14/03/2026

BACA PAL, NJË “SOKRAT” MES MUNELLËS DHE MYZEQESË

0
Pal-Nikoll-Marku

Njihuni me këtë fisnik të racës tonë

NGA NDUE DEDAJ

Thirrej Pal Nikoll Marku, me emrin e gjatë si të malësorëve të origjinës. Kishte një portret artisti në rini (e pleqëri), por jo si i Dorian Greit, pasi në rastin e “personazhit” tonë luan jeta me të e jo ai me jetën. Ishte lindur më 28 prill 1926 në fshatin Kalivare/ Kimzë, rrëzë malit të Munellës, që nga ana administrative shkonte me rrethin e Pukës. I “përkundur” nga shushurima e gjetheve të lisit, ahut e pishës dhe valëzimet e Fanit të Madh, si një djep i lashtë i trevës së Mirditës. Sot Pali ynë do të ishte njëqind vjeç. Një njeri që zor ta ngërthesh mes epitetesh, sado i pakursyer të jesh me to. Ishte një shqiptar i racës, që ndërthurte aq mirë klasiken me bashkëkohoren. Për njerëzit e thjeshtë e Myzeqesë mes të cilëve rronte, ishte një bacë malësor nga anët e Munellës, i cili mbante mustaqe spic si aristokratët. Diplomohet në Beograd për sinoptikë dhe titullohet oficer i aviacionit shqiptar. Do të tregonte lëvizjen e avionëve nga aerodromet duke “komanduar” qiellin nga toka me tejqyra, një zakon që nga koha e Kopernikut e Gjon Gazullit. Ruhet ndonjë fotografi e oficerit elegant, në krah të aviatorëve të shquar, si Niko Hoxha, tek kundron lëvizjen e avionëve në Kuçovën e naftës, që qe pagëzuar me emrin “Qyteti Stalin”.

Karriera e Palit do të niste në kryeqytet. Në vitin 1948 ai krijon për herë të parë shërbimin e Sinoptikës shqiptare, pranë Aeroportit të Tiranës, duke u emëruar shefi i Stacionit Qendror të saj. Bën pjesë në elitën kryeqytetase të mbas Luftës, si një intelektual i shkolluar dhe me interesa studimore. Profesioni do ta largonte nga Tirana dhe do ta çonte atje ku kishte më shumë fluturime dhe ku po përqendrohej aviacioni ushtarak. Do të ishte me siguri një shkencëtar i motit, pasi më 1956, bashkë me një autor bullgar, paraqet një studim për klimën e Shqipërisë në Akademinë e Shkencave të Bullgarisë. Jo rastësisht një vit më vonë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor dekorohet me motivacionin “për punë shkencore”. Ka pasur njohje me personalitete të fushave të ndryshme, çka e tregojnë dhe fotografitë e tij, me Zenel Islamin, Ismet Elezin, Çun Jonuzin, Ndrek Lucën, Nasho Jorgaqin, Dritëro Agollin, Frrok Haxhinë, Lipe Nashin, Xhevahir Spahiun, Moikom Zeqon, Mustafa Nanon, Piro Naçen etj.

Simbolika do të ishte në natyrën e tij. E para gjë që bën, e merr vendlindjen me vete, përmes një filizi pishe që e shkul në Munellë dhe e mbjell në një lulishte të Kuçovës, që më vonë të do njihej si Pisha e Pal Nikoll Markut, që shpresojmë të jetë dhe sot me ndonjë mbishkrim, pasi “brezat ndërrohen/ e kohët harrojnë”, thuhet në një poezi.

Teksa e priste një karrierë e shkëlqyer në profesion, në vitin 1961 befas Partia e flak Palin nga radhët e saj, për bashkëpunim me armiqtë, domethënë e “pushkaton” politikisht. Kjo nuk është ndonjë metaforë e krijuar prej nesh, por kështu quhej në gjuhën zyrare përjashtimi nga radhët e Partisë – pushkatim politik. Bolshevizmi kishte prodhuar të pushkatuarit e gjallë, që nuk e merrnin kurrë më veten, për gjithë jetën. Goditja e shumë intelektualëve në këtë kohë shpjegohet me panikun që kishte kapur udhëheqjen komuniste shqiptare pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, ku tashmë shihej si armik çdo person që kishte pasur lidhje me vendet revizioniste të Lindjes. Pali pas kësaj shkon një vit bari dhish në Munellë, në pritje të përgjigjes së letrës, që i kishte çuar Enver Hoxhës, për ndëshkimin e padrejtë, por nuk tundej “madhëria” e tij nga froni i luftës së klasave. Para tij askush nuk ishte asgjë. Dhe u kthye Pali punëtor në naftë (!). Por Biblioteka tekniko-shkencore e Naftës, që krijohet në vitin 1963 në Kuçovë, donte një njeri erudit dhe njohës të gjuhëve të huaja, që ta drejtonte dhe kush më mirë se Pali do ta bënte këtë, pa qenë nevoja të vinte dikush tjetër nga Tirana. Fotografia e tij në atë bibliotekë i ngjet asaj të Fishtës në bibliotekën françeskane në Gjuhadol, me rafte të lartë plot me libra deri në tavan. Ndoshta dhe mbi atë shëmbëllesë e kishte krijuar Pali, që e kishte pas vizituar Shkodrën qysh fëmijë, pasi atje kishte shërbyer në xhandarmëri i ati, duke marrë prej atij qyteti “urdhrin” e heshtur për shkollimin e të bijve.

Baca Pal nuk rronte dot pa librin, ishte në njëfarë mënyre mishërim i tij, çka e dëshmonte dhe biblioteka vetjake me rreth pesë mijë libra shqip dhe në gjuhë të huaja, në një banesë të vogël në Patos. Njeri erudit dhe poliglot, një lloj “Sokrati” i kohës së vet, që dinte përmendësh “Ferrin” e Dante Aligerit dhe krejt “Lahutën e Malcis” të Gjergj Fishtës. Në shenjë adhurimi dhe nderimi, shkon me një “përgamenë” të shkruar prej vetë atij te varri i poetit të madh fiorentin në Ravena, ndërkohë që poeti kombëtar i dheut të tij nuk kishte varr, ngaqë ia kishin tretur nga toka që i këndoi me hove homerike e hedhur në Drin. Vite më parë, sipas rrëfimit të miqve të tij në Patos, pasi Baca Pal qe shuar, kemi botuar një shkrim të gjatë, se si ai në rrethana kritike të përndjekjes, në fillim të viteve ’70, teksa punonte shkrirës metali në shkritoren e uzinës mekanike të naftës në Patos, pati mësuar pëmendësh krejt poemën “Lahuta e Malcis”!?…

Kemi pasur fatin ta njihnim nga afër Bacën Pal, siç e thërrisnin të gjithë në Myzeqe. Por duhet thënë se qemë njohur ende pa u takuar. Në vitin 1999 qe botuar libri im “Toka e Katedraleve”, një kopje të të cilit e kishte marrë me vete drejt Italisë njëri nga të afërmit e mi, Ladi. Teksa po e shfletonte në traget, libri kishte tërhequr vëmendjen e një burri të fisëm që gjithashtu po udhëtonte drejt tokës italiane. Ky me mirësjellje ia kishte kërkuar librin dhe kishte vazhduar ta lexonte për “gjithë natën”, duke bërë dhe një shënim vlerësues në pjesën e brendshme të kopertinës. Do të takoheshim me Palin për herë të parë në prill të vitit 2006 në vendlindjen e tij, ku ai vinte pas aq kohësh i ftuar në 95-vjetorin e Qeverisë së Kimzës, organizuar nga komuna e Gjegjanit, që i kishte dhënë dhe një titull nderi. Do të shiheshim dhe më pas, në shtëpinë e tij në Patos, ku u njohëm dhe me familjen e tij, si dhe në Apolloni, kur do të priste gjimnazistët e Rrëshenit etj., duke bërë për ta ciceronin, në qytetin antik ku në lashtësi kishte shkelur Mark Antoni. Pali, njeriu i qiellit kishte dhunti poeti, shkruante herë pas here tekste këngësh, njëra sosh kushtuar naftëtarit, kompozuar nga kompozitori i njohur shkodran Zef  Leka, muzikant në Kuçovë, autor i këngës mbarëpopullore “Qingji i vogël”, i cili që pati fatin e keq të shumë intelektualëve të elitës, burgosjen politike, teksa po plotësonte librezën e pensionit.

Pali kishte dhe një vëlla më të vogël, Dedën, të zotin si veten në punë të diturisë, diplomuar si gjeolog në Bashkimin Sovjetik dhe përmendet si i pari shqiptar që  ka shkelur në Polin e Veriut gjatë kohës që ishte student. Të dy vëllezërit i lidhi jeta me pasuritë nëntokësore, njërin në Jug e tjetrin në Veri, Palin me naftën (edhe pse nuk kishte qenë zanati i tij), kurse Dedën kryesisht me bakrin dhe mineralet e tjera me ngjyra të vendlindjes, “kretakët” e Munellës, që iu kushtoi dhe një studim, me të cilin fitoi titullin doktor i shkencave gjeologjike.

I pari që e solli në vëmendjen e publikut këtë figurë emblematike, që kurrë nuk iu shua buzëqeshja dhe mirësia, ishte studiuesi dhe ish – kryetari i komunës së Gjegjanit Mark Mesuli, përmes monografisë së mirëpritur “Skifteri i Munellës” (2009), që do të shërbejë dhe për dokumentarin e Televizionit Shqiptar, që po realizon këto ditë me përkushtim regjisorja Vasilika Londo, edhe me nxitjen e bashkëshortit të saj, artistit të mirënjohur Kiço Londo, i cili ka qenë një mik i hershëm i Bacës Pal në Patos, ashtu si dhe Toli Shabani, Kozma Çuko, Balil Balili etj.

Pilotët ishin miqtë e tij të rinisë, jetën e të cilëve e kishte ai në “dorë”, ndër të cilët dhe Frrok Prenga nga Kimza e vendlindjes, me të cilin e shohim në fotografi. Ai nuk donte asesi që shtegtarët e qiellit të binin dëshmorë e të bëheshin heronj, përderisa Atdheu ishte në paqe. Por ja që kjo ndodhi e ai do të përcillte me dhimbje të thellë mikun e tij Niko Hoxha.

Pali ishte një bashkëbisedues i pashoq, i qeshur, i dijshëm, i mençur, që nuk parapëlqente të fliste për veten, thënë ndryshe, “vuante” nga modestia, ndërkohë që atëherë e sot ta “rrëmbejnë” fjalën ata që s’kanë asgjë për të thënë, pos mburrjes provinciale për (pa)bëmat e tyre. Në kohën e demokracisë Pali nuk qau “fatin” që i kishte rënë për hise në të shkuarën, por vazhdoi të ishte vetvetja, tashmë si një person publik, që ftohej në promovime librash në Fier etj., në TV “Puka” në intervistë për jetën e tij të dallgëzuar, në Patos ku do t’i bëheshin nderime etj.

Kemi shkruar disa herë për Bacën Pal pa na e kërkuar askush dhe po i rikthehemi sërish profilit të tij njerëzor jo të zakonshëm, ngaqë fisnikët si ai po rrallohen dita-ditës dhe nuk duam të na humbasë kujtesa e tyre. Si mund të vazhdojë të mbetet dhe sot e kësaj dite i “panjohur” një shqiptar i racës, një princ i diturisë, që fliste e shkruante në disa gjuhë, që kishte pasion librin, bibliotekat, filozofët, shkrimtarët, të cilët i citonte pareshtur dhe i përkthente, si poetin bullgar Hristo Botev, poetin italian Vincenzo Monti etj.

Ka shumë vite që Baca Pal nuk rron, por ai sërish “ecën” nëpër Mirditë, Myzeqe e Tiranë, “si një monument shëtitës”, siç është shprehur në të gjallë të tij një publicist i njohur. Miqtë dhe të njohurit e tij e kujtojnë me mirënjohje, komuniteti i Kuçovës, Patosit dhe më gjerë e ka nderuar gjithnjë këtë figurë interesante humanisti, që regjimi i kaluar ia preu krahët, ndaj në këtë jubile të tijin do të ishte i mirëpritur nderimi presidencial, që shpresojmë të ndodhë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok