21/12/2024

Baton Haxhiu – Kasandra që paralajmëron projektet serbe kundër Kosovës!

0
u6_Enver-Bytyci

Nga Enver Bytyçi

Sa herë që vijnë në shprehje planet serbe në zbatimin e tyre është Baton Haxhiu eminenca gri që u paraprin atyre. Ende pa folur Aleksandër Vuçiq në Beograd shfaqet Batoni në Prishtinë dhe flet për pikat e marrëveshjes Kosovë-Serbi, e cila do të nënshkruhet me krijimin e qeverisë së re të bukoshistëve. Ai ishte i pari që pas takimit me Stanishiqin paralajmëroi dhunën serbe në Kosovë. E për këtë shërbim forcat e sigurisë serbe e mbrojtën në Hotel Grand pasi e kishin shpallur të vdekur! Ishte i pari që në televizionet shqiptare promovoi me shkop tregues në dorë ndarjen e Kosovës, me justifikimin se “Ne nuk mund të jetojmë me frikën se Çka do të bëhet në atë territor, Veriun e Kosovës (10 gusht 2018)!

Tani është përsëri Baton Haxhiu që zbuloi pikën 2 të marrëveshjes së projektuar për nënshkrim midis Prishtinës dhe Beogradit. Sipas tij pika 2 e marrëveshjes Kosovë-Serbi parasheh amnistinë e krimeve të luftës. Dhe ne e dimë se për cilat krime lufte bëhet fjalë. Ideja nuk është që Kosova pas njohjes ndërkombëtare të shtetësisë të mos padisë shtetin serb për krime kundër njerëzimit në Hagë. Çeshtja është falja e autorëve të krimeve të luftës. Dhe nëse ndodh kjo amnisti për kriminelët në Këshillin e Sigurimit, atëherë shuhet automatikisht Gjykata Speciale e Hagës.

Por kjo gjykatë u ngrit me insistimin e Beogradit dhe të Moskës. Administrata e Barak Obamës e përkrahu ngritjen e saj, duke evituar që vendimin për këtë ta marrë Këshilli i Sigurimit. Ndaj imponoi parlamentin e Kosovës që ta ndryshojë kushtetutën dhe ta miratojë ngritjen e Gjykatës Speciale me rekomandimin se “Po ta bëni ju është më mirë sesa ta bëjë KS të OKB-s”!

Hashim Thaçi para se të “rekrutohej” në projektin e ndarjes së Kosovës përgatiti rrethanat politike për të votuar ndryshime kushtetuese, me të cilat mbyllej aktiviteti i Gjykatës Speciale. Por kur hyri në vallen e Batonit, Ramës dhe Vuçiqit për shkëmbimin e territoreve ndryshoi taktikë. U kërkoi rekrutuesve që t’i jepnin garanci se nuk do të dënohej për krime lufte. Vuçiq ia ka dhënë këtë garanci me premtimin se do të ndikojë te Moska që gjykata kompetente për këto krime të shuhet. Me këtë akt Vuçiq dëshiron që të mbrojë kriminelët serbë për krime në Kosovë e njëkohësisht t’i japë mbështetje të gjerë presidentit të Kosovës. Mbështetja ka për qëllim që mbas nënshkrimit të marrëveshjes ajo të ratifikohet në parlamentin e Kosovës. Në të njëjtën ditë do të votohet marrëveshja dhe zhbërja e Gjykatës Speciale e Hagës. Për këtë do të votojnë jo vetëm njerëzit e Thaçit në PDK, por edhe ata në LDK. Ndërsa partitë e tjera, përfshirë dhe disa deputetë të Vetëvendosjes do ta mbështesin atë, sepse kërcënohen nga Gjykata Speciale. Do ta votojnë me urdhër nga Beogradi gjithashtu deputetët e Listës Srpska. Zhbërja e gjykatës Speciale për krime lufte do të përdoret si karem për të votuar ndryshime kushtetuese për territorin e republikës, në maskën e ratifikimit të marrëveshjes Vuçiq-Thaçi-Rama për kufijtë.

Baton Haxhiu gjithmonë i paraprinë si Kasandra fatkeqësive që i ndodhin Kosovës. Kasandrës së antikitetit, për shkak të bukurisë së saj, Apolloni i dha aftësinë e parashikimit të ngjarjeve. Baton Haxhiut, për shkak të besnikërisë së tij pafund, Apolloni i Beogradit i ka dhënë kompetencën që të njoftojë dhe përkrahë i pari planet serbe për Kosovën. Kur flet ai ka folur Vuçiq, ka folur Thaçi dhe njëkohësisht Edi Rama. Ai hap premierën e dramave kosovare. Njësoj si atëherë kur, siç thotë vetë, për këtë arsye takoi Stanishiqin. Streha e Batonit është gjithmonë kuleta, jo e vërteta, është interesi i tij vetjak e familjar, kurrsesi ai kombëtar! Funksionet e tij janë funksione prej shërbëtori, por në një dimension të lartë, atë të propagandës, keqinformimit dhe përpunimit të opinionit me qëllim realizimin e projekteve për të cilat ai është ngarkuar dhe punon me zell.

Në gjithë historinë e Baton Haxhiut nuk kam mundur të gjej një kontribut fer, të saktë, me zemër dhe me shpirt për interesin e Kosovës dhe kombit shqiptar. Në fakt që kur ai u shkollua pati ndihmën e armiqve të Kosovës, me qëllim që të bëhej, siç mburret vetë, “njeriu më i mençur i Kosovës”! Si i tillë ai u përgatit për ditë të vështira për Serbinë, punoi me zell të përkushtuar për t’u afruar me lidershipin e Kosovës e të Shqipërisë dhe realizoi ndërmjetësime, të cilat nuk i ka realizuar askush deri më tani midis Tiranës dhe Beogradit, Beogradit dhe Pishtinës dhe në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Beograd!

Tani Baton Haxhiu ka mbërrit në kuotën maksimale: Pa pikë turpi, pa frikë e në mes Prishtinës shpall projektin serb të faljes së kriminelëve serbë e ndonjë krimineli shqiptar gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Në Gjermani një gazetare televizioni shkroi para 12 vitesh në një libër se “Në kohën e Hitlerit familja gjermane ishte më e konsoliduar”! Për këtë fjali ajo u hoq nga puna e madje kur një koleg i saj në ZDF e thirri në intervistë për këtë, u detyrua ta nxjerrë jashtë e ta ndërpresë emisionin, sepse gazetarja e mbrojti idenë e saj. Kjo ndodhte 60 e ca vite pas vdekjes së Hitlerit.

Baton Haxhiu vetëm 20 vite mbas masakrave serbe në Kosovë propagandon faljen e kriminelëve. Madje kur ende nuk dihen varret e të masakruarve, kur nuk njihen ende emrat e të përdhunuarve! “Kanë kaluar 20 vite, thotë ai! Tash ne duhet të shohim përpara”! Ndërkaq dëshiron që Kosovën ta kthejë mbrapa në kohën e Milosheviçit, që 13 mijë viktimat dhe mijëra të zhdukurit të harrohen, që vrasësit e përdhunuesit e shqiptarëve të rikthehen nga Serbia në Kosovë e të demonstrojnë surratin para viktimave të tyre në qytetet e fshatrat e Kosovës. Dëshiron që Stanishiqi të rikthehet në Brezovicë.

Ajo deklaratë e Baton Haxhiut duhej shoqëruar me protesta. Jo vetëm kundër tij, por edhe kundër padronëve e bashkëpunëtorëve të tij në Beograd, Prishtinë e në Tiranë! Kjo nuk ndodhi. Nuk kanë reaguar madje as shoqatat e veteranëve të UÇK-së, sepse ato e kanë mendjen si ta mbrojnë ndonjë kriminel në radhët e tyre dhe nuk ua ndjen për drejtësinë që duhet vendosur. Nuk reaguan as familjet e të rënëve. As këto familjet e dëshmorëve nga radhët e LDK-së. Mesa duket shumë prej këtyre i ka zënë rob vrasësi i baballarëve, disa përmes bukoshistëve. Reagoi vetëm zonja Vasfije Krasniqi Goodman! Reagoi edhe Ditmir Bushati! Por jo Isa Mustafa, as Albin Kurti! Nuk reagoi ministri i Jashtëm! Prej kohësh ka harruar të reagojë për këtë kauzë të tijën Ramush Haradinaj. Sa për Limajn apo Pacollin nuk kisha ndonjë pritshmëri!

Ndaj Baton Haxhiu në stilin e Edi Ramës dhe Hashimit tallet përditë me shqiptarët. Dhe shqiptarët e durojnë. E durojnë deri në dhimbjen e gjakut! Nuk reagojnë Atë natë, kur ai bëri këtë deklaratë, duhej rrethuar në televizionin ku foli. Por jo! Nuk ndodhi as kjo! Duket që kemi ardhur në ditë të hallit, kur nuk na bën më përshtypje gjaku i dëshmorëve e jeta e të dashurve tanë. Po e harrojmë edhe konceptin për dinjitet njerëzor e kombëtar! Dhe ngushëllohemi me atë thënien “I gjalli me të gjallët, i vdekuri me të vdekurit”! Pra ne me Batonin, Vuçiqin, Hashimin e Edin, si aktorët imponues të kohëve moderne, ndërsa të vdekurit le të heshtin atje në varrin masiv të shkaktuar nga Serbia!

Ne na përçudnon një Baton dhe mburremi se përballemi me trimat e Jutbinës! Ne jemi gati në fb të bëhemi një milion për flamurin, por nuk reagojmë aspak kur batonët e Beogradit kërcënojnë jo vetëm flamurin, por edhe territorin dhe dinjitetin tonë! Ne vritemi me vëllain për një gardh ose një vijë uji, por falim krime makabre për hatër të Hashimit, Batonit, Edit dhe Serbisë! Ndaj ne i meritojmë batonët, Hashimët, Ediotët e gjithkënd që na shalon në qafë me qejf e për qejfin e vet! Aferim!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok