22/12/2024
Prend-Buzhala

(Dekalog i leximit letrar: poezia “AI KTHEN” e Ernest KOLIQIT që i kushtohet Skënderbeut)

Nga Prend BUZHALA

E shkruar në mërgim, poezia e Ernest Koliqit “Ai kthen” i kushtohet personalitetit historik të Skënderbeut, kthimit të tij të madh nëpër kohë e histori. Secila kohë jona, etnike e nacionale, e ka Skënderbeun e vet, e ka semiotikën e vet të kthimit. Na duket sikur po e lexojmë semiotikën e kthimit të Odiseut… porse, kësaj radhe edhe te kjo poezi, kthimi i Skënderbeut ka krejtësisht shenja të tjera…. është arketipi shqiptar  kthimit të heroit. Vetë Koliqi i kishte mbushur njëzet vjet që e kishte braktisur dhunshëm atdheun. Identifikimi me këtë kthim  është shpresëdhënës: në 500-vjetorin e kujtimit të shkuarjes në amshim të Skënderbeut, është rasti për ta ringjallur Kultin e Kthimit. “Ai kthen”: “Ai” nuk është thjeshtë një përemër; është përemër nderimi që e veçon si protagonist epokash, ndërsa folja “kthen” po ashtu ka kuptime të ndryshme në strukturën e kësaj poezie. “Kthen” i referohet kthimit të figurës së Skënderbeut në kujtesën dhe vlerat kombëtare të shqiptarëve. Ai kthen vlerat e lavdisë dhe guximit, e kthen krenarinë dhe frymën e pavarësisë kombëtare. Nuk thotë: Kthimi i Skënderbeut (sepse përdorimi me emër e varfëron semantikisht lirikën, e pasivizon historinë), por e përdor me anë të foljes si vizion poetik: kthen (lëviz, ecën, shtegton, takohet me ne, kthehet në atdhe, takohet me të vetët, s’ka më kthim pas, ecën drejt atdheut…lavdisë së përjetshme). Më tutje, folja “kthen” në këtë rast përshkruan një proces të rikthimit të vlerave, të frymës dhe identitetit kombëtar nga Skënderbeu, figurë, e cila në këtë poezi përfaqëson shembullin më të lartë të guximit, lavdisë dhe pavarësisë. Ky rikthim i vlerave dhe frymës së Skënderbeut shërben si një frymëzim për të ndezur një lindje të re për kombin shqiptar, duke i shtyrë ata të mbrojnë dhe të promovojnë vlerat historike dhe kulturore të tyre. Arketipi i kthimit është një koncept i rëndësishëm në analizën e mitologjisë dhe psikologjisë së thellë, i cili është i lidhur me rrugën e heroit, me  ose udhëtimin e tij si nëpër mitet dhe legjendat e ndryshme. Kthimi përfaqëson fazën e fundit të rrugës së një heroi, ku ai kthehet në vendin e tij me njohuri të reja, me forcë të re, me një dhuratë për ta përdorur për mirën e të tjerëve. Kthimi ndonjëherë është i shoqëruar me një konfrontim kundruall vështirësi të reja, që simbolizojnë një ballafaqim tjetër ose një rritje personale të shtuar. Në psikologjinë analitike të Carl Jung-ut, kthimi përfaqëson një lloj ringjalljeje ose transformimi personal pas një periudhe të përvojës së thellë dhe një zbulimi të identitetit të vërtetë. Kjo faze e kthimit shënon një rivendosje e rilindje të heroit, një rritje të ndërgjegjes kolektive dhe një përsosje të marrëdhënieve të tij me botën. Koncepti i kthimit të heroit përfaqëson një fazë kritike të kombit a etnisë, një rizgjim të fuqive të brendshme, pas një varg sfidash; heroi kthehet me forcë të re, em vizione të reja. Poezia dëfton ndjesitë dhe krenarinë për heroizmin dhe vlerat kombëtare të Skënderbeut. Paraqitet, gjithashtu ndjenja e humbjes, por edhe një shpresë e rindërtuar për një të ardhme më të mirë. Koliqi shpalos pasionin e thellë për kulturën dhe historinë shqiptare, dhe i jep zjarr frymëzimit kombëtar për lexuesin e tij. Çdo varg është mbushur me emocione  dhe krenari për identitetin kombëtar.

2.

Shi lotsh e breshen kobesh

mjerojshin gjinden t’onë,

gjuejtun prej fatit me rrufé të kuqe.

Janë vargje që japin pamjen e një kobi “me rrufé të kuqe” (asocacion i regjimeve totalitare). Përshkruhet një atmosferë e mbyllur. “Mjerojshin gjinden t’onë” – është një pamje e trishtueshme, e cila përshkruan ndjenjat e njerëzve të varfër ose të përulur nën fuqinë e natyrës së egër, në këtë rast, shiun dhe erën e ftohtë; më tutje: janë simbole që orkestrojnë atë shënim të 500-vjetorit, me fatet e njëjta, si të Skënderbeut dikur: “gjuejtun prej fatit me rrufé të kuqe”. Fat i rëndë i largimit të dhunshëm, dikur me haraç otomanësh, tani me haraçin e totalitarizmit modern. Ngjyra e rrufesë së kuqe ka mbuluar fatin e tyre, është simbol i fatkeqësive apo i vuajtjeve që ata përjetojnë, të cilat janë të dukshme dhe të pashmangshme, duke u bërë një pjesë e pandarë e fatit të tyre. Atmosfera përcillet me shi të dendur. Folësi lirik ligjëron nga një kënd i vetmisë tragjike e historike ose të një kohe tjetër, krejt njësoj.

Nën diell,

qi, pa i përfill,

n’daç vuejtje ndrit’ n’daç gzime,

mbi shpirtën shtrihej nata,

natë e vajshme shnjerzimi plot gjimine

pa jehonë –

n’kët tokën t’onë..

Tashmë moti ndryshon, por ende rëndon: me diellin, natën e vajshme… Është një pamje e përbashkët ndër njerëz, të cilët përjetojnë ndjesi të ndryshme nën diell. Folësi lirik ndërron këndin e vëzhgimit: futet në këtë atmosferë diellore…  “Nën diell” simbolizon një periudhë të qartë dhe të ndriçuar, ku njerëzit përjetojnë emocione të ndryshme… por e vazhdon me frazën “Qi, pa i përfill” për ta dhënë një gjendje tjetër, ku dielli vazhdon të ngrohë dhe të ndriçojë, pa marrë parasysh ose pa u ndalur se cili qenka fati i njerëzve fatkeq që i përjetojnë këto ndjesi. “N’daç vuejtje ndrit’ n’daç gzime”: pra, një përzierje të ndjenjave të dhimbjes dhe gëzimit nën diell, duke treguar një shtrirje të gamës së gjerë të emocioneve që njerëzit përjetojnë në këtë periudhë.

3.

Mbi shpirtën shtrihej nata,

natë e vajshme shnjerzimi plot gjimine

pa jehonë

Është një gjendje tjetër që e kontraston fuqishëm diellin, duke e përshkruar një natë të errët dhe të ftohtë, ku emocionet dhe ndjenjat e brendshme ndihen me intensitet të lartë, pa u përcjellë ose reflektuar në mënyrë të dukshme. Natë mizore, natë shnjerëzimi. Natë që vepron pa mëshirë dhe e pashpirt, që kënaqet kur të tjerët vuajnë. Nata e pashpirt, e vajshme, shnjeerëzuese, paraqitet në poezi si një simbol i errësirës, vetmisë, reflektimit, dhe, ndonjëherë edhe si një hapësirë për të shfaqur ëndrrat dhe fantazitë. Përfaqëson çaste të mërzisë, të humbjes dhe të shqetësimeve të brendshme. Ajo është një kohë kur mendjet janë të qeta dhe mendimet zbulojnë thellësi të fshehur. Poezitë që përshkruajnë natën e pashpirt shpesh përdorin imazhe të errësirës, yjeve, një atmosferë melankolie dhe refleksioni. Si nata pesëqind vjeçe e një vargu poetik kadarean. Nga ana tjetër, në poezi përgjithësisht, nata me atribute të tilla të errëta të dhimbjes, përfaqëson edhe anën e brendshme. Për disa poetë, kjo është një kohë kur mendjet janë të lira për të shprehur ndjenjat dhe emocionet pa kufizime.

Ky përshkrim i natës si një entitet që vepron pa mëshirë dhe shnjerëzishëm, a nuk është në kontrast me atmosferën diellore të kremteve të përkujtimit të Skënderbeut në Atdhe?!

A nuk qenka një natë feste që gëzohet nga vuajtja e të tjerëve, që përfaqëson një imazh të errët dhe të mjerueshëm?!

Është imazhi që shërben si metaforë për forcat negative dhe destruktive në botë, dhe si simbol i një realiteti të vështirë e të ndjeshëm. Fuqitë e errëta janë aktive dhe përhapin mjerimin e vuajtjen.

Një natë e tillë që kremton, kur të tjerët vuajnë, shpreh një tip sadizmi ose mungese të  empatisë për të tjerët. Ky varg paraqet një aspekt të errët të natyrës njerëzore… që gëzohen nga vuajtja e të tjerëve për përfitim vetjak ose për të ndierë një pushtet mbi ta. Gjithçka është e shurdhët, “pa jehonë”. “N’kët tokën t’onë..” sintetizohet me një referim të qartë për këtë mjedis, duke e bërë të qartë se përvoja është në kontekstin e tokës së tyre të natyrshme apo vendbanimit.

4.

Vrugue ai balli i burrave,

cenue nderi i burrneshave,

njomet e dheut sý-ndrituna

me qumsht’ fisnik e hire t’pastra rritë

kah harêmi i Sulltanave –

flîje nepsesh ushtrue me dhunë e tmerë. –

ngreheshin zharg.

Djelmt, pika e Arbrit, pêng ndër Jeniçerë.

E Ai ishte larg.

Tashmë poeti i rikthehet historisë. Poezia dhe historia janë dy fusha që ndikojnë dhe ndërveprojnë reciprokisht në njëra-tjetrën nëpërmjet kohës. Kombinimi i tyre ofron një perspektivë të pasur dhe të thellë mbi ngjarjet dhe përvojat njerëzore nëpër shekuj. Krijimi poetik  përdoret për të shprehur ngjarje historike në një mënyrë artistike, refleksive dhe emocionuese; jep një reflektim të  kohës dhe kulturës, reflekton ngjarjet dhe ideologjitë e një epoke të caktuar, duke na dhënë një kuptim më të thellë të kontekstit historik në të cilin është krijuar. Kjo poezi ka rolin e saj të rëndësishëm në mbajtjen e kujtimeve historike dhe identitetit kombëtar; sjell një perspektivë të re ose të përthelluar në kuptimin e një ngjarjeje historike… i jep një aspekt të ri historisë.

Kjo njësi strofike e kësaj poezie, paraqet një tjetër pamje, duke përqendruar vëmendjen te një ngjarje të rëndësishme. “Vrugue ai balli i burrave, cenue nderi i burrneshave” – si shenjë e zemërimit të pafund, një zemërim epik. Aty janë imazhet e egërsisë së pushtuesit dhe shtypjes së popullit vendas, ndërsa në anën tjetër shfaqet qëndresa epike e tyre për të mbrojtur dhe për ta ruajtur identitetin e tyre kombëtar. vetëm mund ta përfytyrojmë shkatërrimin e qyteteve dhe fshatrave, grabitjet dhe dhunën që popullsia përjetoi nga pushtuesit. Aty është qëndresa epike e liridashësve: ata përfaqësohen si luftëtarë të guximshëm dhe të vendosur që nuk dorëzohen para armikut. Ky gërshetim i shprehjes poetike me ngjarjet historike, ndihmon në mbajtjen e kujtimeve të periudhës së pushtimeve dhe në promovimin e vlerave të mbrojtjes së identitetit kombëtar dhe lirisë. Nëpërmjet poezisë, shpirti dhe vlerat e popullit transmetohen thellësisht dhe emocionalisht për të përcjellë mesazhe të rëndësishme për brezat e ardhshëm. Vetëm mund të përfytyrohet se ç’pamje na ofrojnë a vargjet “”Kah harêmi i Sulltanave -/ flîje nepsesh ushtrue me dhunë e tmerë /- ngreheshin zharg”.

Mbrojtja e nderit është një temë e rëndësishme sa etnike aq edhe universale. Nderi paraqitet si një nga vlerat më të rëndësishme morale dhe etnike, kurse mbrojtja e tij është konsideruar si një detyrë dhe përgjegjësi. Së këndejmi, janë të natyrshme vargjet e zemërimit, me emocione të forta… Tashmë atmosfera është e tensionuar: “Djelmt, pika e Arbrit, pêng ndër Jeniçerë”, një tjetër poshtërim që bënte armiku.

Perandoria otomane, dikur, nëpërmes jeniçerëve (fëmijëve të rrëmbyer nga gjiri familjar, kryesisht i familjeve të krishtera), synonte që FËMIJA TA HARROJË PRINDIN E VET, besimin e vet fetar, kombin e vet dhe gjuhën e vet. Tragjedi e shumëfishtë!

Fëmijët e rrëmbyer dhunshëm, edukoheshin në thertoret otomane, bëheshin ushtarakë e mandej i quanin jeniçerë, mbasi ua kanë ndërruar Shpirtin e Arbrit dhe mandej pajisen me Urrejtjen si masë të Jetës. E mandej, me tërbim, ky JENIÇER i shkombëtarizuar, të shkonte në luftëra pushtuese, së pari të shkonte e ta vriste familjen e vet, ta shkrumbonte, dhunonte e përgjakte Atdheun e vet…

Jeniçerët ishin ushtarët më të fortë, më trimat, më të egjër se vetë otomanët. Arritën të bëhen deri edhe pashallarë, vezirë etj. I kishin shtënë në dorë forcën ekonomike, ushtarake, politike e kulturore. Të tjerët ishin skllevër. Fituan statusin e Diskriminatorit të Privilegjuar ndaj Të tjerëve me Shpirt Tjetër, arbëror a evropian, s’ka rëndësi: një mendësi tipike e zemaneve otomane.

Dhe ata shtegtuan nëpër shekuj…

Jeniçer dhe i rrëmbyer ishte edhe Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, por ai kishte MOSPAJTIM SHPIRTËROR, prandaj KTHIMI I TIJ në Atdhe e në vlerat e përparshme, mbeti IDEAL I PËRGJITHMONSHËM. Kthimi nuk ishte thjesht fetar: mohim i ideologjisë së  pushtuesit, por ishte kthim te Dashuria ndaj të vetëve, te atdhedashuria.

Naim Frashëri për këtë kthim proverbial, këndon me nota psiko-lirike:

Më nuk duron dot as mallë,

që kam për mëmë e për atë,

dhe s’di a janë të gjallë,

i kam ndërmend dit’ e natë.

Aqë kam një mallë të shumë

për Shqipëritë natë e ditë,

sa s’kam as prehje as gjumë,

më gjeti si qilimitë.

Në filmin për Skënderbeun, amaneti i prindit është tronditës: “Shiko, bir! Kjo është toka e atdheut tënd!”

“E Ai ishte larg”, thotë te vargu i tij Koliqi.

5.

Paleh! Ke brezi i qiellit

nji shêj i bardh’ po lvitë

sipër shkambijve eprorë,

e bashk’ me rreze t’Dritës

ndër àvuj mengjesorë

mbi vrâç kik-valavitës,

në prak ku lén Agimi

pallën e çveshun n’dorë,

shfaqet i rrebt’ Kryetrimi

me t’rrebt’ treqind Kalorë.

N’ majen e pall’s shkëndija

qet porsi diell Lirija.

Kjo pjesë e poezisë përshkruan një pamje të bukur dhe të frymëzuar nga natyra, duke paraqitur një peizazh të lavdishëm dhe të qetë. “Paleh! Ke brezi i qiellit nji shêj i bardh’ po lvitë” jep një pamje të mahnitshme të qiellit, ku një shenjë e bardhë po lëviz lart në qiell, duke krijuar një pamje mistike dhe frymëzuese. “Sipër shkambijve eprorë” dëfton një vend të lartë dhe të rëndësishëm, ku shkëmbinjtë janë si kreu i një qyteti ose i një vendi të lavdishëm. “E bashk’ me rreze t’Dritës/ ndër àvuj mengjesorë” spikat një moment të fillimit të ditës, ku rrezet e diellit fillojnë të shfaqen në horizont, duke filluar një ditë të re. Një kthesë e re moti e historie… jete e shprese.

“Në prak ku lén Agimi pallën e çveshun n’dorë”- është një çast i ndjesës së fillimit të ditës, kur dielli dallohet në horizont dhe njerëzit fillojnë të mbajnë dritën e re të ditës.

“Shfaqet i rrebt’ Kryetrimi/ me t’rrebt’ treqind Kalorë” përshkruan një pamje të madhe, epike dhe të lavdishme, duke paraqitur atë çastin e rëndësishëm dhe të lavdishëm të ditës, kur dielli fillon të shfaqet në horizont; të kthimit të Gjergj Kastriotit në atdhe. Ajo nuk është një ditë dosido.

“N’ majen e pall’s shkëndija/ qet porsi diell Lirija” përsëri kemi një tjetër pamje lavdie: asociacion i lirisë që qëndron në forcën e armës liridashëse.

6.

O Gjergj Kastrjot, o Prîs,

qi fatin kundërshtar

me pallë i a ndrron Arbrís,

e almise e armë e luta

këndellë e sjell n’e mbár

e i bân me qitun fryt:

ndër zemra e ndër lahuta

lavdue qoftë emni i Yt.

Kjo pjesë e poezisë është një kërkesë ose një lutje për guximin dhe forcën e Gjergj Kastriotit, i njohur si Skënderbeu, një figurë e shquar në historinë shqiptare për luftën kundër pushtuesve.

“O Gjergj Kastrjot, o Prîs, qi fatin kundërshtar” shpreh një thirrje për Skënderbeun, duke e përshkruar atë si një kundërshtar të fatit, i cili qëndron kundër pushtuesve dhe forcave armike, të cilat kërcënojnë lirinë dhe qenien e një etnie.

“Me pallë ia ndrron Arbrís”: se Skënderbeu ndërton dhe ndryshon fatin e Arbërisë, duke përfaqësuar një shpresë për të ardhmen e vendit. Himnizohet arma e lirisë.

“E almise e armë e luta/ këndellë e sjell n’e mbár” përshkruan se Skënderbeu sjell drejtësinë dhe luftën kundër padrejtësisë dhe pushtuesve, duke shfaqur një shembull të ndritshëm për të gjithë shqiptarët.

“E i bân me qitun fryt:. ndër zemra e ndër lahuta. lavdue qoftë emni i Yt” vargje që ligjërojnë për një ndjenjë lartësimi dhe lavdie për Skënderbeun, duke e konsideruar atë si një hero kombëtar, i cili meriton respekt dhe admirim. Emri i tij lavdërohet në zemrat dhe në lahutat (instrumente muzikore tradicionale shqiptare), duke e bërë të njohur si një ndër figurat më të mëdha dhe frymëzuese për shqiptarët.

7.

Me trok t’vrâçit zêmrak

trondit’ luginat,

kur zbret natën prej bjeshkve

e kalon dromit.

Ai qe pranë Abdyl Frashërit

kur besa u lidh n’Prizrend,

bri Gurakuqit qe, bri Plakut t’ Vlorës,

n’at dit’ nandori

plot me gaz e shend

kur valaviti flàmuri

i lìr në kalthër

dhe krenarisht n’an’t’shiut e n’an’të borës

kumboi e bumbulloi emni Shqipní.

Porositë e Skënderbeut, të cilat u përcollën në përjetësi nga Barleti, janë një shembull i frymëzimit dhe udhëzimit që ai i dha ndjekësve të tij, duke përfshirë princërin e tij, bashkëluftëtarët dhe të gjithë ata që i shërbyen. Në këto porosi, Skënderbeu u fokusua në disa vlera themelore që duhej të mbroheshin dhe të nderoheshin:

Virtyti dhe besimi i vërtetë: Skënderbeu thekson rëndësinë e të qenit i ndershëm, i drejtë dhe i përkushtuar në rrugën e drejtë, duke shprehur kështu një vlerë të lartë morale dhe etike. Dashuria dhe mbrojtja e atdheut: Skënderbeu i kujton të gjithëve rëndësinë e dashurisë dhe përkushtimit ndaj atdheut, duke e bërë atë një detyrë të shenjtë dhe të shenjtë për secilin qytetar.

Në këtë periudhë, rilindësit shqiptarë shtronin një koncept të ri të identitetit kombëtar, duke e promovuar idenë e një kombi të pavarur dhe të vetëdijshëm për trashëgiminë e tij historike dhe kulturale.

Një nga qëllimet kryesore të rilindësve ishte të rivendosnin krenarinë dhe ndjenjën e vlerave të vjetra shqiptare në mesin e popullit. Ata promovuan idenë se kombi shqiptar ka një histori të pasur dhe të lavdishme, duke përfshirë trashëgiminë pellazgjike, si dëshmi e qytetërimit të lashtë shqiptar në Evropë. Kjo pjesë e poezisë përshkruan një moment të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë, ku figura e Skënderbeut, si një simbol i lirisë dhe pavarësisë kombëtare, bën një ndikim të thellë në popullin shqiptar.

KULTI I HEROIT në letërsinë tonë nis me shkrimtarët humanistë arbërorë, Marin Barletin, Marin Beçikemin, Martin Segonin etj. Që të tre këta autorë arbërorë të epokës së Humanizimit e të Renesancës, kanë shkruar vepra për Epokën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut: Marin Barleti në ”Historinë e jetës dhe të veprave të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut” (1508-10 në Romë) dhe “Rrethimi i Shkodrës” (1504), Marin Beçikemi (1408-1531) shkroi ligjëratat me frymë të kronikës, frymë letrare e humaniste për dy rrethimet e Shkodrës, kurse Martin segoni, që ishte nga Noua Bërda e Dardanisë (Kosovës së sotme), është biografi i parë i Skënderbeut. Mbi të gjitha, që nga Barleti e këndej, Skënderbeu është hero nacional i shqiptarëve, ashtu sikundër konsiderohet edhe hero i Evropës dhe i krishterimit. Kjo do të thotë që në kontekste të ndryshme kohore, modeli i heroit bart shenjën e epokës përkatëse

Kujtimin për Skënderbeun e ruajtën edhe arbëreshët e Italisë, nëpërmes këngëve të folklorit dhe veprave letrare e historiografike.

Romantikët Skënderbeun e trajtojnë si simbol kombëtar, si hero të zgjimit kombëtar dhe të ideve të kohës, si personalitet, duke i marrë burimet edhe nga historia a Marin Barleti, edhe nga poezia popullore. Nga ana tjetër, ai konceptohet si hero tragjik romantik, sepse i tillë ishte fati historik i shqiptarëve. De Rada, në poemat “Kangët e Milosaos”, më 1836 dhe “Skënderbegu i pafan”, 1873, zbulon epokën e Skënderbeut, sipas patosit romantik të koneptimit të heroit romantik, Gavril Dara i Riu në poemën “Kënga e Sprasme e Balës”, e cila botohet në 1906; Bernard Bilota (1843-1918) shkruan poemën “Shpata e Skënderbeut…”; Kozma Serembe (1879-1938) shkruan poemën me 20.000 vargje “Kënga e Krujës”. Heroi romantik konceptohet si hero i zgjimit kombëtar dhe i krenarisë për të kaluarën heroike. Ky zgjim tash i përfshin edhe shqiptarët në trojet e tyre etnike. Kështu, Zef Jubani shkruan librin “Histori e Gergj Kastriotit” 1871 (në dorëshkrim); Zef Serembe shkruan poezinë “Vrull”; Naim Frashëri poemën historike “Histori e Skënderbeut” 1898, ku Skënderbeu na shfaqet një hero-mbinjeri, me veçori gjysmëhyjnore apo dhe si simbol i urtësisë dhe pajtimit. Sami Frashëri traktatin “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, 1899, Ndre Mjeda poezinë “Vorri i Skanderbegut”; Filip Shiroka poezitë “Gjergj Kastriotit”, “Te vorri’ e Skanderbegut”, “Shqypja”; Andon Zako Çajupi me tragjedinë “Burri i dheut”; Asdreni me “Këmbana e Krujës” 1937.

Te kjo njësi strofke e Koliqit, ne lexojmë vetëdijen etnike për heroin në secilën kohë. Në këtë rast, shtytja vjen edhe nga frymëzimi kolektiv i breznive të tëra shqiptare për kaq e kaq shekuj: të mrekulluar nga figura shumëdimensionale e Skënderbeut, këta breza e kanë krijuar kryeemrin e tyre historik; kryefigura e Skënderbeut mbetet ”epiqendra e kryenaltësisë kombëtare shqiptare dhe personaliteti qendror që bashkoi dhe vazhdon të bashkojë të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë Shqipërisë, pa dallim feje, krahine ose ideologjie politike.

“Me trok t’vrâçit zêmrak trondit’ luginat” – është një moment të fuqishëm dhe të ndryshëm, ku ndjesitë dhe emocionet e Skënderbeut shkaktojnë një efekt të fuqishëm në natyrën dhe mjedisin përreth, me rendjen drejt Atdheut.

“Kur zbret natën prej bjeshkëve/ e kalon dromit” poeti e zë një moment të pashmangshëm dhe të mistershëm, ku Skënderbeu shfaqet si një figurë e mahnitshme dhe e lavdishme, e cila kalon nëpër rrugë të errëta dhe të vështira për të arritur.

“Ai qe pranë Abdyl Frashërit kur besa u lidh n’Prizrend, bri Gurakuqit qe, bri Plakut t’ Vlorës, n’at dit’ nandori plot me gaz e shend” – janë momente të rëndësishme dhe historike në jetën e Skënderbeut, duke përmendur ringjalljen e tij me epoka e me figurat e rëndësishme të historisë shqiptare.

“Kur valaviti flàmuri i lìr në kalthër / dhe krenarisht n’an’t’shiut e n’an’të borës/ kumboi e bumbulloi emni Shqipní” – është një tjetër moment i madh dhe triumfal, ku flamuri i lirë i Shqipërisë shpaloset me krenari dhe lavdi në qiell, duke simbolizuar lirinë dhe pavarësinë e vendit. Rilindësit e krijuan emrin Shqipëri, duke ia dhënë atributet e kombkrijmit dhe shtetbërjes.  Mendohet se emërtimi SHQIPE ishte i kohëve të lashta dhe i ruajtur në FLAMURIN TRADICIONAL ilir-arbëror-shqiptar. Vetë Konstandini i Madh e kishte këtë flamur, për të cilin thoshte se e kishte trashëguar nga Pirroja. Shqipja dykrenore, është simbol antik, pra simbol i lashtësisë dhe i trashëguar nga arbrit (Flamuri i përdorur nga Pirroja). ). Mjafton të lexohet Fjalimi i Skënderbeut kur arrit në Krujë (nga Barleti, nga Noli e nga gjithë historianët), ku nuk mban një Fjalim Fetar (sikur të kishte qenë ashtu, atëherë Barleti prift do ta kishte shënuar me devotshmëri). Por, në përfundim të Fjalimit përmendet së pari fjala FLAMUR e mandej vjen fjala Perëndi: “Ngrehni pra flamurin përpara, dhe rrëfehuni burra si ngahera. Perëndia, si gjer tani, ashtu edhe paskëtaj, do të na ndihmojë dhe do të na nxjerrë faqebardhë. O Burrani!” (Përkthimi i Nolit).

Skënderbeu, me një vetëdije të fortë autoktone-etnike, u ngrit mbi dallimet fetare. Vetë Perandoria otomane kishte përbërje fetare të ndryshme (vasalët e krishterë bizantinë e sllavë në kuadër të Perandorisë otomane, që luftonin kundër Skënderbeut). Dihet se aleatët më të ngushtë të sulltanëve otomanë ishin krerët e kishave greke e sllave, mbasi gëzonin privilegje e të drejta juridike, financiare e fetare nga sulltanët. Skënderbeu ka luftuar edhe kundër ushtrive të krishtera, në mbrojtje të interesave nacionale të Arbrit. (Të mos harrojmë: nocionin NATIO, NACION, NACIONAL e përdor edhe Barleti te “Historia…” e tij, kurse përkthimet shqip te “Historia…” jepen me termin që nisi të përdorej në shek. XIX: komb).

Kjo pjesë e poezisë e përqendron vëmendjen te roli dhe ndikimi i madh i Skënderbeut në historinë dhe kulturën shqiptare, duke e bërë atë një figurë të paharruar dhe të nderuar për shqiptarët.

8.

Hija fatmadh e, Hija lavdiplote,

zhduket e kthen ndër mote,

përtrihet e ringjallet

njeth’ zêmrat’, numron vallet.

Paraqitet një moment i mahnitshëm, lavdiplotë dhe i frymëzuar nga ndjenjat e lavdisë dhe frymëzimit kombëtar. “Hija fatmadhe, Hija lavdiplote” shquan ndjenjën e lartësimit dhe lavdisë, e cila shfaqet si një hije e madhe dhe e mahnitshme. Rizgjimi i fuqive të brendshme në kthimin e heroit është një aspekt kyç i zhvillimit të personazhit dhe të narratives arketipore. Ky proces paraqet një fazë të rëndësishme të zhvillimit personal të heroit, duke e bërë atë të fitojë një kuptim të thellë të vetvetes dhe të forcave të tij ose të saj. “Zhduket e kthen ndër mote” – është një moment i përuljes dhe i të mrekullueshmes, ku kjo hije e madhe dhe e lavdisë zhduket nga pamja e dukshme dhe pastaj kthehet në një formë tjetër apo përmbajtje.

“Përtrihet e ringjallet/ njeth’ zêmrat’, numron vallet”- imazh poetik që paraqet një proces të ringjalljes dhe rinisjes, ku hija e madhe dhe e lavdisë përpiqet të rilindë dhe të përhapet nëpër zemrat e njerëzve, duke i shtyrë ata të ndjehen të lidhur dhe të përfshirë në një qëllim të përbashkët. Numërimi i valleve sugjeron një lëvizje dhe një ritëm të ri për të ardhmen.

9.

Kjo pjesë e poezisë përshkruan një ndjenjë të thellë të frymëzimit dhe lavdisë, duke sjellë një mesazh të fuqishëm për unitetin dhe përgjegjësinë kombëtare për të krijuar një të ardhme më të mirë për popullin.

Kur kombi bje n’humbnerë,

kur vuen polêmi i mjerë,

kur shkelen doke e lterë,

kur enden kobet varg,

Ai nuk âsht larg.

Kjo pjesë e poezisë paraqet një situatë të vështirë dhe të mjerueshme për kombin, kur ai përjeton humbje, përçarje dhe vuajtje. “Kur kombi bje n’humbnerë” jep një moment të humbjes së orientimit ose të identitetit për popullin, kur ata ndihen të zbrazët ose të izoluar nga vlerat dhe qëllimet e tyre të përbashkëta.

“Kur vuen polêmi i mjerë” – një kohë të tensionuar dhe të ndarë, kur ka konflikte dhe përçarje në mes të njerëzve.

“Kur shkelen doke e lterë” përshkruan një moment të padrejtësisë dhe të mohuarit të vlerave, kur njerëzit vazhdimisht përballen me zullume dhe padrejtësi.

“Kur enden kobet varg” përshkruan një kohë të mjerueshme dhe të vështirë, kur njerëzit përballen me pengesa dhe sfida të mëdha në rrugën e tyre drejt lirisë dhe përparimit.

“Ai nuk âsht larg” përfundon pjesën me një mesazh të fuqishëm për praninë dhe mbështetjen e vazhdueshme të Skënderbeut në kohërat më të vështira për kombin. Kjo shpreh një ndjenjë të besimit dhe të shpresës se në momentet e vështira, krenaria dhe forca e Skënderbeut vazhdojnë të jenë një burim frymëzimi dhe mbështetje për popullin.

Mblidhni copat e thyeme

të shtizave,

ndeni leckat e shkyeme

të flamujve:

n’qe se vllaznija n’zêmra

flakon me hove t’reja,

e Besa, hyll i kombit,

n’bashkimin t’on’ shkelqen,

Ai kthen.

Për Skënderbeun, braktisja e fesë së dhunshme dhe rikthimi në fenë e krishterë, shënon një moment kthimi në identitetin e tij, duke e bërë atë një prijës të rezistencës kundër pushtuesve otomanë dhe një simbol të krenarisë kombëtare për popullin shqiptar ndër shekuj. Kjo vendosmëri dhe ky kthim arketipor në vlerat e tij origjinale, përbën një shembull frymëzues për të gjithë ata që janë në kërkim të lirisë dhe dinjitetit njerëzor.

Nëpërmjet veprave të tij, Skënderbeu dëshmoi se është e mundur të përballen sfidat dhe të luftohet për të drejtat dhe lirinë e tërësisë së një kombi, duke e treguar se vlerat dhe dinjiteti njerëzor janë më të rëndësishme se interesat personale apo politike. Trashëgimia e tij, prandaj, mbetet një frymëzim për brezat e ardhshëm dhe një shënim i rëndësishëm për historinë dhe identitetin e popullit shqiptar.

Mbrojtja e shtetit dhe të popullit: Skënderbeu e dëshiron të gjithëve të angazhohen për mbrojtjen dhe shpëtimin e shtetit dhe të popullit, duke shprehur nevojën për të qenë të gatshëm të sakrifikohen për këtë qëllim. Këto porosi tregojnë për një prijës të matur dhe të përkushtuar ndaj popullit të tij dhe të idealit të lirisë së kombit. Ata reflektojnë një moral të lartë dhe një qëndrim të palëkundur ndaj vlerave dhe bindjeve të tij.

Arbën Xhaferi thotë se Skënderbeu u kthye në atdhe me VULLNET TË LIRË, mbasi “ishte marrë me dhunë e me dhunë u bë jeniçer… gjeneratori i moralit të tij të lartë ishte qytetërimi perëndimor. Prandaj, me plot gojë mund të themi se roli i tij historik ishte i madh, dhe vendimtar, jo vetëm pse ai u bë atlet i Krishtit, por te fakti pse ai nuk u bë atlet i sulltanit. Po ta Kishte zgjedhur rolin e dytë, historia e Evropës do të ishte krejtësisht ndryshe.”

ATLETI mund Jeniçerin. Atleti u bekua nga historia, kurse jeniçeri nuk prodhoi histori…

ATLET nuk është emërtim as shtetëror, as civil e as shoqëror a kombëtar (Vatikani ishte qendër fetare e civilizimit evropian e jo shtet a principatë mbretëri si të tjerat… titulli ishte një shenjë e atij civilizimi, këtu qëndron moskuptimi). Te e fundit, Gjergji u ka shkuar në vizitë dhe ka pasur marrëdhëniet më të ngushta nga katër papët e kohës (ky është realiteti historik dhe ky fakt historik nuk ka se si të ndryshohet, ashtu sikundër nuk mund të ndryshohet fakti që islamizimi i shqiptarëve është realitet historik e kjo nuk i ka bërë më pak shqiptarë a më pak kastriotianë… dhe kam bindjen: nuk i ka bërë më pak europerëndimorë).

Shtetet tjera perëndimore Skënderbeun e shndërruan në HERO MITIK (pra nuk e shndërruan në figurë fetare, se krishterimi nuk shpall hero fetar… kurse sintagma “Atlet i Krishtit” ishte identifikim me Evropën, dhe sot ajo është KAPËRCYER historikisht, por Skënderbeu mbeti se mbeti SIMBOL I IDENTITETIT EVROPIAN TË SHQIPTARËVE).

Por të merresh me DIMENSIONIN BOTËROR të kësaj figure (pak kemi shqiptarë me dimension botëror), nuk e ngushton rëndësinë e tij, por e pasuron botërisht dhe e shton krenarinë tonë.

Rilindja Kombëtare Shqiptare e shek XIX është kthimi i parë, modern, kah Evropa Perëndimore e në Evropën perëndimore. Po këta rilindës thoshin se kombi ynë është ndër më të vjetrit në Evropë e në botë. Kulti i vjetërisë, si ai pellazgjik, përmendej nga rilindësit si dëshmi e ekzistencës së qytetërimit tonë në Evropë.

Kur këndoi Naimi:

“Krujë, o qytet i bekuar…”,

aty ai bëri pagëzimin e ri historik të shqiptarëve…

Naimi me Pashko Vasën themeluan formulën shqiptare për shqiptarinë dhe për Shqipërinë. Vargu naimian “Krujë, o qytet i bekuar…” e Naim Frashërit është një shprehje e thellë e ndjenjës kombëtare dhe një lloj pagëzimi historik për qytetin e Krujës dhe për popullin shqiptar. Kjo poezi u bë një pjesë e rëndësishme e rilindjes kombëtare shqiptare, duke sjellë një ndjenjë të fortë të krenarisë dhe identitetit kombëtar.

Bashkë me Pashko Vasa, Naim Frashëri ka luajtur një rol të rëndësishëm në formulimin e identitetit shqiptar dhe në promovimin e ndërgjegjësimit kombëtar. Ata dy së bashku kontribuan në ndërtimin e një vizioni për të ardhmen e Shqipërisë dhe në forcimin e ndjenjës së identitetit kombëtar në mesin e shqiptarëve. Në këtë proces, rilindësit shqiptarë, përfshirë Naim Frashërin dhe Pashko Vasën, theksuan vlerat dhe trashëgiminë e lashtë shqiptare, duke përmendur kultin e vjetërisë, si ai pellazgjik, si një dëshmi e ekzistencës së qytetërimit shqiptar në Evropë. Kjo përshkrim i identitetit dhe trashëgimisë së lashtë shqiptare u bë një pjesë e rëndësishme e procesit të rivendosjes së vetëdijes kombëtare dhe të forcimit të ndjenjës së bashkësisë kombëtare në mesin e shqiptarëve në periudhën e rilindjes kombëtare.

Fjalia proverbiale e Naimit “Jak’o dit’e uruar/ Që lind nga perëndon”, ishte kryefjala e Rilindjes sonë Kombëtare. Është Formula e Rilidhjes me qytetërimin perëndimor.

Rilindja Kombëtare Shqiptare e shek XIX është Kthimi i Parë modern, pas sa shekujsh robërie, kah Evropa Perëndimore e në Evropën perëndimore.

Ata e shikonin Turqinë si vend që sjell mbrapambetje, shkatërrim e vdekje. Prandaj shpëtimin e shikonin me sy kah Evropa Perëndimore.

Ishte një përballje dramatike me orientin, ky Rikthim i Madh kah Perëndimi. Nuk është e habitshme përse në shkrimet e tyre iluministe gjejmë ndeshjet e dritës me errësirën, e progresit modern me regresin historik oriental, kurse pushtimi shumëshekullor otoman, karakterizohej nga rilindësit tanë si kohë e rënies dhe e shkatërrimit të Shqipërisë e jo e ngritjes.Ky rikthim modern, përbënte rikthimin në identitet.

Për shumë rilindës shqiptarë, Turqia u shihej si një forcë që kishte sjellë mbrapambetje dhe shkatërrim për popullin shqiptar. Prandaj, shpëtimi dhe zhvillimi i ardhshëm i Shqipërisë shikohej me shpresë dhe aspirata drejt Evropës Perëndimore.

Edhe vargu akceptues i Koliqit ”ai kthen”, i jep zë këtij kthimi kastriotian nëpër epoka.

10.

Titulli i poezisë “Ai kthen” mund të interpretohet në kontekstin e historisë dhe identitetit kombëtar shqiptar. “Ai” mund të referohet për Skënderbeun si një figurë që përfaqëson kthimin e identitetit dhe vetëdijes kombëtare në historinë shqiptare.

Në këtë kontekst, titulli dhe refreni “ai kthen”, simbolizon ndjenjën e kthimit të një figurë heroike si Skënderbeu në kujtesën dhe vlerat e popullit shqiptar. Ai kthen shpresën, krenarinë dhe rezistencën ndaj pushtuesve të huaj dhe përfaqëson një simbol të rëndësishëm të pavarësisë dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve. Përmasat e kthimit të përhershëm gjatë historisë reflektojnë idenë e vazhdimësisë së lavdisë së tij në kohën dhe kujtesën kolektive të shqiptarëve.

Kthimi i heroit nga një situatë në një tjetër, siç është rasti i Skënderbeut, përfaqëson një transformim thelbësor në identitetin dhe në vlerat nacionale, Kur një njeri braktis një status që e kufizonte apo e përbuzte, si në rastin e braktisjes së rehatinë sulltanore apo fenë e dhunshme, dhe merr vendimin për të luftuar kundër pushtuesve për lirinë dhe pavarësinë e vendit të tij, kjo është një shenjë e vendosmërisë dhe vendosjes së vlerave njerëzore dhe kombëtare mbi interesat personale dhe politike.

Në jetën tonë, shpeshherë përjetojmë një udhëtim të fshehtë, të brendshëm, që ndërthur emocione, refleksione dhe rikthime në origjinat tona. Ky udhëtim është ai i “kthimit në shtëpi”, një rrugëtim që na sjell pranë identitetit tonë, rrënjëve tona dhe thellësisë së vërtetë të vetvetes.

Kthimi në shtëpi nuk është thjesht një rrugëtim fizik drejt vendit të lindjes sonë, por është një udhëtim i brendshëm që shndërrohet në një përvojë shpirtërore dhe emocionale. Pavarësisht nga vendi ku jetojmë, nga aventurat tona dhe nga përvojat e reja, ka një thellësi thelbesore që na thërret për t’iu kthyer në origjinat tona. Ky nuk është vetëm një kthim në një vend të caktuar, por një kthim në qetësinë e brendshme, në kuptimin e jetës sonë dhe në lidhjen tonë me të kaluarën dhe të ardhmen tonë.

Kthimi është një moment reflektimi dhe ringjalljeje, ku gjejmë forca të reja për të vazhduar rrugën tonë. Është një rikthim në burimin tonë, në vlerat dhe traditat që na formuan dhe na bënë atë që jemi. Nëpërmjet këtij udhëtimi, ne bëhemi të vetëdijshëm për thelbin tonë njerëzor dhe për ndjenjën e përbashkët që na lidh me të tjerët dhe me botën rreth nesh.

Është një moment i lumturisë dhe ngrohtësisë ky kthim, ku njerëzit ndiejnë një ndjenjë të thellë të përkushtimit dhe përqafimi.

Megjithatë, kthimi në atdhe nuk është gjithmonë një përvojë e lehtë…

Ky kthim është një udhëtim i vazhdueshëm dhe i pasur me kuptime të ndryshme për secilin prej nesh. Ai na ndihmon t’i kuptojmë vlerat tona, lidhjet tona dhe qëllimin tonë në këtë botë. Kjo përvojë na shërben si një udhëtimi i përhershëm i rritjes dhe zhvillimit personal dhe shpirtëror.

(6 maj 2024)

——————

Ernest KOLIQI

AI KTHEN

 

Oggi Scanderbeg ritorna…

CASSIANI

Ai ishte larg.

Shi lotsh e breshen kobesh

mjerojshin gjinden t’onë,

gjuejtun prej fatit me rrufé të kuqe.

Nën diell,

qi, pa i përfill,

n’daç vuejtje ndrit’ n’daç gzime,

mbi shpirtën shtrihej nata,

natë e vajshme shnjerzimi plot gjimine

pa jehonë –

n’kët tokën t’onë..

Vrugue ai balli i burrave,

cenue nderi i burrneshave,

njomet e dheut sý-ndrituna

me qumsht’ fisnik e hire t’pastra rritë

kah harêmi i Sulltanave –

flîje nepsesh ushtrue me dhunë e tmerë. –

ngreheshin zharg.

Djelmt, pika e Arbrit, pêng ndër Jeniçerë.

E Ai ishte larg.

Paleh! Ke brezi i qiellit

nji shêj i bardh’ po lvitë

sipër shkambijve eprorë,

e bashk’ me rreze t’Dritës

ndër àvuj mengjesorë

mbi vrâç kik-valavitës,

në prak ku lén Agimi

pallën e çveshun n’dorë,

shfaqet i rrebt’ Kryetrimi

me t’rrebt’ treqind Kalorë.

N’ majen e pall’s shkëndija

qet porsi diell Lirija.

O Gjergj Kastrjot, o Prîs,

qi fatin kundërshtar

me pallë i a ndrron Arbrís,

e almise e armë e luta

këndellë e sjell n’e mbár

e i bân me qitun fryt:

ndër zemra e ndër lahuta

lavdue qoftë emni i Yt.

Me trok t’vrâçit zêmrak

trondit’ luginat,

kur zbret natën prej bjeshkve

e kalon dromit.

Ai qe pranë Abdyl Frashërit

kur besa u lidh n’Prizrend,

bri Gurakuqit qe, bri Plakut t’ Vlorës,

n’at dit’ nandori

plot me gaz e shend

kur valaviti flàmuri

i lìr në kalthër

dhe krenarisht n’an’t’shiut e n’an’të borës

kumboi e bumbulloi emni Shqipní.

Hija fatmadhe, Hija lavdiplote,

zhduket e kthen ndër mote,

përtrihet e ringjallet

njeth’ zêmrat’, numron vallet.

Kur kombi bje n’humbnerë,

kur vuen polêmi i mjerë,

kur shkelen doke e lterë,

kur enden kobet varg,

Ai nuk âsht larg.

Mblidhni copat e thyeme

të shtizave,

ndeni leckat e shkyeme

të flamujve:

n’qe se vllaznija n’zêmra

flakon me hove t’reja,

e Besa, hyll i kombit,

n’bashkimin t’on’ shkelqen,

Ai kthen.

Prill 1968

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok