24/11/2024

BAZA AJRORE E NATO-S NË KUÇOVË DUHET TË JETË DIÇKA MË SHUMË SE THJESHT NJË BAZË USHTARAKE – TË PAKËN SIMBOLIKISHT!

0

Nga Frank Shkreli

Të hënën, Aleanca Euroatlantike, NATO – anëtare e të cilës është edhe Shqipëria që nga viti 2009 – inaugoroi bazën ajrore të saj në Kuçovë, e para e tillë në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor. Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë përfaqsuesit më të lartë të shtetit dhe të qeverisë shqiptare si dhe përfaqsues të aleancës NATO dhe të vendeve anëtare të aleancës perëndimore.

Baza e ajrore e Kuçovës është projekti më i madh deri më tani i NATO-s në Shqipëri, ndërkohë që punimet për modernizimin e saj – financuar nga Programi i Investimeve për Sigurimin e NATO-s (NSIP), kanë filluar që në vitin 2019.  Frank Shkreli: Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë, një lajm shumë i mirë për Shqipërinë | Gazeta Telegraf

Në ceremoninë e inaugurimit të bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë të hënën që kaloi, zyrtarët e Aleancës Perëndimore theksuan rolin dhe rëndësinë e Shqipërisë si anëtare e NATO-s, ndërkohë që Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bajram Begaj theksoi gjithashtu rëndësinë strategjike të Shqipërisë në kuadër të Aleancës Euro-Atlantike, duke thënë se organizata Nato, nëpërmjet këtij investimi në Kuçovë, tregon se Shqipëria ka një rëndësi strategjike për Aleancën Perëndimore. Është një investim për të forcuar kapacitetet, planet, burimet dhe infrastrukturën e aleancës. Ky investim merr një rëndësi të veçant sidomos më kushtet kur siguria në hapësirën euroatlantike është e rrezikuar”, tha ndër të tjera kryetari i shtetit shqiptar, Z. Bajram Begaj.   Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama në fjalën e tij përshëndetse nënvijoi rëndësinë që baza ajrore në Kuçovë ka për rajonin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.  Ndërkohë që Ministri Shqiptar i Mbrojtjes, Z. Niko Peleshi theksoi se baza e NATO-s në Kuçovë mund të përdoret, në rast nevoje, edhe për t’u përballur me “fatëkeqësitë natyrore”, për të gjithë rajonin.

Por Aleanca e NATO-s është më shumë se një organizatë ushtarako-strategjike. Më ra në sy se me këtë rast se, me përjashtim të përfitimeve dhe përgjegjësive të përbashkëta në mbrojtje të anëtarve të NATO-s, në atë ceremoni askush (nga ato që dëgjova e lexova në media) nuk përmendi fare vlerat dhe parimet themelore të Traktatit të NATO-s, përfshir objektivat dhe angazhimet ndaj parimeve të Kartës së Organizatës të Kombeve të Bashkuara. Veçanërisht, në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë, Traktati i Themelimit të NATO-s me 4 prill, 1949 (prej 14-artikujve) deklaron se, vendet “Anëtare të NATO-s formojnë një komunitet unik vlerash dhe angazhimesh në mbrojtje të parimeve të lirisë individuale, demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor.”

Nuk ka dyshim se inaugurimi, më në fund, i bazës ajore të NATO-s në Kuçovë, të hënën që kaloi, është një moment historik dhe krenar për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Kjo ditë, për të cilën fara është mbjellur para tre dekadave.  Frank Shkreli: Shqipëri-SHBA-NATO, një lidhje dashurie ushtarake | Gazeta Telegraf – Një “lidhje dashurie ushtarake”, (a military love affair), e kishte cilësuar në atë kohë gazeta e madhe e kryeqytetit amerikan, Washington Post. Por, për fat të keq, kjo “dashuri ushtarake” pësoi dështime dhe nga koha në kohë edhe çarje të përkohëshme, gjatë dekadave të fundit, kryesisht, për arsye të akrobacive politike të liderve politikë shqiptarë. Inaugurimi i bazës ajrore ushtarake të NATO-S në Shqipëri më sjell në kujtimet e mia fillimet e marrëdhënieve ushtarake shqiptaro-amerikane dhe antarësimin e Shqipërisë në NATO në vitin 2009, një “lidhje dashurie ushtarake”. Frank Shkreli:Shqipëria, vendi i parë ish-komunist që ka nënshkruar marrëveshje ushtarake me Shtetet e Bashkuara | Gazeta Telegraf

Unë gjithnjë vazhdoj të besoj se megjithë konfliktet e brendshme politike të kësaj klase politike neokomuniste, gjatë këtij tranzicioni të tejzgjatur në Shqipëri prej mëp shumë se tre dekadash, për fat të mirë të Kombit shqiptar — kanë qenë dhe janë lidhjet ushtarake me Shtetet e Bashkuara dhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, ato që të paktën, simbolikisht, e kanë mbajtur Shqipërinë të ankoruar në Perëndim. Shpesh, edhe përballë kërcënimeve nga udhëheqësit politikë shqiptarë, të cilët gjaë viteve të kaluara kanë deklaruar se, ‘Shqipëria ka alternativa të tjera’, duke lenë të nënkuptohet dhe duke aluduar për marrëdhëniet “historike” të Shqipërisë komuniste enveriste me Rusinë, Kinën dhe shtete të tjera autoritare, me të cilat vende e perandori, kombi shqiptar nuk ka asgjë të përbashkët, historikisht, me vlerat që mbron NATO-ja, siç janë liria dhe demokracia, anëtare e të cilës është sot Shqipëria, ku këtë javë u inaugurua baza e parë ajrore e NATO-s, në Kuçovë.

Për këtë vepër, merita u shkon burrave dhe grave në uniformën ushtarake, këtyre patritotëve dhe punës së tyre të shkëlqyeshme në Shqipëri dhe në rajon, qofshin ata shqiptarë, amerikanë apo të vendeve të tjera aleate dhe jo politikanëve aktualë, sidomos ata shqiptarë, të cilët edhe në raste të tilla u servirin shqiptarëve shumë pupla e pak ose aspak mish, fjalë shumë e punë aspak, veçanërisht kur është fjala për mbrojtjen e vlerave të NATO-s në Shqipëri, siç janë liria, demokracia dhe shteti ligjor.  Megjithëkëtë, inaugurimi i bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, ma shton shpresën (hope against hope) se Shqipëria do të bëhet edhe pa këtë klasë politike zhgënjyese për shqiptarët e cila edhe më shumë se tre dekada pas shembjes së Murit të Berlinit, ka refuzuar dhe refuzon me ngulm dhe arrogancë të dënojë krimet e komunizmit kundër shqiptarëve dhe as të distancohen njëherë e mirë nga komunizmi – armik – përbetuar i vlerave të NATO-s për më shumë se një gjysëm shekulli – duke i përshtyrë në fëtyrë vlerat parimore të Traktatit të NATO-s, të këtij, “komuniteti unik vlerash dhe angazhimesh në mbrojtje të parimeve të lirisë individuale, demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor.”

Nga përvoja ime gjatë këtyre 30-e sa viteve neo-komunizëm në Shqipëri, e kam të vështirë të më bind njeri se nostalgjikë të vet-shpallur të komunizmit shqiptarë enverist prej gjysëm shekulli, mund të bejnë ndryshimin e madh historik për Kombin shqiptar.  Mund të quhet hipokrizi e rastit apo aksident historik! Por çdo brez i qet udhëheqsit e vet. Shqipëria sot ka nevojë për një fillim të ri me hapjen e bazës së parë ushtarake të NATO-s në territorin e saj. Një ëndërrë e parealizueshme për një kohë tepër të gjatë, për shumë prej nesh që kemi ndjekur këto zhvillime gjatë dekadave, me një përkushtim, pothuaj fetar, që më në fund po realizohet – baza e parë ushtarake e NATO-s, duke shpresuar edhe për të tjera në Shqipërinë tonë të vuajtur ndër shekuj.

Prania e NATO-s me një bazë ushtarake në Shqipëri, siç kam thenë shpeshëherë më parë, jo vetëm që lidhjet ushtarake të Shqipërisë me SHBA dhe NATO-n, do të mbijetojnë por do të forcohen më tej dhe sidomos miqësia e veçant dhe historike midis popullit amerikan dhe shqiptarëve do të vazhdojë të rritet e të lulëzojë, megjithë dredhitë dhe akrobacitë politike të politikanëve shqiptarë gjatë tre dekadave të fundit!

Uroj që inaugurimi i bazës ajrore ushtrake të NATO-s në Kuçovë të jetë fillimi i diçkaje të madhe dhe të shënojë ndryshimin e madh tepër të nevojshëm, nga rruga e gabuar e klasës aktuale politike të Shqipërisë, ashtuqë Shqipëria të jetë e denjë e sigsurisë së NATO-s, por edhe e vlerave të NATO-s, duke i mbrojtur ato, me aleatët  kudo që të jetë e nevojshme, por sidomos, duke i zbatuar ato brenda kufijve të Shqipërisë, në përputhje me vlerat dhe me parimet e Traktatit të NATO-s: të lirisë, demokracisë, drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor.  Prandaj për ata që kuptojnë diçka anga këto punë, inaugurimi i bazës ajrore ushtrake të NATO-s duhet të simbolizojë diçka më tepër se një rast për politikanët shqiptarë që të fryjnë puplat e tyre me oratori boshe fushatash politike, por të udhëheqin dhe të qeverisin në bazë të vlerave të NATO-s, në “mbrojtje të parimeve të lirisë individuale, demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor”, ashtuqë shqiptarët të mos braktisin atdheun e tyre në kërkim të këtyre vlerave jashtë Shqipërisë, në vendet e perëndimore të Aleancës NATO.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok