BACA JAK, NË GJAKOVË
Nga Ndue Dedaj
Në fshatin Dobrigje të Gjakovës, Baca Jak, që i ka mbushë 86 vjeç, flet ngadalë e shtrue, tue e peshue çdo fjalë, si dikur të moçmit dhe ne e ndigjojmë me kënaqësi të veçantë; asht Preng Pepa, Bardhok Pulaj, unë dhe i biri i bacalokut, Zefi, që na ban fotografitë, ndaj dhe nuk ka dalë vetë, por dhe se po kujdeset për ta “stolisun” tryezën e mikpritjes, siç e kanë zakon shqiptarët, ku rakia e kumbullës, si e shtëpisë, fiton pikët, edhe pse nuk asht kohë për alkool, mbasi temperatura duhet të jetë nja dyzet gradë nën hijë. Ulun në verandë, në oborrin e gjelbëruem si një kopsht, shohim dardhat dhe mollët deng, që piqen në vjeshtë. Por oborrin e zbukuron sidomos parku i bletëve, pasi atë e bir janë bletarë të njohun në zonë. Na ka sjellë këtu, dhetë vjet ma parë, doktori i bletëve, Prenga, ashtu si dhe sot e tashma ne jemi miq të kësaj shtëpie, me origjinë nga Spaçi i Mirditës.
Jak Gjergjaj ka punue 8 vite në Francë, nga viti 1969 deri në vitin 1977, në fabrikën e “Pezho”-së, shkonte e vinte me tren një herë në vit, kurse rrogën e çonte çdo muej. Punoi gjith atë kohë dhe erdhi e bleu një mal për familjen e tij, mbasi këtu, thotë ai, drutë për ngrohje ishin si buka…
Baca Jak meriton një portret të plotë, jo se do t’i hynte në punë atij, porse brezat e sotëm do të kuptonin përmes jetëve të tilla mundin që u asht dashtë paraardhësve për me krijue në fshat këtë “parajsë” tokësore, me vila të bukura të stilit perëndimor, makineri bujqësore, prodhimtari të bollshme etj., që jo pak pa lihet mbas krahësh për një jetë ma të mirë jashtë Kosovës.
Por Bacën Jak e sollëm në këto pak radhë për tjetër gja, ai asht shembull i vërtetë komunikimi për të gjithë ne që flasim me ngut, ndonjëherë pa u mendue, në kafene, në studiot televizive, në parlamente, ku nuk asht ma fjala e para! Fjala, e para, ka mbetun ende realitet te kjo “racë” arbnore, që nuk ka ardhun nga ndonjë botë tjetër, por thjeshtë janë paraardhësit tanë të matun, të fisëm e të përkorë, edhe të atyne gjindve që ua kemi besue dhe delegue fjalën e kuvendin e ata nuk dinë të sillën me të urtisht, por si “kalorës” të irrituar e fort të vrerosur…
Tungjatjeta, Baca Jak! Shëndet e jetë.
Ndue Dedaj
Gjakovë, 16 korrik 2024