30/12/2024

Bajraktarët e Trieshit sipas kujtesës së popullsisë vendase

0
Gjeke-Gjonaj

Nga Gjekë Gjonaj

Duke u nisur nga nevoja   qytetare për të njohur të kaluarën e   vendlindjes sime  të  organizimit të saj  të  vjetër shoqëror , si  një  pjesë e traditave historike të popullit shqiptar dhe si një  vlerë universale  të lirisë  njerëzore  po përpiqem të  sjell në vëmendjen e lexuesve  disa shënime  për  institucionin e bajrakut   dhe  bajraktarët e Trieshit.

I vetëdijshëm se kjo temë kërkon një studim serioz  e shkencor nga historiografia shqiptare, e cila deri më tani  nuk i është qasur  asaj thelbësisht,  dëshiroj vetëm të përmend  disa nga bajraktarët e Trieshit,  rolin  dhe rëndësinë e  tyre,  duke u mbështetur  vetëm në kujtesën e trieshjanëve, dhe ndoshta të nxis kureshtjen  apo  të zgjoj  interesimin e studiuesve të mirëfilltë të kësaj fushë që në të ardhmen t’i qasen  kësaj temë ende të pashtjelluar në mënyrë të dokumentuar. Pretendime të tjera s’kam.

Hershmëria e bajraktarëve

Çështja e bajrakut dhe udhëheqja e tij nga  bajraktarët  e Trieshit , është aq e hershme sa edhe në   trevat  ( malet) e  tjera   të Malësisë së Madhe.  Mbështetur në kujtesën popullore ekzistimi  i Institucionit të Bajraktarit apo shqip Flamurtarit  në këtë krahinë malore, e cila shtrihet  nga Qafa e Rozdecit e deri në fshatin Poprat, në kufi me Shqipërinë,  duke vazhduar edhe nëpër luginën e lumit Cem, i cili buron  nga bjeshkët e Kelemendit  të shtetit amë,  daton kaherë, nga fillimi  i shekullit XVIII-të.  Prej asaj kohë Bajraku ( Mali)  i Trieshit  njihet ndër bajraqet kryesore të Malësisë së Madhe.  Meqë kemi të bëjmë me periudhën  e sundimit turk  mund të nënkuptojmë se krijimi i institucionit të bajrakut dhe zgjedhja e  bajraktarëve është bërë  me pëlqimin e autoriteteve të Perandorisë  Osmane, por edhe të vetë banorëve të Trieshit.

Personat që trashëguan këtë pozitë shoqërore

Nga rrëfimet e trieshjanëve të vjetër  flamurtarët  ( turqisht bajraktarët)  kryesisht zgjidheshin nga shtëpia më e njohur, më e fortë, më trime, më bujare, më  fisnike, më zëmadhe. Domethënë  krerë të bajraqeve   zgjidheshin  ata  njerëz që shquheshin mbi të tjerët.   Bajraktari  ishte një person që e kishte trashëguar këtë titull, që i lihej djalit të madh nga i ati dhe, në mungesë të këtij, mashkullit më të afërm nga farefisi. Bajraktarët e parë në Triesh  qysh se dihet për këtë titull nga popullsia vendase janë nga  familja  e Bonkeqit, Lucaj, prej fshatit Stjepoh. Sa për sqarim dua të shpjegoj se ky  bajrak i Malësisë së Madhe  përfshinë  fshatrat: Rudinë, Nikmarash, Muzheçk, Buxë ( Budzë), Delaj, Poprat dhe një pjesë e luginës së rrjedhës së lumit Cem, që quhet Cemi i Trieshit.  Në Triesh  thuhet  dhe  tashmë dihet se nga familja që përmendëm më lartë ( sot barku Glmaçkaj  ,   bajraktarë brez pas brezi   kanë qenë  :  Peli, djali i Stojë Pontit,  pastaj  Nika , Luca, Bumçi ( Bupç), Ujka dhe Uci. Sipas  rrëfimit të pleqve nga vëllazëria Lucaj , Uc Ujka nuk ishte bajraktari i fundit  i kësaj shtëpie deri me  ramjen e Trieshit nën administrimin e Malit të Zi, por atë e trashëgoi   Gjon Maçku . Nga kjo vëllazëri  bajraktarë kanë qenë edhe vëllezërit  Lucë Gjoni e Martin Gjoni.  Më pastaj  këtë titull e trashëguan Nishkë Gila, Gjon Nishk Gila dhe djali i Nishkut, Gjeka, i cili siç pohojnë pasardhësit e  tij, ishte bajraktar i çetës së Stjepohit, deri në vitin 1904.

Përveç vëllazërisë ( fisit Lucaj, nga sa dimë nga trieshjanët e vjetër ,  bajraktarë kanë qenë edhe    Nikë Lucë Dokë Ujkaj nga fshati Bëkaj dhe Baca Nikë Gjeloshi , nga fshati Muzheçk.

Roli që kanë luajtur

Nga brezi në brez  përcillen rrëfime  se  të gjithë bajraktarët e Trieshit, gjatë  veprimtarisë  së tyre aktive prej më se dy shekujsh gjithmonë dhe në të gjitha rastet  ishin në shërbim të interesave të popullit të vet, e asnjëherë  nuk u nënshtruan  të pushtuesve të kohës, të cilët i sollën shumë tragjedi kësaj popullsie shqiptare gjatë historisë  së saj  sa të dhimbshme,  aq edhe krenare.  Prej se mbahet mend krijimi i bajrakut në këtë cep të Malësisë së Madhe, krerët e bajrakut  janë dalluar  për trimëri,  në mbrojtje të   vendlindjes së vet dhe  të qenies  kombëtare, nën pushtuesin turk dhe nën pushtues të tjerë pas tij. Nga goja e shumë trieshjanëve kamë dëgjuar  se  bajraktarët bashkë me prijësit e tjerë të fshatrave  në të gjitha periudhat e mbijetesës së tyre në këtë vend, për mua magjeps dhe të jashtëzakonshëm, i veshur me  kurrize të thepisura malesh që ngërthen në vete gërdhata,  shpella, qafa, , gryka, e pjesë tjera të relievit të saj të thyer, kanë  luajtur rol të rëndësishëm  për kohën patriarkale kur kanë  vepruar.

Kontributi i tyre për  lirinë e truallit të vet dhe të tokave shqiptare

Nga ato që kam dëgjuar nga të vjetrit   bajraktarët   kanë dhënë kontribut të madh   në radhë  në mbrojtjen e popullatës vendase, por edhe në bashkimin e forcave vullnetare për lirinë e  truallit të vet, por edhe të tokave shqiptare. Këtë e dëshmuan duke marrë pjesë në shumë lufta  të  ushtrive të mëdha e mizore të  pushtuesve të egër e gjakatarë, osmane, fashiste, naziste e të tjera, të para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit  të vitit 1878,  si dhe në luftat  të tjera më vonë.

Po ashtu nga informatorët e shumtë  kam dëgjuar se bajraktarët  në Triesh kanë qenë  shumë të njerëzishëm ( njerëzor)  dhe njerëz me dinjitet , të cilët veprimet dhe vendimet e tyre i sollën në pajtim  me kodin kombëtar të Lekë Dukagjinit, sipas të cilit administroheshin  gjatë sundimit turk, i cili parashikonte deri në hollësi të gjitha rastet e jetës së rëndë të shqiptarëve në rrethanat e kohës. Në mbamendjen e  familjeve trieshjane bajraktarët kanë mbetur  të suksesshëm dhe  shumë kontribues për çlirim kombëtar. Ata për trieshjanët kanë qenë dhe do të mbeten  flamurmbajtës  , që me shembullin e mirë të tyre e “ushquen” këtë krahinë martire me burrëri, me fisnikëri, me  drejtësi, me atdhetari  dhe  me sakrificë gjatë gjithë zhvillimeve historike të saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok