21/12/2024

Berisha dhe Rama: Kush duhet hetuar e kush është nën hetim!

0
Enver-Bytyci1

Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi

Po bëhen gjashtë muaj që kur SPAK ka izoluar me arrest shtëpie kreun e opozitës, Sali Berisha. Prej asaj kohe e deri më sot prokurorët e kanë thirrur Doktorin vetëm njëherë për hetim! Thjesht i kanë komunikuar se “është nën hetim”, me dyshimin për korrupsion pasiv. Argumenti që kanë sjellë është krejt absurd. I korruptuari “aktiv” qenka dhëndërri i tij. Metodologjia e hetimit është gjithashtu absurde. Korrupsion për shkak të një ligji të parlamentit për kthimin e pronave!

Por nuk dua të ndalem te kjo pjesë. Meqë Berisha është person në hetim, pse nuk hetohet? Kjo është pyetja! Prej gati gjashtë muajsh nuk u thirr në hetzuesinë e SPAK, përveçse njëherë. Gjatë kësaj kohe nuk ka asnjë zhvillim të ri në procesin anti-Berisha?! Nëse jo, atëherë pse mbahet nën hetim e nën arrest?! Nuk ka ndodhur kurrë që një person nën hetim të arrestohet! Nuk ndodh që drejtësia e pavarur të arrestojë një person qoftë të thjeshtë e pa asnjë funksion, pse është shpallur nën hetim. Kjo ishte praktika e hetuesisë së Aranit Çelës në kohën e diktaturës. Parimi i atëhershëm “ta fusim njëherë në burg e pastaj gjejmë provat”, po aplikohet sot te kreu i opozitës në Shqipëri. Dhe Altin Dumani mburret me këtë praktikë!

Megjithatë, unë e kam një shpjegim. Prokurorët hetues janë të trembur e njëkohësisht të tredhur. Kanë frikë edhe të hypin në lis edhe të zbresin prej tij. Nëse e thërrasin Sali Berishën, nuk janë ata që bëjnë akuzë e as hetim. Eshtë Berisha ai që i ve përpara me akuza dhe prova e fakte për shkeljet e ligjit që këta prokurorë bëjnë në procesin kundër kryetarit të opozitës. Të paaftë të gjejnë prova dhe fakte, prokurorët e SPAK, me urdhër politik, as nuk e lirojnë Doktorin, as nuk e hetojnë atë. Duan thjesht të zbatojnë një praktikë për të cilën janë urdhëruar. Nuk ka ndodhur ky precedent kurrë në historinë e ndonjë demokracie në botë, sado e qullosur të ketë qenë ajo demokraci.

Por në Shqipëri ndodh edhe kjo. Kryetari i opozitës mbahet në izolim pa akuzë. Thuhet se është nën hetim e nuk hetohet. Dhe e gjitha kjo thjesht për ta denigruar e shkatërruar opozitën shqiptare. Ishte Berisha ai që para një dekade e cilësoi qeverisjen e Rilindjes si narko-shtet. Sot kemi ardhur në momentin kur të gjithë skeptikët e asaj kohe e pohojnë me gojën plot këtë akuzë. Ndërsa drejtësia e SPAK, në vend të hetojë narco-shtetin dhe ideatorin e regjizorin e tij, kryeministrin e Shqipërisë, bën sikur heton ish-kryeministrin e ish-presidentin e Shqipërisë, pikërisht për faktin se ai i pari e me guximin e një “të marri” i dha emrin që ka kësaj qeveria e këtij shteti!

Mos prisni që Sali Berisha të hetohet. As të thirret më në SPAK. As ta nxjerrin në ndonjë seancë gjyqësore. Nëse ndodh kjo, atëherë nuk i bëhet gjyqi Sali Berishës, por është ky i fundit që do ia bëjë gjyqin narco-shtetit dhe seksionit të tij me emrin SPAK. Gjithçka e krijuar dhe e financuar nga Soros, përfshirë SPAK-un, është pjesë e narco-shtetit. Kush ka iluzione, e nëse ky iluzionist i takon opozitës, këto iluzione t’i mbajë për veten e tij. Së paku mos pengoni rrëzimin e narko-shtetit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok