15/10/2024

Argumenti pse Ukraina do ta njohë shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës!

0

Nga Enver Bytyçi

Të hënën e shkuar, me 21 gusht 2023, në Athinë u takua presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Por zoti Zelensky pati një takim të shkurtër edhe me zotin Kurti. Zoti Vuçiç nisi propagandën e tij që para këtij takimi dhe pas tij, por u shfaq në dy masa të ndryshme. Ditë më pare ai e kërcënoi Ukrainën, nëse ajo njeh Kosovën. Pas takimit bëri propagande me atë takim, duke thënë se “U mor vesh me homologun e tij uktrainas sa i përket Kosovës, ose më saktë sa i përket respektimit të sovranitetit të të dy vendeve”!

Zoti Kurti nuk foli, nuk u mburr, nuk kërcënoi, as nuk shfaqi ndonjë lloj euforie propagandistike pas takimit me zotin Zelensky. Kur Thaçi u takua dikur me Putinin, thoshte se “Rusia do ta njohë Kosovën”! Madje edhe kur takohej me Daçiçin thoshte se “Me këtë takim Serbia e njohu Kosovën shtet të pavarur”! Kurti jo vetëm në këtë rast, por as në rastin e takimit të tij me kryeministritn grek, Micotaqis, nuk tha asnjë fjalë për njohjen e Kosovës nga ana e Greqisë.

Po si është e vërteta? Këtë të vërtetë e zbulon ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, i cili në një deklarim të tij të para dy ditëve tha se “Ukraina dhe Greqia nuk mund ta njohin Kosovën”! Ishte një paralajmërim i zbutur i tij për këto dy vende. Kjo ndodhi pasi Vuçiç u vetmburr se “Ukraina është në krah të Serbisë”! Në fakt presidenti i Serbisë në Athinë u përpoq që ta mashtrojë presidentin e Ukrainës me makiazhin anti-rus. Ky makiazh lidhet me firmosjen e deklaratës nga ana e Vuçiç, në të cilën njihet sovraniteti i Ukrainës dhe dënohen krimet ruse në këtë vend. Por ajo deklaratë për shkak të kreut të shtetit të Serbisë evitoi të përmendë vendosjen e sanksioneve kundër Moskës dhe ta trajtojë presidentin e Rusisë si kriminel lufte.

Të dyja këto klauzola nuk do ti pranonte Aleksandër Vuçiç, çka do të thotë se ai nuk heq dorë nga aleanca me Moskën. Pikëstisht kjo gjë e bën enigmatike premtimin e presidentit serb për akordim me presidentin ukrainas për “mosnjohjen e Kosovës”! Në optikën time Vuçiç dhe Zelensky nuk kanë folur fare për njohjen ose jo të Kosovës. Pala serbe i ka përmendur atij analogjinë e Krimesë me Kosovën, por nuk ka guxuar t’i thotë pales ukrainase ta njohë ose jo shtetin e Kosovës. Zelensky nga ana e tij nuk ka patur asnjë arsye të bisedojë me Vuçiç për këtë temë. Thjesht angazhimi i përbashkët për respektimin e sovranitetit të ndërsjelltë të të dy vendeve ka shërbyer si argument për vetmburrjen e presidentit të Serbisë.

Po a do të thotë kjo se Ukraina nuk do ta njohë, ndoshta brenda kërij viti, shtësinë dhe pavarësinë e Kosovës?! Sigurisht që të gjitha faktet të çojnë në arsyen e njohjes. Pse ndodh e do të ndodh kjo?

Sepse Kosovën e ka mbrojtur dhe çliruar NATO nga terrori dhe genocidistët serbë. Ukraina aspiron të hyjë në NATO. Si mund të mendojë presidenti i këtij vendi se NATO na qenka një instrument dhune që tjetërson me force kufijtë, njësoj si edhe Vladimir Putin?!

Së dyti, Kosova është e pavarur si pasojë e genocidit serb kundër popullsisë së saj. Ukraina nuk ka ushtruar asnjë lloj dhune kundër pakicës ruse në vendin e saj. Pra, presidenti Zelensky e njeh dhe e ka parasysh këtë fakt. Së treti, Kosova e pavarur është rezultat i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, ku edhe filloi kriza jugosllave.

Agresioni rus kundër Ukrainës nuk ka lidhje me dezintegrimin e ish-Bashkimit Sovjetik. Ka lidhje vetëm me idenë shoviniiste të Vladimir Putin të rikthimit të ish-Bashkimit Sovjetik, kësaj radhe përmes sulmeve ushtarake dhe pushtimeve. Pikërisht këtë ide ushqen për Kosovën presidentit i Serbisë dhe njohja e këtij shteti nga Ukraina eviton vënien në jetë të kësaj strategjie putiniste të Aleksandër Vuçiç.

Ndërsa argumenti kryesor pse Ukraina do ta njohë shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës lidhet me faktin se as në samitin jo formal të Athinës Serbia nuk u pajtua ta dënojë kreun e shtetit rus për krime lufte, si dhe të vendosë sanksione kundër Rusisë. Ndërkaq qeveria e Kosovës, presidentja Osmani, kryeparlamentari Konjufca, shteti dhe dhoqëria e Kosovës janë tërësisht e si asnjë vend tjetër në krah e në solidaritet me Ukrainën e kundër Rusisë. Për këtë arsye deputetë, liderë politikë, gazetarë dhe njerëz prominentë ukrainas kanë bërë dhe bëjnë thirrje për njohjen nga ana e presidentit Zelensky të Kosovës shtet i pavarur e sovran.

Eshtë koha kur shteti ukrainas do të marrë një vendim të qartë dhe përfundimtar në funksion të paqes e stabilitetit në rajonin e Ballkanit. Nuk ka asnjë vend europian më shumë se Ukraina te interesuar për stabilitetin ballkanik. Një konflikt në rajonin tonë, do ta vështirësonte shumë ndihmën euro-amerikane për Ukrainën. Njohja e Kosovës është një nga masat më serioze preventive të një konflikti të tillë të mundshëm!

Do të ishte mirë që kryeministri i Shqipërisë të telefononte presidentin ukrainas dhe t’i kërkonte atij njohjen e shtetit të Kosovës, bazuar në argumentet e shumta në funksion të këtij hapi politik e diplomatik shumë të rëndësishëm. Por jam i bindur se ai nuk do ta bëjë këtë telefonatë. Nëse e bën do të zgjojë zemërimin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Nderkohe për të është më mirë të mos njihet Kosova nga ana e Ukrainës, sesa të zemrohet miku e vëllau i tij, Vuçiç!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok