17/11/2024

Dëshmorëve të Shkollës Shqipe

Nga Resmi Osmani

Korçë, 7 mars 1887

Mësonjësi, një copë herë,  eci  mendueshëm çap e jak nëpër odën që ishte kabineti i tij i punës. Llampa ndriçonte zbehtë dhe hijet e tij dhe e orendive, të shformuara e me dridhje binin në dysheme dhe murin kundruall. E dinte, pas asaj dite të pazakontë e të stuhishme, të shtatë marsit,  nata që e pasonte , do të ishte  e gjatë, me vorbullën e mendimeve, ku përsilleshin pamje, mbresa, përjetime ngazëllyese dhe dritësimi i pamjeve aq të dëshiruara e të shumëpritura  vite e vite të tëra. Do të ishte natë e pagjumë. E shoqja, zonja e bukur greke fanariote Kleoniqi, priti që i shoqi të shkonte për gjumë, por kur e pa që ai nuk po zhvishej,i tha se ishte e lodhur, i mori lejë, me ndjesë që nuk do t’i bënte shoqëri, dhe shkoi për gjumë.

Mbeti vetëm në kabinet.Por njeriu, asnjë herë nuk është i vetëm. I bëjnë shoqëri mendimet, përfytyrimi sjell vegime të së shkuarës dhe të sotmes, dhe ai kishte se ç’të kujtonte, nga jeta e vrullshme e plot përpjekje. Qetësinë mbrëmësore, të rëndë, thuajse si një shurdhëri, e trandte vetëm era që vërshëllente përjashta mazgallave dhe godiste kanatet e dritareve që u gërvinin  menteshat. Iu afrua tryezës. Në syprinë të saj ishin hapur tabakë letre, kallamari, pena, që dukej se diç prisnin dhe një pirg me libra: “Alfabetare e Gjuhës Shqipe”, “Shkronjëtorja”, ”Mirëvetia”, ”Numuratori”, ”Historia e përgjithshme” “Vjersha për mësonjtoret e para”, të gjitha të shkruara nga Naim e Sami bej Frashëri dhe mendjendrituri  Jani Vreto. Të gjitha të shtypura në shtypshkronjën e Bukureshtit të shoqërisë “Drita”, me shkronjat e alfabetit të Stambollit dhe të hollat e kursyera të mbledhura nga bujaria e  mërgimtarëve. I kaloi nëpër duar, me perkëdheli e dashuri si të ishin të gjalla, por të përgjumura, si fëmijë të dashur të gatshme të flisnin e cicërinin misteret që fshihnin, sapo të shfletoje faqet e tyre të mbjella me shkronjat e fjalës  shqipe. Ishin toka pjellore e diturisë. I serënditi në raftin e bibliotekës.

Pas një mëdyshjeje, u ul dhe mori një fije letër. U mendua gjatë para se të niste të hidhte në kartë gjithë sa i kishin ngjallur në shpirt, mendje e zemër, ato pamje, ndjesi e përjetime të asaj dite të  shenjtëruar  të shtatë marsit, që duhej shkruar me shkronja të arta, -mendoi ai- e mbase ashtu do të shkruhej për vitet që do të vinin.

2

Të nderçim vëllezër e miq atdhetarë, të shoqërisë “Drita”!

Para se të merrni këtë kartë, e di që lajmin ua ka bërë të ditur telegrafisht mëmëdhetari Thimi Mitko, por unë, dua të ndaj me zotritë Tuaja, si fatmadh e dëshmonjës i ditës së parë, lajmin e madh të lindjes së mësonjtores së parë të gjuhës sonë shqipe, gjuhën e mëmave dhe etërve tanë, që bilbili i shqipes, vjershëtori Naim Beu e quan gjuhë e perëndive.

Shtëpia e  mësonjtores, me dy kate, dhuratë e bujarisë të vellezërve Tërpo, u gatit, për të pritur nxënësit, me gjithë ç’i duhet një mësonjtoreje, që nga bangat, tryeza për mësuesit, dërrasat e zeza, ndrinte e llapste nga bardhësia e gëlqeres dhe pastërtia. Lajmi kishte marrë dhenë. Mund të mos e besoni, por Ishte shkulur tërë Korça, nga Kasabaja, Varoshi dhe katundet, të gëzuar e të qeshur. Për të marrë pjesë në ditën  e parë. Nuk qeshë vetëm. Më bënin shoqëri e mbështetje atdhetarët e këtushëm që kanë bërë emër e nderohen nga bashkqytetarët e tyre : ndër ‘ta Thimi Marko, Thimi Mitko, Orhan Pojani, Idhomene Kosturi, Alo Dishnica, Mihallaq Grameno e të tjerë. Zumë vend te shkallët. S’po u zija besë syve nga ajo që po shihja: në oborr erdhën dhe u grupuan tridhjetë e pesë nxënës, të moshave të ndryshme. Myslymanë e të krishterë, nga dyer të kamura e të vobegta,  djem dhe vasha. Për sytë e mi ata ishin si një postat lulesh që në këtë prag pranvere po mbinin në kopshtin e diturisë, yje që do të ndrinin netët shqiptare e përhapnin diturinë, e ardhmja dhe shpresa e shqipërisë sonë të robëruar, që do të luftonin për dritësimin lirinë dhe mbrothësinë e kombit. I kishin veshur pastër e si kishin mundur më mirë.  Të zënë përdore nga prindërit, kush nga ati e kush nga mëma apo vëllezërit më të rritur , me sy të qeshur, por edhe pak të drojtur se ndodheshin para një të pritme të panjohur. Këta fëmijë ishin dallandyshet e para që vinin në mësonjtore, këtë çerdhe të shqiptarizmës dhe po u çelnin udhën të tjerëve, që me siguri do të shtoheshin në ditët dhe vitet e ardhmë. Zotëronte një heshtje e shënjtëruar, asgjë s’pipëtinte. Prisnin fjalën time.

Dhe dita qëlloi e bukur,  u hap qielli, mbi gjindjen u derdh  brerorja e ndritur e diellit, si për ta shënjtëruar  me bekimin qiellor këtë ditë. Besomëni, isha i ngazëllyer i  tronditur, zemra më rrihte fort, në kraharor  kisha një shtrëngesë që më merrte firomën, teksa mendimet dhe ato që duhej të thosha, mu trazuan, u bënë rrëmujë, por e mblodha veten. Gjindja priste. Nisa t’u flas ngadalë, shkoqur, por me zë të fortë që të dëgjohesha larg, edhe nga ato hijet e zeza që silleshin rrotull si korbat. U urova mirseardhjen. U thashë, se ndihesha i nderuar që mu besua barra e drejtorit të mësonjëtores së parë, kësaj dallandysheje të parë të pranverës së gjuhës shqipe. Se në këtë shtëpi, që veç të tjerave të këij qyteti, u veçua e i takoi fati të jetë e nderuar,  në këtë oborr ku jemi mbledhur, në këtë qytet vatër atdhedashurie, sot në këtë ditë të madhe që do të hyjë në histori, u jetësua ëndërra dhe përpjekjet e parreshtura të  mëmëdhetarëve, për ti mësuar fëmijët në gjuhën e mëmës e të atit, në shqipen tonë të bukur.  Më pas, u thashë ca të vërteta, që për Ju janë të njohura, por që ata i  dëgjonin për herë të parë: se nëse bjerret e shuhet gjuha, shuhet edhe kombi, pa gjuhë të përbashkët nuk ka as komb , kemi vërtet dy fe, por gjuhë kemi një, atë shqipe, që na bashkon dhe vllazëron, ashtu sikundër kemi një Atdhe: Shqipërinë. Dhe se në ka gjë për të cilën duhet të kujdesen gjithë shqiptarët, është dituria, dritësimi dhe ndriçimi i mendjes së fëmijëve, djemve dhe vashave, në gjuhën amtare. Fëmijët tanë duhen mësuar, më shumë e më mirë nga sa ajo që dimë ne, sepse ata janë  e ardhmja, për një kohë më tej nga ajo që kemi jetuar ne. Këtë do të bëjë mësonjtorja jonë dhe ato që do të çelen në gjithë Shqipërinë. U thashë se mësonjtorja jonë, ishte ndryshe nga ato turke e greke e pravosllave. Laike dhe kombëtare, në vend të fesë, kombësinë, në vënd të ndarjes bashkimin e vllazërinë. Ishte e hapur për të gjithë dhe gjithë fëmijët që dëshironin të vinin ishin të mirëseardhur. Se shkolla do të ishte falas dhe librat pa pagesë. Se veç shqipes, mësonjës i së cilës do të isha vetë, do të mësoheshin edhe turqishtja, greqishtja e frëngjishtja, nga mësonjës që pritej të vinin.

U folën bashkqytetarëve të tyre edhe zotrinjtë e Komitetit të Fshehtë të Mbrojtjes së Mësonjtores në  gjuhën shqipe.

Pas fjalimeve, heshtjen e prishi jehona e argjendtë e tingujve të ziles, me tingëllim gazmor, si të zbrisnin nga qiejt, mu duk si më e bukura e muzikave që kisha dëgjuar në jetën time,  i grishën nxënësit nëpër klasa.

Në të katër klasat, i ula nëpër banga: pa dallim, një myslyman e një i krishterë, (për t’u vllazëruar) një nga familje e kamur e një nga e varfër, një qytetar e një katundar, një djalë e një vashë. U ndava librat dhe fletoret. Dukeshin të mallëngjyer, më shihnin me nderim e dashuri. Në sytë e tyre shihja gëzim dhe dëshirë për të mësuar.

Më vinte për të qarë nga gëzimi. E tepërt ta them: që kjo ishte dita më e lumtur e jetës sime.

Me kaqë po e mbyll.

Juaji gjer sa të kem jetë,

Pandeli Sotiri

Shkruar në Korçë më 7 të marsit të vitit 1887.

3

Mitropolia e Shën Gjergjit, 8 mars 1887.

Dhespoti, i Mitropolisë së Shën Gjergjit, hirësia e tij Filotheos Kostandinidhis, grek me shpirt e zemër, nga Ksanthi, që i grryheshin gjer në tërbim nga urrejtja për gjuhën shqipe, ishte në dijeni të hapjes së mësonjtores. Një lajm i kobshëm për helenizmin. Gjuha shqipe po ngjallej si shemër e greqishtes, gjuhës së shënjtëruar nga Zoti. Atë ditë, ai dërgoi atje sy dhe veshë, që të shihnin, dëgjonin dhe t’i rrëfenin se çfarë kishte ndodhur.

Tok me priftërinjtë, ikonomin dhe psalltin,  i priti në ajodhimë. Pasi  dëgjoi ato që i thanë, i hipi tërbimi, sytë i shkrepëtinin me një dritë të verdhë,të keqe e të egër dhe mjekra e madhe e bardhë që i mbulonte gjoksin i dridhej. Antikrishti kishte zbritur mes besimtarëve , kishte dërguar qoftlargun që t’i rrëmbente delet e grigjës së tij. O zot,si mund të durohej kjo gjëmë? Zemërimi iu bë i pafre, kur i thanë se mësonjtore të tjera do të çeleshin në Pogradec, në Ohër, Rekë, Treskë, Polenë e Luaras,  në Berat, Elbasan mbase në gjithë Shqipërinë. Në drejtim të tyre do të ishin mësonjës ortodoksë shqiptarë, fe e gjakprishur si kolonjari i urryer Petro Nini Luarasi me shokë !

-Skolia shqipe të mbyllet- urdhëroi ai. Menjëherë, që nesër, që t’u pritet udha hapjes së të tjerave. Si guxojnë xhanëm? Me sa ment? A nuk e dinë që Shqipen se njeh zoti. Zoti, që i qofshim falë, flet e kupton vetëm greqisht!

-Hirësi, -vërejti Ikonomi- Nuk mundemi, s’do të na lejojë hyqymeti, ata kanë irade nga Porta e Lartë.

-Kujt i bëhet vonë! Ata nuk kanë irade nga Sinodi i Shënjtë.

-Kanë krijuar edhe një Komitet të Fshehtë për mbrojtjen e mësonjtores, që mbase do të na hapin telashe . Në të bëjnë pjesë edhe besimtarë tanët ortodoksë, të kishës së Jezu Krishtit: Thimi Mitkua, Vani Kosturi e të tjerë. Janë bërë njësh me myslymanët. Edhe drejtori, që është mësonjës i shqipes bashkë me të vëllanë që do të hapë shkollën në Pogradec, janë të krishterë nga Gjirokastra ..

-Përsa ngjau, dërgojini lajm Mitropolitit të Kosturit, shënjtërisë së tij Grigorit, Patrikanës në Stamboll dhe Athinës. Namëta,ne kemi gjithë të drejtën e Zotit, me fuqinë që na jep Kisha jonë e Shenjtë, ta mallkojmë gjuhën shqipe, mësonjtoren dhe gjithë ata që do të dërgojnë fëmijët për të mësuar,  do të shkishërojmë mësonjësin. Që nesër. Bëjeni të ditur lajmin te besimtarët tanë……

*   *  *

Kisha ishte mbushur plot me besimtarë, burra e gra. Llambadhet dhe qirinjtë e ndezur me atë rast  ndriçonin e bënin ditë, kundërmimi i temianit, i dyllit të qirinjve dhe firoma e njerëzve e bënte atmosferën të rëndë e mbytëse. Nga plagët e krishtit në kryq rridhte gjak. Shënjtorët, nga konizmat, të zymtë e të trishtuar, si të mbanin mbi vete  mëkatet e gjithë njerëzisë, dukej se shihnin diku larg, në një tjetër botë. Kush ulur e kush më këmbë , prisnin fillimin e meshës. Dhespoti hapi ungjillin mbi leximore dhe lëçiti paravolinë e Birit Plangprishës. Pastaj iu drejtua besimtarëve:

-Hiri qoftë mbi ju dhe paqe perëndie, prej nesh uratë, bekim e ndjesë. Keni marrë dije besoj, që ditën e djeshme u hap Mesonjtorja e Gjuhës Shqipe. Është ngasje e antikrishtit. Gjuha shqipe, paçka se flitet nga vulgu, nuk ekziston, është e paqenë. Është si të duash të ngjallish një të vdekur! Kjo kuturisje, është kundër fesë sonë të shenjtë dhe që nëna jonë, Kisha e Madhe e Krishtit, ka kohë që i ka shkishëruar dhe mallkuar. Shpallim këtu, para besimtarëve tanë dhe gjithë atyre të Kazasë, se kujtdo që i çartet mendja nga mësonjësi dhe shokët e tij, pranon mësonjës shqipëtarë dhe dërgon fëmijët në  Mësonjtoren Shqipe, do të shkishërohet nga i Madhi Zot, mbi të  do të bjerë mallkimi i etërve të kishës, do ta zërë fryngjyzi, trupi do t’i mbetet pa tretur, do të përdhoset pas vdekjes e do të digjet në zjarrin e skëterrës!

Amin.

Dhespoti bëri kryqin, bekoi besimtarët dhe e mbylli meshën.

Besimtarët, që kishin hyrë në kishë, me shpresë se do të gjegjnin fjalën e Zotit, dolën të tromaksur se mbi ta do të binte mallkimi i qiellit. Që nga ajo ditë, një frikë mistike pllakosi njerëzinë në Varoshin e krishterë dhe katundet rrotull. Njerëzia u trondit. Ngryseshin e gdhiheshin me frikën e ndëshkimit. Të rënda plumb fjalët e mallkimit. Pritej të ndodhte hataja, apokalipsi i parathënë nga Shën Gjoni: qielli do të nxihej e do shkrepëtinin rrufetë, zjarri do të bënte shkrumb e hi kasabanë, ujërat do të teptisnin rrugë e shtëpi, vdekja nuk do  kursente askënd që mësonte shqip. Fëmijët e lindur nuk do  pagëzoheshin, të sapo martuarit nuk do  kurorëzoheshin, në varrime nuk do të kishte shërbesë. Sëmundjet frëngjyzi, murtaja, kolera, do të bënin batërrdinë.Të vdekurve nuk do tu jepej vajimi i shënjtë, ata nuk do të varroseshin në qimitrin e të krishterëve. Do t’u ngordhnin bagëtia, bimësinë e arave do ta shfaroste karkaleci, do të humbisnin kamjen , do  zhyteshin në varfëri, sepse mbi ta nuk ishte më hiri i Perëndisë! Thuhej e çfarë nuk thuhej, zi e më zi! Besimtaret e kishin shpresën e shpëtimit te lutjet dhe të falurit ,e u kullonin sytë para ikonave të shënjtorëve.

O Zot mëshirëmadh, falna e mëshirona!

Përditë dhespoti dhe priftërinjtë, si një tufë korbash të zeza endeshin në rrugët e Varroshit, krokëronin e mallkonin me kryq në dorë, sa u delte shkumë nga goja dhe u ngjirej zëri. Me ta u bënë palë e u hakërryen edhe grekomanët, që s’ishin të pakët. Kryqëzata ishte shpallur. Mësonjtorja e Gjuhës Shqipe duhej mbyllur!

Ndryshe nga sa pritej, në ditët që pasuan, u pa që asgjë s’po ndodhte nga ato që u thanë në mallkim. As shi i përgjakur, as rrufe e zjarre, as sëmundje e vdekje, ditët ndriteshin nga dielli i bukur i marsit dhe netët nga qielli i kthiellët e mbushur me yje. Fëmijët vijuan të vinin në mësonjtore. Nuk u pakësuan, u shtuan. Numri i tyre arriti në gjashtëdhjetë. Shumë prindër, kur dëgjuan se në mësonjtore do të mësohej edhe greqishtja, e turqishtja  i hoqën fëmijët nga shkollat greke e turke. U shtua edhe numri i mësuesve.

Mësonjtorja po bëhej e dashur, lulëzonte bashkë me pranverën dhe  hidhte shtat përditë.

4

Kaluan dy muaj.

Nuk kishte ditë që Mësonjësi të mos merrte kërcënime, të shara dhe fyerje, ishte vënë në punë llumi dhe dhe lerosja me baltën e poshtërimit. Grekomanët,  të panjohur, maskuar me shami të zeza, i dilnin përpara mësonjësit dhe pasi e fyenin me fjalë rrugaçërore i thoshin të shporrej andej nga kishte ardhur, në mos t’i bënte derman kokës. I dërguan me zarf një fishek. Asnjë fjalë të shkruar. I kishin postuar vdekjen. Një mbrëmje, sapo kishte rënë muzgu, para shtëpisë ku banonte,teptisi një turmë me grekomanë, mbanin në duar llambadhe dhe bërtisnin: Antikrisht, pjellë e djallit, shporru, ik, ik. Vdekje, vdekje!

Mësonjësi , tok me zonjën Kleoniqi, po i shihte nga dritarja e hapur. U nis të delte. E shoqja e mbajti nga krahu,-Mos- i tha ajo e trembur,  por ai ja hoqi butësisht dorën dhe u nis drejt tyre. Ata, që se prisnin për një çast u shtangën. Para tyre qëndronte vetë ai,Pandeli Sotiri, drejtori, mësonjësi. Burrë shtatlartë, i veshur allafranga, i hijshëm, me mustaqe të plota, flokë të zeza të hedhura prapa. Çuditërisht i qetë, buzëqeshur e me vështrim keqardhës.

-Ja ku më keni,jam drejtori i mësonjtores, mësuesi i shkronjave dhe gjuhës shqipe. Shamëni- u tha-shfryhuni, zbrazeni tërë mllefin dhe vrerin që as vetë se dini nga u vjen, por ashtu u kanë thënë. Bëni atë që u kanë urdhëruar.

Dhe ata, të hakërryer e kërcënues e shanë, ndyrazi si lapërdharë. Me ato fjalë poshtëruese që si mungojnë çdo gjuhe. Duke përsëritur : ik, ik! Ai pati durim t’i dëgjonte deri sa u lodhën dhe heshtën.

-Nuk jam aspak i zemëruar me ju. Jezu krishti na ka porositur të falim: fali o Zot se s’dinë se ç’bëjnë. Dhe ju s’dini se ç’bëni. Po në ç’gjuhë po më shani? Hë, të kujt gjuhe janë ato fjalë? Nga kush dhe si i keni mësuar? Thomani!-Heshtje, pastaj një mërmërimë e shurdhër – Pse s’flisni? Veshët ma thonë që po më shani shqip, në gjuhën që e keni thithur bashkë me qumshtin e mëmës, se ju jeni shqipëtarë, as grekë as turq, as bullgarë, i takoni këtij populli, shqiptarëve të lashtë e të fisëm. Ndaj këto që më thoni, mëndje prishur nga priftërinjtë grekë, më ndjellin keqardhje e mëshirë, por nuk më mërzisin. Këtë gjuhë me të cilën hidhni baltë përmbi mua, ne ua mësojmë të pastër e të bukur nxënësve, fëmijëve tanë, që ta  lëçisin, shkruajnë e lartësojnë. Kjo është lufta e dritës me errësirën.Ju jeni bashkuar me errësirën. Por drita e së vërtetës dhe diturisë e mund errësirën e gënjeshtrës. Andaj, pres që t’i dërgoni në mësonjtore,  fëmijët, vëllezërit dhe motrat tuaja.

Bëfshi natën e mirë.

Turma u shpërnda. Fjala e mësonjësit i kishte bërë të mendoheshin.

Hyri në Kabinet dhe shkroi në ditarin që mbante:

Në Korçë, më 5 maj 1887.

E kisha menduar, që këtu në Korçë, do të jetoja e gjendesha  mes intrigave, keqdashjes grekomane e të kishës, që mbi mua do të hidhnin gurë e baltë , duke jetuar përditë me shtrëngesa e brenga, por jo të kësaj përmase që çdo ditë vinë e shtohen. E kanë kot. Sido që në parehat, ngaqë grekomanët e këtushëm më luftojnë me ç’u vjen përdoresh, unë nuk rri as ditë as natë pa u kujdesur për të shënjtëruarën punë mëmëdhetare, mbrothësinë e mësonjtores, që flaka e ndezur në të, të bëhet dritë për tërë Shqipërinë. Kjo është lufta e shqipes, gjuha e popullit tonë, me greqishten e kishës ortodokse dhe helenizmin. Duan të më përzënë, por unë do tu qëndroj ballas deri sa tu thyhet qafa!Këtë luftë do ta fitojmë ne, qoftë edhe po të ketë dëshmorë.

Shkollën e duan të mbyllur, mua të vdekur!

E kam bindje të patundur: ashtu siç thotë mëndjendrituri Hasan Tasini: koha punon për shqipëtarët dhe Shqipërinë.

5

Në paraditen e së premtes, zonja Kleoniqi dëgjoi zilen e portës, dikush po vinte. Kur hapi portën, pa që Jashtë, ishin katër zonja cipëholla, të pispillosura, në mesmoshe, por hundëpërpjeta, nazike e të parfumosura, veshur me fustane të modës, stolisur me dantella dhe me ca kapele të vogla  me lule të rreme. Të ftohta e të zymta, si të dala nga mjegulla, të ardhura jo nga ai qytet, por nga tjetër botë. Flisnin greqisht. I thanë se ishin nga Shoqëria e Grave Ortodokse dhe bashkëshorte të arhondëve, të parisë. Me lejen e saj, dëshironin t’i bënin një vizitë, zonjës së drejtorit të mësonjtores. I kërkuan ndjesë se në këtë vizitë mirseardhje, ishin ca të mbodhisura, por tashti u erdhi rasti. Zonja Kleoniqi u uroi mirseardhjen , u hoqi udhën dhe i futi në odën e pritjes. U ulën në kanapetë veshur me kadife ngjyrë kërmëzi dhe me jastëkë të qëndisur. Katër zonjat, shihnin në sy njera-tjetrën, pa ditur nga t’ia nisnin.

-Po bëni dy muaj ardhur. Pasi latë Stambollin, a u mësuat dhe u pëlqeu qyteti ynë?

-Ah,-psherëtiu zonja Kleoniqi, hane Stambolli e hane Korça. Stambollin nuk do ta ndrroja me asnjë qytet tjetër. Lindjet dhe perëndimet e diellit mbi det, Dollma Baçeja e Top Kapia, Aja Sofia, qielli i ndritur me hënë e yje, që këtu s’i gjej,  po ç’ti bëj punës së tim shoqi.  Mezi pres të mbyllet edhe muaji i tretë dhe të kthehem nga u nisa.

Ato panë njera-tjetrën, nuk u pëlqeu përgjigja. Në ato kohë, qytetin e tyre kishin nisur ta quanin “Parisi I vogël”!

I gostiti me llokume dhe me kafe.

Zonjat hapën çantat e dorës dhe vunë mbi tabaka dhuratat:Kryq i artë, varur në një zinxhir të hollë floriri, karficë  argjendi e zbukuruar me gurë të ndritshëm në formë rrethore dhe  rubin i kuq në qendër

Byzylyk , i plotë, me gurë të çmuar të ngallmuar në rrethin e artë dhe një varg me perla që ndrinin ëmbël. Si të mos mjaftonin këto, një kuletë kamoshi me  napolona flori.

-Janë për ty-tha njera nga zonjat. Jeni shpenzuar. Janë pak për një motër të besimit, që le Stambollin për qytetin tonë.

– Për stolitë faleminderit. Janë vërtet shumë të bukura. Napolonat s’mund t’i pranoj. Janë tepër. Tha.

-Për ne hiçmosgjë zonja Kleoniqi, zoti i ka bekuar me kamje, pasuri e begati shtëpitë tona.këto që shihni s’janë veç ca thërrime. Blij ndonjë gjë që i pëlqen zotri drejtorit. Keni vite martuar?

– Po bëhen gjashtë.

– Dhe nuk keni fëmijë?

-Akoma s’ka bërë emër zoti.

-Të rrojnë prindërit?

– Jo, jam rritur jetime.

– Gjynah, s’ka kush të qajë për ty!

-Më ka rritur im ungj, papa Hallambos Joanidhis.

– I paska shkuar mundimi dëm.

– Pse e thoni këtë?

– Po ja, jeni martuar me një dhaskal që s’do të dijë për nomet e kishës.                                   – Nuk është dhaskal, por doktor, mbaruar në Vjenë.

–  Ç’moshë ka zoti drejtor

– Dyzet e një.

– I vjetër për të gabuar dhe i ri për të vdekur!-tha zonja më e vjetër.

-Si?

–  E po, mos bëj të paditurën. Nëna jonë e Shenjtë, kisha e Jezu krishtit, e ka shpallur të paqenë gjuhën shqipe dhe shkronjat e saj. i ka mallkuar. Yt shoq ka gabuar që e ka marrë përsipër drejtimin e mësonjtores dhe….

– Ç’farë dhe?

– Besojmë se s’ke dëshirë të mbetesh vejushë, kaq e re! Binde tët shoq për të  hequr dorë dhe të kthehet nga keni ardhur. Ne vetëm sa  ta kujtojmë, por ti si mbesë e dhespotit të kishës së Stambollit, duhet ta dish vetë. Mos e ler veten të zhytesh në mëkat e që mbi ty të bjerë mëria e Zotit! Mendoi këto që të tham.

Kaq. Pasi e zbrazën helmin, u ngritën dhe dolën siç kishin ardhur, duke lënë prapa kercënimet dhe erën e parfumit.

Pati  më pas edhe vizita të tjera, të pasura  me dhurata por edhe nënkuptimet e rreziqeve që i prisnin. E dinin,është më kollaj të thyesh një grua se sa një burrë. Dhe po ta arrinin këtë, ajo do t’ia hante shpirtin të shoqit.

* * *

I dashur vëlla Kostandin.

Lutem dhe shpresoj që kjo kartë të të gjejë mirë e shëndosh.Të njohurit tanë, të ardhur nga Pogradeci, më kanë thënë që mësonjtorja e atjeshme është në udhë të mbarë, shkon mirë dhe se ju ka marrë në mbrojtje trimi Kajo Babjeni. Kjo më bën të gëzonem shumë.

Edhe mësonjtorja jonë shkon mirë, nxënësit janë shtuar, nga tridhjet e pese të parët, kanë arritur në gjashtëdhjetë. Janë shtuar edhe tre mësonjës të tjerë. Siç mund ta kesh gjegjur jemi të gjithë në parehat, veçmas unë. Kisha, priftërinjtë, grekomanët e këtushëm (Që s’janë të pakët), na janë turrur si një lukuni djajsh,dhe na luftojnë si munden e sa munden.Të na thyejnë, të na zbojnë dhe ta mbyllin mësonjtoren. Pos mallkimeve,nuk rreshtin të sharat, poshtërimet e kërcënimet me jetë. Si të mos mjaftonin gjithë këta, u shtua dhe ime shoqe, që ja kanë prishur mendjen ndrikullat dhe grekomanët e këtushëm. E frikësuar,është bërë bestyte, sheh makthe dhe i shfaqen vegime të kobshme. Avaz i përditshëm, këmbëngul të dorëhiqem dhe të kthehemi në Stamboll, ndryshe- thotë do të ndahet prej meje dhe do të kthehet te i ungji. Sido që mundohem ta qetësoj, është bërë e padurueshme dhe po ma ha shpirtin,përditë, më grryen si ndryshku hekurin, aq sa s’guxoj të kthehem në shtëpi. Ma thotë mëndja se veç grekomanëve të  këtushëm edhe papa Harallambosi, e ysht dhe ja ushqen këto mendime me kartërat që i dërgon.

Bëj çudi. Që në njohjen e pare në Pera të Stambollit, ne jemi dashur, më ka dashur dhe e kam dashur, jemi pëlqyer e më pas erdhi martesa. Ku shkoi gjithë ajo dashuri?

Në fund të këtij muaji viti i parë përfundon dhe shkolla do të mbyllet për të rinisur në vjeshtë të parë.

Nga Bukureshti, shoqëria “Drita” na dërgoi gjithë librat që duhen  për vitin e dytë e që do tu ndahen nxënësve falas.Vura mënjanë edhe ato që do duhen për shkollën tuaj të Pogradecit.Dërgo njeri që ti marrë.

Më shkruaj.Për shëndetin, shqetsimet dhe gjithë sa ndodh atje. Po nga Selcka jonë ke marrë ndonjë lajm?Më merr malli për Lunxherinë tonë të bukur se më kujton fëmijërinë.

Me kaq po e mbyll.Kujdesu për veten.

Pandeliu, vëllai që të do shumë.

Në Korçë, më 7 qershor të motit 1887.

6

Në fund të qershorit, mësimet e vitit të parë përfunduan dhe shkolla i mbylli dyert për tu hapur në ditën e parë të vjeshtës së parë.

Nervaprishur, i paqetë, i mallkuar e shkishëruar, me jetë të kërcënuar, me kërkesën këmbëngulëse të së shoqes,nuk duroi dot më. Mësonjësi, e quajti të përfunduar punën e tij. Ai kishte mbajtur mbi qafë zgjedhën e rëndë dhe kishte hequr parmëndën në truallin djerr, për të çelur brazdën e parë të Mësonjëtores Shqip, ku u mboll fara e shkronjave, që do të hidhnin rrënjë e shtat dhe do të jepninm fryte në pemën e diturisë. I sigurtyë se të tjerë do të vinin pas tij. Me padëshirë, por i shtrënguar nga e shoqja dhe e keqja që si ndahej, i paraqiti dorëheqjen  këshillit të mësonjtores dhe u kthye në Stamboll.

Morën me qira një apartament në katin e tretë të një pallati në Beshiktash, në bregun europian të Bosforit, në rrugën Hajredin Pasha.

Mësonjësi, veshi bluzën e bardhë dhe iu kthye mjekësisë. Hapi një klinikë private. Të shumtët e të sëmurëve ishin shqiptarë hallexhinj , nga mëhalla Arnautkoi, që shpesh turpëroheshin se s’kishin të paguanin. Gjente kohë edhe për të mbajtur lidhje me atdhetarët e Komitetit të Stambollit.

Zonja Kleoniqi u ndje përsëri mirë. Në shtëpi u kthye paqja.

* * *

U bënë tri vite që jam kthyer në Stamboll. Ndodhem këtu me trup, po me shpirt e zemër jam atje në Mësonjtoren tonë të Korçës, për të cilën Naim Beu, ka shkruar një vjershë të ndjerë:Lumja ti moj Korç’ o lule!/Q’i le pas shoqet e tua/Si trimi në ball u sule/ Ta paçim për jetë hua. Janë ndrruar(të dorëhequr) tre drejtorë të tjerë. U bënë njësh forcat e errësirës: Patrikana e Stambollit, Mitropolia e Kosturit, Porta e Lartë, që ta mbysin në shpërgënj foshnjën e lindur, shpresën e shqiptarizmës, por s’ja kanë dalë e nuk do t’ia dalin. Shkolla mbahet më këmbë mësimet kanë vijuar,  nxënësit janë shtuar. I fundmi Petro Nini Luarasi, që e mallkoi mitropoliti i Kosturit! Petrua shkoi në Kolonjën e tij të bukur që të kujdeset për shkollat shqipe që ka hapur atje, në gjashtë fshatra! Është shqipëtar i vërtetë, mëmëdhetar i ditur, i vendosur  dhe trim.Të tillë burra i duhen Shqipërisë sonë. Mësonjtorja jonë e Korçës ka mbetur pa drejtor e pa mësonjës të shqipes. Nga Komiteti i Stambollit dhe shoqëria “Drita”e Bukureshtit, që dërguan Nikolla Naçon, mu bë kërkesë që ta marr sërish përsipër atë detyrë. U mendova gjatë. Pranova. Në të hyrë të vjeshtës së parë do shkoj të marr përsipër detyrën e shënjtëruar. E ndava këtë mendim me time shoqe. E priti me këmbët e para. I hipi tërbimi, nga sytë i delte flakë e zjarr, fjalët vërshëllenin si gjarpër. Tha e ç’nuk tha. Ku e kishte mbledhur gjithë atë vrer? Më në fund për t’i vënë kapakun, më tha : shko prap diellit, që nuk do të vinte të telendisej me mua në atë humbëtirë, dhe se do të më ndante, martesës sonë I erdhi fundi,-tha- se unë isha vënë në shërbim të Antikrishtit, masonëve dhe protestanëve. E përsëriti edhe një herë me hakërrim se: martesa jonë merrte fund! Dhe se faji ishte i gjithë imi. Përplasi derën dhe iku. E dija, shkoi te i ungji, ai gjarpër i zi, për të mbushur me helm enën e zemërimit. Të nesërmen më erdhi një kasnec nga papa Harallambos, më kumtoi që urata më priste në shtëpi për drekë. Shkova, aty gjeta edhe time shoqe. Ai më quajti”Biri im” se më donte sa edhe të mbesën, e që na donte të mirën. Deshi ta dëgjonte nga goja ime që do të shkoja sërish të merrja detyrën e drejtorit të mësonjtores shqipe. Ja pohova se ishte e vërtetë. Ai nisi nga paravolitë dhe ato shpifje bajate që i kasha dëgjuar aq herë: Të pendohesha, ta mohoja gjuhën e mallkuar shqipe, të ktheja sytë nga helenizmi, se shqipja ishte gjuhë e paqenë……e dëgjova sa e dëgjova, por pastaj nuk durova më dhe iu ktheva: hirësi, pa më thoni, ç’të keqe kemi bërë që të na pengojë neve, nga udha që caktoi Perëndia për gjithë njerëzinë, që të flasin, shkruajnë e këndojnë gjuhën e tyre? Që të dëgjojnë në kishë fjalën e Zotit në gjuhën e tyre? Se çdo gjuhë është krijesë e Perëndisë.Se gjithë gjuhët e popujve janë pëlqyer nga perëndia dhe janë të vlerta për të përhapur predikimin e ungjillit. A nuk më thoni, hirësi, nëse Jezu Krishti, para afro 1900 vjetësh, bëri nxënës vetëm grekët, atëhere, nga do të rrëfehet besimi dhe  shënjtëria e tij në mbarë botën, apo nga tre milion grekë?! Si s’keni frikë dhe s’turpëroheni që përçmoni Perëndinë, po mburreni dhe lëvdoheni që i shërbeni Greqisë dhe helenizmit? Akuzës së tij se unë dhe miqtë e mi urrenim grekët, iu përgjigja se ne shqiptarët u dëshirojmë të mirën vëllezërve grekë, por edhe të gjithë vllezërve të botës, por ama,këtë gjegje mirë: dëshirojmë dhe lutemi që të na duan edhe ata neve…. Papa Harallambosi nisi të dridhej,vuri dorën mbi kokë si të donte të mbante mendjen se mos i  ikte, çerja iu nxi, thashë se po i binte dambllaja.E mbesa i dha një gotë ujë. E mori veten dhe  bëri shenjë me dorë që të largohesha.

7

Stamboll, Beshiktash, më 20 gusht 1891

Papa Harallambosi,ulur në divan, nuk po ia shqiste sytë të mbesës. Një vështrim i trazuar, me zemëratë, keqardhje,  e një mendim që e brente së brendshmi.

-Mbesa ime e bukur, mbesa ime fatkeqe, keqardhje për ty. Ta kam thënë edhe here tjetër, sot po ta them për here të fundit.Ti që je rritur me frymën e perëndisë dhe besimin në Jezu Krishtin, u gabove : nuk dite të zgjidhje shortarin tënd të jetës. Shtive dashuri dhe u martove me shërbenjësin e satanait, përhapësin e shkronjave dhe gjuhës shqipe, armik të helenizmit dhe mësimeve të nënës sonë të shenjtë Kishës së Jezu Krishtit. I dëgjove vetë ato që më pëplasi në fytyrë, paturpësisht e me herezi. Ai s’ka ndërmend të sprapset nga udha e tij, që i bie ndesh urdhëresave të kishës. Burri yt, qoftë heqim apo dhaskal,është armiku ynë.  Ai i rëndet tokës ku shkel. Për mirë apo për keq ju s’keni fëmijë që t’u lidhin. Kjo ta lehtëson qëndrimin. Bija ime, të takon ty të vendosish: Të jesh me mua, që të kam rritur e të dua të mirën, me kishën e shënjtëruar, me helenizmin, apo me satanain e qoftëlargun e mallkuar të shqiptarizmës. Zgjidh e merr, një nga të dyja, udhë tjetër për ty nuk ka. Je ende e re , nga derë e fisme fanariote dhe e hijshme, për të nisur  jetën , me tjetër short. Për këtë do të kujdesem vetë.

Zonja Kleoniqi, dëgjoi në heshtje dhe solli ndërmënd, sherret dhe grindjet e pafund, që i kishin nxirë jetën, me atë burrë kokëfortë që kishte dalë jashtë nomit dhe venomeve të besimit, e që do të kthehej sërish në atë dreq mësonjtoreje. Jo. Me të s’mund të jetohej. Duhet të ndaheshin. Ai le të bënte ç’të donte me jetën e tij. I dha të drejtë ungjit. Ai e kishte rritur, e kishte në këmbë të babait, s’mund t’i donte të keqen.

– Kthehu në shtëpi, te ytshoq.Sillu mire. Të diel mbrëma, do vijnë ca djem, që ti japin një mësim të mirë e ta bëjnë terbiet, të pendohet që ka lindur. Mos u druaj, nuk do të mëkatosh. Ti dil, gjoja për Pazar, mbylle Brenda. Kur të dalësh, jepua çelsin djemve dhe mos u kthe më. Eja tek mua.

Zonja Kleoniqi u kthye në shtëpi. Ishte fol e qesh, u tregua e dashur si të mos kishte ndodhur asgjë. E, po, të shkuara të harruara. Ormisi shtëpinë, vuri rregull në kabinetin e punës, të mbushur me libra e dorëshkrime me ato shkronja të asaj gjuhe që ajo nuk e kuptonte, e që ishin shkak i gjithë asaj që po  ndodhte, dhe u kujdes që të shoqit të mos i mungonte asgjë. Dukej se edhe ai ishte i kënaqur nga kjo kthesë që kishte marrë sjellja e saj.

Të diel mbrëma, kur ora e madhe e kullës ra shtatë, myezini dha namazin dhe kambanat e kishave ranë për mbrëmësore, zonjës Kleoniqi I erdhi ora.  Mori zymbylin dhe u nis për të dalë.

-Imzot, po zbres deri te bakalli të blej ca harxhe që na duhen. Derën po ta mbyll nga jashtë- tha dhe doli.

Te porta, kishin qëndruar e prisnin katër burra, mjekroshë, me kapela, veshur me të zeza e dorashka lëkure.

-Është Brenda. Kati i tretë përball shkallës. Ky është çelsi i derës.- U tha- Por mos i bëni keq, vetëm paralajmërojeni, frikësojeni dhe kercenojeni që, të heqë dorë.- dhe u largua me ngut pa kthyer kokën prapa, për në rrugën që të shpinte te i ungji.

Kalimtarët e rastit, të rrugës Hajredin Pasha, dëgjuan thyerje të xhamave në dritaret e katit të tretë,dhe ngritën kokën, pastaj që andej si të fluturonte, u rrëzua e u përplas me një zhurmë të shurdhër në kalldrëm një trup burri. Ishte i veshur me rroba shtëpie. Në mesmoshë, i hijshëm, me mustaqe të plota. Nga përplasja e kokës në gurët e kalldrëmit, i kishin dalë trutë dhe një pizgë gjaku i rridhte nga goja. Në sytë e pajetë kishte llahtari. Kishte  vdekur në çast.

Pas pak nga porta e pallatit dolën katër burra mjekroshë, me kapela, veshur me të zeza, ecën pa kthyer kokën dhe hipën në një araba që i priste në anën tjetër të udhës.

Reth trupit të pajetë, u mblodh një grumbull kalimtarësh. E njohën, ishte heqimi i Arnautkoit, që banonte si qiraxhi në katin e tretë të atij pallati.

Policët që erdhën, thanë se kishin të bënin me një vetvrasje.

Tiranë, qershor 2021.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok