30/12/2024

Bilal Alaj,  mësimdhënës model dhe drejtues i aftë

0
Bilal-Alaj

Nga Gjekë Gjonaj

Se arsimimi është shpirti i kombit, këtë e kishte thënë që moti patrioti i shquar demokrat, personaliteti i rrallë e heroi i madh i kombit tonë, Hasan Prishtina. E meqë ishte pishtar i flaktë i arsimit shqip, ai edhe e kishte jetësuar këtë thënie me shkollimin e tij personal duke shkrirë tërë pasurinë e tij për arsimin shqip. Këtë rrugë  të mësimdhënies e zgjodhi  dhe  e ushtroi me shumë dashuri, entuziazëm e përgjegjësi edhe mësuesi  Bilal Alaj , nga fshati Katërkollë ( Anë të Malit), Komuna e Ulqinit.   Shkollimin fillor e ka kryer në Shkollën Fillore “ Bedri Elezaga” në Katërkollë,, kurse Shkollën Normale në Prishtinë.  Nuk u kënaq me kaq dhe   diplomoi  në Fakultetin e Mësuesisë , në Universitetin e Prishtinës.

Sikur e ka bekuar Zoti me profesionin e mësuesit!

Bilal Alaj ndjehet i lumtur   që ëndrra dhe dëshira e tij për t’u bërë mësues  iu plotësua, sepse ky profesion për të është i shenjtë, ashtu siç janë vet nxënësit me çiltërsinë, dashurinë dhe botën e tyre fëmijërore e të padjallëzuar.  Profesionin e mësuesit  e ka zgjedhur me dëshirën  më të madhe  prandaj shprehet : “  Sikur të ndodhte ajo që nuk do të ndodhë, përsëri  do të zgjidhja profesionin e mësuesit”.  Sikur e ka bekuar Zoti  me profesionin e mësuesit!    Në përvojën  e tij  shumëvjeçare  gjithmonë ishte dhe mbetet parimi se të edukosh dhe të mësosh gjenerata të tëra nxënësish është mund e përkushtim, kënaqësi e dashuri, nder e krenari, por edhe detyrim dhe përgjegjësi e madhe.

Fillimet e punës me ditar në dorë

Profesionin e mësimdhënies e filloi,  pasi  e mbaroi me sukses  Shkollën Normale në Prishtinë , në paralelen e shpërndarë të SHF” Bedri Elezaga”  të Katërtkollës, në fshatin Megjureç, ku mësimi zhvillohej në gjuhën joamtare ( serbokroate).   Në këtë fshat  të largët  mësuesi i ri  Bilal , me përgatitje të lartë profesionale,  në shkurt të vitit  1972 mori për herë të parë ditarin në dorë.  Për të ishte një ndjesi e rrallë   dhe e papërshkruar, që iu krijua  mundësia  dhe pati fatin të kthehet në vendlindje dhe të punojë në shkollën, ku i kishte  marrë mësimet e para,  ku mësuesit e tij  ia  kishin shtuar dashurinë për dije, për  gjuhën e atdheun, lashtësinë e kombit tonë,  mësimet dhe shkathtësitë për jetën. Edhe pse prej atëherë  kanë kaluar 52 vjet  ende e ka të freskët dhe kurrë nuk do harrojë takimin e  parë dhe njohjen me nxënës. Përshëndetja  e ëmbël,    buzëqeshja  e çiltër ,  hyjnore e engjëllore  e nxënësve  e  përcjellin dhe  e shoqërojnë edhe sot.

Hapi rreze diturie në fshat dhe qytet

Mësuesi entuziast  Bilal Alaj,   pas dy vitesh pune në fshatin Megjureç dhe kryerjes së shërbimit ushtarak,  përsëri     punësohet  në SHF “ Bedri Elezaga” në vendlindjen e tij, ku ka punuar deri në vitin 1978.  Prej aty  shkëputet nga arsimi dhe në vitin 1979  kalon në  Ulqin,  ku  punësohet në Sekretariatin e Mbrojtjes Popullore.  Në këtë sekretariat ka punuar gjashtë vite dhe  ka  përjetuar  atë që nuk e kishte  menduar asnjëherë, largimin nga puna  dhe arrestimin , duke e akuzuar   si nacionalist.   Ky dënim i rëndë dhe i padrejtë  që iu bë  këtij   personaliteti të  shquar të arsimit   i  ndaloi    atij të drejtën e  punës,  deri në  kohën e  ndryshimeve  demokratike  në Mal të Zi. Por,  nuk ia  theu  fuqinë   e madhe , moralin dhe dashurinë  e  tij  të flaktë shpirtërore,  që  të vazhdojë të hapë rreze diturie  tek  nxënësit shqiptarë në fshat  dhe qytet.   Në vitin 1990   u  punësua  në SHF “ Marshall Tito” në Ulqin,  ku ka punuar deri në vitin 2006.

Mësues i mirë  dhe udhëheqës i aftë

Mënyra e sjelljes si mësues të  Bilal Alajt   vazhdimisht është  shprehur me fjalë dhe veprime.  Një nga parimet  kryesore të tij në punën e mësuesit  dhe drejtuesit, ka qenë disiplina e punës, të cilën ai gjithnjë e ka vlerësuar si një nga faktorët kryesorë të drejtimit të shkollës dhe klasës. Parimi i  këtij mësuesi ambicioz ,  në punën e vet edukative -mësimore, ka qenë dhe është udhëhequr nga koncepti se  një mësues i mirë duhet t’u mësojë nxënësve që ata të marrin përgjegjësinë për të mësuarit dhe të arrijnë t’i realizojnë objektivat që i vënë vetes.

Si mësues  dhe   edukator i mirë   dhe drejtues  i aftë i shkollës Bilal Alaj   vazhdimisht është dalluar për inteligjencë, njohje të profesionit, kryerje të punës me ndërgjegje e dashuri për nxënësin, durim, qëndrim të drejtë dhe sinqeritet. Ai gjithnjë dhe gjithmonë  i ka dashur  nxënësit dhe shkollën,  duke punuar me këmbëngulje e durim për mbarëvajtjen e tyre.  Shumë  nxënës që  janë  edukuar dhe mësuar  nga “dora” e tij, janë dalluar dhe vazhdojnë të dallohen për  vullnetin e mirë për të mësuar sistematikisht.

Të gjithë  kolegët dhe  bashkëpunëtorët e tij,   që së bashku kanë punuar  dhe   kanë kontribuar  në edukimin dhe arsimimin e  nxënësve shqiptarë dhe në përmirësimin e kushteve  të jetës  sociale-ekonomike të fëmijëve me aftësi të kufizuara, natyrisht që vazhdojnë të ruajnë  respektin e dashurinë për këtë njeri dhe intelektual të veçantë. Të flasësh për cilësitë njerëzore të Bilal Alajt , nuk mund të  mos thuash  se ai është  një  njeri modest,  shembull i veçantë  në  komunikim,  me nxënës, kolegë dhe bashkëqytetarët e vet.

Ta duam  dhe ta respektojmë profesionin e mësuesit

Kjo  thënie është porosia   e këtij mësimdhënësi model, tashmë në pension, i cili gjithherë procesin  edukativ e vuri  para atij arsimor, duke menduar se njeriu i edukuar mirë mund të jetë i dobishëm për familjen e tij, për rrethin ku jeton e  vepron, për kombin dhe atdheun. Ai  shprehet se  ky profesion është zbavitës, sfidues i vështirë dhe ekzistues. “ Toni Bler  ka thënë:   “Ashtu siç është arsimi sot është kombi nesër” , kurse Sami Frashëri  ka thënë: “ Nëse do të mbjellësh për një vit, mbill misër e grurë. Nëse kërkon që të mbjellësh për gjithmonë mbill arsim e kulturë”. Këto thënie, vlerëson Bilali  na këshillojnë ne mësuesve  që nëse gabojmë në procesin edukativo-arsimor, ky gabim  kurrë nuk do të përmirësohet . “ Prandaj  ta duam, ta respektojmë dhe ta aplikojmë me shpirt  ngrohtësinë e  profesionit të mësuesit, sepse do të përfitojnë nxënësit tanë, që janë ardhmëria jonë”, na tha ai  në përfundim të  bisedës sonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok