19/04/2024

“BANALITETI I SË KEQES”, NUK KA TË NDALUR NË SHQIPËRI

0

Nga takimi i Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama me Ministrin e Jashtëm grek, Z. Dendias të marten në Tiranë, 20 tetor, 2020 – Vini re yllin e kuq në kollaren kuqezi të Z. Rama, me shqiponjën dy krenore të Gjergj Kastriotit – Skenderbe, të njollusor me yllin komunist sllavo-aziatik) të Kryeministrit shqiptar.

Nga Frank Shkreli

Të marten në Tiranë gjëndej për vizitë Ministri i jashtëm grek, Z. Nikos Dendias për takime me udhëheqsit më të lartë të shtetit dhe qeverisë shqiptare.  Ndër të tjerë, Kryediplomati grek pati takim me Kryeministrin e Shqipërisë, Z. Edi Rama, të pasuar me një konferencë për mediat nga zyrtarët e lartë të dy vendeve fqinje.

Kryeministri i Shqipërisë, Z. Rama e ka zakon, që në raste të tilla publike të komunikojë, jo vetëm, nepërmjet fjalëve e deklaratave, por përdor edhe simbole, sipas nevojës dhe rrethanave.  Disa javë më parë, ai deklaroi nga foltorja e parlamentit të Shqipërisë se “komunizmi dhe komunistët ishin në anën e duhur të historisë”, një deklaratë kjo që u pasua, 2-3 javë më vonë, me një deklaratë tjetër, në të njëjtën frymë dhe domethënje, në mbrojtje të komunizmit nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Z, Gramoz Ruçi, i cili tha me krenari se, “Jemi ndarë komunistë dhe ballistë, që në vitin 1944…”

Unë jetoj dhe kam punuar në Shtetet e Bashkuara Amerikës për 50-vjet dhe falënderës Zotit nuk kam asgjë të përbashkët me ballistët, e me komunistët, jo se jo. Prandaj nuk dëshiroj t’i futem ndonjë debati  për të mbrojtur njërin as tjetrin, por si shqiptaro-amerikan më shqetësojnë prirjet e kohëve të fundit, të udhëheqësve më të lartë aktualë të Shqipërisë, ndërsa mbrojnë një ndër periudhat më të zeza të historisë së Shqipërisë dhe të shqiptarëve – komunizmin sllavo-aziatik — madje edhe 30-vjet pas shembjes së komunizmit zyrtar.

Sipas fotografive dhe disa portaleve në takimin me Ministrin e Jashtëm grek, Kryeministri i Shqipërisë, kësaj radhe, nuk bëri ndonjë deklaratë në mbështetje të komunizmit enverist, por dërgoi një mesazh të qartë, realisht dhe simbolikisht — me veshjen e tij — me një kollare pra, me flamurin kuqezi — simbolin më të shenjtë dhe përbashkues të të gjithë shqiptarëve pa dallim — dhe shqiponjën dykrenore, të përdhosur me yllin komunist, simbol i një ideologjie të dështuar e kriminale sllavo-aziatike, të hedhur tanimë në koshin e plehrave të historisë — siç thonte dikur ish-presidenti i Amerikës, Ronald Reagan — nga mbarë bota e qytetëruar, por, siç duket, jo nga Kryeministri i Shqipërisë dhe nga Kryetari i Kuvendit të atij vendi.  Kishim menduar dhe shpresuar se ky yll  –që nuk shëndriti kurrë për askënd dhe të cilit ia pau sherrin mbarë bota për krimet që u bënë në emër të tij, e sidomos Shqipëria dhe shqiptarët — ishte shlyer njëherë e mirë nga simbolet kombëtare të shqiptarëve.

Por, jo, paskemi qenë gabim dhe vazhdojmë të jemi gabim. Banaliteti i së keqës së komunizmit shqiptar vazhdon, me shfaqjen zyrtare të mjeteve, deklaratave dhe simboleve të tjera nostalgjike të komunizmit.  “Banaliteti i së keqës…” dhe “Banaliteti burokratik…” do t’a quante, Hannah Arendt,  ndoshta filozofja më me influencë dhe ndër shkrimtarët më të njohur të shekullit të kaluar, edhe sot në 45-vjetorin e vdekjes së saj – 30-vjet pas shembjes së komunizmit zrytar  në Shqipëri.

Kështu e ka përcaktuar Hannah Arendt bashkpunimin e kategorisë së këtyre njerzëve duke përshkruar të keqën e nazizmit dhe të komunizmit, në periudhën e jetës dhe veprimtarisë së saj:  “Subjekti ideal i sundimit totalitar nuk është nazisti i bindur ose komunisti i bindur, por njerëzit për të cilët dallimi midis faktit dhe trillimit, dhe dallimi midis të vërtetës dhe gnjeshtrës, nuk ekzistojnë më.” (Hannah Arendt, Origjinat e Totalitarizmit).

 

Më habit tepër fakti se pse përfaqësuesit ndërkombëtarë në Tiranë nuk reagojnë ndaj këtyre dukurive dhe prirjeje, por edhe deklaratave publike, pro-komuniste të autoriteteve më të larta të Shqipërisë, një vend që gjithnjë pretendon se dëshiron të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.

Të nderuar ambasadorë, duhet të jeni të sinqertë me shqiptarët: me Enver Hoxhën dhe me nostlagji për komunizëm, sidomos të atij të llojit enverist, nuk shkohet në Evropë!  Ambasadori i nderuar i Gjermanisë në Tiranë, Z. Peter Zingraf, paralajmëroi sot nga Shkodra se, “Shqipëria ka shumë për të bërë…”.  Një ndër ato kushte që duhej të plotësonte Shqipëria është përballimi i saj — i udhëhequr, zyrtarisht, nga qeveria dhe entet shtetërore, përfshir parlamentin – me të kaluarën e saj komuniste dhe me krimet e regjimit të Enver Hoxhës.  Është kjo një kërkesë kjo në përputhje të plotë dhe të domosdoshme me vendimet që kanë marrë, vite më parë, shumë prej vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian dhe në NATO, përfshir Gjermaninë, e cila është shembull i përballjes së saj me nazizmin dhe me komunizmin.

Thuhet se diplomatët ndërkombtarë të perëndimit në Tiranë nuk reagojnë ndaj këtyre dukurive në Shqipëri sepse janë të interesuar më shumë në stabilitetin e vendit se sa në zhvillimin e një demokracie të vërtetë.  Hannah Arendt do të këshillonte se edhe, “Hitleri e Stalini i mbajtën premtimet për stabilitet, për të fshehur qëllimin e tyre të vërtetë, për të krijuar një gjëndje paqëndrueshmërie të përhershme.”  Për 30-vjet tani, ju flisni dhe shpenzoni fonde për vendosjen e drejtësisë në atë vend. Për çfarë drejtësie e kini fjalën, kur Kryeministri i vendit marshon para kamerave të televizionit me kollare kuqezi me yll të kuq në qafë, simboli i regjimit më të pa drejtë e kriminel komunist në Evropë.  Të nderuar diplomatë perëndimorë!  Nëqoftse vazhdoni me heshtjen tuaj ndaj këtyre dukurive pro-komuniste në Shqipëri — ndaj këtyre prirjeve nostalgjike komuniste të autoriteteve shqiptare – atëherë ju ia kini arritur qëllimit drejt krijimit të një paqëndrueshmërie politike të përhershme në Shqipëri dhe jo objektivit të përfolur për forcimin e një demokracie perëndimore, ashtu siç e gëzoni ju në vendet tuaja. Me ndihmën tuaj, të na rrojë, jo vetëm i ashtuquajturi “stabilitet” por dhe përjetësimi i frymës komuniste në Shqipëri! U lumtë! Efkaristo dhe ejvalla, u qoftë të gjithëve!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok