?Rënkim, ofshama e një  trombone si  rrënimi i zemrës dhe shpirtit. Është Otello. Xhelozia, urrejtja, shemrat e tua dashuri. Bardh e zi, dritë dhe errësirë, natë dhe ditë, besnikëri e tradhëti, urrejtje dhe dashuri këto çifte mundonjëse,si dyzim dhe luftë e të kundërtave rrënuese, munden prej teje, se je më e fuqishme, triumfuese, forcë që lëviz botën, diellin, hënën dhe yjet, se ti je hyjnore!

O dashuri,

Ti je frymë që, i jep gëzim shpirtit dhe gjallëron gjithësinë! Je në puhizën e ngrohtë pranverore, që shkrin borën dhe akullin, që ngjall natyrën zgjon nëndhe farërat dhe rrënjët, vesh me të gjelbër  pyllin. Ti je që çel  mijërat e luleve  në lëndinat e jetës, në bukurin e trëndafilave – mbret i luleve, e kuqja e dashurisë, e bardha e pastertisë dhe besnikërisë, e verdha e….xhelozisë! Sepse emir yt është  vetë bukuria. Jasemini dhe zambaku kanë aromën tënde që ermiron ajrin. Ngrohtësia jote pranverore mbulon me vello nuserie bajamet dhe mimozat. Përkëdhel faqet e vashave, ngjall dëshirat dhe bën të ëndërrojnë për djemtë dhe djemtë për vashat. Je në cicërimat e zogjve dhe buzëqeshjen plot dritë të gjithëçkaje që na qarkon. Në piklat e vesës mbi fijet e barit që rrëzëllejnë si diamante nga puthja e rrezeve të diellit.

Edhe natyra është dashuri.

Edhe jeta është dashuri.

Ti je te çdo fëmijë që lind, në gugitjen e tyre, në buzëqeshjen e dashur të nënave dhe në melodinë e ninullave që ve në gjumë dhe rrit të vegjëlit. Në çdo çerdhe të dallandysheve, në gugatjen e pëllumbeshave, në këngën e bilbilave.

Ti je magjistare, fuqia jote e shndrroi Zeusin në mjellmë për t’u bashkuar me Ledën, dhe që ajo të lindte Helenën, më të bukurën dhe më të dashuruarën  dhe ngashnjyesen e grave. E shndrrove Narcisin në zambak, dhe Adonisin në  anemonë, lulen që çel stinën e pranverës.

O dashuri,

Ti je krijim. Sepse nuk ka krijim e ngjizje pa dashuri. Eros në vargjet e poetit që derdh në to shpirtin, me gjithë drithërimet, të hymnizon,  lumturon, shigjeton dhe plagos zemrat.  O sa shumë poezi për ty, pa fund! Je në dritë – hijet dhe ngjyrat e ylberta në tablotë e piktorit, shtatoret dhe nudot   me linjat elegante të skulptorit. E si mund të krijohej Mona Liza dhe Aferdita e Milos pa dashuri? Je te Hirushja e prrallave dhe princi i kaltër, jo vetëm si ëndërr por edhe dëshirë mahnitëse. Në fluturimin e avionëve që përshkojnë hapësirat dhe bashkojnë zemrat. Je në çdo kokërr gruri, në bukën  taze të tryezave tona, në vilet e rrushit, në gotën e verës kuqaloshe, se bujku ka punuar dhe derdhur djersë, i ka selitur me dashuri, me dashurinë për jetën.

Dashuri, amore, lowe, sevda…..Je fjalë  në gjithë gjuhët e botës, se fjala ishte e para, dhe ndofta ti je e para e fjalëve!

Fundi: një tingëllim madhështor, një hymn: njerëz, duajeni jetën, duajeni njeri-tjetrin, jetoni në paqe e miqësi dashurohuni dhe  lumturohuni!

Tiranë, më 21 të vjeshtës së dytë 2021.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok