10/02/2026

Azem Shkreli, më i zëshmi zë i këndimit të kushtrimshëm të fjalës së shpirtshme

0
Azem-Shkreli

Nga Albert Vataj

Sot, më 10 shkurt 2026, mbushen 88 vjet nga lindja e poetit, narratorit dhe mendimtarit Azem Shkreli, një nga kumbimet më të zëshme që ka ditur të flakërohet në eterin shqiptar si kushtrim brezash, si kandil i pashoq përjetimi të fjalës, e konceptuar jo thjesht si shenjë, por si energji që kapërcen qiejt e lirisë. Zëri i tij nuk ishte britmë, por dridhje e thellë ndërgjegjeje; jo retorikë, por densitet përvoje që i jep fjalës peshë ontologjike.

I formësuar si shprehje e një ndjeshmërie të lartë dhe një etike rigoroze të artit, opusi poetik i Azem Shkrelit hapi shtegun e të ekzistuarit dhe të funksionuarit të poezisë vetëm brenda parametrave estetikë. Tek ai, poezia nuk kërkon të bindë, as të predikojë; ajo kërkon të jetë. Fjala shfaqet si akt krijimi, si tension i brendshëm mes heshtjes dhe domosdoshmërisë për të thënë, mes përmbajtjes dhe shpërthimit të matur.

Në këtë kuptim, mund të thuhet se, pas shenjtërisë poetike të De Radës, poezia e Shkrelit përbën një nga kapërcimet më të rralla estetike në poezinë shqipe, ku fjala është parë dhe trajtuar si fuqi kreative, si substancë që mban peshën e qenies dhe të historisë. Ai e zhvendosi poezinë nga zbukurimi në thelb, nga deklarimi në përvojë, nga patosi në përqendrim.

Shkreli u bë mjeshtër i ekonomisë së shprehjes, me pak thotë shumë, me heshtje sugjeron univers. Ai njihet si “fanatik i vargut”, i latimit të tij deri në kufijtë e përkryerjes, i ritmit dhe i muzikalitetit tekstor që nuk kërkon zhurmë, por rezonancë të brendshme. Ironia e tij, shpesh e shndërruar në sarkazmë të ftohtë, nuk shërben për të goditur, por për të çliruar mendimin nga iluzionet dhe klishetë. Kjo është veti e krijuesve të mëdhenj, ata e dinë pse shkruhet dhe e kuptojnë artin si punë mjeshtërore, si disiplinë shpirtërore dhe intelektuale.

Azem Shkreli mbetet një pikë referimi jo vetëm për poezinë, por për vetë idenë e qëndrueshmërisë estetike në kulturën shqiptare. Në një kohë kur fjala rrezikon të bëhet e lehtë dhe e shpenzueshme, vepra e tij na rikujton se poezia është përgjegjësi, ndaj gjuhës, ndaj njeriut dhe ndaj lirisë që kërkon të artikulohet me dinjitet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok