AT ANTONIO BELLUSCI, NJERIU I MADH I KOMBIT
“Në ballkonin tim vazhdojnë të valëviten tre flamujt, shqiptar, kosovar, dhe ai Italian. Ndërsa në bibliotekën time, portretet si ajo e Skënderbeut, Aleksandërit, Pirros, Adem Jasharit, për mua janë ndihmë, burim force, e sensibilizimi që kjo Arbëri e arbëreshëve të jetë e përjetshme e mos të vdes kurrë!” – At Antonio Bellusci .
At Antono Belluscit i jepet nënshtetësia e Kosovës. Në ambient solemn, dekretin e lexoi Vehbi Miftari, këshilltar në presidencën e Republikës së Kosovës.
Nga Hazir Mehmeti, Vjenë
Frasnita gjashtë shekullore e ngulitur rrëzë Pollinit madhështor me historinë e saj sfidoi kohën dhe rrebeshet e saj. Fati tragjik i një popullsie shqiptare në trevat e tyre shekullore, në More dhe vise tjera të Gadishullit Ilirik, nuk mbaroi asnjëherë. Përpjekja për mbijetesë është e prekshme në çdo hap të Frasnitës dhe katundeve arbëreshe në Kalabri e njohur me ngulimet arbëreshe gjatë shekujve. Si duket, periudha më tragjike mbetet ajo pas vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Gjuha, ritet, zakonet, vallet, këngët, afresket, poezitë, përrallat, tregimet, mitet tregojnë gjurmë jete të vështirë në tokën e humbur, por edhe krenarinë. Të gjitha këto janë tregues të shpirtit arbëror i ruajtur me dashuri, mall e përkushtim këtu e gjashtë shekuj. Ata që kanë lexuar sado pak për arbëreshët dhe vijnë këtu së pari, e kuptojnë sa pak dinë për Arbërinë dhe arbëreshët, historinë e tyre.
Në një projekt seminari shkollash në Vjenë rreth gjuhëve amtare para tetëmbëdhjetë vjetëve morëm hartën e gjuhëve në Evropë nga organizatori. U habita kur pashë shtrirjen e gjuhës shqipe në Kalabri, Sicili dhe gjuhës arvanitase në viset epirote të Çamërisë, Athinës dhe viseve jugore, sot greke . Lexova por s’mund të bindesha me idenë dhe dëshirën e flaktë t’i shoh nga afër. Tani udhëtim, im i gjashti me radhë, me grupin e Prof. Rexhep Rifatit, vizituam dyzet e tre ngulime arbëreshe, më bindi se:
-Sa pak kemi mësuar për arbëreshët në përgjithësi e veçanërisht për kontributin e madh të tyre të madh në gjuhë, kulturë e historinë kombëtare.
-Sa tragjike ishte pushtimi i viseve shqiptare nga perandoria osmani dhe pushtuesve tjerë, grekë e serb.
-Sa të dobëta ishin dhe janë përkujdesja e shtetit shqiptarë (tani edhe e Kosovës) ndaj një pjese të kombit, arbëreshëve që luajtën rol të fuqishëm për Atdheun të tyre dhe lirinë e tij.
Derisa perandoria osmane shkatërronte çdo gjë materiale e shpirtërore, ndalonte mësimin dhe fjalën shqipe, në Kalabri, Jeronim De Rada, mbante kongrese kushtuar gjuhës, kulturës dhe artit shqiptar; derisa perandoria osmane hapte varrin për shqiptarë, arbëreshët në Kalabri e Sicili botonin libra, organizonin kongrese, kurse mësimi e shkolla për të mos vdekur gjuha shqipe; derisa në trevat shqiptare të robëruara përdhosej figura e Skënderbeut, tempujve e shesheve, arbëreshët thurnin vjersha, partitura operistike, fjalime e lutje vetëm në gjuhën arbëreshe; derisa në trevat shqiptare rrënohej çdo gjurmë Kastrioti, arbëreshët thurnin këngë e ngritën lapidar shesheve në përkujtim të madhështisë së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Krahasimet janë të shumta në çdo lami të jetës dhe asnjëherë nuk arrin t’i mbarosh. Secili do të bindet sa tragjike ishte pushtimi shekullor osman për gjuhën, kulturën dhe jetën e kombit.
Grupi ynë nga Rexhep Rifati, Jakup Reka, Faruk Tasholli, Xhevahire Tasholli Diella Tasholli dhe unë, u bashkua me vëllezërit frasnitas me të cilët ishte edhe Vehbi Miftari, këshilltar i presidentes së Kosovës i cili kishte ardhur me detyrë zyrtare. Të shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Frasnitës, Angelo Katapano u gjendem në hapësirat e bashkisë. Kudo të përcillnin flamuj e portrete të figurave kombëtare që nga Skënderbeu e deri tek Komandanti Legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ademi Jashari. Çdo gjë e renditur bukur me kujdes. Ambient mahnitës që fliste për dashurinë, ndjenjat dhe respektin e madh ndaj kulturës dhe historisë kombëtare.
Në Frasnitë, gjithkund duket veprimtaria e familjes Bellusci. Në ballkonin e shtëpisë shekullore valëviteshin flamujt me shtizat e tyre dhe s’mund të largohesh pa bërë foto në shkëlqimin e rrezeve mëngjesore që thyheshin këndeve e kthinave deri në Bjeshkët e thepisura të Pollinit. Në portën e hapur, si zakonisht, na priti motra e At Belushit, Rina Belushi. me zërin e këngën e saj të njohur, “Jepni dorën, o vëllezër!” -këngë himni e cila të ngritë zemër e shpirt, të bënë tok me gurët e Kullës, Frasnitës dhe Pollinin. Kisha lexura këngën, por kur e dëgjoja më dukej tjetër, më e fuqishme, më melodike dhe shpirtërore. Kështu është tradita e mikpritja arbëreshe, të pret me këngë dhe të jep dorën e zemrën për bashkim dhe të përcjell me këngë.
At Bellusi, falënderoi për praninë dhe respektin e treguar ndaj tij dhe arbëreshëve.
Mirë se keni ardhur!
Tommaso Belushi, vëllai më i ri i At Antonios dhe Katarinës (Rinës), me zell kujdesej në mirëpritje të motrave e vëllezërve në shtëpinë e tyre.Secili u prit dhe përqafua që në hyrje të bibliotekës. Dalja e saj verilindore në hapin e parë, fillonte me kopshtin e bukur gjelbërimi i të cilit vazhdonte deri në lartësitë e bjeshkës së Pollinit me pamje mahnitëse.
“Jemi né Frasnitë, tek kjo tokë e rrethuar nga malet e Pollinit të bukur” – e filloi fjalën e saj Dr. Ornela Radovicka, drejtuese e Qendrës Albanologjike pranë Bibliotekës Bellusci \ Frascineto. “ Malet e Pollinit të cilët me degët e tyre si flatra në esmeraldë spërkatin me klorofilin e tyre këto troje ku arbëreshëve u ra për fat të jetonin. Janë këtu 600 vjet me gjuhën e tyre dhe mallin për trojet që lanë. Në Frasnitë bie në sy rrugicat e ngushta, atavizma arkitekture në stilin e gjitonisë të cilat të përfshijnë emotivisht. Në mbrëmje, në këtë qytezë nën gamën mbretërore të hënës ngjyrë blu zhytur në argjend do të ndjesh siluetat e saj ku ende eshtrat shekullore mes valëve magmatike lëvizin fosforeshente në këto shtëpitë shekullore prej guri, në udhët, sokakët, në kisha, në këngë, në kostume, e ku thyen rrezet ndër fasadat shekullore. Ç’do gjë këtu duket e qetë dhe pezull.
Them “pezull”, sepse këtu asgjë nuk është definitive; gjurmët e identitetit akoma frymojnë; Gjuha arbërore edhe pse zhdukje akoma dikush e flet, kostumi arbëresh gjithë ar thuret ende dhe vishet në festa, si dhe ruhet riti bizantin i destinuar për mos humbur…. Në këto rreshta nuk po zgjatem tek puna e madhe dhe në kontributin e At Belluscit si studiues, hulumtues, kërkues apo si autor i 20 veprave të tij, nuk do të përqendrohem as si themelues i revistës “Lidhja”, apo si fondator i një prej Bibliotekave arbëreshe më të rëndësishme në Itali, Si edhe një Qendre Albanologjike, por do të fokusohem në vëllazërinë e AT Belluscit me popullin vëlla shqiptar të Kosovës”.
Ajo me zë bindës, por edhe e emocionuar dha një vështrim të thuktë rreth aktiviteteve dhe lidhjeve të At Antonio Belushit me Kosovën dhe figura kombëtare të njohura Martin Camaj, Pjetro Janura, Profesor Renci Nesimi, Profesor Shefqet Pllana. Latif Berisha, Mark Kresniqin, Prof. Isak Shema, vëllezërit Bytyqi. Ai kujton miqësinë me poetin e madh Ali Podrimja dhe fjalët që ai i tha për te pak para se të vdiste. “I dashur Bellusci, jemi në dijeni se çfarë keni bërë për gjuhën shqipe e gjakun arbëror. Jeni miku më i madh i shqiptarëve. Juve ju çelet dera e shtëpisë së çdo shqiptari edhe në gjysmën e natës” Kujtimet e tij janë freskëta për moshën e tij tetëdhjetë e nëntë vjeçare të cilën e feston sot. Jo vetëm që kujton emrin, por kujton në detaje takimin dhe bisedën me te, veprimtarinë dhe origjinën. Kolosi i madh, albanologu Idriz Ajeti, të cilin At Antonio Bellusci e njohu nga afër. Nga Kosova kujton shumë personalitet gjatë udhëtimeve të tij në Amerikë, Europë dhe trojet shqiptare, ku veçon seminaret e gjuhës shqipe në Universitetin e Prishtinës si vijues i rregullt që nga viti 1980 deri me mbylljen e Universitetit na pushtuesit serb. Esat Mekuli, veprimtar e atdhetar i madh i cili do shprehet “këndova edhe kur m’ishte ndalu”, e cila eklipson gjithë aktivitetin e tij, – thotë me saktësi studiuesja Ornela Radovicka.. Murat Isakun, të cilin e takoi disa herë në Kosovë duke lidhur miqësi dhe u njohje me verat e tij.
Disa të tjerë që ai kujton janë Edita Tahirin, duke cilësuar si intelektuale e nivelit të lartë, njëra nga aktivitet e njohur për pavarësinë e Kosovës dhe interesimin e saj të thellë për botën arbëreshe e cila për veprimtarinë e At Bellusci-t shkruan: “Bellusci-n e kam personalisht mik, por më shumë se kaq e kam një idhull, që dëshmoi se kombi shqiptarë edhe atëherë kur detyrohemi t’i braktisë tokat e veta shqiptare është i fortë që të mbrojë, të ruajë dhe forcon identitetin kombëtar”.
Në ditëlindjen e tetëdhjetë e nëntë, At Bellusci kujton të gjithë ata që ai i takoi në rrugën e tij prej njeriu atdhetar dhe besnik, në rrugën e tij të lavdishme me mund e penë.
Gjysma e shqiptarëve u shpërngulën nga toka e tyre nga vuajtjet e robërisë në regjimet serbo-sllave dhe në Shqipëri diktatura kriminale komuniste. Ai në kujtimet e tij thotë edhe këtë: “Mëmën Shqipëri nuk e vizitonim dot.” Ai me respekt kujton Vëllezërit Bytyçi, kosovarë të diasporës në Nju Jork për zemërgjerësinë e tyre dhe atdhedashurinë e tyre. Bajram Vehbiun, Gamberaj Sinan, gazetarë nga Prishtina, të cilët kanë dhënë më të mirën e mundshme në revistën “Iliria” në Nju Jork. Djaloshi, Gjeto Sinishtaj, nga trevat shqiptare në Mal i Zi. Ai kujton edhe njerëzit e thjeshtë: “Por unë në këtë revistë shkrova edhe për njerëzit e thjeshtë , përmend këtu kosovarin Tahir Kerrnaja, i varfër në ekstrem, i cili gjithë jetën ia kushtoi Kosovës. Kujton me respekt të lartë Baba Rexhepin dhe shoqërinë bektashiane në Amerikë. Ekrme Bardhën e shumë tjerë që nuk do harrohen kurrë.
At Antonio Bellusci, ishte anëtar nderi në Lobin shqiptar-Amerikan për Çështjen e Kosovës. Me respekt kujton Josef Diogard-in për kontributin e madh të tij Lobit.. për Kosovën. Mes tjerash thotë: “Dioguardi në rolin e tij si kryetar ishte i mendimit që pjesëmarrja të konsiderohej tre paleshe, d.m.th. përfaqësues tre shteteve: Unë si Arbëresh i Italisë, Diaspora në Amerikë, dhe Kosova,(sepse nga Shqipëria e regjimit nuk kishte asnjë përfaqësuese. Ishin vitet 1989) prandaj këto tre forca, për Kongresin Amerikan do të thoshte shumë”.
Nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në Ditën e Lidhjes së Prizrenit, me 10 qershor 2003, At Antonio Bellusci-t i ndahet dekorata “Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit”. Dr. Ibrahim Rugova me këtë rast thotë:
“I dorëzoj ketë Medalje Nderi Z. Bellusci, për veprimtari të shumëfishte kulturore dhe politike për arbëreshët e Italisë dhe për Kosovën. Për kontributin e dhënë në fushën e studimeve të kulturës, jetës dhe letërsisë arbëreshë në Itali, si edhe për përkrahjen për lëvizjen demokratike të Kosovës për liri e pavarësi.” “E doja Kosovën, u dashurova me të. Kosova me tepër se sa Shqipëria na kishte hapur dyert ne arbëreshëve. Çështjen e Kosovës e ndjeja si detyrim moral vëllazëror” , thotë At Antonio Bellusci.
Njeriu vizionar vepron që të bëjë vepra të vlefshme për gjenerata. I tillë është At Antonio Bellusci. Ai themeloi Qendrën e Studimeve Albanologjike gjysmë shekulli më parë (1970) e cila mbanë lidhje me shqiptarët kudo që gjenden në botë. Ky sukses vazhdoi me themelimin e revistën e tij LIDHJA (1980), e cila do bëhet zjarri dhe drita e botës arbëreshe në një Arbëri të madhe të bashkuar. Zëri dhe fjala e saj do ngërthen në vete me gjithë hapësirat ku frymojnë shqiptarët në kontinent dhe përtej oqeaneve. Tani e gjysmë shekulli, që nga mosha studentore, dallohet me udhëtimet e tij dhe veprat kushtuar vëllezërve arbëresh, miku i madh, Prof. Rexhep Rifati. Ai është lidhur mish e shpirt me tokën arbërore, mallin e lashtë të tyre. Kjo u jetësua me kamerën e tij në film dhe penën e tij të flakëruar në letër. Vepra, “Arbëreshët – fotosintezë e shpirtit tim”, pasuroj bibliotekat në gjithë kontinentin me foto e tekst në tri gjuhë. Rexhep Rifati, uroi nënshtetësinë e re dhe ditëlindjen e tetëdhjetë e nëntë. Në fjalën e rastit, Ornela Radovicka për Rexhep Rifatin shtoi: “Miku ynë Rexhep Rifati, i pa përtuar ka sfiduar edhe orën biologjike, i pa lodhur dhe i gjendur në çdo kohë, ka krijuar ura midis botës arbërore dhe asaj Kosovare në Diasporë”.
Buqeta me lule e përgatitur për ditëlindje nga zonjusha, Diella Tasholli e shoqëruar nga prindërit e saj Xhevahire e Faruk Tasholli. I emocionuar, sa nuk mund të përmbahet as nga lotët, At Antonio kërkoi që Diella të lexon vargjet kushtuar atij nga i ati i saj Faruk Tasholli. Ashtu siç di poeti të thurë vargje, di dhe tekstin e fjalëve: “Faleminderit At, Antonio! Ju jeni në qiell, as në tokë e as në parajsë. Nga qielli ju ndrini rrugën tonë. Gjithë njerëzit jetojnë, luftojnë e punojnë për parajsën. Unë ty nuk të shoh as në tokë, as në parajsë, të shoh në qiell. Ti je ndërgjegjja e shqiptarëve dhe na shikon nga qielli. Tani e dyzet vjet Ti e mbanë të ndezur ndërgjegjen time nga ai yll që je në qiell, yll je dhe jam i lumtur e krenar që kam një vëlla shumë të madh. Unë sot parajsën e gjeta këtu mes arbëreshëve. U ktheva në kohën e Skënderbeut, për juve dhe gjithë arbëreshëve këtu”
Nga Amerika e largët kishte ardhur Isaf Bytyqi, në fjalën e tij urimi tha: “Jam shumë i kënaqur që sot jemi këtu për këtë festë, ditëlindjen e Zotit At Antonio Bellusci. E patëm fatin e jetës me e njohur dhe ta kem mik i cili na frymëzoi në Amerikë me fjalët dhe veprën e tij. Ai na dha kurajë që ne t’i vazhdojmë demonstratat qysh nga viti 1968 e tutje.
Prezantimi im (autori i shkrimit), se jam nga Drenica ai i emocionuar para të pranishmëve e vazhdoi sqarimin. Oh, Drenica, oh Drenica! Dhe në italisht, për ata që nuk e kuptonin arbërishten, ai shpjegoj, se Drenica është një vend malor me banorët e saj malësorë trima që kanë luftuar kundër pushtuesve serb. Ai foli për Familjen Jashari e cila luftoi dhe qëndroi pa u trembur kundër forcave pushtuese serbe të cilët vranë tërë familjen, mes tyre pleq, gra e fëmijë. Familja Jashari është vendi i pelegrinazhit për të gjithë shqiptarët. Prekazit Legjendar me Kullat e Jasharajve të stolisura me pesëdhjetë e gjashtë lapidarë nga një familje. Ai këtë madhështi pelegrinazhi e përjetoj me mikun e tij, albanologun, Robert Elsie, para disa vitesh.
Nga e merr atë forcë për të shkruar gjithë këto vepra? – pyeti At Bellusci. Për mua ishte vlerësim i punës sime, pasi At Bellusci i vlerësonte veprat e mia tani pjesë e bibliotekës së tij shekullore. U ndjeva krenar, kurse përgjigja qëndronte në libra rafteve.
Frasnita (Frascineto) është fshat me histori të lashtë arbëreshe nga i cili dolën figura me rëndësi jo vetëm për Arbërinë e arbëreshët, por për gjithë kombin. Në shekullin tonë pa dyshim, se Prof. Dr. Antonio Bellusci është figura më e madhe të cilin me të drejtë e krahasojnë me Fan Nolin. Po, At Antonio Bellusci është pasardhësi i vërtetë i Fan Nolit me veprën e tij si hulumtues, shkrimtar, përkthyes, veprimtar, aktivitet politike, filozofinë e tij, vizionar. Vërtetë, Burrë i madh i kombit.
Urime Ditëlindja e 89-të!
E trashëgofshi nënshtetësinë e Republikës së Kosovës!