22/12/2024

BIBLOTEKA NDËRKOMUNALE E PRIZRENIT

0
Exif_JPEG_420

Exif_JPEG_420

Meriton falënderim dhe mirenjohje!

Nga Kadri Tarelli

Lajm i bukur për jetën letrare-artistike të qytetit të shqiptarizmit në  Prizren, në këto muajt e fundvitit 2022. Biblioteka Ndërkomunale e qytetit publikon antologjinë të titulluar “Pranë Lumbardhit”, një emër i përzgjedhur bukur letrarisht, por edhe shqiptarisht, sepse bëhet fjalë për krijimtarinë letrare të shpërfaqur në konkursin letrar zhvilluar në Nëntor 2022, ku morën pjesë shumë pena poetësh dhe shkrimtarësh nga të gjitha trevat shqiptare.

Së pari, është një shembull dhe model për të gjitha simotrat e bibliotekave në botën letrare shqiptare, pasi brenda 20-vjetësh, ka sjellë rreth 25 botime, pa u ndaluar asnjë vit. Komenti është i panevojshëm, sepse serioziteti, përkushtimi dhe përgjegjësia për misionin e saj, është për t’u admiruar.

Së dyti, kjo antologji sjell një risi të këndshëm dhe tepër të dobishme, sepse veç konkuruesve, si pena të njohura në poezi dhe prozë, përfshihen edhe krijime të nxënësve të shkollave. Një shembull i përkryer, për të tërhequr vëmendjen e talenteve të rinisë në fushën e letrave shqipe.

Së treti, besoj se është një udhë e shtruar e dhe nga të tjerët, vendosja e poezive sipas rendit alfabetik të autorit krijues. Kështu cilido e gjen lehtë vendin e vet, pa e prishur qejfin se nuk e vunë në krye, siç kanë qejf disa. Madje edhe për fituesit të çmimeve, bëhet vetëm një njoftim jo shumë i dukshëm në fund të faqes. Mendoj se kanë vepruar drejt, pasi vetë pjesëmarrja në konkurs është vlerë, ndërsa çmimi natyrisht është i pëlqyeshëm për cilindo, por jo kusht vendimtar, aq më pak qëllim në vetvete. Sa për ilustrim po vendos vetëm emrat e fituesve:

. Fatime Kalimashi, poezia “Nuk i mbyll sytë”. Çmimi “Abdullah Thaçi”. Faqe 22.

. Xhyzide Shehu, poezia “Në ditë do t’i japësh arsye vetes”. Çmimi i parë. Faqe 111.

. Alma Zenellari, me poezinë “Që nga ai çast…”. çmimi i dytë. Faqe 11.

. Valbona Hadri, poezia “Mendjendriturit”. Çmimi i dytë. Faqe 105.

. Sahit Osmani, me poezinë “Kosova në Marsin e 1999-s. Çmimi i tretë. Faqe 89.

. Taner Guçluturk, poezia “Anamin Yuzu”. Çmimi i tretë. Faqe 99.

Më vjen keq që kjo poezi nuk është përkthyer në shqip. Lexuesi shqiptar, ashtu si edhe unë, nuk ka mundësi ta shijojë dhe ta vlerësojë forcën e poezisë dhe mesazhin që përcjell. Nga përvoja ime, si pjesëmarrës në një konkurrim në Itali, Premio Internazionale “Centro Giovani e poezia-Triuggio”, m’u desh të paraqitem me poezi të përkthyer në italisht nga poetja shqiptare Irma Kurti. Madje kështu italisht edhe u botua në antologjinë kushtuar veprimtarisë.

. Mirvete Kabashi-Leku, me poezinë “Kosovë”, është shpërblyer më një komplet librash. Faqe 70.

. Sherife Berisha-Thaçi, me poezinë “Abetarja jonë e re”, është shpërblyer më një komplet librash. Faqe 95.

Të them të drejtën, që në hyrje të antologjisë, me “Grup autorësh”, më pëlqen dedikimi i hartuar nga Sahadete Sadikaj-Kukaj, drejtoresha e bibliotekës, me një titull drejtuar posaçërisht: “Ty lexues”, që të shtyn ta lexosh me patjetër librin, pasi: “Ty lexues i nderuar që librin tani lexon, dëshirojmë të të ftojmë, që nga emri lexues të bëhesh edhe vetë krijues”. Besoj se mesazh më të bukur dhe të drejtpërdrejtë nuk mund të gjendet. Aq e vërtetë bëhet ftesa, sa për ta përforcuar mendimin, thirret në ndihmë poezia, e cila edhe vetëm në këto pak vargje, shpreh qëllimin dhe gjithë përfshirjen e forcave krijuese, në lëvrimin e poezisë dhe prozës, ku e ka shtratin mendimi dhe arti i fjalës:

“Më jep një shkronjë, të jap një fjalë

Më jep një fjalë, të jap një fjali.

Më jep një fjali dhe të gjithë së bashku

Mund të bëjmë një mrekulli”.

Më vjen mirë që në këtë veprimtari mbarë kombëtare, kanë marrë pjesë edhe tre krijues nga Durrësi. Për të qenë i saktë, poetët durrsakë kanë marrë pjesë vazhdimisht në sofrat poetike të organizuar në Prizren, të cilët jo rrallë hërë janë vlerësuar me çmime e vende nderi.

  1. Merita Kuçi-Thartori, me poezinë, “Të duam ndriçim”, kushtuar poetes dhe stilistes Emine Hoti, çikë nga Drenica e Dardanisë, e njohur si “Marigo e Norvegjisë”, banuese në Norvegji. Ja disa vargje:

……..

Me shami flokësh gjithë ngjyrash,

Me jelek të bardhë, të kuq e të zi,

U veshën nuset, të rinjtë e Kosovës,

Dhe flladitën forcën me flamuj, Dardani!

  1. Teuta Dhima, me tri poezi: “Përroi”, “Të kam falur hënë”, dhe “Pemët nuk e dinë kë kanë për fqinj”.

……..

Të kam falur, se aq herë

Kam pushuar së jetuari

Dhe përsëri kam rilindur unë. Poezia “Të kam falur hënë”.

  1. Kadri Tarelli, me poezinë “Vjeshtën nuk e tremb thëllimi”.

……..

Zhveshur pret dimrin thinjosh,

Vjeshtën nuk e tremb thëllimi,

Dashurish dashuruar,

Veç një orë të jetosh! Poezia “Vjeshtën nuk e tremb thëllimi”.

Unë personalisht nuk mora pjesë në përurim të librit, pavarësisht ftesës, por shpirtërisht ndodhesha aty, në atë qytet të besëlidhjes shqiptare, mes krijuesve të shumtë. Gjithsesi edhe botimi i kësaj antologjie flet shumë e më shumë, pasi shkon në shumë duar, në shumë shtëpi e biblioteka dhe jeton në përjetësi.

Një urim dhe falënderim shkon edhe për shtëpinë botuese “Fidani”, me drejtuesi e përkushtuar prizrenas Berat Batiu.

Me këtë rast uroj suksese për veprimtari të tjera po kaq të arritura në letrat shqipe, si pasuri shpirtërore e kombit shqiptar.

Urime dhe mirënjohje!

Kadri Tarelli

Durrës. 31. Dhjetot 2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok