20/05/2024

ASOCIACIONI I PROPOZUAR E SHNDËRRON KOSOVËN NË FUÇI BARUTI

0

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Më 19 prill 2013, Kosova dhe Serbia arritën në Bruksel atë që u quajt Marrëveshje e parë e parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve. Një pjesë e kësaj marrëveshjeje i kushtohet formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i njohur shkurtimisht si AKS. Bazuar në këtë marrëveshje, asociacioni do të ishte një strukturë e komunave me shumicë serbe në Kosovë: Mitrovicë e veriut, Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq, Graçanicë, Shtërpcë, Novobërdë, Kllokot, Ranillug dhe Partesh.

Më 25 gusht 2015, Kosova dhe Serbia u pajtuan mbi Parimet e përgjithshme/elementet kryesore të AKS-së. Marrëveshja përcaktoi kornizën ligjore, objektivat, strukturën organizative, marrëdhëniet me autoritetet qendrore, zotësinë juridike si dhe dispozitat e përgjithshme dhe përfundimtare të Asociacionit.

*   *   *

Më 31 tetor 2015, kryetarja e Kosovës i paraqiti kërkesë Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për ta vlerësuar përputhshmërinë e parimeve të përgjithshme / të elementeve kryesore të AKS-së me frymën e Kushtetutës së Kosovës. Gjykata konstatoi se parimet nuk janë në përputhje të plotë me Kushtetutën.

*   *   *

S’ka shqiptar në botë që e pranon një asociacion të këtillë që krijon në Kosovë shtet brenda shtetit. Por shumë shqiptarë e kanë mbyllur gojën ngase pas këtij projekti – thellësisht antishqiptar – qëndron Amerika. Po të mos ishte Gabriel Eskobari diplomat amerikan, i madh e i vogël, do të çohej kundër tij dhe do të shpallej person i padëshiruar, d.m.th. persona non grata.

*   *   *

Më 2 dhe shkurt të viti në vazhdim, lidhur me Kosovën Kuvendi i Serbisë mbajti mbledhje. Kundër paktit me Kosovën, në sallë pati do protesta. Këto “protesta” nuk janë veçse skenar i shtetit serb dhe i Vuçiqit, në mënyrë që Serbia ta forcojë pozicionin e vet përballë Kosovës dhe Fuqive perëndimore. “Propozimin për asociacionin ne nuk mund ta pranojmë. A s’e shihni se çfarë rezistence ka ndër përfaqësuesit e popullit”. Disa mediume perëndimore shkruan: “Vuçiqi, prej heroit, u shndërrua në tradhtar”. Fuqitë perëndimore nuk duhet të brengosen gjithaq për kriminelin e Ballkanit. I përkëdhelur nga të gjitha anët, nga Perëndimi dhe Lindja, ai për popullin e vet s’ka sesi të mos jetë hero. Për “protestat” serbe në Kuvendin e Serbisë, kanë dhënë lajme edhe disa mediume shqiptare. Serbët janë specialistë për skenarë të tilla. Gjithmonë në politikë kërkohet maksimumi i maksimumit që të fitohet sa më shumë.

*   *   *

Gabriel Eskobari thotë: “Asociacioni do të bëhet, me Albin Kurtin ose pa të”. Ky diplomat amerikan e di fort mirë se kryeministri Albin Kurti përfaqëson shumicën e vullnetit të qytetarëve të Kosovës. Oponentët e tij bashkë morën më pak vota se ky vetë. Me këtë qëndrim, Eskobari shkel parimet themelore të demokracisë. Z. Eskobar! Çfarë vlere do të kishte një asociacion pa nënshkrimin e Albin Kurtit?! Çdo nënshkrues tjetër do të ishte një rahmanmorinë dhe asgjë tjetër. Të tillët i ka mohuar historia deri në jetë të jetëve. Në botën shqiptare, të tillët janë shndërruar në metaforë të tradhtisë së lartë.

*   *   *

Në tetor të vitit 1913, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit e caktoi princin gjerman Vilhelm Vid (Wilhelm Wied, 1876-1945) në krye të shtetit shqiptar. Një dërgatë e kryesuar nga Esat pashë Toptani (1863-1920) ku bënin pjesë edhe Milto Shavari, Dom Nikollë Kaçorri (1862-1917), Xhemil bej Vlora (1878-1936), Spiro Jorgo Koleka (1879/1880–1940), Jusuf Hamzaraj, Shefqet Vërlaci (1878-1946), Elefter Nosi i njohur më shumë si Lef Nosi (1877-1946), Ahmet Hastopalli (1894-?), Gjon Çoba (1874-1943), Sami bej Vrioni (1870-1947), Hysen bej Vrioni (1881-1944), Islam bej Vrioni (1865-1941), Abdyl Ypi (1878-1920), Mihal Turtulli (1847-1935), Eqrem Vlora (1885-1964), Hasan Prishtina (1873-1933) – e dërguar nga KNK-ja shkoi më 21 shkurt 1914 në Nojvid (Neuwied), për t’i ofruar zyrtarisht Vilhelm Vidit fronin e Shqipërisë. Ai erdhi në Shqipëri më 7 mars 1914, në një situatë të ndërlikuar kombëtare dhe ndërkombëtare. Më 22 janar 1914 Ismail Qemali (1844-1919) kishte dhënë dorëheqje.

Në historinë e Shqipërisë hyri dhe mbeti ai që shpalli pavarësinë, ndërsa Esat Toptani u shndërrua në metaforë të tradhtisë së lartë.

*   *   *

Para ca ditësh, ambasadori i ShBA-së në Beograd Kristofer Hill (Christopher Robert Hill, 1952- ) u tha serbëve se ShBA-ja do të modernizojë ushtrinë serbe. Po si do të ruhet paqja në rajon po qe se Serbia armatoset nga të katër anët. Sikur nuk mjaftuaka armatimi i saj nga Rusia dhe nga Kina, e tani u dashka të armatosej edhe nga Amerika.

Amerikë! Mos harro se qindra mijë dhe miliona shqiptarë flamurin amerikan e kanë valuar nëpër shtëpitë e veta, në tregtizat e veta, në restorante, në ndërmarrjet prodhuese, nëpër zyrat e institucioneve, publike dhe private.

Amerikë! Mos harro se shqiptarët, në veçanti këta të Kosovës, janë deklaruar dhe janë përcaktuar si populli më proamerikan në botë dhe për këtë kanë krijuar armiq ndaj vetes ndër shumë popuj të botës.

*   *   *

U tha diku se ShBA-ja paskësh kërkuar që BE-ja të mos e shqyrtojë çështjen e anëtarësimit të Kosovës në forumet e Unionit, derisa ajo të mos e nënshkruajë asociacionin. Amerikë, deri tani kërkesa të tilla ka paraqitur Moska dhe jo Uashingtoni. Mos na zhgënje Amerikë, mos na lë në baltë! Kurën e kurës s’keni për t’i pasur aleatë serbët e pabesë. Serbia, historikisht ka qenë satelite politike e Rusisë, përçuese e interesit rus në rajon. E tillë do të mbetet.

*   *   *

Para një dite, d.m.th. më 2 apo më 3 shkurt të vitit në vazhdim, Vuçiqi e quajti Kosovën “shtet i rrejshëm” dhe shtoi se “kurrë nuk dëshiron ta shohë Kosovën anëtare të OKB-së”. Në një anë e quan Kosovën shtet i rrejshëm, kurse në anën tjetër kërkon asociacion. Në një anë thotë se kurrë nuk dëshiron ta shohë Kosovën në OKB, në anën tjetër mirëpret projektin më të ri për asociacionin. Ç’paradoks?! Këndej e mirëpret asociacionin, kurse në anën tjetër, në kushtetutën e Serbisë thotë se “Kosova dhe Metohia është e Serbisë”.

*   *   *

Kosova u shpall e pavarur si shtet shumetnik. Me këtë projekt ajo po shndërrohet në shtet dyetnik. Në Kosovë nuk jetojnë vetëm serbë. Aty jetojnë edhe bashkësi etnike të tjera. Jetojnë boshnjakë, romë, ashkali, turq, malazias, kroatë etj. Të gjithë i gëzojnë të drejtat e tyre, si në asnjë vend të BE-së.

I madh e vogël e dinë se asociacioni i këtillë nuk është asgjë tjetër përpos shtet brenda shtetit. Është dodik republikë dhe shkuar asaj. Ky krijesë fantomike e shndërron Kosovën në shtet jofunksional. Ky asociacion sakaq do t’i krijojë edhe organet e tij ekzekutive, të gjitha organet ekzekutive. Madje ky asociacion do të jetë shumë më i favorizua se Kosova vetë. Shumë shpejt serbët e Kosovës, me ndihmën e Beogradit dhe të Moskës, do ta formojnë edhe ushtrinë e vet. Njësoj si në Republikën Serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës. Dhe s’ka kush u del para. S’ka kush i ndal. Prononcimet e Fuqive perëndimore: “Nuk do të lejojmë që në Kosovë të krijohet një dodik republikë, janë gjepura”. Republika Serbe e BH-së, jo vetëm që e formoi ushtrinë e vet, por para rreth një muaji ajo organizoi një paradë ushtarake mu në sheshin e Sarajevës. Fuqitë perëndimore nuk reaguan pothuajse fare.

Republika Serbe e BH-së e udhëhequr nga miku i Putinit, Millorad Dodiku, çdo ditë deklaron se do ta shkëpusë atë dhe do të bëhet shtet më vete. Me fjalë të tjera, do t’ia bashkëngjit Serbisë. E njëjta do të ndodhë edhe me asociacionin e serbëve në Kosovë. Dhe askush s’ka për t’i ndalur.

*    *    *

Të gjitha këto që u thanë më sipër i dinë mirë të gjithë udhëheqësit e të gjitha partive politike të Kosovës. Por ata e kanë kyçur gojën. Çështja e asociacionit nuk është çështje e Albin Kurit. Kjo punë s’ka të bëjë me të. Kjo është çështje që ka të bëjë me shtetin e Kosovës, me qytetarët e saj. Me shtetin ku 93% e popullatës janë shqiptarë, ndërsa vetëm 3% janë serbë. Kjo s’është punë e Albin Kurtit, është çështje kombëtare, çështje e kombit shqiptar.

Të gjithë udhëheqësit politikë të të gjitha partive politike të Kosovës duhet të bëhen një dhe të deklarojnë me shkrim se shqiptarët nuk pranojnë që në Kosovë të formohet shtet brenda shtetit.

*   *   *

Po qe se kalon ky farë asociacioni, asnjë shqiptar nuk ka asnjëfarë të drejte morale të shkojë tre varri i Adem Jasharit të vendosë lule dhe kurora. Sidomos nuk kanë të drejtë morale të bëjnë homazh te varri i tij udhëheqësit politikë, politikanët, intelektualët, demagogët, oportunistët, konformistët dhe pseudoatdhetarët.

*   *   *

Ka kohë që Fuqitë perëndimore e kushtëzojnë Kosovën. Liberalizimi i vizave për Kosovën zvarritet pikërisht për kalkulimet e sipërthëna. Po qe se Kosova për liberalizim vizash u dashka të japë territor, kur mos u liberalizofshin ato.

Në vitin 2015 u nënshkrua në Vjenë marrëveshja e demarkacionit të kufirit midis Kosovës dhe Malit të Zi. Në shkëmbim të liberalizimit të vizave, Kosova i fali Malit të Zi 8.000 hektarë tokë. Çfarë pune djallëzore! territor për viza. Një gjë e tillë s’është parë në historinë botës. Sikur s’i mjaftonin Malit të Zi, që me ndihmën e Fuqive të Mëdha evropiane ia mori Shqipërisë Hotin, Grudën, Plavën, Gucinë, Ulqinin, Tivarin, Tuzin, malësinë etj. Tani iu dashkan edhe mijëra hektarë të tjerë toka shqiptare.

Në vitin 2009 u arrit marrëveshja e demarkacionit midis Kosovës dhe Maqedonisë. Dhjetëra hektarë tokë të Kosovës kalojnë nën administrimin e Maqedonisë. Marrëveshja u lejon banorëve të Kosovës që t’i punojnë tokat e tyre. Si e këtillë, marrëveshja hapte rrugën e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy shteteve.

Sikundër duket nga sa më sipër, Kosova ka qenë e shantazhuar nga të gjitha anët. Deri kur shantazhe dhe trysni mbi një popull paqedashës, punëtor dhe të ndershëm?! Dhe përse?!

*   *   *

A e kanë parasysh Gjermania, Austria, Italia dhe ShBA-ja faktin se formimi dhe ekzistimi  në Ballkan i një shtetit shqiptar të konsoliduar, të zhvilluar dhe demokratik është interes strategjik i tyre?! Rrjedhimisht, ngritja e një Kosove të konsoliduar, të zhvilluar dhe demokratike është interes strategjik i Fuqive perëndimore. Për të pasur një Kosovë të fortë, Berlini dhe Uashingtoni duhet ta ndalin Serbinë. Fuqitë perëndimore po e bëjnë të kundërtën. E pabesueshme?!

*   *   *

Për çfarë Ballkani të Hapur, do flasësh pas kësaj, pas këtij shteti brenda shtetit, Ti kryeministër i Shqipërisë – z. Edi Ramë?! Për ç’miqësi me Vuçiqin mund të flasësh pas kësaj?!

*   *   *

E vetmja që synonte të bënte Mefistofeli me Faustin ishte t’ia blinte shpirtin. Por ky ia ktheu: “Mefisto, çdo gjë mund të të jap, por të ta shesë shpirtin kurrë”. Edhe të vegjlit kanë pak shpirt. As të pafuqishmit s’janë pa të. Ëndrra e robit për liri, kurrë s’është shuar. Po të kishte qenë ndryshe, nocioni liri s’do të kishte ekzistuar, as mbijetuar.

Eskobar, je duke bërë punë pa punë! Ti nuk e di historinë. Pirolla të qoftë!

Shqiptarët nuk kërkojnë kurrfarë drejtësie të veçantë, ngase ndaj tyre nuk është bërë kurrfarë padrejtësie e posaçme, por padrejtësi e përgjithshme, padrejtësi historike.

Kosovë, të vjen pas historia.

*   *   *

Sidoqoftë Amerikë, shpresat tona janë te ti!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok