21/12/2024

ATJE KU BURON FJALA E BUKUR…

0
Prendi-Gojani-Berisha3

– Nga takimi me prof. Anton N. Berishën, prof. Mikel Gojanin dhe prof. Labinot Berishën në Lezhë –

NGA VLASH PRENDI

Takimet dhe bisedat me shkrimtarë, poetë dhe krijues kosovarë, janë gjithmonë të këndëshme dhe me interes të vaçantë, pasi arsimimi i tyre përfshin një gjeografi të pasur të qyteteve dhe universiteteve më të njohura europiane, ndërsa veprat e tyre përfshijnë një tematikë të pasur dhe gjithpërfshirëse. Tre kanë qënë dhe janë shtyllat kryesore ku mbështej tematika e krijimtarisë së autorëve kosovarë: Përpjekjet e popullit dardan për liri dhe pavarësi, urrejtja e pakufishme ndaj pushtuesit dhe dashuria e zjarrtë për vendlindjen dhe atdheun. Këto tre tipare të qenësishme vihen re thuajse në gjithë krijimtarinë e shkrimtarëve kosovarë, sidomos në periudhën e paraluftës. Pas viteve 1990, kam patur fatin të takohem me shumë krijues të kësaj treve, të njoh dhe të komunikoj me mjaft prej tyre dhe kam vënë re se vlerat tematike dhe niveli artistik i veprave të tyre, qëndrojnë po në këtë linjë. Kam lexuar mjaft vepra të tyre, shkrimtarë të së kaluarës dhe të sotëm, figura të shquara të letërsisë së njohur kosovare që hodhën me dinjitet themelet e kësaj letërsie dhe kam vënë re thellësinë e mendimit, nivelin e lartë artistik dhe tematikën e gjetur të këtyre veprave. Mjafton të lexosh autorë të tillë si Esat Mekuli, Azem Shkreli, Hasan Hasani, Ali Podrimja, Anton Nikë Berisha, Anton Pashku, Hasan Mekuli, Engjëll Sedaj, Mark Krasniqi, Anton Çetta etj, dhe do vesh re pikërisht këto tipare të qënësishme të kulturës dhe traditës kosovare, që përmes veprës së tyre synohet të përhapet dhe të ruhet brez pas brezi. Vite të shkuara, kur në vendet tona sundonte sistemi totalitar, ishte tepër e vështirë të takoje dhe bisedoje me një krijues, poet, këngëtar apo intelektual kosovarë, sepse edhe nëse të krijohej një mundësi e tillë do të ishte i survejuar nga Sigurimi i Shtetit. Ndërsa sot, gjërat kanë ndryshuar. Sot takohemi si njerëz të një gjaku, si vëllezër të lindur nga një nënë, si banorë të dale nga të njëjtat troje etnike.

Kështu ndodhi këtë ditë të bukur qershori, kur në qytetin e bukur dhe historik të Lezhës erdhën për vizitë studiuesi i mirënjohur prof. Anton Nikë Berisha, autor i mbi pesëdhjetë veprave studimore dhe letrare, shkrimtari i njohur Mikel Gojani dhe prof. Labinot Berisha, studiues dhe pedagog në Univeritetin “Fehmi Agani” të Gjakovës. Ȅshtë studiuesi dhe poeti i njohur Llesh Ndoi i cili shpesh herë ndërmerr iniciativa të tilla me mjaft vlera për njohjen, evidentimin dhe unifikimin e kulturave të dy vendeve që për një kohë të gjatë kanë qënë të ndara dhe me mundësi të kufizuara komunikimi. Ishte pikërisht ky studiues i pasionuar që komunikoi me shkrimtarin e shquar Hasan Hasani – Përkola, që së bashku zbuluan rrënjët mbi 300 vjeçare të fisit të tij nga Domgjoni i Mirditës dhe më tëj, hartoi dhe botoi monografinë e njohur për jetën dhe veprën e tij “Dushkaja emër – Mirdita mbiemër”. I nxitur nga malli dhe dashuri për vendlindjen, patrioti i flakët dhe poeti i njohur Hasan Hasani, e pati vizituar vendlindjen e tij dhe shumë fshatra të Mirditës nën shoqërinë dhe kujdesin e poetit Llesh Ndoi, shkrimtarit Mark Gjergji dhe të paharruarit Ndue Preçi. – Ishte një periudhë mjaft e bukur që do mbetet e paharruar në kujtesën time, – të thotë jo pa emocion Lleshi, i cili ruan kujtimet më të bukura për shkrimtarin e madh, që nuk jeton më. Dhe ja tani, rasti e solli të ngremë ura bashkëpunimi, lidhje miqësore dhe artistike me shumë krijues, poetë dhe shkrimtarë të njohur që kë dëshirë të kuvendosh, të diskutosh dhe të dëgjosh fjalën e tyre të mençur për krijimtarinë, letërsinë, jetën.

I tillë është edhe prof. Antoni Berisha, i thjeshtë, i dashur, plot mirësi dhe me një përgatitje filozofike, shkencore dhe letrare që të le mbresa të veçanta. Anton Nikë Berisha ka lindur 07. 08. 1946 në fshatin Ujëmirë të Klinës ku mbaroi arsimin 7 – vjeçar, ndërsa shkollën normale e pati mbaruar në vitin 1966 në qytetin e Prishtinës. Në vitin 1971 përfundoi studimet në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Filozofik, dega gjuhë dhe letërsi shqipe, ndërsa në vitin 1976 kreu studimet pasuniversitare pranë Fakultetit Filozofik të Universitetit të Zagrebit, ku fitoi titullin “Magjistër” në filologji dhe në vitin 1981, mbrojti me shumë sukses disertacionin për gradën shkencore “Doktor i shkencave filologjike”. Për asnjë çast prof. Antoni nuk u shkëput nga studimet, sepse gjatë vitit universitar 1978 vazhdoi studimet në RF të Gjermanisë, në Universitetin e Gëtingenit, ndërsa në vitin 1992 specializohet në Universitetin e Mynihut, ku fiton një burse nga Fondacioni “Alexandër von Humboldt”. Pasi kthehet nga studimet, fillon punë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në sektorin e folklorit, ku ka punuar që nga viti 1973 si bashkëpunëtor i lartë shkencor. Gjatë vitit akademik 1992 – ’93, dha leksione dhe mbajti seminare mbi linguistikën indoeuropiane në Katedrën e Albanologjisë së Universitetit të Mynihut në Gjermani, ndërsa nga nëntori i vitit 1993 ka punuar në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Cozencës në Kalabri, ku për shumë vite ka sherbyer si profesor i letërsisë shqipe.

E shoh me vend që të shënoj këtu për lexuesin disa nga veprat e tij të botuara ndër vite si:  “Mundësi interpretimi” – “Rilindja”, Prishtinë 1979. “Teksti poetik. Vështrime e kritika” – “Rilindja”, Prishtinë 1985, “Sytë e heshtjes” – persiatje poetike,  “Veçanti ligjërimesh poetike” – “Eurorilindja”, Tiranë 1996, “Gjymtime dhe shëmtime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë” –  “Shpresa”, Prishtinë 2001,  “Çështje teorike të letërsisë” – “Faik Konica”, Prishtinë 2005, “Nënë Tereza në shtatë shpalime”, “Letra të Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës”, “Njëmendësia e fjalëve. Mundësi interpretimesh letrare” – “Shpresa” & “Faik Konica”, Prishtinë 2006, “Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë” – Luigi Pellegrini Editore, Cosenza 2008, “Këngë që përligjin pasurinë shpirtërore të shqiptarit e të botës së tij. Mbi këngët kreshnike shqiptare” – “Faik Konica”, Prishtinë 2008, “Vëzhgime teorike dhe estetike të De Radës dhe të Fishtës” – SHB “Arbëria 07”, Tiranë 2011, ”Larmi vëzhgimesh letrare” –  “Faik Konica”, Prishtinë 2012, “Kanuni – dëshmi e qenësishme e ligjeve të lashta të jetesës së njeriut tone”, Shkup 2013. Ai ka perkthyer për lexuesin një numër të konsiderueshëm veprash. Nga gjermanishtja ka përkthyer “Epin e Gilgameshit” – “Rilindja”, Prishtinë 1984, “Kënga e këngëve” –  “Faik Konica”, Prishtinë 2015, Radovan Zogoviq “Këngët e Ali Binakut” –  “Faik Konica”, Prishtinë 2016 dhe shumë vepra të tjera. Prof. Antoni është vlerësuar me shumë çmime, vlerësime dhe mirënjohje nga institucione dhe shoqata të ndryshme në Kosovë dhe jashtë saj për punën e tij thellësisht studimore, pasionin dhe përkushtimin në pasqyrimin e të vërtetave historike dhe letrare. Së bashku me Lleshin e patëm takuar kohë më pare në qytetin e Klinës, ku na pati dhuruar me shumë dashamirësi një pjesë të veprave të tij. Ishim ato ditë nën shoqërinë e prof. Mikel Gojanit, prof. Dodë Ndrecajt, shkrimtarit të njohur për fëmijë Gjon Gjergjajt, Pal Canajt etj. Ishte kënaqësi e vaçantë kur bisedoje dhe diskutoje me vëllezërit tanë rreth letrërsisë, mjeshtrisë së të shkruarit, tematikave të ndryshme, vështirësive dhe rrugëve të bashkëpunimit për t’a njohur më shumë letërsinë shqipe këndej dhe andej kufirit, sepse në ditët e sotme vihet re mungesa e politikave të njohjes së ndërsjelltë.

Miqtë e vaçantë kanë ardhur nga kryeqëndra e trojeve dardane jo vetëm për të na takuar dhe biseduar, por edhe për të njohur pak më shumë resurset historike të Lezhës me rrethina. Për këtë problem Lleshi kishte hartuar një axhendë, të cilën u përpoqëm t’a zbatonim sipas mundësive dhe kohës në dispozicion. Nisemi për në fshatin e bukur dhe historik të Kallmetit, ku është edhe kisha mesjetare e Shen Eufemisë. Tek kalojmë nëpër fshatin e Merqisë, Lleshi na tregon një ndërtesë në majën e një kodre dhe sqaron: – Ja, atje lart është kisha  e Shën Gjon Kryepremit në fshatin Merqi të Lezhës, këtu ku jemi sot. Atje u mblodh Kuvendi Kishtar i Arbërit, që ishte një takim i krerëve të Kishës Katolike Shqiptare, që u mbajt në datat 14 – 15 janar 1703 nën kryesimin e Imzot Vincenz Zmajeviq, arqipeshkëv i Tivarit dhe Vizitor apostolik në Shqipëri, me përkrahjen e papës me prejardhje shqiptare Gjon Francesk Albani, ose Papa Klementi XI, – sqaron studiuesi. – Po, – shton prof. Antoni, – mesa di unë në këtë Kuvend u  shqyrtua gjendja shpirtërore dhe shoqërore e besimtarëve, duke synuar të vihen në jetë në Shqipëri porositë e Vatikanit për t’i bërë ballë islamizmit të popullsisë. Madje një ndër vendimet më të rendësishme ishte edhe kërkesa për të hapur shkolla dhe për të botuar libra në gjuhën shqipe. – Në fakt, – shton prof. Mikeli, – Kjo ishte një ngjarje e shënuar për historinë e arsimit shqip, pasi u konsoliduan shkollat shqipe, sidomos ajo e Kurbinit e hapur që më 1632 dhe e Pllanës më 1638.

Bisedat nuk kanë të sosur. Lleshi, si një ciceron i vërtetë kërkon t’u shpjegojë shkrimtarëve të njohur gjërat më të njohura historike të zonës. – Tani jemi në fshatin Kallmet, – tërheq vëmendjen Ai. Ky fshat dallohet për tre veçori të cilin e bëjnë të njohur në shkallë vendi dhe më gjërë. Dallohet për ullirin kokërmadh, të shijshëm dhe të pasur me vaj, për prodhimin e verës së njohur të markës “Kallmeti” dhe prodhimin një varieteti fasuleje që prodhohet vetëm në këto anë.  – Diku kam lexuar se në këtë fshat kënë lindur figura të shquara të letërsisë dhe të patriotizmës shqiptare, – thotë prof. Labinot Berisha. – Ȅshtë e vërtetë, – e sqaroj unë, – sepse sipas të dhënave historike në Kallmet kanë lindur, punuar dhe kanë kryer aktivitet atdhetar disa personalitete të shquara si imz. Frang Bardhi, dom Dod Koleci, dom Prend Suli, si dhe ka shërbyer edhe dom Luigj Bumçi. – Ndërsa në fshatin Fishtë, që ne po e shohim tani, – shton Lleshi, – ka lindur dhe është rritur atë Gjergj Fishta, origjina e të cilit është nga fshati im i lindjes, Domgjoni i Mirditës. Nga kisha e Shen Eufemisë kundrojmë pamjen interesante të fshatit Kallmet, i cili është një fshat i bukur dhe i njohur historikisht që nga periudha e neolitit. Prof. Labinoti më pyet për prejardhjen e emrit të fshatit. I shpjegoj se sipas të dhënave historike, nisur nga gojëdhënat, etimologjia e emrit të fshatit Kallmet ka ardhut nga emri i një bime barishtore. Mendohet se dikur ky vend ishte i mbuluar nga një rezervuar uji, i cili duke u tharë kishte lënë mjaft lym e balte që më vonë kishte ndikuar në rritjen e kallamishteve të egra. Pikërisht nga kjo bimë, më vonë mori emrin edhe gjithë fshati.

Duke biseduar rreth historisë së kësaj kishe të bukur dhe interesante, marrim maloren drejt shpatit plot gjelbërim ku është ndërtuar ky institucion fetar. Jemi tek Kisha e Eufemisë, një monumente kulture që daton rreth shek. XIII. Këtu është vend i shenjte dhe mjaft i njohur në krahinë, ku vijnë shumë besimtare për pelingrinazh nga vende të ndryshme, për të kryer rite dhe ndjekur ceremonitë fetare, që celebrohen çdo të premte apo edhe në raste festash fetare. Hyjmë në kishë dhe na tërheq vemendjen portreti i Shën Eufemisë i gdhendur me mjaft mjeshtëri në shkëmb. Aty pranë shkëmbit, mespërmes kishës ndodhet një burim uji i bollshëm, i cili nga shumë besimtarë njihet si uji i mrekullive. Kjo kishë del për herë të parë në dokumentët historike dhe kishtare të vitit 1343, ku Stefan Dushani e rendit në mes të kishave që do të kalonin në vartësi të Ipeshkvisë së Krujës. Në vitin 1629 kisha qe djegur nga osmanët, megjithatë përmendet në relacionin e Ipeshkevit të Lezhës Benedikt Orsini. Thuhet se në këtë institucion të rendësishëm fetar për kohën, qe zhvilluar gjyqi për dënimin dhe vrasjen e priftit dhe shkrimtarit të njohur Pjetër Budi i cili pati lindur në vitin 1566 – 1622 dhe që mbytur në ujërat e lumit Drin. Duke lexuar gojëdhëna dhe fakte historike, rezulton se Eufemia ishte një vajzë e re, e cila kishte dëshirë të shërbente në urdhërin fetarë duke u veshur si murgeshë, por familja dhe të afërmit nuk dëshironin, prandaj e dënuan pa mëshirë dhe e dogjën në turrën e druve. Kështu Eufemia u martirizua për çështjen e fesë. Pas shumë vitesh ajo u shpall shenjt dhe imazhi i saj u skalit në gurin natyral në kishën me të njëjtin emër. Legjenda saktëson se pas shumë kohësh disa punëtorë, që po punonin për ndërtimin e kësaj kishe, patën ndjerë shumë etje. Pikërisht afër lterit, në shkëmb u shfaqet imazhi i vajzës së re Eufemisë, që u solli edhe ujin nga shkëmbi ku buron edhe sot. Këto shpjegime i mahnisin vizitorët e rinj të këtij institucioni të rendësishëm fetar të kësaj treve, prandaj e falenderojnë perzemërsisht poetin e njohur Llesh Ndoi që bëri të mundur visitën në këtë vend me vlera historike dhe fetare. Në Kallme, takojmë edhe djaloshin Klevis Noka, i cili na fton plot respekt dhe bujari në shtëpinë e tij. Ai na njeh edhe me disa të dhëna historike dhe kulturore për këtë fshat të veçantë në rrethin e Lezhës.

Edhe shkrimtari i njohur Mikel Gojani nuk është i panjohur në rrethet letraro – artistike. Ai është autor i mbi 45 veprave në poezi, prozë dhe vështrime letrare, mes të cilave mund të përmendim: “Zëri i largët” – poezi, “Rilindja” – Prishtinë 1990, “Udhëtimi pas kaluarit të vdekjes” –  poezi, “Fjala” – Prishtinë 1994, “Kroi që rrjedh rrëzë bjeshkës” – poezi, Prishtinë 1996, “Në profil kah Jugu” – poezi, Prishtinë 1996, “Ai vjen me shirat e pranverës” – roman, Prishtinë 1996, “Diell dhe reshje mbi Morenë” – poezi, Prishtinë 2005, “Tradita dhe bashkëkohësia” – vështrime, Prishtinë 2007, “Mendësi krijuese”, Prishtinë 2008, “Bota e mendimit”, Klinë 2012, “Individualitete dhe ligjërime artistike”, Prishtinë 2016, “Veçanti të veprës letrare dhe studimore të Prend Buzhalës”, Prishtinë 2022, “Poetika e prozës së Nasi Lerës”, Tiranë 2022 etj. Gjatë bisedës me poetin dhe shkrimtarin e njohur, kupton se atë e ka përgatitur jeta që të përballojë shumë sfida, e një nga këto është edhe humbja e bashkëshortes së tij, Vera. Lleshi e kompimenton për respektin dhe mirënjohjen që shkrimtari pati ruajtur dhe treguar për të, madje i kujton me respekt se ai i pati kushtuar dy libra bashkëshortes së paharruar “Sytë e saj pikonin dashuri” – monografi, Prishtinë 2020 dhe “Me hënën mbi tisin qiellor” – poezi, Klinë 2022. Në bisedë e sipër, autori veçon ndjesitë emocionale që ka provuar kur ka shkruar këto dy vepra, madje falenderon edhe studiuesin Llesh Ndoi, i cili pati reaguar për librin e tij me poezi “Me hënën mbi tisin qiellor”, duke e vlerësuar si një monument përkujtimor ndaj njeriut të tij të dashur. Edhe profesor Antoni e vlerëson veprën e shkrimtarit të njohur Mikel Gojani. Ai ndalet kryesisht tek monografia kushtuar shkrimtarit të njohur Nasi Lera, për të cilin bashkëpunimi mes dy krijuesëve të njohur nuk pati munguar. Prof. Mikeli e kishte njohur shkrimtarin Nasi Lera vite më parë, kur nga Ndërmarrja Botuese “Rilindja” qe botuar vëllimi me tregime “Dita e tretë”, që për hir të së vertetës kishte lënë gjurmë të pashlyera tek profesori. Rasti e kishte sjellë që në vitin 1999, gjatë një vizite në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve në Tiranë, t’a takonte përsonalisht në prani edhe të disa shkrimtarëve të njohur si: Bardhyl Londo, Skënder Buçpapaj, Agim Gjakova, Adem Istrefi dhe shkrimtarja për fëmijë Adelina Mamaqi. – Që nga ajo kohë, – thotë prof. Mikeli, – më lindi ideja të merrem me veprën e Shkrimtarit Nasi Lera. Dhe kështu ia arrita qëllimit, së bashku me prof. Antonin. Gëzohen miqtë e nderuar kur unë u tregoj se studiuesi Llesh Ndoi ka në shtyp ribotimin e librit të njohur monografik “Domgjoni – Në dokumente, gojëdhëna dhe histori”, të plotësuar me të dhëna të reja historike, të zgjeruar në tematikë dhe pasqyruar figura të reja që kanë dhënë kontribut për zonën. Prof. Antoni e vlerëson shumë këtë fakt, sepse siç thotë ai, vetëm kështu pasqyrohet historia e një populli për t’ua lënë trashëgim brezave të ardhshëm.

Prof. Labinot Berisha e bën bisedën më interesante me kulturën dhe humorin e tij të spikatur. Profesori i Universitetit “Fehmi Agani” të Gjakovës në Fakultetin e Filologjisë, është kurioz të njohë fakte të ndryshme kulturore dhe historike të trevës. Ȅshtë bashkëautor në disa vepra letrare, mes të cilave mund të dallojmë: ”Ligjërime rreth tekstit letrar poetik” – “Faik Konica”, Prishtinë 2017, “Estetika dhe estetika e letërsisë” –  “Faik Konica” 2018. Djaloshi i vemendshëm dhe plot humor, është plot energji dhe projekte ambicioze për të ardhmen, madje në një nga eventet më të afërta na fton plot respekt dhe mirësjellje edhe neve. Takimit tonë me vëllezërit e një gjaku, po i vjen fundi. Ndahemi me këto krijues dhe intelektualë të njohur, për t’u takuar serish së shpejti.

VLASH PRENDI

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok