10/11/2024

Blerim Latifi: Si shpjegohet ikja masive e njerëzve nga Shqipëria?

0

Blerim Latifi:

E lexova në media se sipas shifrave të autoriteteve britanike emigrantët që po kalojnë kanalin anglez për të hyrë ilegalisht në Britani të Madhe kryesisht janë iranianë, afganë dhe shqiptarë.

Krejtësisht e qartë pse njerëzit duan të arratisen nga Irani, i cili, siç edhe na e treguan protestat e fundit, është kthyer prej kohësh një regjim totalitar ku jeta për një pjesë të madhe të popullatës është bërë e padurueshme.

Po ashtu e qartë e arsyeja e arratisjes nga Afganistani, ku kushtet e jetës njerëzore janë bërë edhe më mizore se në Iran, prej se në pushtet u kthyen talibanët mesjetarë.

Por si të shpjegohet ikja masive e njerëzve nga Shqipëria?

Shqipëria nuk është shtet totalitar, si Irani dhe Afganistani. Pra nuk bëhet fjalë për shkaqe politike të arratisjes. Bëhet fjalë për një shkak tjetër. Ai lidhet me stërgjatjen e tranzicionit demokratik shqiptar. Ka tridhjetë vite që zgjat ky tranzicion. Gjatë këtyre tridhjetë viteve është lindur dhe rritur një brez shqiptarësh, të cilit, nga foshnjëria e deri në maturim, i është dashur të edukohet me ideologjinë e ksenocentrizmit.

– Kjo është ideologjia në të cilën njeriu mësohet ta mbivlerësojë kulturën e huaj në dëm të kulturës së vendit të tij.

– Kjo është ideologjia në të cilën njeriu mësohet ta përçmojë veten, vendin e tij, gjithçka që përfaqëson ai dhe ta idealizojë të huajën, botën që shtrihet përtej kufijve të vendit të tij.

– Kjo është ideologjia e cila ia injekton njeriut kompleksin e inferioritetit në raport me të huajën dhe, rrjedhimisht, edhe urrejtjen për vendin e tij.

– Kjo është ideologjia, e cila në fund të ditës ia jep një orientim final njeriut : ikjen nga vendi i tij. Madje me çdo lloj mënyre a rruge që të mundet. Edhe me rrezikun që të humbas jetën mes dallgëve te detit të trazuar.

_________

FSK bën roje nderi para një pllake memoriale, e cila nderon ushtarët e rënë në luftë në Kosovë midis viteve 1912-1918!

Hiç më larg se dje.

Po kush ishin ushtarët e rënë në vitin 1912, të cilëve u referohet pllaka në serbisht, e vendosur në kohën e Millosheviqit në Lagjën “Arbëria” të Prishtinës?

Nuk ishin francezë. As gjermanë. Ishin ushtarë serbë, pjesë e armatave serbe, të cilat gjatë vjeshtës dhe dimrit të viteve 1912- 1913, e dogjën Kosovën dhe i masakruan 25 mijë shqiptarë.

Sot në Kosovë nuk ka asnjë memorial për këta shqiptarë të masakruar, por ka një memorial të vrasësve të tyre.

Ka edhe injorantë në krye të shtetit të Kosovës, që i dërgojnë djemtë e FSK- së aty, për të bërë roje nderi të memoriali i vrasësve të të parëve të tyre.

Ambasadori francez dhe ai gjerman që vunë kurora lulesh tek kjo pllakë, thanë se këtë e bënë në përkujtim të  datës së përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe të rënëve të saj. Por datat në pllakë nuk përkojnë me ato të fillimit të kësaj lufte, e cila kishte nisur me 1914 dhe përfunduar me 1918. Ka një datë tjetër aty: viti 1912. Dhe çfarë kishte ndodhur në këtë vit në Kosovë, u tha pak më lart në këtë shkrim.

_________

Për shekuj me radhë plisi dhe uniforma ushtarake kanë qenë në taborre të kundërta, të papajtueshme, armiqësore. Uniforma ushtarake simbolizonte shtypjen, e plisi mosbindjen, kryengritjen kundër saj.

Do të duhej të vinte Epoka e UÇK- së që ky përqafim të bëhej i mundur. Ky përqafim që i thotë të gjitha.

_________

Sa herë ndodhë që dikush në Perëndim ua jep ndonjë shpullë të fortë, si kjo e tanishmja në Londër, shqiptarët vrapojnë të nxjerrin fotografitë e Nënë Terezës, portretet e Skënderbeut dhe të tundin flamurin kombëtar të trashëguar prej tij. Kështu duan të mbrojnë fytyrën e tyre të vetnëpërkëmbur duke i përdorur këto ikona të historisë së tyre. Dhe sapo nuk u duhen më për këtë punë, i lënë mënjanë, i hudhin, madje edhe i bëjnë objekt talljeje. Dhe këtë më së miri e tregon ky fakt: sot përqeshësit dhe ofenduesit më të mëdhenj të këtyre ikonave në botë, janë vetë shqiptarët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok