18/11/2024

Bartja e materialit arkeologjikë në vitin 1995 nga Muzeu i Mitrovicës në Muzeun e Prishtinës

0

Nga Qazim Namani: Dr. Arkeologji Trashëgimi Kulturore

Muzeu i Qytetit të Mitrovicës është themeluar me 15 shtator 1952. Deri në vitet e para pas luftës në Kosovë ka qenë i vendosur në lokalet e adaptuara të hamamit të qytetit, ndërsa tash gjendet në objektin e ish komandës ushtarake. Koleksioni i këtij muzeu paraqet zhvillimin historik të qytetit dhe të rrethinës me materiale arkeologjike, etnografike dhe minerale të minierës së Trepçës pjesërisht të ekspozuara në këtë muze[1].

Me pushtimin e Kosovës nga forcat serbe në Luftën e Parë Ballkanike, muzeu u plaçkit dhe tërësisht u shkatërrua. Prej vitit në fjalë në Kosovë nuk kemi muze të themeluar deri në vitin 1949[2].

Eksponate nga territori i Kosovës ishin dërguar nëpër muzetë e Jugosllavisë edhe ndërmjet dy luftërave botërore. Figura e cjapit prej bronzi që u zbulua në Prizren, gjendet në Muzeun e Vrajës[3]. Pas Luftës së Parë Botërorë shumë koleksione të zbuluara në Kosovë me vlera të rëndësishme muzeore, u morën dhe u dërguan në muzetë tjera të Jugosllavisë. Nder to vlen të përmenden stoli të ndryshme nga ari e argjendi, pllaka të mermerit me mbishkrime që nga periudha romake, altarë, sarkofagë, vegla pune, orendi të ndryshme veshje dhe punime të shumta etnografike. Nga plaçkitja e koleksioneve në Kosovë u pasurua shumë Muzeu popullor në Beograd, Shkup, Sarajevë, Podgoricë, Vranjë, Nish, Arangjelovac, Krushevc dhe qytete tjera të ish Jugosllavisë.

Me rastin e organizimit të ekspozitave me thesar arkeologjik dhe etnologjik nga Kosova, në Beograd janë marrë një numër i madh i materialit muzeor me vlera kapitale. Më vonë është bartur për në Serbi edhe i tërë dokumentacioni si librat e regjistrimit dhe fotografitë, regjistrat e inventarizimit.

Vlen të ceket se ka eksponate nga Muzeu i Mitrovicës që figurojnë në katalogun e ekspozitës, për të cilat nuk është lëshuar kurrfarë dokumenti që janë marrë revers.

Po japim disa nga dokumentet për eksponatet që janë marrë nga Muzeu i Mitrovicës në vitet 1994 dhe 1995, për t’u dërguar në Muzeun e Prishtinës. Eksponatet nga Fafosi dhe Vallaçi, janë dërguar më pastaj në Beograd.

Për mungesën e eksponateve në muzeun e qytetit të Mitrovicës flasin faktet e inventarizimit të thesarit muzeor në vitin 1974 dhe gjendja e tanishme. Lidhur me këtë çështje po japim te dhëna nga shkrimi i Pajazit Hajzerit, i cili thotë se Sektori i Arkeologjisë në vitin 1974 kishte 2017 eksponate, kurse tash ka 1005, mungojnë 1012 eksponate, Sektori Etnografik kishte 904 eksponate, kurse sot i ka 861, më pak 43 eksponate, Sektori Mineralogjik Gjeologjik kishte 164, sot ka 20, pra mungojnë 144, çka do të thotë se gjithsej janë 1199 eksponate që mungojnë në Muzeun e Mitrovicës[4]. Nga këto shifra mbetet të pyetet se ku kanë shkuar eksponatet e zbuluara që nga viti 1974 e deri në vitin 1999, kjo lë të kuptohet se numri i eksponateve në Muzeun e Mitrovicës ka qenë shumë më i madh. Se numri i eksponateve të dërguara në Serbi nga Muzeu i qytetit të Mitrovicës dëshmon edhe letra dërguar nga drejtori Bektesh Vidishiqi në vitin 2006, në MKRS.

Duke i pasur parasyshë këto fakte, duhet theksuar se cdo shkresë zyrtare e nënshkruar për marrjen e eksponateve nga muzetë e Kosovës, si revers për tu dërguar, për tu ekspozuar në muzetë e Serbisë, janë dokumente të vlefshme, të cilat dëshmojnë duke lënë gjurmë të pa shlyeshme me interes për thesarin muzeor të trojeve shqiptare.

Përveç kësaj, janë uzurpuar lokalet e muzeut që gjenden në pjesën veriore të qytetit, me tërë fondin muzeor dhe dokumentacionin. Duhet cekur se materiali muzeor nga rajoni i Mitrovicës është bartë për në Serbi edhe para Luftës së Dytë Botërore e të cilat kurrë nuk iu kanë kthyer Muzeut të Kosovës[5].

Tani koleksioni arkeologjik mbahet padrejtësisht në depot e Muzeut popullor të Beogradit dhe koleksioni etnologjik në depot e Muzeut Etnologjik në Beograd. Prej të gjitha këtyre eksponateve, pas lufte, me ndërmjetësim të ndërkombëtarëve, është kthyer vetëm “Hyjnesha në fron”[6].

Pas luftës së viteve 1998/99 me ndihmën e UNMIK-ut, filluan bisedimet ndërministrore për kthimin e thesarit muzeor nga Muzeu i Beogradit në Muzeun e Prishtinës. Bisedimet vazhduan edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe tani kjo çështje është shqyrtuar edhe në Bruksel gjatë bisedimeve teknike në mes delegacionit të Prishtinës dhe Beogradit që u organizuan nga Bashkimi Evropian.

Gjithashtu, në fushën e muzeologjisë gjendja është shumë e rëndë: pas luftës së viteve 1998/99 në Kosovë nuk kemi një zhvillim të muzeologjisë, objekti i Muzeut të Kosovës nuk i plotëson kushtet për të qenë një muze i mirëfilltë shtetëror, disa eksponate të vlefshme nga koleksioni i Muzeut të Kosovës dhe muzetë tjera në vend në periudhën Janar-Mars të vitit 1999, janë marrë nga Muzeu Popullor i Beogradit (Serbi) për ekspozitën e përkohshme “Thesari Arkeologjik i Kosovës” dhe janë ekspozuar në galerinë e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë. Ky koleksion arkeologjik vazhdon të mbahet padrejtësisht në depot e Muzeut Popullor të Beogradit dhe Muzeut Etnologjik në Beograd. Nga të gjitha eksponatet, me ndërmjetësim të ndërkombëtarëve është kthyer vetëm “Hyjnesha në fron”.[7]

Shumë eksponate të zbuluara në territorin e Kosovës gjenden në muzetë e ish Jugosllavisë dhe muze tjera të njohura të Evropës. Ato, në të shumtën e rasteve, keqpërdoren dhe prezantohen si thesare të  muzeve të Serbisë dhe shteteve tjera. Kjo tregon se sa është e rëndë gjendja e muzeologjisë dhe trashëgimisë kulturore sot në Kosovë.

Është me rëndësi të ceket se organizimi i kësaj ekspozite u shoqërua me shtypjen e katalogut me foto dhe të dhëna të eksponateve që u morën nga muzetë e Kosovës, si dhe me dokumentacion përcjellës që nga koha e grumbullimit të eksponateve e deri të dorëzimi i tyre në Muzeun Popullor të Beogradit.

Lënia e gjurmëve me shtypjen e katalogut dhe dokumentacionit përcjellës është me rëndësi të madhe për thesarin muzeor të Kosovës, andaj në vazhdim po japim të dhënat që posedojmë për eksponatet që janë marrë nga muzetë e qyteteve të Kosovës për t’u ekspozuar në Serbi me rastin e organizimit të ekspozitës me titull “Thesari arkeologjik i Kosovës dhe Metohisë: nga neoliti e deri në mesjetën e hershme”, ekspozitë kjo e organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe Muzeut të Kosovës.

Materiali muzeor nga Muzeu i Mitrovicës i bartur në Prishtinë në vitin 1994

Lista e nënshkruar gjatë  dorëzimit dhe pranimit të materialit muzeor

– Materialin nga Sektori i Etnologjisë në vitin 1994 e pranon Suzana Abdullahu, e të cilin ia dorëzon Slavica Dragoviqi.

Drejtori i Muzeut të Mitrovicës e njofton Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit Për marrjen e eksponateve dhe thesarit muzeor

[1] Tefik Morina, “ Separat” „Rruga e Zhvillimit dhe perspektiva e muzeve në Kosovë”, Prishtinë, 1974 fq. 251

[2] Riza Sadiku,  “Projekt mbi themelimin e Muzeut Historik”, Prishtinë, Shkurt 2002.

[3] T.P. Vukanović, “Vranjski Glasnik”, “Bronze figurine represinting the He-Goat from Teranda (Prizren) of  Helenistik-Illyrien epoch”, Knj.IX, Vranje, 1973, fq. 2- 34

[4] Pajazit Hajzeri, “Muzetë në qytetin e Mitrovicës me rrethinë”, Revista letrare,  “Fjal e Valë”, Mitrovicë, 2012, fq. 208

[5] Bektesh Vidishiqi, Arkivi i Muzeut, dokumenti nr. 40/06 data 27. 2. 2006

[6] Muzeu i Kosovës “Koncept-Plani rreth punës hulumtuese shkencore në Muzeun e Kosovës. 2005

[7] Muzeu i Kosovës “Koncept-Plani rreth punës hulumtuese shkencore në Muzeun e Kosovës”. 2005”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok