14/10/2024

Skicë nga Bashkim Saliasi
-Vitet’60-‘70 ishin vite të vështira, – e nis bisedën motra ime, Asija,.
-Nuk kishim or bir, aq lekë merrnim dhe me ato të ardhura që siguronim, me shumë mundime, mundoheshim të prisnim miqtë e shokët, sesa shpenzonim për familjen tonë.
-Ç’të tregoj për ato vite, por një ngjarje që ka hedhur rrënjë në memorien time dhe nuk më shqitet nga mendja, është ndodhia e një nate dimri, aty nga vitet ’62-63.
-Binte shi…Ishte një natë dimri që nuk di ç’të të them…Koha qëlloi shumë e keqe, me erë të fortë dhe shi me rrëmbim. Shtëpia jonë lëkundej nga dallgëve e përroit të Mollasit, që përplaseshin e pranë portës së jashtme dhe na dukej se për një çast përroi do të na merrte me vete. Hëngrëm darkë shpejtë se na u prenë dritat. Ramë në gjumë pa u errur mirë dhe u strukëm në rroba së bashku me fëmijët. Ora kishte shkuar 11 e 30 e natës dhe ne na kishte qëlluar gjumi i parë. Të dy lodheshim shumë. Jakupi punonte në ndërtim dhe kur vinte në darkë i zienin duart, por nuk ankohej asnjëherë. Edhe unë lodhesha se punoja në fermë, bënim qilizmë, nxirrnim kërçep lisi, shpyllëzonim pyllin e Vëseshtës. Ç’të tregoj mor djalë, po ishim të rinj dhe lodhja kalonte shpejtë…
Heshti një copë herrë dhe vazhdoi:
-Nuk e ndjeva hiç tim shoq se kur doli jashtë, por veç ndjeva dorën e tij në sup që po më përkundte lehtë dhe fliste ëmbël për të mos më trembur.
-Asije, o Asije, ngrehu ngadalë se kemi mysafirë.
U çova shpejtë e shpejtë dhe vrap te çezma. Pasi u hodha nja dy grushte uji syve shkova vrap dhe te bufeja. Kontrollova me kujdes pa rënë në sy nga mysafirët dhe pashë që kisha një kg. miell dhe një kg. sheqer. Ndërkohë im shoq kishte sjell fëmijë në krevatin tonë dhe pasi i mbuloi mirë e mirë shkoi në kuzhinë.
Hyra në dhomë dhe u përshëndeta me mysafirët. Të dy kërkuan ndjesë dhe u justifikuan se në këtë natë me shi dhe suferina nuk ngjiteshin dot në Vërzhezhë prandaj menduam të trokisnim te ju.
-Mirë se urdhëruat, bukë, kripë e zemër kemi plotë,- foli im shoq.
Pasi i qerasa mysafirët, im shoq u shkëput për një moment në korridor dhe më pyeti nëse kishim miell dhe vaj.
-Po, iu përgjigja, shko dhe rri rehat se rregullohemi.
Ndeza shpejtë e shpejtë zjarrin dhe mbusha tiganin me vaj. Ndërkohë zura brumin dhe për një kohë shumë të shkurtër mbusha një tepsi me petulla. Shtruam tavolinën dhe ha petulla me sheqer e pi raki e gdhimë e bëmë sabah. Po, sa na pati lezet! Mesa fjete ti, që nuk ishe atë natë atje, aq fjetëm edhe ne. Në mëngjes koha u gdhi e kthjellët, çdo gjë ishte qetësuar. Mysafirët nuk gjenin fjalë për të na falënderuar, aq shumë ishin kënaqur.
Të them të drejtën edhe ne u kënaqëm nga fjalët e ngrohta dhe të sinqerta të tyre. U ndamë miqësisht dhe mysafirët shkuan në fshat dhe ne të dy pasi rregulluam fëmijët për në shkollë shkuam në punë.
Ama, Selam Hysi e bëri vas ngado që shkoi duke thënë se, te Jakupi hahet bukë në çdo orë të ditës dhe të natës.
Ime motër heshti një copë herë dhe i biri, Hajriu që po ndiqte bisedën tonë ndërhyri e tha:
-Se vetëm ajo natë ishte e veçantë në shtëpinë tonë, mama!?
-Po mor bir, ishim fukarenj, por dera e shtëpisë sonë ka qenë gjithmonë e hapur, si për miqtë e shokët, por edhe për rrugëtarët që vinin në spital për sëmundje te ne vinin se gjenin ngrohtësi.
Familja juaj ishte një shtëpi mikpritëse në Çorovodë dhe strehoi të bardhë dhe të zi.
-Po mor bir veç mirë kemi bërë, por ç’e do, nuk qenka gjë kjo botë! Siç e sheh, unë po vuaj nga sytë, im bir preu këmbën eee…
-Sëmundja juaj nuk varet nga ne njerëzit, por nga Perëndia.
-Po perëndia të gjitha për mua i paska ruajtur!
Shakaja pasoi shakanë dhe fjalët që më dolën nga zemra ishin:
-Për ne fëmijët e Meleqit dhe të Naimes, ti motër Asija, së bashku me bashkëshortin tuaj Jakupin e fëmijët kini qenë dhe mbeteni një familje bamirëse, e për ne ti je një Nënë Terezë e fisit tonë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok