25/05/2024

ASOCIACIONI S’ËSHTË GJË TJETËR POS NDARJE E KOSOVËS

0

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Historia e botës nuk njeh edhe një rast tjetër ku një minoritet që përbën vetëm 4 për qind të popullsisë së përgjithshme të shtetit, të ketë brenda atij shteti asociacionin e vet.

Sot, situata gjeopolitike në botë ka ndryshuar në mënyrë drastike. Mbështetësja kryesore e Serbisë – Rusia, e angazhuar në agresionin ndaj Ukrainës, objektivisht është dobësuar. E mbetur pa një mbështetje efektive nga Rusia, e dobësuar dhe pa krahë duhej të ishte edhe Serbia. Në rrethana të tilla, pritej që Serbia ta ulte zërin dhe diskursin agresiv ndaj Kosovës Pritej që Serbia ta pranonte realitetin se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Përkundrazi, Serbia po bëhet më agresive, po përdor një retorikë shumë më irracionale se dikur. S’ka sesi të mos shtrohet pyetja: Ku e merr këtë forcë Serbia?! Rezulton se ajo e merr forcën nga mbështetja e Perëndimit.

Gjatë luftës së Kosovës të viteve 1998-1999, Serbia ishte pushtuese, Kosova ndërkaq zhvillonte luftë çlirimtare. Luftën e humbi Serbia. Palës humbëse s’i mbetet tjetër pos të nënshkruajë kapitullimin dhe t’i pranojë kushtet e ngadhënjyesit. Pala humbëse s’ka të drejtë të shtrojë as edhe një kërkesë të vetme. Por tani ndodh e kundërta. Ndonëse humbëse e luftës pushtuese, Serbia po del me kërkesa, si ndaj Kosovës, ashtu edhe ndaj faktorit ndërkombëtar.

Në hartat serbe, Kosova vazhdon të figurojë si pjesë e Serbisë. Kur sinoptikët serbë e tregojnë temperaturën në qytetet e Serbisë, nuk lënë pa e pasqyruar edhe temperaturën në kryeqytetin e Kosovës – në Prishtinë. Beogradi nuk e përdor fjalën Kosovë. Në vend të saj e përdor toponimin serb – Kosovë dhe Metohi. Për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë i përdor fjalët “dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës”.

Fuqitë perëndimore – Uashingtoni, Berlini dhe Parisi kërkesën serbe për themelimin e asociacionit, zajednicës, dodik republikës apo të shtetit brenda shtetit kanë mundur ta asnjanësojnë apo ta neutralizojnë me një kundërkërkesë të vetme: “Para se të kërkoni një bashkësi komunash serbe në Kosovë, paraprakisht duhet të themeloni një entitet shqiptar në luginën e Preshevës, ku do të përfshiheshin tri komunat, si Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. Nuk mund ta kërkoni për vete atë që s’ia njihni tjetrit”. Një kundërkërkesë e këtillë, sakaq do ta amortizonte kërkesën serbe për zajednicë. Për fat të keq, një kundërkërkesë të këtillë, perëndimorët nuk ia shtruan Serbisë. E nisur nga parimi i pandryshueshmërisë së kufijve, një kundërkërkesë të këtillë s’ia bëri Serbisë apo Uashingtonit dhe Brukselit, as Kosova.

Me themelimin e asociacionit, bashkësisë së komunave serbe, zajednicës, dodik republikës apo shtetit brenda shtetit, ndërlikohet edhe ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Po të ndërmerrej akti i bashkimit të Kosovës me Shqipërisë, atëherë Serbia do të reagonte duke thënë: “Ju mund të bashkoheni me kë të doni, por pa e përfshirë bashkësinë e komunave serbe”. Dhe ja, ndarja e Kosovës.

Themelimi i asociacionit, i zajednicës, i dodik republikës apo i shtetit brenda shtetit nuk është asgjë tjetër pos ndarje e Kosovës apo amputim i një pjese të territorit të saj.

Shpesh ka ndodhur në histori kur Fuqitë e Mëdha kontestet ndërmjet dy a më shumë palëve i kanë zgjidhur asisoj që të paraqesin vatra potenciale krize në të ardhmen.

Themelimi i asociacionit, i zajednicës, i dodik republikës apo i shtetit brenda shtetit e shndërron Kosovën në vatër potenciale dhe permanente krize në rajon.

A thua kanë menduar Fuqitë perëndimore për fatin e pasurive natyrore të Kosovës?!   Në pronësinë e kujt do të vihen miniera e Trepçës dhe Ujëmani?! Nën administrimin e Kosovës apo nën menaxhimin e asociacionit?! Apo nën qeverisje të përbashkët?!

Çështja e Kosovës u mbyll me pakon e Ahtisarit. Më vonë u shtua sintagma: “Ahtisari plus”. Themelimi i asociacionit s’ka të bëjë fare, as me pakon e Ahtisarit, as me atë që u quajt “Ahtisari plus”. Sipas Beogradit, asociacioni apo bashkësia e komunave serbe duhet t’i ketë kufijtë e vet. Një asociacion me kufij të përvijuar paraqet federalizim apo konfederalizim të Kosovës. Asociacioni apo bashkësia e komunave serbe, nuk është asgjë tjetër pos entitet siç është Republika Serbe (Republika Srpska) në Bosnjë dhe Hercegovinë. Entiteti i Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë, i udhëhequr nga Millorad Dodiku (Milorad Dodik / Милорад Додик), e ka shndërruar BH-në në shtet jofunksional. Dodiku është mik i ngushtë i Aleksandar Vuçiqit dhe i Putinit. Ndodhet në listën e zezë amerikane, d.m.th. për ShBA-në është person i padëshiruar.

Sipas kushtetutës, minoritet apo grupet etnike në Kosovë i gëzon të gjitha të drejtat, sipas standardeve më të larta të BE-së. Çdo kërkesë përtej kësaj, nuk është veçse pretendim territorial. Me fjalë të tjera, asociacioni, bashkësia e komunave serbe, zajednica apo dodik republika, s’janë dot gjë tjetër pos pretendim territorial i Serbisë ndaj Kosovës. Bashkësi komunash serbe për një pakicë që përbën jo më shumë se 4 për qind të popullsisë së përgjithshme të Kosovës! Kjo nuk arsyetohet me asnjë argument, as me argumentin historik, as me argumentin e bashkëkohësisë as edhe me argumentin hipotetik.

E mbështetur nga Moska dhe nga Putini, vitet e fundit Beogradi ndoqi ndaj Kosovës politikën e forcës, të trysnisë dhe të shantazheve. Zhvilloi luftë psikologjike dhe luftë speciale, ndërsa në skenën ndërkombëtare – edhe propagandë gebelsiane.

Kjo politikë e Beogradit, sot po gjen edhe mbështetjen e Uashingtonit, të Berlinit dhe të Parisit.

Ta mbështesësh politikisht Vuçiqin është njësoj si ta mbështesësh Sllobodan Millosheviqin. Kështu ngase politika e Vuçiqit nuk është asgjë tjetër pos vazhdim i politikës së paraardhësve të tij – Millosheviqit dhe Vojisllav Sheshelit (Vojislav Šešelj / Војислав Шешељ, 1954- ).

Po qe se formohet asociacioni, bashkësia e komunave serbe, zajednica, dodik republika, përkatësisht shteti brenda shteti, njohja e Kosovës nga Serbia nuk ka kurrfarë vlere, kurrfarë peshe dhe kurrfarë rëndësie. Me krijimin e asociacionit, Kosova del humbëse e plotë. Fituese e vetme del Serbia.

Në një anë Vuçiqi ngul këmbë dhe insiston për themelimin e asociacionit, ndërsa në anën tjetër deklaron se kurrë s’ka për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Domethënë ky e kërkuaka krejt Kosovën! Kërkon bashkësi komunash serbe, duke thënë në të njëjtën kohë se kurrë s’ka për ta njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Para qëndrimeve dhe prononcimeve të tij, perëndimorët heshtin. Heshtin Uashingtoni, Berlin, Parisi.

Përse Beogradi ngul këmbë për themelimin e asociacionit?

Sot serbët nuk mund të shpërngulen nga Kosova dhe të vendosen në Serbi. Këtë s’ua lejon Beogradi. Pas themelimit eventual të asociacionit dhe me kalimin e kohës, një pjesë e serbëve mund edhe të shpërngulen për t’u vendosur në Novi-Sad, në Beograd … Si pasojë, prej 4 për qind, numri i tyre mund të zvogëlohet. Ata do të shpërnguleshin, jo pse i dëbon dikush, por për arsye se Kosova ka shkallë të ulët të zhvillimit ekonomik. Në një Kosovë ekonomikisht të pazhvilluar, ata nuk do të shihnin perspektivë.

Pavarësisht nga rënia – eventuale – e numrit të serbëve në Kosovë, Beogradi do t’i dilte zot asociacionit apo entitetit serb. Entitetin serb në Kosovë, Beogradi do ta konsideronte si tokë të veten, pavarësisht nga fakti në ka ose jo serbë në të.

Kjo nuk vlen për Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë). Prej këtyre tri bashkive apo komunave, shqiptarët shpërngulen ditë për dite. Kjo zonë, shpejt do të mbetet pa shqiptarë. Ndaj tyre Serbia ushtron gjenocid të heshtur. Pas një kohe të shkurtër, po të çohet një shqiptar dhe të propozojë shkëmbim territoresh, Beogradi do të kishte thënë: “Për çfarë shkëmbimi flisni?! Numri i shqiptarëve në luginën e Preshevës numërohet në gishta”.

Para gjenocidit të heshtur serb në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) Fuqitë perëndimore heshtin. Heshtin edhe Tirana me Prishtinën.

A thua ndër shqiptarë, ka diçka që u pengon perëndimorëve?! Mos vallë perëndimorët nuk na njohin për evropianë?! Mos vallë perëndimorët dyshojnë në përcaktimin dhe orientimin perëndimor të shqiptarëve?! Mos vallë një pjesë e shqiptarëve funksionojnë me sistem joperëndimor dhe joevropian të vlerave?!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok