15/10/2024

As në tokë, as në qiell

0

Nga Blerim Latifi

Në vitin 1991, kur plumbat e parë të luftërave ndëretnike në Jugosllavi tanimë ishin shkrepur, në Hagë ishte organizuar një konferencë ndërkombëtare për të shpëtuar Jugosllavinë nga dezintegrimi i përgjakshëm. Konferenca dështoi, sepse obstruksionet e Millosheviqit u trajtuan gabimisht nga negociatorët perëndimorë. Ata mendonin se Millosheviqi do të zbutej duke u bërë lëshime të vazhdueshme kërkesave të tij. Rezultati ishte krejt tjetër: sa më shumë lëshime i bëheshin Millosheviqit, aq më kërkues dhe më agresiv bëhej ai. Kështu Konferenca e Hagës dështoi dhe masakrat filluan.

Sot Perëndimi është duke përsëritur të njëjtin gabim me ish ministrin e Millosheviqit, Vuqiçin. Mendojnë ta zbusin duke i bërë lëshime të njëpasnjëshme. Sigurisht rezultati që do të marrin do të jetë i njëjtë me atë të vitit 1991. Sepse, ndonëse kohët kanë ndryshuar, apetiti serb për hegjemoni në rajon është i njëjtë me atë të vitit 1991.

Në këtë kontekst duhet parë edhe presioni i padrejtë i vendeve të QUINT-it që ne të pranojmë poshtërimin nga Serbia duke pranuar zhvillimim e referendumit të saj në territorin e Kosovës me anë të qendrave të votimit. Një praktikë kjo që as nuk mund të imagjinohet, e le më të lejohet në shtetet e QUINT-it.

Kjo lloj diplomacie e presionit mbi palën e dobët dhe marrja me të mirë e palës së fortë mund të shpie gjithkund, veç drejt paqes asnjëherë. Janë qindra shembuj që e konfirmojnë këtë, përfshirë edhe vetë historinë e shkatërrimit të Jugosllavisë.

Të dielën ka gjasa të ketë probleme serioze, por edhe ulja e kokës nga frika prej tyre sigurisht nuk do të na sjellë asnjë përfitim.

Më mirë të humbësh në betejë, se sa të dorëzohesh pa hy fare në të!

Për qyqarët nuk ruhet asnjë fat askund!

As në tokë, as në qiell.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok