22/12/2024

ATDHETARI I MADH I KAÇANIKUT- AVDYL DURA (1893-vritet 1949)

0
Avdyl-Dura

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Patrioti Avdyl Dura me shokë, për opinionin e gjerë shqiptar nuk është i panjohur. Prandaj Avdyl Zejnullah Zenuni, apo siç njihej në popull me emrin Avdyl Dura, që e kishte marr mbiemrin nga vetë fshati ku kishte lindur Duraj të Kaçanikut, ishte i lindur më 1893, nga babai Zejnullah dhe nëna Hatixhe. Më 1926 populli i kësaj ane, falë autoritetit që kishte e emëruan kryetar të komunës së Sllatinës së Lepencit që në kuadrin e vet përfshinte 11 fshatra të kësaj ane. Shok e mik të ngushtë Avdyl Dura, gjatë tërë jetës kishte patriotin e shquar të kësaj ane, Ramë Bekën ( Ramadan Bektesh Vogliçin), i cili ishte i lindur me 1892 në fshatin Gërlicë e Epërme e Kaçanikut. Bashkëpunëtorë dhe bashkëluftëtar tjetër i patriotit ishte edhe Din Hoxha (Abedin Selman Krasniqi), i lindur më 1892, në fshatin Kaçanik i Vjetër nga babai Selmani dhe nëna Mehreme e lindur Imishti të Dubravës.

Avdyl Dura lirshëm mund të thuhej se ishte një luftëtar i pa epur i kauzës kombëtare që një jetë të tërë ia kushtoi luftës për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Gjatë hulumtimeve të shumta që kam bërë në dokumentet e lëvizjes ilegale shqiptare, atë, Avdyl Durën e hasim gati në të gjitha tubimet e saja, ku merreshin qëndrimet e vendimet për luftë të mëtejshme ndaj okupuesve të rinj dhe të vjetër të trojeve shqiptare. Ai me punën e angazhimin e tij i kishte rënë në sy të gjithë okupatorëve të Kosovës. Një përndjekje të tillë pati si gjatë luftës së Dytë Botërore nga Bullgarët, po ashtu edhe pas luftës (1945), nga pushtetarët serbë të Ish-Jugosllavisë.

Në shtator të vitit 1944, me iniciativën e Avdyl Durës u organizua dhe u mbajt një tubim madhështor, ku u diskutua gjerësisht për ruajtjen e flamurit dhe për mbrojtjen e trojeve etnike. Ky edhe ishte hapi i parë për organizimin e vullnetarëve jo vetëm në Kaçanik e rrethin, por edhe në Anamoravë dhe fshatrave për rreth të Kumanovës për të marrë pjesë vullnetarisht në Luftën e Karadakut kundër forcave partizane, gjëja “nacionalçlirimtare”, të organizuar në Brigadën e 16-të dhe të forcave antikomuniste shqiptare.

Pas përfundimit të luftës dhe pas aneksimit të Kosovës Serbisë (Kuvendi i Prizrenit më 1945), gjenocidi dhe reprezaljet ndaj popullatës shqiptare u intensifikuan edhe më tepër. Dihej se, gjatë tërë kohës e në periudha të ndryshme, nga ana e okupuesit në shënjestër ishin vazhdimisht familjet e njohura patriotike që kishin organizuar dhe kishin bërë rezistencë të pa kompromis kundër tyre. Në mesin e këtyre familjeve ishte familja shumë e njohur e Avdyl Durës me shok nga Durajt e Kaçanikut.

Në vitin 1945, Avdyl Dura vonë e kupton tradhtinë e komunistëve dhe nën ndikimin dhe premtimin e disa komunistëve shqiptar niset për të çliruar tokat nga fashizmi e pastaj do të luftojë për lirin e Kosovës, siç edhe ishte premtua nga udhëheqësit komunist. Edhe pse më vonë e kishte kuptuar tradhtinë që i kishin kurdisur, rrugë tjetër nuk kishte për tu larguar ngase, Brigadën e tij e kishin caktuar që të shkonte për Vojvodinë. Me kthimin e tij nga Vojvodina, ai nga disa shqipfolës arrestohet në korrik të vitit 1945. Pas presioneve dhe dhunës që përdornin hetuesit ndaj grupit të Avdyl Durës, dhe me marrjen e informatës se ata do të likuidoheshin, ata në fillim të nëntorit 1945, marrin vendim që të arratiseshin nga burgu i Ferizajt. Andaj pas okupimit të Kosovës, Avdyl Durës me shokë nuk i kishte ngelur tjetër veçse të kërkonte rrugë tjera ose të arratisej në male ose të kërkonte ndonjë lidhje tjetër për të kalua kufirin për Greqi e Shqipëri siç kishin veprua shumë patriot të tjerë. Qëllimi ishte që nga andej të organizonin rezistencën dhe në rastin e parë më të përshtatshëm, në mënyrë të organizuar të ktheheshin në vendin e tyre.

Ikja e tij nga burgu ishte një dështim i madh i forcave të UDB-së, andaj pas një viti ndjekjeje të kota, udbashët i arrestojnë, më 6 maj 1946, 26 anëtarë të familjes, duke e kushtëzuar që të dorëzohej ai për lirimin e tyre. Është rast unik në burgjet jugosllave, që një familje e tërë e përbërë prej 25 vetave, të qëndrojë në burg pa kurrfarë gjykimi apo urdhërese nga organet kompetente për 36 muaj.

Pas shumë përcjelljeve e ndjekjeve nga organet e UDB-së, dhe tradhtisë që pason ndaj tyre, sipas autorit të monografisë për Avdyl Durën, Ramadan Asllani, Avdyl Dura me shokun e jetës Ramë Bekën, likuidohen më 28 qershor 1949, tek Arat e bijave dhe të Hanit të Ri nga ana e policisë dhe të udbashëve. Kufomat e tyre u bartën në Ferizaj dhe u ekspozuan në qendër të qytetit duke krijuar frikë e huti tek qytetarët e kësaj ane. Me likuidimin e këtyre patriotëve, mund të themi se mori fund edhe faza më e ndritshme e kaçakëve të fundit të kësaj ane. Me vrasjen e tyre në këto anë, nuk do të thotë se mori fund edhe terrori ndaj popullatës së pafajshme shqiptare. Nga kjo datë, lirshëm mund të thuhej se filloi një periudhë e ndjekjeve dhe e arrestimeve ndaj të gjithë atyre që dinin diçka për ta, i kishin strehuar, përkrahur dhe mbajtur patriotët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok