BEDRI PEJANI “Emoraj”- ATDHETARI I PA KOMPROMIS PËR SHQIPËRINË ETNIKE
T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
(1885- u dënua me pushkatim, por u helmua dhe vdiq me 6 korrik 1946)
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Bedri Pejani ka qenë figurë poliedrike shqiptare; nënshkrues i Shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë; publicist dhe kryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Bedri Pejani u lind më 10 tetor 1885, në qytetin e bukur të Pejës. Ishte i biri i Abdi Thaqit dhe i nënës Bahtijare, e lindur Spahiu. Bedri Pejani shkollën e mesme e ndoqi dhe e kreu në Robert College dhe studimet e larta, Degën e Historisë i mbaroi në Universitetin e Stambollit, dhe mund të themi se për kohën ishte njeri i arsimuar. Fliste shumë gjuhë të huaja si: gjuhën shqipe, turqishte, frëngjishte dhe më pak italishten. Në kohën kur u arrestua, ishte gazetar dhe ishte kryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit.
Bedri Pejani apo Babushi siç e quanin shokët e miqtë e ngushtë, tërë jetën ia kushtoi Shqipërisë etnike dhe popullit shqiptar. Ishte anëtar i klubit “Bashkimi” të Shkupit, kryesuar nga Nexhip bej Draga. Më 1908 punonte mësues në Shkup, ndërsa më 1-6 prill 1910 ishte delegat në kongresin e dytë të Manastirit. Ishte ndër konspiruesit dhe organizatorët e kryengritjes së 1910. Në shtator të 1910 gjykata e Prizrenit e dënon me vdekje në mungesë duke e akuzuar për punë konspirative.
Më 14 tetor 1912, anëtar i komitetit, nënshkroi një memorandum për Fuqitë e Mëdha. U zgjodh përfaqësues i Plavës, Gucisë, Gjakovës dhe Pejës. Ishte delegat në Kuvendin e Vlorës, ku nënshkroi Shpalljen e Pavarësisë me siglën Bedri Pejani. Më 1920 bëhet redaktor i gazetës Populli me qendër në Shkodër. Prillin e vitit 1921 u zgjodh inspektor në Komisionin Qendror të Federatës “Atdheu”, formuar pas mbledhjes më 25-28 prill 1921 në Vlorë; U zgjodh deputet në zgjedhjet 1921, më 1922 u zgjodh kryetar i Partisë Popullore. Mori pjesë në Komintern, së bashku me Ali Kelmendin dhe u integrua në Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Ai ishte prej kohësh një veprimtar i njohur i Komintern-it, kishte pseudonimin “Emoraj” dhe mbante korrespondencë të rregullt me këtë organizatë të madhe komuniste ndërkombëtare.
Bedri Pajani ishte njëri ndër themeluesit e “Komitetit të Kosovës”, i përbërë nga 12 veta. I cili u formua në Tiranë, në maj të vitit 1941. Bedri Pejani u emërua sekretar dhe hartoi programin politik, i cili kishte këto pika: 1. Të qetësojmë popullin e Kosovës, t’i hapim shkollat e ta krijojmë administratën dhe të prapagojën për Shqipërinë e lirë. Komiteti kishte mbi 120 anëtarë dhe ishte në kontakt të vazhdueshëm me qeverinë në Tiranë.
Bedri Pejani qysh në vitin 1937, jetonte në Paris, dhe nga aty kryente detyrën e gazetarit duke shkruar tekste të ndryshme për gazetat e vendit. Më 8 prill 1939 merr pjesë në një miting në Paris ku flet kundër italianëve duke i kritikuar se ata kanë okupuar Shqipërinë. Në Shqipëri është kthyer më 1941 dhe nga aty kthehej në Kosovë me një grup emigrantësh prej 120 vetave. Në Kosovë kishte vizituar Prizrenin, Gjakovën dhe Pejën. Pas dhjet ditëve shkon në Mitrovicë dhe aty qëndron mbi 11 muaj. Gjatë kësaj kohe kryetari i Qeverisë- Mustafa Kruaja i kishte propozua që të shkonte përsëri në Francë që të punonte kundër italianëve. Ai nuk kishte pranuar duke kërkuar që të kthehej në vendlindje- Pejë. Më 8 gusht 1943, italianët e internojnë në Porto Romano, ku qëndroi 35 ditë, deri në kapitullimin e Italisë. Pas lirimit nga internimi, shkon në Tiranë dhe angazhohej në Komitetin Ekzekutiv, të cilin e udhëhiqte Ibrahim Biçaku. Komiteti Ekzekutiv ishte një lloj qeverie e përkohshme, deri sa të formohej qeveria e përhershme e Shqipërisë.
Duke i parë rrjedhat politike në Kosovë, gjenocidin dhe terrorin e paparë ndaj popullatës të pafajshme shqiptare, Bedri Pejani pa hezituar renditet skajshmërish në krahun e djathtë të orientimit politik .
Bedri Pejani mbante lidhje edhe me Muharrem Bajraktarin e Lumës. Në një takim që kishte pasur me të, ku merrnin pjesë edhe Shaqir Curri dhe një komandant gjerman. Takimi u bë në stacionin e xhandarmërisë në fshatin Bicaj të Lumës. Qëllimi i takimit ishte që Muharrem Bajraktari të rrinte urtë dhe të mos ndërmerrte kurrfarë aksionesh kundër gjermanëve, si dhe ai të sigurojë rrugën Prizren-Shkodër, nëpër të cilën kalonin gjermanet. Po ashtu Bajraktarit iu ofrua që të jetë pjesë e Komitetit Ekzekutiv në Tiranë dhe që të iu pamundësojë partizanëve të krijojnë bazën e tyre në Lumë. Muharrem Bajraktari nuk kishte pranua asnjërën nga këto kërkesa. Pas kësaj Bedri Pejani kthehet përsëri në Tiranë, ku qëndron deri më 16 nëntor 1943.
Sipas deklaratës së Bedri Pejanit që e jep në hetuesi, më 22 nëntor 1945, ai kishte deklarua se pas kësaj, kthehej përsëri në Prizren, ku merr pjesë në Kongresin e Komitetit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Për atë takim ishin kthyer vetëm katër veta si: Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Masar Sopoti dhe ai- Bedri Pejani. Takimi ishte mbajtur në shkollën “Bajram Curri”. Në kongres, Bedri Pejani kishte mbajtur një fjalim ku i njoftonte të pranishmit për formimin e Komitetit Ekzekutiv që u formua në Tiranë dhe për qëllimet e këtij komiteti. Në kongresin e parë u zgjodhe edhe kryesia : Rexhep Mitrovica u zgjodhe kryetar, Musa Shehzade- nënkryetar, etj.
Bedri Pejani gjatë tërë kohës sa jetoi ishte në rrjedhat e ngjarjeve politike që ndodhnin në Kosovë, Shqipëri e vende të tjera. Pas krijimit të Qeverisë në Tiranë dhe pasi që Rexhep Mitrovica zgjidhet kryetar i Qeverisë, s bashku me te kishin shkua edhe disa anëtarë të Lidhjes së Prizrenit në Tiranës. Në Lidhjen e Dytë të Prizrenit u shtrua nevoja për thirrjen e një kongresi të ri të Lidhjes dhe të zgjidhet udhëheqësia e re e tij. Në kongresin e dytë, Bedri Pejani zgjidhet kryetar i kongresit dhe kryetar i Komitetit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Komiteti i Lidhjes ndahej në Katër sektor: I- Sekretariati, II- Sektori financiar, III- Sektori kulturor- propagandues dhe IV- sektori ushtarak.
Sektori financiar kishte një rëndësi të veçantë nga se grumbullonte mjete për shpenzimet e komitetit, për furnizimin e ushtrisë , e cila luftonte kundër çetnikëve në Kollashin, por edhe kundër partizanëve që luftonin në Rugovë dhe Rozhajë. Ajo ushtri që furnizohej nga këto të holla quhej “Vullnetarët” dhe “Kreshnikët”. Po ashtu Bedri Pejani si kryetar që ishte, kishte marr pjesë në mbledhjen në Rogovë, që e kishte inicua K.Q. i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, më 15 mars 1944. Në të merrte pjesë edhe komandanti i sektorit për gjithë Kosovën, Qazim Komoni. Kjo mbledhje ishte e rëndësishme ngase në të u morr vendimi që të mobilizohet e tërë popullata nga mosha 20 vjeçare, e deri në atë 35 vjeçare që quhej “Kreshnikët”. Ndërsa ata mbi moshën 35 vjeçe e deri në 50 vjeç, u quajtën “Vullnetar”. Bedri Pejani nga posti i kryetarit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit shkarkohet me 17 qershor 1944.
Duhet cekur se “Vullnetarët” e “Kreshnikët”, sa ishte kryetar Bedri Pejani mori pjesë në shumë lufta me çetnikët në Kollashin dhe dy lufta në Çakorr e në Rozhajë kundër partizanëve në Plavë e Guci. Me inkurajimin e kryeministrit Rexhep bej Mitrovica dhe ministrit të Brendshëm Deva, u mor gjithashtu me ndërmjetësimin me autoritetet naziste për krijimin e Divizionit SS Skanderbeg.
Veç angazhimit të madh në mbrojtje të kufijve të atdheut, Bedri Pejani kishte botua edhe disa artikuj kundër Drazha Mihajloviqit dhe kundër Nediqit. Pastaj kishte shkrua një artikull kundër Titos, ku kishte porosit që, së pari, të zgjidhet çështja nacionale e pastaj do ti zgjidhim çështjes sociale dhe të tjera që Titoja donte ti zgjidhte si më parësoret. Mbarimi i luftës Bedri Pejanin e gjen në Tiranë, ku u arrestua nga autoritetet komuniste dhe e dorëzojnë te jugosllavët. Bedri Pejani u mor në hetuesi dy herë, më 22 nëntor 1945 dhe me 8 janar 1946 në burgun e Prizrenit.
Më 21 shkurt 1946 gjykata e Prizrenit e dënoi me vdekje-pushkatim, dënimi nuk arrin të zbatohet pasi u helmua dhe ndërroi jetë në spitalin e Prizrenit mё 6 korrik 1946.