24/11/2024

AUTOPORTRET ME METAFORËN E KROIT TË VENDLINDJES

0

Rreth librit poetik “Kroi i Luçes” të Sami Milloshit

NGA NDUE DEDAJ

Sami Milloshi është poet, prozator dhe piktor. Publicist e gazetar i njohur që nga vitet ‘70. Ai ka shkruar poezi e botuar vëllime poetike prej afro katër dhjetëvjeçarësh, ndërsa njëzet vitet e fundit është shfaqur dukshëm si tregimtar, por pa e lënë mënjanë poezinë. Kur mund të pritej autoportreti i tij prej piktori, vëllimi poetik “Kroi i Luçes” (2024) hapet me poezinë “Autoportret me bojna vaji”, ku ravijëzohet autoportreti i tij prej poeti, ashtu siç një “autoportret” tjetër i tij është ai i tregimtarit të sprovuar të groteskut, ku thuajse të gjitha fabulat janë amerikane.

Milloshi është autor i njëmendët, që afirmohet përmes fjalës së tij poetike, asaj tregimtare dhe penelit me dritën e ngjyrës dhe ngjyrën e dritës, duke qenë vetvejtja në secilën zeje artistike, kësisoj ai nuk përdor asnjë artific për të dëshmuar shkëlqim të rremë, pasi: “Unë i jam tutë lavdisë së rreme, / jet’ e mot…” Kjo është kredoja e krijuesve të vërtetë, ndryshe nga turraqiti i grafomanëve, me gjoksin gropë.

Shkrimtari rron prej më se dy dekadash në Amerikë, nga ku ka publikuar një varg tregimesh të shkurtëra tepër të veçanta, si gravura në një reliev komik, dëshmi e një stili autorial të konsoliduar. Ndërsa poezia e tij nuk mund të zërë fill askund tjetër, veçse në vendlindje, nga kulla shpirtërore e Macukullit, çka shihet dhe në peizazhin në kopertinë dhe nga Kroit i Luçes në bjeshkë, që bëhet lajtmotiv i poezisë së tij thellësisht të ndjerë e origjinale, në çdo fjalë e varg:

“Kroi i Luçes

asht larg,

rrazë malit t’Dejës,

sa nji shpresë e pakthyeme…”

Kroi është gjithëherë një pasqyrë për të dashtunit e poetit, vendlindjen, botën e saj të pandërruar që e mbart mbi shpinë ngamot kudo vete. Edhe pse larg, ai është prapë aty, me një ndjeshmëri të pazakontë, në bisedë me njerëzit e tij të “lisit” të jetës së shkuar e të pashkruar, me të cilët flet si një bir:

“N’e paçi nji kujtim

t’vyshëm prej meje,

shkoni e mbilleni

nji lis për mue

n’fund t’livadhit

ku m’u përgjakën gjunjët n’fmini…”

Aq e ngrohtë, njerëzore dhe e përshpirtshme në këtë antologji me filigram vendlindjeje është poezia “Me dashtë”, me një kumt sa të sinqertë, aq dhe befasues:

“baba m’tha

se me dashtë

domethanë:

nji njeri qi t’përcjell

dhe nji tjetër qi t’pret…”

Vëllezërit, paçka largësisë hapsinore të kontinenteve dhe oqeaneve, rrojnë një frymë, një botë, një përjetim:

“Na kap e qeshuna

të dyve,

atë atje ku len Dielli,

e mue n’skajin tjetër

ku perndon…”

Poezia “Baba jem çoi të parën makinë në katund” sikur ka nisur të shkruhet që në vitet ‘50 – ‘60 të shekullit të kaluar dhe nuk ka përfunduar ende, pasi rruga ka mbetur po ajo, e pa asfaltuar, si përgjithësisht peizazhi rural shqiptar:

“Por, deri tash,

Unë jam turpnue

me ty babë,

s’mujta me e ba rrugën,

veç dashtë i madhi Zot,

t’mos turpnohen

as nipat e tu,

e ta bajnë nji rrugë,

qi ti t’çohesh prej vorri,

t’çmallesh rrazë malit t’Dejës,

tue freskue ballin

me ujë t’ftoftë

te Kroi i Luçes…”

Poezia “Unë kam me u kthye” është ndër lirikat më të bukura jo vetëm të autorit, ku shkrihen në një: malli, kulla, dialekti, kujtesa e largët, mitika e maleve, të njohurit dhe kthimi atje:

“Njat dekik,

kur ta muloj çatinë e kullës

me rrasa t’reja,

ka me dek

Përbindshi i katundit,

ai qi na pat ba mxhi,

me e lanë katundin,

e me gjet parajsën

n’planetin e Askundit…”

Planeti i Askundit është një metaforë e spikatur e autorit, që e hasim dhe te poezia “Lufta asht nji fmi jetim”:

“Lufta nuk asht

As e Tretë,

as Botnore,

lufta asht nji

Fmi jetim,

qi e merr Maska për dore

n’nji qytet prej hini

n’ planetin e Askundit…”

Po ashtu “Liria” është një tjetër lirikë e pazakontë, që të kujton sa baladat e eposit shqiptar me flijime, aq dhe sagat e modernitetit të një tjetër mundimi e përjetimi të njeriut të njeriut të sotëm:

“Kujtova se e gjeta Lirinë

ma n’fund,

po tash n’thinjninë time

e mora vesh

qi paskem gabue,

si nji fmi

q’e humb rrugën në pyll”.

Poezia mjeshtërore “Ngjitja e mbretit në skenë”, që fshikullon qendrimet autokratike të pushteteve ndaj skenës dhe artit, duket se nis që nga antikiteti e vjen deri në ditët e sotme, me një buçitje mahnitëse:

“Thonjtë e paprerë të mbretit

ma gërryen kafkën e kujtesës

dhe ma nxorrën gjumin…

ma përgjakën kafkën,

por auditori mbeti aty si një fëmjë

që pi qumësht në gjinjtë e Rozafës…”

Poezia kushtuar Van Gogut është një himn i një natyre të veçantë për piktorin, që don ta lërë shpirtin në degët e pemëve, edhe kur mos të jetë:

“Nuk ban me ikë

prej ksaj bote,

iu betue vetes,

pa i lanë do copa t’shpirtit

me u valvitë n’ajër,

si balona t’shpresës…”

Apo poezia tjetër emocionuese “Akuarel i rrugës”, që e shenjon njerëzoren si diçka hyjnore:

“M’u desh

me t’mbajtë kaliqafë,

por prap se prap,

rruga m’u ba

sa nji pëllambë e shkurtën

veç pse e pjestova

vetminë

me ty”.

Poezia “Marrveshje me detin” mbart një lirizëm të thellë, të bukur, të një rebelimi të heshtur:

“Qetësohu o det për pak dekika,

Merr nji sy gjumë, je lodhun shumë,

Të lutem më le ta mbaroj portretin,

Mandej, në daç shkërmoqe

me zhurmë”.

Pasi ke mbyllur fletën e fundit të librit, kujtohesh se nuk ke shënuar asgjë për aq e aq poezi të arrira, si: “Andrrat e pashkrumbueme”, “Monologu i babës mas luftes”, “Zana ime”, “Kur digjej Roma”, “Lumtunia”, “Koha”, “Gjuha e nanës”, “Miss Vorreza”, një perlë poetike e rrallë etj. Libri, edhe pse jo i vëllimshëm, mbart shumë motive me interes për t’u komentuar, por ne u përqendruam kryesisht te metafora e kroit, ku poeti ka shpirtin dhe do të lërë atje dhe testamentin e tij, lulet:

“Tash m’ka metë,

veç me u kthye n’fmini,

e me mledhë

lulet qi s’mujta

me mbledhë dikur,

me i lanë si testament

te Kroi i Luçes…”

Poezia e Sami Milloshit, që tingëllon si një harpë në çdo notë, çdo ide dhe figurë është një kumbim intelektual, që nuk idealizon asgjë, as dhe “tokën e premtuar”, përveç njeriut që e fisnikëron poetikisht, por dhe e fshikullon për veset që mbart. Ajo që e bën të veçantë këtë poezi është mënyra e sëndërtimit të saj, si optikë, si përqasje, si thënie. Herë me gjuhën e përkryer të bardit autentik të lartësive të Dejës, ku u shkrua Formula e Pagëzimit, herë atë të një poeti modern që e ka përjetuar botën perëndimore amerikane dhe rrokur përmes vargut dhe penelit.

Libri “Kroi i Luçes” përmbyllet me një tufë poezish të poetit të përkthyera nga shqipja në anglisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok