22/12/2024

Bashkëpronësi serbo-shqiptare në Portin e Durrësit?! Me shumë mundësi se po!

0
Enver-Bytyci1

Nga Enver Bytyçi

Muajin e kaluar që lamë pas Shqipërinë e ka vizituar një delegacion i doganave të Serbisë. Delegacioni është kryesuar nga drejtori i Përgjithshëm të Doganave Serbe. Ai ka qëndruar së paku dy netë në Tiranë, si dhe ka bërë një vizitë në portin e kontinierëve në Durrës. (Porto Romano). Gjatë vitit që sapo lamë pas, drejtuesit kryesorë të doganave të Shqipërisë dhe të Serbisë janë takuar shumë shpesh. Së paku disa herë më shumë seç janë takuar drejtori i përgjigjshëm i Doganave të Kosovës me atë të Shqipërisë.

Ajo që e bën të errët këtë shkëmbim delegacionesh doganore midis Serbisë e Shqipërisë lidhet me faktin se kjo vizitë nuk është pasqyruar në sajtet zyrtare të njoftimeve. Vijnë e shkojnë drejtorët e përgjithshëm të një enti kaq të rëndësishëm, të cilët menaxhojnë miliarda euro, dhe askush nuk merr vesh për këtë. Asnjë info, asnjë shkrim apo lajm në medie. Gjithçka në hije, sikur nuk po ndodh asgjë!

Në fakt po ndodh gjithçka në dëm të interesave tona strategjike. Po ndodhin afera të paimagjinueshme, çka tregon se e gjithë lidhja e ngushtë e vëllazërore, madje binjakzore, midis Tiranës zyrtare dhe Beogradit është një aferë e pastër financiare dhe më e madhja nga të gjitha aferat e tjera që kanë ndodhur në Shqipëri e në rajon. Drejtori i Doganave të Serbisë vjen në Shqipëri, bisedon, takohet me homologët dhe personalitete të tjera (thuhet edhe me ministren e  financave dhe vetë kryeministrin e vendit), ndërkohë të gjitha këto i fshihen opinionit publik.

Duhet të jesh naiv i nivelit të fundit të mos kuptosh se pas kësaj fshihet paraja e pistë. Se në këto vizita qëndrojnë marrëdhënie anti-kushtetuese midis të dy vendeve. Se po luhet një skenar i njëjtë me atë të viteve 1946-mars 1948 në marrëdhëniet me Serbinë. Çfarë po ndodh? Bilanci i shkëmbimeve midis Shqipërisë dhe Serbisë është rrit disa fish! Durrësi po kthehet në një port shqiptaro-serb ose më saktë, serbo-shqiptar! Po bëhet ajo që askush nuk e priste as në kohët e shkuara të diktaturës. Edhe atëherë, nëse një drejtor i Përgjithshëm I institucioneve serbe vinte në Shqipëri, për këtë vizitë di shkruheshin dy rrjeshta të një kollone së paku nga ana e gazetës “Bashkimi”!

Ndërsa tani akte të tilla zhvillohen plotësisht në errësirë. Në errësirën e përgjithshme, në të cilën zhvillohen marrëdhëniet e shkëlqyera midis presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Shqipërisë. Me qëllim që kjo errësirë marrëdhëniesh të mos kuptohet, qeveria shqiptare së paku nja tri-katër herë ka nënshkruar marrëveshje për ngritjen e një agjencie doganore për Kosovën në Durrës. Dhe pala e Kosovës e ka vlerësuar këtë si arritje madhore!

E errët vazhdon të jetë gjithashtu marrëdhënia në kuadër të Open Balkan dhe e errët është gjithçka që bëhet në aksin Tiranë-Beograd. Ne mund të kapim ndonjë gjë nga qëndrimet që mbajnë dy liderët protagonistë të këtyre dy vendeve, por asgjë më shumë. Ndërsa shohim zhvillime dramatike në terren, në veri të Kosovës, pikërisht në këto kohë tensionesh vjen në Tiranë njeriu që në Beograd menaxhon ose plotëson gati gjysmën e buxhetit të shtetit serb. Ndërsa presidenti i Serbisë urdhëroi ushtrinë e tij të vihej në gatishmëri numër një dhe në mesnatë e nisi atë drejt kufijve të Kosovës, kryedoganierët e të dy vendeve bëjnë plane se si do të jetë prezente Serbia në Portin e Durrësit! Ndërsa barrikadat dhe barrikaduesit ekstremistë serbë në veri të vendit armatosen nga Serbia, kryeministri i Shqipërisë bën plane se si të ushqejë thesin e tij përmes aferave me Serbinë!

Në këtë aferë do të duhej të sqaroheshin se cilat janë interesat, bisedimet dhe përpjekjet e Serbisë për të qenë e pranishme si investitore dhe poseduese e portit të Durrësit! Çfarë është biseduar e për çfarë është rënë dakord?! A mos qeveria shqiptare po përpiqet që portin e ri të Durrësit ta japë me koncension dhe koncensionari “shqiptar” më pas të marrë si bashkëpronar Serbinë?! A mos qeveria shqiptare në këmbim të dinarëve serbë, dëshiron që madje mbi 50 përqind të portit t’ia japë Beogradit, kamufluar me ndonjë firmë private, të cilën natyrisht që do të duhej ta drejtonte ndonjë general serb, i cili mundësisht të ketë kryer krime dhe geocid në Kosovë?!

E di se do të ketë shumë prej atyre që këto që po shkruaj t’i konsiderojë fantazi. Por ne shqiptarët jemi mësuar që “edhe kur ujku të na shqyejë gjysmën e trupit, të besojmë se jemi në ëndërr”! Gjithçka që bëhet në Portin e Durrësit është thjesht maska. Ne po shohim tymin, ndërkohë që Marina Durrës bëhet për të justifikuar ndërtimin e portit të ri me predispozitë të padiskutueshme për ta shndërruar këtë port në pronësi të Serbisë ose më e pakta në pronësi shqiptaro-serbe. Kosova mund ta shfrytëzojë atë vetëm “si pjesë e Serbisë”!

Do të doja që mediet dhe opozita, si dhe politika në Kosovë, të angazhohen me të gjitha kapacitetet e tyre për ta hulumtuar këtë aferë anti-kombëtare të qeverisë shqiptare dhe për ta godiitur atë që në gjenezën e saj, sepse ndryshe dëmi do të jetë i pariparueshëm! Por kjo ende nuk ka ndodhur dhe nuk po ndodh. Se mediet janë të kapura, ato nuk vrapojnë pas lajmit si shërbim publik, ato rendin të kapin ndonjë llokmë në aferat e qeverisë shqiptare, si me inceneratorët! Ndërsa opozita është në diskursin e saj të llojit hamletian “Të rroj a të mos rroj”, për shkak të përçarjes që ka injektuar te ajo sërishmi qeveria shqiptare dhe për të njëjtat arsye, lidhjet e saj me Serbinë!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok