22/12/2024

Askush nuk guxon t’i prekë bosët e krimit!

0
Florim-Zeqa1

Shkruan: Florim Zeqa

Sipas ligjeve aktuale, konfiskimi i pasurisë nënkupton marrjen e përhershme të pasurisë që është fituar në mënyrë të kundërligjshme, sipas urdhrit të formës së prerë nga gjykata kompetente apo organi tjetër kompetent, kurse sekuestrimi nënkupton marrjen e pasurisë nga organi kompetent deri në vendimin e prerë të gjykatës.

Ligji i mirë pa zbatueshmëri, kthehet në mashtrim për qytetarët

Kosova nuk është se ka mungesë të ligjeve, ka problem me zbatimin e tyre, shkaku i ushtrimit të ndikimit të skajshëm të politikës mbi sistemin e drejtësisë.

I ashtuquajturi Projektligj për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar dhe ai për deklarimin e pasurisë, të cilin e ka miratuar Parlamenti i Kosovës, me këtë përbërje të kontrolluar të Gjyqësorit, Prokurorisë dhe Policisë, jo vetëm që nuk do të gjejë zbatueshmëri në praktikë, do të favorizojë akoma më tepër korrupsionin dhe krimin e organizuar në Kosovë, për shkak se cak i ligjit do të jenë zyrtarët dhe ish zyrtarët e nivelit të ulët por jo edhe bosët e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Të gjithë jemi dëshmitarë të një pasurimi marramendës dhe tepër të dyshimtë të njerëzve të pushtetshëm për dy dekada në politikë, e të cilët edhe nuk kanë ngurruar ta deklarojnë një pjesë të kësaj pasurie milionëshe gjoja si ‘trashëgimi’, thuajse janë fëmijë të ‘princave’ të fshatrave prej nga ata vijnë.

Prokuroria, Policia dhe Gjyqësori nga frika e përballjes me bosët e krimit, i injorojnë në tërësi krimin e organizuar dhe korrupsionin e figurave të larta shtetërore, qoftë në nivelin qendror apo në atë lokal.

Lidhja e mafio-oligarkëve me politikanët e inkriminuar

Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është aq e vështirë dhe e komplikuar, shkaku se mafio-oligarkët e pasluftës bashkë me politikanët e inkriminuar i kanë shpërndarë të gjitha pasuritë e paligjshme qindra milionëshe tek kompanitë fantome të mafio-oligarkëve, kompanitë e familjarëve apo klientelave të tyre në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni, në Mal të Zi e gjithandej vendeve të rajonit e deri tek ‘Parajsat Fiskale’ në vendet me siguri të lartë monetare.

Projektligj për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar do të kishte kuptim vetëm nëse secili i dyshuar do t’i nënshtrohet procesit të VETTING-ut, filluar nga presidentja, kryeparlamentari, kryeministri, zv. ministra e deputetë, si dhe verifikimi i pasurisë së familjarëve të tyre, pasi ka dyshime të bazuara se kanë përfituar në mënyrë korruptive shuma të mëdha parash, prona e shumëçka tjetër përgjatë viteve të fundit.

Blerja e shtëpive dhe banesave prej qindramijëra eurove nga zyrtarët e lartë shtetërorë pa mbulesë fiskale është tregues i mjaftueshëm për përfshirjen e tyre në afera të mëdha korruptive përmes ministrave e zv. ministrave, përmes oligarkëve ekonomik dhe sekserëve të tyre në Kosovë dhe Diasporë. Mosbërja transparente e lëvizjeve financiare të fondeve publike e shton akoma më tepër dozën e dyshimit për shpërdorime enorme të parasë publike nga ana e pushtetarëve aktualë.

E keqja bëhet më e madhe për faktin se nuk ka prokurorë vendorë që guxon të ngrisë padi kundër zyrtarëve të lartë shtetërorë, e aq më pak ndaj bosëve të krimit dhe korrupsionit të nivelit të lartë. Për të justifikuar ligjin, prokurorët gjithnjë gjejnë viktima të nivelit të ulët për t’i larguar nga puna dhe dënuar në formën e prerë, kurse kriminelet e nivelit të lartë si gjithnjë mbeten të lirë dhe të paprekshëm nga drejtësia.

Florim Zeqa

01.08.2023

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok