21/11/2024

ASIM LUZHA- “NËSE NUK MERREN MASA TË NGUTSHME, MUND T’U NDODHË NJË PLOJË E TMERRSHME NË TËRSTENIK. PËR KËTË JANË NGARKUAR DY KOMANDANTË TË KORPUSIT TË KNOJ-IT, PEJOVIÇ E TABAKOVIÇ…”

0

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1890- e pushkatuan më 30 janar 1945)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Patrioti i madh Mulla Asim Efendi Luzha u lind në Gjakovë, më 1890. Asimi ishte djali i parë i atdhetarit e dijetarit të madh  Myderriz Murteza Efendi Luzhës, që në popull njihet me titujt : Haxhi Myderrizi, që do të thotë se ishte Haxhi dhe Myderriz dhe nënës Xhemile (Abdyli) Luzha. Asim Luzha vinte nga një familje e kamur qytetare, intelektuale, fetare dhe mbi të gjitha familja e Asimit ishte atdhetare. Qysh si fëmijë babai e kishte vërejtur se djali i madh i tij, Asimi ishte inteligjent, i urtë dhe i sjellshëm me të gjithë. Pasi se në shtëpinë e tyre nuk mungonin librat ai filloi ti shfletoj dhe interesohej se çfarë shkruante në to.

Asim Luzha mësimet fillestare i kreu në vendlindje – Gjakovë, pasi i përfundoi me sukses të shkëlqyeshëm, djalin e regjistron në gjimnazin e Shkupit. Pasi e përfundoi shkollën e mesme, ai u kthye në Gjakovë dhe para babait dhe shokëve të tij, iu vu çallma e hoxhës dhe që nga ajo kohë ai punoi për të mirën e popullit të vet, kurrë pa i bë keq askujt. Edhe pse kishte përfunduar shkollën në Shkup, ai nuk u ndal me kaq. Në Gjakovë regjistroi Medresenë e Madhe. Pas kësaj do të emërohet Imam në disa fshatra të Gjakovës, si në Skivjan, Cërmjan e Rastavicë. Pastaj caktohej imam edhe në fshatrat e Drenicës. Me përfitimin e përvojës do të kthehet në Gjakovë, ku do të emërohet imam i xhamisë se Islam Begut, në qendër të Gjakovës, ku do të shërbejë deri në fund të jetës. Gjatë tërë këtyre viteve ai iu përkushtua bamirësisë, arsimimit, humanitetit dhe atdhetarisë. Me të drejt popullata kudo që punonte e quanin babai i fukarenjve. Edhe lekun e fundit e jepte për ti ndihmua të varfëritë. Ishte i martuar me Qazime Roka – Luzha (1902 – 1970) –me të cilën pati 7 fëmijë: Qemajlin, Serveten, Murtezan, Zijanë, Sadeten, Besën dhe Nezafeten.

Mulla Asim Ef. Luzha, ka qenë njohës i disa gjuhëve orientale dhe pos shqipes fliste e e shkruante edhe gjuhën serbishte. Ai ka kryer edhe Medresenë e Lartë të Shkupit. Si teolog dhe patriot ishte inkuadruar në Organizatën e Xhemijetit dhe ka kryer funksione dhe veprimtari të ndryshme atdhetare së bashku me Ferhat Dragën, Aqif Blytën, Hasan ef. Dashin dhe shumë patriotë tjerë të Kosovës. Mulla Asim Efendi Luzha ishte arsimdashës i pa kompromise si për djem ashtu edhe për vajza. Ai luftonte me këmbëngulje që fëmijët të shkollohen, se vetëm të shkolluar e të ditur do të jemi të rëndësishëm për atdheun, thoshte ai. Angazhohej që të regjistronte sa më shumë fëmijë në shkollat fillore në qytet, e dihej se në gjuhën shqipe nuk kishte shkolla, andaj i regjistronte në mejtepe e në shkolla në gjuhën serbe. Bile në mejtep kishte formua edhe një klasë ku shkonin edhe vajzat. Një sjellje e këtillë prej intelektuali dhe prej atdhetari,  serbomëdhenjve nuk iu shkonte përshtati, andaj që herët filluan të bënin plane për ta likuiduar apo degraduar në sytë e popullit që aq shumë e respektonte. Asimi ishte institucion në vete. Njerëzit këshilloheshin me të, e ai asgjë nuk kursente për ta. Gëzonte autoritet të pa kontestueshëm.

Mulla Asim Efendi Luzha, ishte hoxhë i devotshëm, nuk e donte politikën, dhe nuk donte të merrej me të, por kohë të vështira ishin atëherë edhe pse hoxha nuk donte të merrej me politik, ajo deshi të merrej me të. Fillimisht ishte anëtar i Organizatës “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dega në Gjakovë, që ishte degë e Komitetit të Kosovës me seli në Shkodër dhe ku bënin pjesë atdhetarët e njohur: Ibrahim Jakup Çaushi – Gjakova, Sali Morina, Ferid Imami, Nimon Ferizi, Baba Qazim Bakalli, Ibrahim Fehmiu, Murat Gjakova dhe disa qytetarë të tjerë të këtij vendi. Kjo degë me seli në Gjakovë gëzonte përkrahjen nga qytetarët e Gjakovës dhe të rrethinës së të gjitha feve dhe sekteve fetare islame të këtij mjedisi. Gjithashtu dega shtrinte veprimtarinë e saj në të gjitha fushat e jetës qytetare duke përfshirë edhe angazhimin e drejtpërdrejtë në çlirimin e vendit. Njëherë ishte organizata bazë e mbledhjes së ndihmave nga qytetarët e Kosovës për jetën dhe aktivitetin e Komitetit të Kosovës me seli në Shkodër.

Së bashku me babain e tij, Murtezanë, Asimi punoi pareshtur për të forcuar atdhedashurinë te besimtarët. Të dy, babë e bir, u gjendën pranë bashkëqytetarëve shtëpi më shtëpi, fshat më fshat, qytet më qytet, në tubime popullore. Ata bënin thirrje për qëndresë ndaj pushtuesve,  të përballonin gjendjen e rëndë në ato vite të luftërave grabitqare dhe të mos i lëshonin tokat e veta për t’u shpërngulur në Turqi se shpërnguljet i donte armiku serbë dhe ne nuk duhet ti lëmë ato iu thoshin ata. Serbomëdhenjtë e kishin vu në shënjestër Mulla Asimin. E përcillnin në çdo veprimtari dhe në çdo aktivitet. Më 1913, posa i kishte mbushur 24 vjet e burgosin dhe e internojnë në Nikshiq të Malit të Zi, ku qëndroi deri kur u pushtua Mali i Zi nga Austro Hungaria.

Populli kishte nevojë për njerëz të dijshëm, të ndershëm dhe të guximshëm. E këto virtyte që të gjitha i kishte me bollëk Mulla Asim Efendi Luzha. Duke e vlerësuar Asim Luzhën si patriot të shquar, të lidhur ngushtë me popullin dhe duke e vlerësuar si luftëtar për progresin e shqiptarëve, populli i Drenicës në vitin 1938 e zgjodhi deputet në Parlamentin e ish Jugosllavisë. Këtë besim të madh Asim Luzha e përligji me fjalën e veprën e tij në organet ligjvënëse të Jugosllavisë. Ai kërkoi me zgjuarsi e këmbëngulje që organet përkatëse të merrnin masa për të përmirësuar gjendjen ekonomike e sociale të shqiptarëve, për t’u dhënë atyre ligjërisht e faktikisht të drejtat që u takonin, sikur popujve të tjerë të shtetit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai shkoi shumë herë në Drenicë. Atje njihet me hallet e shqetësimet e shumta, që sillte lufta, e përpiqej t’ua lehtësonte sado pak ato. Drenica kishte një të kaluar të lavdishme historike, që nga kohërat më të hershme. Popullsia e kësaj treve shqiptare me traditë e qëndresë aktive kundër pushtuesve të huaj, gjatë historisë kishte dhënë një kontribut të veçantë, në historinë e popullit shqiptarë. Në Drenicë lindën e u zhvilluan lëvizje, ngjarje e luftëra të karakterit çlirimtar, nën udhëheqjen e personaliteteve e figurave të ndritura të kësaj treve. E tillë është edhe Lufta e dimrit të vitit 1945, pjesë përbërëse e historisë kombëtare që kërkon një trajtim të veçantë. Edhe pse gjatë LDB-së, shqiptarët ishin të okupuar, megjithatë Kosova ishte e bashkuar me Shqipërinë dhe gëzonin të drejtat elementare të një kombi. Drenica shquhej prej shekujsh për frymën patriotike e përparimtare. Kjo frymë shihej me shqetësim nga të gjitha forcat ushtarake e civile të çdo rryme politike në Jugosllavi. Ndaj ndiqej çdo figurë atdhetare e çdo lëvizje me ndjenja shqiptare. Asimi u bashkua shpirtërisht me zgjedhësit e vet në këtë trevë, ndaj edhe survejohej nga forca shtetërore e jo shtetërore, sidomos nga ato serbe – çetnike – partizane. Gjatë LNÇ-së, ai iu bashkua kësaj lëvizjeje. Shtëpia e tij ishte qerthe për të gjithë njerëzit përparimtar të cilët e donin Kosovën dhe bashkimin me Shqipërinë. Për angazhimin e tij në LNÇ-së, ndikim të madh pati Konferenca e Bujanit (31 dhjetor 1943-1,2 janar 1944), dhe Rezoluta e saj e cila thoshte se Kosova pas lufte do ti bashkëngjitet Shqipërisë.

Në fund të vitit 1944 dhuna e terrori i ushtruar në Drenicë nga pushteti ushtarak serb koinçidoi me masakrat më çnjerëzore. Njerëzit humbnin natën pa marrë vesh kush, vriteshin në masë dhe i masakronin me sëpata në mënyrë që popullsia e vendit t’i shihte viktimat pa hundë, pa veshë, me sy të nxjerrë e të lidhur me tela nga 6 – 7 e më tepër sish, duke bërë kështu një terror mbi ta, për të vetmin faj që ishin shqiptarë. Ishin komandat e vendit të porsaformuara, ato të cilat ftonin njerëzit kinse për bisedime dhe menjëherë ata futeshin në burgje që ishin adaptuar për atë qëllim. Në fakt ato nuk ishin burgje, por kasaphane. Masakrat, internimet, terrori, burgosjet individuale e kolektive, dhunimet e gjenocidi i ushtruar mbështeteshin në urdhëresën e Shtabit Kryesor të Serbisë, i cili më 2 dhjetor 1944 kishte dhënë urdhër për spastrimin e Drenicës dhe viseve përreth saj nga “bandat shqiptare” dhe nga “njësitet e armatosura prej tradhtarëve shqiptarë” Kjo nuk zgjati shumë, sepse menjëherë, pas luftës, filloi një tjetër zullum. Zullumi filloi në Drenicë, me fillimin e vitit 1945, kudo vrasje, pushkatime, masakrime nga forcat armike, nga brigadat partizane-çetnike.

Duke e vërejtur zemërimin e madh të popullit të Drenicës, në krye me Shaban Polluzhën, forcat partizane-çetnike, përmes Fadil Hoxhës, kërkuan bisedime. Bisedimet filluan, me Ymer Pulën e Ismet Shaqirin, por sa filluan ato dështuan ! Atëherë, sërish, kërkuan bisedime, që ishin vetëm kurthe, mashtrime. E kërkuan me telegram urgjent nga Prishtina ish-deputetin e Drenicës, Mulla Asim Efendi Luzhën, i cili ishte hoxhë në Xhaminë e “Islam Begut” në Gjakovë.

Mulla Asim Efendi Luzhën, para se të nisej për në Prishtinë, disa hoxhallarë gjakovarë, që ishin anti-komunistë, atdhetarë, si Hafiz Ymer Guta e Hasan Efendi Dashi e këshilluan Asim Efendinë të mos shkonte në Prishtinë, por ai, meqë e donte Drenicën, nuk i dëgjoi.

Kur arriti në Prishtinë, në Shtabin Operativ, i thanë se bisedimet me përfaqësuesit e Drenicës do të mbahen në katundin Tërstenik. Mulla Asim Efendi Luzha, i shoqëruar nga miku i tij Rifat Berisha nisën për Drenicë. Rifati e këshillon Mulla Asim Luzhën që mos të shkoi në Tërstnik se atje është shumë rrezik. Në rrugë e sipër ata ndahen, dhe Mulla Asimi vazhdon rrugën për ku ishte nisur.

Në Tërstenik,  hoxhën e priti një gjendje kaotike. Ai ishte i shqetësuar dhe tepër i pakënaqur me trajtimin e popullatës që bënin partizanët ndaj tyre. Ai kishte shkua për ti bindur fshataret që të lidhin një marrëveshje që të dorëzohen dhe ti dorëzonin armët dhe më vonë nuk do iu ndodhë asgjë. Mulla Asim Ef. Luzha ishte njeri i fjalës dhe do ishte shumë i lumtur që të arrinte këtë marrëveshje dhe të shpëtonte popullatën nga masakrat e sigurta. Por nuk ishin të kënaqur çetniket e konvertuar në partizan. Ata kishin tjera plane dhe gjithsesi donin të shfarosnin popullatën në atë zonë. Ardhja e Mulla Asim Ef. Luzhës iu prishte planet. Shumë dëshmitar të këtij takimi dëshmojnë se hoxha kishte  kundërshtua qëndrimet e tyre dhe ishte tejet i nervozuar. Nuk donte të humbët asnjë fshatar që kishin ardhur aty vetëm e vetëm se kishin besim te deputeti i tyre, te hoxha i tyre, i cili shumë herë i kishte këshillua e mësua se si duhet vatani. Partizanet ishin të vetëdijshëm se ardhja e hoxhës po iu prishte hesapet. E sidomos kjo e pengonte tej mase Petar Brajeviqin e Zyfer Musiqin, pro çetnik të përbetuar.

Pas kësaj që gjeti  dhe pa në Tërstenik, Mulla Asim Ef. Luzha i shkruante Fadil Hoxhës një letër, në janar të vitit 1945, në të cilën thuhej se: “Nëse nuk merren masa të ngutshme, shumë fshatarëve të ngujuar në kullën e Halil Mulës në Terstenik, mund t’u ndodhë një plojë e tmerrshme. Për këtë janë ngarkuar dy komandantë të korpusit të KNOJ-it, Pejoviç e Tabakoviç, nga një brigadë malazeze”. (Këtë letër Asim Luzha ja jep korrierit Sheremet Koci, me qëllim që t’ia dorëzojë në dorë vetëm Fadil Hoxhës – Komandant i UNÇ-së të Kosovës, sepse Ai e kishte dërguar me mision pajtimi në Drenicë, por atë letër Fadil Hoxha kurrë nuk e mori).

Për likuidimin e hoxhës ka shumë variante. Më 30 janar, 1945, Asim Luzha edhe vetë u përballë me këta ushtarakë, me të cilët debatoi gjatë duke i mbrojtur shqiptarët, të cilët kishin dalë nga ngujimi dhe i kishin dorëzuar armët, sipas një marrëveshjeje të lidhur se nuk do të kishin pasoja, pasi ata nuk kishin bërë krime. Qëndrimi burrëror, duke i mbrojtur të dorëzuarit, i bëri komandantët serbë që më parë të vrisnin vetë Asimin, pastaj t’i masakronin e t’i zhduknin fizikisht burrat, të cilët ndodheshin të mashtruar e të rrethuar me ushtarë në fshatin Trestenik. Kur po dilte nga Shtabi i komandës, në orën 21, roja që e shoqëronte i kishte futur një bombë në xhep dhe pas disa sekondash, ajo shpërthen dhe e lë të vdekur. Në të njëjtën kohë, roja që ndodhej aty afër i fshehur e i mbrojtur, e godet me automatik pas koke, ky edhe ishte versioni i parë.

Versioni i dytë ishte ai i Shtabit të UNÇ-së, se: “Hoxha ka dashur ta hedhë bombën në shtab dhe ajo i eksplodon në xhep dhe e vret atë. Ndërsa versioni i fundit, dhe si duket që është edhe më i sakti, e dëshmon edhe obduksioni që e bënë organet e pushtetit me kërkesën e vëllait të Mulla Asim Ef. Luzhës – Qamil Luzha, del se me 30 janar, 1945, ora 21 e natës. Asim Luzha do vritej pas shpine me ca plumba automatiku. Atë e varrosin në varrezat e Tërstenikut, për ta zhvarrosur me kërkesë të vëllait Qamil Luzhës. Familja vonë mori vesh për vrasjen e Mulla Asimit, lajmin e trisht e kishte dhënë në besim atdhetari – Majori Banush Sedllari, i cili pas një viti edha ai likuidihet nga forcat komuniste.

Pas këtij atentati ushtria pushkaton të 60 burrat e dorëzuar dhe 18 të rinj nga Gjilani, të cilët atë natë u ndodhën si mysafirë në lagjen e Spahive të këtij fshati, e që kishin ardhur t’i bashkohen Aradhes së Shaban Polluzhës.  Kjo ishte njëra nga tragjeditë më të mëdha të vitit 1945. Vetëm në Drenicë u torturuan, u masakruan e u vranë 30 mijë burra, gra e fëmijë.

Mulla Asim Efendi Luzha u zhvarros edhe një herë, për tu varrosur në Gjakovë, Ai u varros me nderime të mëdha nga qytetaret e Gjakovës dhe të atyre që erdhën kastile nga qendra të tjera të Kosovës e më gjerë, vetëm e vetëm që ti bënin nderimet e fundit heroi të tyre. Mulla Asim Efendi Luzha u varros afër Urës së Tabakëve, në varrezat e Tyrbes së Tahir Efendisë.

Jeta dhe vepra prej humanisti e atdhetari Asim Luzhës ishte model i njeriut, i cili ia kushtoi gjithçka që kishte popullit të tij. Ndërsa shkrimtari i madh gjakovar Rexhep Hoxha, në pllakën e varrit të tij, ka shkruar këto vargje sa prekëse aq edhe domethanëse: “O udhëtar! Asim Luzha këtu varrin e ka / për lirinë e popullit në Drenicë asht vra”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok