ARKITEKTURA E MUNDIMSHME E LIRISË: ROLI UDHËHEQËS I UÇK-së PËR KRIJIMIN E SHTETIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

0

Nga Dorian Koçi

Represioni serb në Kosovë në demonstratat e vitit 1981, heqja e autonomisë së Kosovës në 1989, helmimet e fëmijëve në 1992, represionin e masakrat në 1998 e së fundi dëbimi biblik i bashkombasve tanë në 1999, përgatitën momentin historik që në datën 17 shkurtit të vitit 2008, që Kosova të shpallej e lirë dhe e pavarur. Ngjarje të tilla historike të takojnë shumë radhë ti përjetosh e ti ndjesh, ndaj në optikën e ngjarjeve që kalojnë si ujë që rrjedh, të duken gati-gati të pabesueshme. Krijimi dhe fillimi i luftës së armatosur nga UÇK në Kosovë në vitet 90 ‘ është në fakt sa një lindje e lirisë së Kosovës por edhe një rrugëtim i përjetimit të idesë së lirisë mes vet kontinentit europian. Rënia e Murit të Berlinit në Europë, përfundimi i Luftës së Ftohtë dhe triumfi i demokracisë liberale në Europën Lindore dhanë pamjen e gënjështërt se erdhi fundi i historisë që Francis Fukuyama profetizoi në studimin e tij të njohur, por në fakt konfliktet e ngrira filluan të dalin në sipërfaqe. Shkrirja e akujve të totalitarizmit do të sillte edhe shkrirjen e konflikteve ndëretnike ku vakumin e ideologjisë së përmbysur të socializmit shkencor do ta zinte shumë shpejt ideologjia e nacionalizmit ekstrem. Rrugëtimi i rinisë shqiptare të Kosovës të fundit të viteve 80’ dhe fillimit të viteve 90’ është një rrugëtim identitar për të parë sesi shoqëria jugosllave e fundit të viteve 80’e dominuar nga nacionalizmi serb shkoi buzë greminës në luftërat e Kroacisë, Bosnjës dhe në parandalimin që iu bë tmerrit pa fund të makthit ndëretnik në Kosovë. Pikësëpari Jugosllavia u përball me krizën e marrëdhënieve ndëretnike midis kombësive që synonin të krijonin shtetet e veta kombëtare. Kjo krizë vinte si një pasqyrim i tendencave të forcës centrifugale që ishte ushtruar mbi Jugosllavinë për të qenë e bashkuar, por që nën realitetet e reja gjithçka po rishikohej përfshi dhe tërësinë territoriale të shtetit jugosllav. Nacionalizmi politik si forma më e lartë e nacionalizmit e ushtruar nga politikat shtetërore që ndjekin vendet në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare gjeti shprehjen e tij më të lart në periudha të ndryshme në marrëdhëniet e ndërsjellta serbe, kroate, sllovene, boshnjake, maqedonase, malazeze dhe shqiptare në vitet 90-të. Në fushën politike, zhvillimet e veçanta apo ngjarjet , siç është një luftë apo ndryshimi i një regjimi, do tu japin hov shpresave dhe mundësive ose do të shkaktojnë frenim dhe pengesa. Ndryshe nga rasti i Çekosllovakisë ku me aktin e miratuar më 25 nëntor 1992, përfaqësuesit çekë dhe sllovakë ranë dakord për shpërbërjen e Çekosllovakisë që nga 31 dhjetori 1992, Jugosllavia përjetoi ndryshime të tjera. Shpërbërja e Çekosllovakisë ishte rasti i parë dhe i vetëm në Europën Qendrore e Lindore që një konlikt etnik u zgjidh në mënyrë paqësore pasi zhvillimet në Jugosllavi dhe ish republikat e B.S treguan se spiralet e nacionalizmit etnik tërhoqën në vorbullën e tyre dhe morrën peng zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin e këtyre vendeve. Vakumi i pushtetit që po ndihej në Evropën Lindore, përfshi këtu dhe Jugosllavinë po nxirrte në pah mekanizma të rinj pushteti të ngjashëm me autoritatizmin dhe centralizmin komunist. Nacionalizmi etnik mundësoi dhe aleancat e reja fiktive ndërmjet ish-komunistëve dhe ultranacionalistëve antikomunistë. Leninizmi i zhvleftësoi shoqëritë ballkanike nëpërmjet mospërmbushjes së nevojave për shoqëritë civile. Në vend të tyre ai mbështeti modelet kolektiviste, ku individi i dedikohej tërësisht shtetit dhe jo parimeve të lirisë së individit e të drejtave njërëzore. Kur u shkatërrua pushteti komunist , institucionet demokratike filluan të ngriheshin ngadalë dhe ndërhyrja e publikut në vendimmarrje ishte e kufizuar. Sfidat dhe problematikat e tranzicionit të vendeve të Europës Lindore drejt demokracisë liberale dhe ekonomisë së tregut duke u përqendruar në variablat kryesorë apo faktorët kyç që e pamundësuan “normalitetin” demokratik janë : (a) regjimi totalitar dhe kohëzgjatja e tij përkundër formave të tjera autoritare; (b) mungesa e një kulture politike dhe institucionale të trashëguar; (c) ekonomia jofunksionale e paaftë për të konkurruar në tregjet globale si pasojë e privatizimeve klienteliste, mungesës së modeleve të zhvillimit dhe strategjive koherente; (ç) mungesa e shtetit të së drejtës, ku pushteti i tretë, do të ishte arbitri i paanshëm në garancitë proceduriale, marrëdhëniet konktraktuore dhe mbikqyrës i pushteteve ekzekutiv dhe legjislativ. Disa vende në ish Europën Lindore, ku përfshihen shumica e vendeve të Evropës Lindore në saje të reformave të ndërmarra në të gjitha aspektet, e patën më të lehtë kapërcimin e këtyre sfidave duke bërë të mundur që të pranohen anëtarë të NATO-s dhe B.E-së pas një periudhe 15-vjeçare. Disa të tjera, përfshirë disa vende të ish-Jugosllavisë dhe Shqipëria janë ende në procesin e hapjes së negociatave me B.E.Ndërsa Kosova për shkak të pengesave ndërkombëtare të vendeve të B.E-së(Greqia, Rumania, Qipro,Sllovakia dhe Spanja) që nuk e kanë njohur ende si shtet të pavarur edhe pse i ka plotësuar kushtet teknike nuk e ka fituar ende liberalizimin e vizave.

Pikërisht në zhgënjimet nga era e rrëzimit të Murit të Berlinit zë fill edhe përforcimi i rezistencës së shqiptarëve në Kosovë. Historia e themelimit dhe luftës së UÇK-së për ti dhënë popullit shqiptar në Kosovë dinjitetin e munguar dhe lirinë politike nuk mund të mos shikohen si një kronikë e paralajmëruar rrokopujës dhe prishjes së Jugosllavisë, agresioneve serbe në Kroaci e Bosnjë , Konferenca e Dejtonit, lindja e UÇK-së , Konferenca e Rambujesë, bombardimet ndaj Serbisë, rezolutat e kombeve të Bashkuara, diplomacia ndëraktive, diplomacia fluturuese, dorëzimi i “Kasapit të Ballkanit”-Miloshevicit, hyrja e trupave të KFOR-it në Kosovë, përpjekjet për stabilizmin e vendit, pakoja Ahtisari e së fundi shpallja e Pavarësisë së Kosovës. Në gjithë këtë rrugëtim lëvizin personazhet më të rëndësishëm politikë të fundshekullit të XX, si Presidenti Amerikan Bill Clinton, Sekretarja e Shtetit Madlin Ollbrajt, ambasadoret Hollbruk e Kristofer Hill, Kryeministri britanik Tony Bler, presidenti francez Zhak Shirak , ministri i puneve te jashtme italian Lamberto Dini, Kancelari gjerman Gerhard Shroder e Ministrat e jashtem gjemanë Klaus Kinkel e Joshka Fisher, ish kryeministri spanjoll Felipe Gonzales etj. Në vitin e fundit të shekullit të XX duket sikur FushëKosova e Kosova kthehen në skenë tragjedish shekspiriane ku luhet fati i një populli të vogël. Mes gjithë këtyre personazheve politikë europianë shfaqet dhe roli i UÇK-së dhe Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit, Ramush Hajradinajt, Fatmir Limajt etj që me staturën e studentëve të etur për arsim, kulturë e identitet për shqiptarët gjejnë metaforën e lirisë të plazmuar në historinë e pothujase të çdo familje shqiptare në Kosovë. Që nga shekulli i Iluminizmit e deri në ditët tona, humanizmi dhe liria kanë ushqyer breza të tërë të njerëzimit duke mbetur në fakt piketa të rëndësishme të shtetndërtimit e filozofisë politike të popujve të Europës. Pikërisht në këto dy piketa u ringjall feniksi i shpresës për themelimin e shtetit të Kosovës nga UÇK dhe udhëheqësit e saj. Akti i rebelimit të tyre ndaj pushtetit nacionalist e shovinist serb nuk duhet pare si një prishje e sistemit të së drejtës ndërkombëtare as si kundërshtim i një sistemi gjasme legjitim mbi një krahinë autonome të shtetit të Serbisë. Ai qëndron në fakt si një reflektim i thelbit të konceptit të Evropës si vend ku triumfoi Rilindja Evropiane dhe Humanizmi. Humanistët e Rilindjes besonin se edukimi duhet të përgatisë një njeri për të pasur një ekzistencë dhe mësim të denjë jo vetëm për të shfaqur realitetin, por edhe për të nxitur individët drejt njohjes dhe aplikimit të saj. Ata besonin se një njeri mund të formohej nëpërmjet “artit të elokuencës” dhe se njeriu duhej të ishte në qendër të gjithësisë. Këtë formim intelektual të marrë në katedrat e Evropës, djemtë e rinj të U.Ç.K-së e transformuan në një filozofi udhëheqëse të luftës së vet për liri. Lufta çlirimtare, e udhëhequr nga UÇK-ja, në thelbin e saj programor, kishte shpëtimin e qenies etnike shqiptare nga shfarosja, mbrojtjen e ndaljen e krimeve ndaj shqiptarëve dhe jo ushtrimin e tyre ndaj të tjerëve. Përdorimi i armëve ishte mjeti i fundit i imponuar nga rrethanat, pasi UÇK-ja, në çdo kohë, ka qenë e gatshme për të përqafuar zgjidhjet diplomatike e paqësore, çka e dëshmojnë faktet e mirënjohura historike: firmosja e Marrëveshjes së Rambujesë nga ana e përfaqësuesve të saj për zgjidhjen paqësore të krizës, e ofruar nga faktori ndërkombëtar; çarmatosja e menjëhershme e pa rezistencë e UÇK-së me hyrjen e forcave të NATO-së e atyre paqeruajtëse si dhe pranimi, ushtrimi e respektimi i zgjedhjeve të lira e demokratike, nga tërë forcat politike, në Kosovën e çliruar.

Pa dyshim që Hashim Thaçi ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim por në të njëjtën kohë ai e komandatët e tjerë të UÇK-së u shndrruan gardianët e lirisë së shqiptarëve duke e ruajtuar luftën për liri të shqiptarëve të Kosovës nga inflitrimet e lëvizjeve islamike, bashkangjitjes me idetë e mykura marksiste-leniste apo dhe akuzave si një produkt i krimit të organizuar. Presidenti Thaçi ka treguar intuitën politike të një burri shteti kur kërkoi garancitë shtesë në Rambuje për të firmosur marrëveshjen që do i hapte rrugën formimit të shtetit të Kosovës, organizimin e Partisë Demokratike të Kosovës në paqe, negociatat për pavarësi me Ahtisarin dhe fillimin e dialogut Serbi-Kosovë.

“Studimi i së shkuarës për të kuptuar më së miri të tashmen ishte i nevojshëm, por të bësh historinë iu duk më e dobishme për kauzën e lirisë” thotë Jacques Baudouin, këshilltari i ish Ministrit të Punëve të Jashtme të Francës, Bernard Kouchner kur përshkruan në librin e vet “Lindja e një demokracie: Hashim Thaçi dhe rruga drejt Kosovës së pavarur (1987-2008)”, maturinë politike e shndrrimin politik nga studenti i historisë Thaçi, në burrin e shtetit që themeloi shtetin e Kosovës. Kjo histori e djemve të U.Ç.K-së është trashëgimia historike mbi të cilën është ndërtuar shteti i Republikës së Kosovës.

Sot Republika e Kosovës ka një trashëgimi shumë të mirë historike të përpjekjeve të veta për liri, një trashëgimi shumë të mirë kushtetuese të njohur edhe nga komuniteti ndërkombëtar me vendimin e Gjykatës së Hagës që legjitimoi të drejtën e Kosovës për tu shpallur vend i pavarur si dhe një trashëgimi kulturore të mbështetur në rrënjët evropiane të kulturës shqipare. Mbështetjen ndaj luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, të së drejtës së tij për liri e pavarësi e shpreh dhe fakti i njohjes së pavarësisë së Kosovës prej 112 shtetesh, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumicën dërrmuese të vendeve anëtare te Bashkimit Evropian, si dhe anëtarësimi i saj në shumë institucione ndërkombëtare. Legjitimiteti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës është pranuar dhe vlerësuar si i tillë dhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë që është segment i OKB-së.

Sigurisht që vështirësitë që hasen në shtrirjen dhe vendosjen e shtetit ligjor në pjesën veriore të Kosovës janë sfida që meritojnë vëmendje të veçantë për të përzgjedhur opsionet më të mira të mundshme . Por ashtu si në Rambuje ku udhëheqësit politik të UÇK-së i duhej të rrezikonte duke veshur mantelin e politikanit, dhe braktisur formatin e nacionalistit romantik edhe në ditët e sotme Kosova dhe populli shqiptar ka nevojë për vizionin e një politikani me eksperiencë më se 24 vjeçare po aq sa është dhe jetëgjatësia e fillimit të shtetndërtimit të Kosovës. Sot ajo që po përjetohet në Kosovë i përngjet një ëndrre dikur të konsideruar si të paarritshme por ja që brezat e rinj të lindur në Kosovë po e përjetojnë çdo ditë.

Mirëpo ashtu si dihet zakonisht se ëndrra dhe realizimi i saj zgjat shumë shkurt dhe pastaj vjen realiteti, edhe shqiptarët shumë shpejt pasi kanë shijuar ëndrrën e tyre për themelimin e shtetit të Kosovës u është dashur të përballohen me realitetin, i cili shpesh herë nuk ka qenë lajle lule por edhe i zymtë dhe i trishtë. Pas një periudhe 14 vjeçare shteti i Kosovës edhe pse ka kaluar përmes shumë vështirësive për të themeluar dhe përsosur institucionet e tij, i nevojitet ende ndihma bujare të komunitetit ndërkombëtar për të kuptuar realitetet përmes vendimit për liberalizimin e vizave dhe dhënies jetë të ëndrrës europiane të Kosovës. Republika e Kosovës në këto vite ka arritur të përforcojë identitetin e vet shtet formues dhe të promovojë maturi në politikat e jashtme në rajon.

Në këtë 14 vjetor të lindjes së demokracisë liberale më të re në Europë sigurisht që një ndjenjë faleminderimi e madhe i drejtohet komunitetit ndërkombëtar me në krye SH.B.A që bënë të mundur çlirimin e saj nga okupatorët serbë, ndaj në horizont nuk mund të ketë asnjëherë asnjë irritimi apo acarimi mes Kosovës dhe aleatit të vet strategjik, sepse shqiptarët në fundin e shekullit të kaluar u bënë dëshmitarë jo vetëm të shprehjes që “liria fitohet”, por se ajo edhe mund të “dhurohet”. Një qind e dyzete një vjet më parë, Fuqitë e Mëdha filluan ta riformatojnë hartën e Ballkanit nëpërmjet bombardimit të qytetit të Ulqinit për të zbatuar një nga vendimet e mbrapshta të Kongresit të Berlinit, që ishte dorëzimi i qytetit me popullsi shqiptare mbretërisë së Malit të Zi. Ishin po këto pasardhëse të këtyre Fuqive të Mëdha, që njëqind e nëntëmbëdhjetë vjet më vonë bombarduan Beogradin për t’u sjellë lirinë e mohuar atyre që aq lehtë u kishin sakrifikuar fatin historik në Konferencën e Londrës. Suksesi më i madh i postnacionalizmit shqiptar është pavarësia e Kosovës, statusi i shqiptareve në Maqedoni e në Mal te Zi. Të përpiqesh që të vendosësh zhvillimet e ketij postnacionalizmi nën një qendër sipas modelit Cavur-ian është e pamundur dhe jo realiste. Shekulli i XXI nuk është shekulli i XIX, shekulli i nacionalizmave dhe shoqëritë shqiptare në rajon kanë pasur paradigma të ndryshme zhvillimi nga njëra-tjetra. Qasja moderne që duhet të mbizotërojë në zgjidhjen gjithëpërfshirëse të çështjes shqiptare në Ballkan është përbashkimi i të gjithë rrymave të mendimit shqiptar në një patriotizëm kushtetues shqiptar drejt një qeverisje më të mirë dhe mirëqenie ekonomike me standarte të larta. Kjo ecuri e proceseve demokratike është ndërprerë nga një atentat ligjor ndaj ëndrrës shekullore të popullit shqiptar të Kosovë.

Për fat të keq sot disa nga ish udhëheqësit e UÇK-së që ndërtuan dhe shtetin modern të Kosovës iu është hequr liria dhe po hetohen në dhomat speciale të Gjykatës së Hagës. Pa dashur të paragjykojmë hetimet nëse ato do ndërmerren sërish nuk mund të rrimë këtu pa nënvizuar se ngjarja ngjan në fakt si një film horror. Një film, një skenar që i përmban të gjitha klishetë e mundshme të historive të shekullit XIX, ku shqiptarët paraqiteshin si “barbarë” dhe të “pacivilizuar” që vrisnin, prisnin dhe rrëmbenin mbi popullsitë e tjera “paqedashëse” të Ballkanit. Aktakuza kryesore ndaj udhëheqësve të U.Ç.K-së është mbështetur mbi raportin e politikanit Zvicerian Dick Marty-it të vitit 2010 të titulluar ‘Inhuman Treatment of People and Illicit Trafficking in Human Organs in Kosovo’. Dhomat e Specializuara janë një precedent historik; ato janë imponuar me vendim politik të Këshillit të Evropës, bazuar mbi një aktakuzë publike, gjithashtu politike. Si të tilla, gjithkush ka të drejtën të shprehë vlerësimet e mospajtimet për gjithçka që lidhet me reflektimin e këtyre akuzave dhe qëllimeve politike gjatë ngritjes së Dhomave të Specializuara dhe në veprimtarinë e mëtejshme të saj, pasi kjo vë në dyshim e komprometon paanësinë e besimin për një gjykim te drejtë e të pandikuar.

Raporti famëkeq i Dick Martit i konsideruar tashmë një raport i pabazuar në fakte dhe paragjykues shqiptarëve ndaj , zgjon nga gjumi Drakulën e famshëm dhe ua vesh shqiptarëve, të cilët në ditën me diell dhe nga aeroporti i vetëm zyrtar i shtetit të tyre bëjnë trafik organesh! Por s’mbetet me kaq, për trafikun dinë shërbimet e fshehta shqiptare dhe organizatori kryesor i tyre është Kryeministri i një vendi sovran. Deklaratat e tij lënë pa gojë opinionin botëror dhe aty ku asnjë nuk mund të flasë pasi janë shumë të shokuar nga amatorizmi i paraqitjes së hamendësimeve si fakte, bash vjen një zë nga Moska i ministrit të Jashtëm rus, Lavrov, që e “dinte prej kohësh se UÇK ishte e përfshirë në këto veprimtari kriminale”. Nga ana tjetër e oqeanit, një zonjë që ka shkuar për pushime diplomatike në Argjentinë, pasi ka dështuar plotësisht me kapjen dhe dënimin e kriminelëve të luftës në ish-Jugosllavi përsërit sërish fantazitë e saj të përshkruara në librin që s’mundi dot të bëhej bestseller edhe pse zonja loboi shumë që t’ia arrinte këtij qëllimi. Gjatë gjithë kësaj periudhe, asnjë gjykatë, përfshirë dhe Gjykatën e Hagës për ish-Jugosllavinë, që ishte gjykata më e specializuar e më e lartë ndërkombëtare për krime lufte, ashtu dhe as ato lokale, nuk kanë vërtetuar kryerjen e krimeve të luftës e kundër njerëzimit, në mënyrë sistematike a masive nga ana e UÇK-së si formacion a nga drejtues e segmente drejtuese të saj. Në mbyllje të veprimtarisë së Gjykatës së Hagës, UÇK-ja, si formacion, dhe zinxhiri drejtues i saj kanë dal, ashtu siç janë vlerësuar e mbështetur nga institucionet e opinioni i shëndoshë ndërkombëtar gjatë gjithë periudhës së luftës në Kosovë, si një forcë çlirimtare që drejtoi luftën dhe rezistencën popullore për liri e pavarësi me përkrahjen e NATO-s dhe shteteve e institucioneve demokratike.

Këtij skenari filmi në fakt i mungon vetëm epilogu, i cili nuk shkruhet, por lihet të nënkuptohet që Kosova ndoshta do të ishte më mirë që të administrohej sërish nga Serbia, pasi ky shtet është shtet zotëri, të vret si vrau në Bosnjë dhe Kosovë, por të paktën është i qytetëruar, nuk i tejkalon normat ndërkombëtare të luftës dhe nuk bën trafik organesh me kufomat e vrara. Kurse këta shqiptarët duket që s’e meritojnë lirinë, janë barbarë, pasi mu në mes të fitimit të saj e kanë mendjen të bëjnë para me trafiqe organesh. Për besë edhe filozofi francez Montenji që përshkruan veset e kanibalëve në esenë e njohur të tij për ta, do ta kishte zili stilin përshkrues të Del Pontes, solemnitetin e deklarimeve të Dick Marty-t dhe njohurinë e gjerë rreth çështjeve ballkanike të Lavrovit.Skenat e përshkruara më lart, po të mos diheshin ngjarjet mund t’u vije çfarëdolloj viti poshtë si vit kur zhvillohen ngjarjet pasi, kjo histori ngjan si dy pika uji me shumë histori të stisura rreth shqiptarëve, të paktën këtu e 150 vjet që kur çështja e formimit të shtetit shqiptar ka dalë në skenë. Ajo që me të vërtetë mbetet shqetësuese në gjithë këtë histori është pohimi që shumë mballoma të kësaj historie Marty për të thurur pëlhurën e vjetër të paragjykimeve antishqiptare i ka huazuar nga akuza të politikës shqiptare në Kosovë mes palëve. Papërgjegjshmëria e deklarimeve, thjesht dhe për kapital politik të çastit është një sëmundje kronike e gjithë politikës shqiptare që sa vjen nga papjekuria e atyre që merren me politikë po aq ka brenda saj dhe trillin krijues ballkanik popullor shqiptar. Duke vazhduar të sillet në mënyrë folklorike klasa politike shqiptare për shumë kohë akoma do të vazhdojë të jetë viktimë e papërgjegjshmërisë së vet, e paaftë të ndërtojë vektorë besueshmërie për atë çka kërkon dhe deklaron.

Në histori mitin nga ngjarjet e vërteta e ndan besueshmëria e këtyre të fundit e bazuar në dokumente të burimeve parësore. Ka ardhur koha që dhe klasa politike shqiptare në rajon të ndjekë rastin e shkrimit të historisë dhe që të bëhet e besueshme për ato çka deklaron duhet të sjellë para opinionit platformat, idetë dhe zhvillimet ekonomike ekonomike të vendit dhe jo broçkullat dhe pallavrat e thashethemnajave provinciale dhe ambicie politike brenda llojit të vet. Në fakt, në reagimin e përbashkët që ajo pati këndej andej kufirit ndaj raportit të Marty-t, pjesa më thelbësore dhe sfida e saj ndaj të ardhmes nuk mbetet bashkimi i saj para kësaj dukurie, pasi kjo gjë është vërejtur dhe më parë, por gjetja e “burimeve parësore” të veta, pra ndërtimi i kodit të ri etik dhe një morali të ri politik në marrëdhëniet e saj brenda vetes dhe për të gëzuar pjekurinë dhe lirinë politike. Të gjitha këto nuk përputhen me të vërtetat historike, të tashme e të asaj kohe. UÇK-ja, si forca kryesore e luftës dhe rezistencës së popullit shqiptar të Kosovës, është vlerësuar e do të vlerësohet si një reagim legjitim i një populli për të mbijetuar ndaj spastrimit etnik shekullor dhe masakrave e shpërnguljes biblike, të kryer tashmë në shekullin e 20; një forcë që me përkrahjen e NATO-së dhe forcave demokratike çoi në çlirimin e pavarësimin e Kosovës dhe vendosjen e një rendi demokratik, të bazuar mbi bashkëjetesën ndëretnike.Vlerësimi do të jetë i tillë, pasi përcaktimin e karakterin e ngjarjeve të mëdha historike nuk e bëjnë gjykatat, por vetë historia dhe e vërteta, të mbartura e të bazuara në dëshmitë dhe kujtesën publike e institucionale.

Për ta merituar këtë liri politike Kosovës i duhet të afrohet sa më pranë vlerave të aleatëve të saj strategjikë, ndaj përforcimi i demokracisë dhe rritja ekonomike do të ishin dy shtylla të mira prej nga do të ngrinte shumë më lehtë ngrehinën e triumfit te demokracisë liberale në Kosovë. Ndryshimi i vizionit dhe fillimi i një politike moderne ndaj të drejtave të shqiptarëve në rajon, duke lënë pas retorikat boshe nacionaliste dhe duke ridimensionuar të gjitha potencialet e bashkëpunimit ndër shqiptarë ka hapur rrugën për një afrim gjithnjë e më të madh mes dy shteteve shqiptare. Ndjekja e modelit europian, ku pikësëpari synohet një ekonomi e fortë e përbashkët ku njëra të plotësojë tjetrën dhe anasjelltas, hedh themelet për një premisë shpresëdhënse për krijimin e një zone albanosfere në ekonomi që do të bëjë të mundur që faktori shqiptar të mos jetë i përçarë nën ombredhën e sferave të tjera ekonomike, por edhe të ketë mundësinë që të shpalos dimensionet e tij në të gjitha fushat e tjera, si arsim, kulturë , energjitikë, bujqësi etj.

Ky proces , është krejtësisht i natyrshëm dhe nuk ka se paragjykohet për sa kohë është një projekt europian dhe vjen si premisë e një bashkëpunimi rajonal. Ndjeshmëritë e Shqipërisë si shtet përkundrejt bashkëkombasve të vet për të realizuar lëvizjen e lirë të shtetasve të Republikës së Kosovës në Europë, mbrojtjen e identitetit kombëtar e kulturor shqiptar në Mal të Zi apo zbatimin e marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni, duhen parë si lëvizje emancipuese brenda një kuadri europian, ashtu si kanë qenë të kuptueshme dhe vazhdojnë të jenë, interesimet e Greqisë për Qipron, apo të Hungarisë për të drejtat e hungarezve në Rumani e gjithandej ku harta politike e shteve europianë nuk korrospondon me atë të kombeve. Patriotizmi shqiptar i elitës andej dhe këndej kufijve nuk ka pse matet vetëm me mirëqeverisje, luftë kundër korrupsionit dhe administrim territori por edhe me bashkëpunim të mirëfilltë ekonomik që eliminon praktikat korruptive për tregtinë midis dy vendeve, kulturë të përbashkët pa kufij që rrëzon muret e vjetra të ndërtuar mes vedi, administrim të përbashkët të baseneve ujore të Drinit dhe bashkëpunim të përbashkët në energji për të shmangur krizat ekonomike që i qendrojnë si shpatë e Domekleut mbi kokë demokracisë. Shqiptarët janë të ndërgjegjshëm që për ta shekulli i XXI, shekulli ku liria dhe të drejtat e njeriut janë kthyer tashmë në një vlerë universale dhe standarte të vlerësimit të demokracisë, është shekulli i shumëpritur për të shijuar lirinë e mohuar të shekullit të XX të mbisunduar nga nacionalizmi etnik, ideologjitë ekstreme dhe Lufta e Ftohtë. Për këtë arsye ata duhet të kontribuojnë po aq sa dhe të tjerët për ndërtimin e një paqeje afatgjatë në Ballkan, duke e parë të shkuarën si një reflektim historik për të nxjerrë mësime dhe jo si një instrument të pavlerë që i nështrohet vetëm stendës së muzeve. Përpjekjet për të arritur një stabilitet të Kosovës dhe mirëqenie qytetarëve të saj nuk duhet të monopolizohen nga askush, por të jenë përpjekje gjithëpërfshirëse që do të bëjnë të mundur arritjen e qëllimit final të disa brezash e gjeneratash andej dhe këndej kufirit. Në këtë kuptim “Vetëvendosja”dikur opozitë dhe tani qeveri duhet ta kuptojë se qeveria ligjore si biseduese e drejtë për së drejtë me partnerët ndërkombëtarë i duhet të respektojë një axhendë bisedimesh me komunititetin ndërkombëtar që i ka dhënë asaj legjitimitet dhe pastaj të kërkojë disa të drejta më shumë në kuadër të përmirësimit të statusit ndërkombëtar të Kosovës, ashtu si opozita duhet ta kuptojë se është ndierë dhe do ndihet shumë më komfort në këto bisedime ku një element rezistence jep mesazhe se jo çdo gjë mund të jetë e pranueshme nga populli shqiptar i Kosovës. Harmonizimi i këtyre dy energjive pozitive do të ishte një hap i domosdoshëm dhe shumë i rëndësishëm që politika në Kosovë duhet ta bëjë mesazhin kryesor të vetin.

Burimet:

1- ATSH: 23-vjetori i UÇK-së/ Deklaratë e përbashkët e institucione shkencore e kulturore të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut gjendet në https://ata.gov.al/…/23-vjetori-i-uck-se-deklarate-e…/.

2- Adam Tanner; Stevenson, Reed (22 korrik 2010). “Kosovo independence declaration deemed legal”.

3- Dorian Koçi. Misioni fisnik i lëvizjes “Vetëvendosje”.Gazeta Shqip. 13 dhjetor 2010.

4- Dorian Koçi. Raporti i Dick Marty-t dhe politika shqiptare. Gazeta “Shqip”, 24 dhjetor 2010.

5- Dorian Koçi. Marrëdheniet serbo-shqiptare dhe shqetësimi europian. Gazeta Shqip, 13 prill 2015.

6- E. T. (Hyskaj). Sfidat e nacionalizmit.Rasti i Ballkanit. Tiranë: “Progres”,Tiranë, 2008.

7- Francis Fukuyama The End of History and the Last Man. Penguin Adult, 1992.

8- Howard Clark, Civil Resistance in Kosovo, Pluto Press, 2000.

9- Ilir Kalemaj, Tranzicioni i vështirë i Shqipërisë: saga e një historie ende të papërfunduar. Nga komunizmi drejt demokracisë tranzicioni shqiptar/ from Communism to Democracy Albanian Transition, Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë 2017.

10- Jacques Baudouin. “Lindja e një demokracie: Hashim Thaçi dhe rruga drejt Kosovës së pavarur (1987-2008)., Buzuku, Prishtinë, 2018.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok