21/12/2024

Arbëreshët e Sicilisë ashtu si i pamë

0
Hora-e-Arbereshevet

Hora Arbëreshe, shkurt 2024

Nga Gani Mehmetaj

Pak kush e di se arbëreshët e shpallën shtetin e pavarur, por e mbajtën vetëm tri ditë.

Sa dimë për masakrën e mafisë siciliane ndaj arbëreshëve në maj të vitit 1947?

“Mori bijë, bijë e Lalës,

Mori e bukur e trishtuar

Pse me kthen në motnë e shkuar?”

I kujtoja vargjet e trishta të poemës “Kënga e sprasme e Balës”, të Gavrill Dara i Riu, që i kishim mësuar në gjimnaz pesëdhjetë vjet më parë. Shihja nga avioni detin dhe një cep të Sicilisë. Vargjet me erdhën pa dashje në buzë, të trishta, vajtimtare, por edhe epike e dramatike. Shumë herë kam menduar sa bukur do të dilte një film epik: Plaku buzë detit, sheh tej në horizont Arbërinë dhe kujton Nik Petën me luftëtarët e kohës së Motit të Madh…

Sa mall e emocione me të zbritur në aeroportin Katania (Catania). A do ta preknim historinë? Secili nga ne priste diçka dhe nuk e dinte saktësisht ç’priste? Një copë të së kaluarës? Apo arbëreshët me përkrenare që do të dilnin nga epoka e lavdishme, që të na thoshin, ja ku jemi, ata të moçmit, të pandryshueshmit. Sa shumë histori e sa pak gjeografi. Një etni që kishte nxjerr shumë shkrimtarë, intelektualë dhe mendimtarë në një kohë kur ne përpëliteshim në mes të jetës e vdekjes. Pasardhësit elitarë të ushtarëve të Gjergj Kastriotit, Rilindasit arbëreshë atëbotë e ringjallën kujtimin për Motin e Madh, ndërsa jehona e kushtrimit të tyre u përplas brigjeve të Arbërisë, në Dardani e tutje në Maqedoni. Rilindasit arbëreshë na rizgjuan nga gjumi që rrezikonte të na fundoste.

Isha me grupin prej 50 turistësh dardanë, që u nisëm me avion nga aeroporti “Nëna Terezë” në Sicilinë e mallit të pashuar. Donim të ritakonim arbëreshët me të cilët na kishte ndarë deti dhe koha prej pesë shekujsh, por na bashkonte gjaku i shprishur dhe “gluha”. Kur i takuam na emociononin me përpjekjet e ngulmëta që të flisnin arbërisht, me krenarinë e përkatësisë dhe me afrinë. Na mahniten se si e kishin ruajtur me fanatizëm traditën, këngët e vjetra, veshjen farfuritëse, gjuhën, kujtesën dhe mallin gërryes për atdheun.

Në bisedat me ta nga Palermo deri në Piana degli Albanezi apo Hora e Arbëreshëve, na rrëfenin se si e bënë Sicilinë atdhe të dytë, por malli për Arbërinë i gërryente vazhdimisht. Qyteza e tyre kishte reflekse përngjasimi me Beratin, Gjinokastrën, Janinën. Qytet i vjetër i gurit, i shtëpive të veçanta dhe i kishave që të grishnin me qetësinë mistike.

Arbëreshët shquhen me traditën e ruajtur me pedanteri në detin e madh të kulturës italiane që e ka pushtuar Mesdheun dhe Evropën. Secila nga familjet aristokratike arbëreshe e kishte ndërtuar nga një kishë të bukur me zbukurime prej ari. Disa prej tyre kanë mbi pesëqind vjet.

Arbëreshët janë katolikë të ritit bizantin, që e pranojnë autoritetin e Papës dhe të Vatikanit. Priftërinjtë na thanë disa herë se nuk janë ortodoksë, por katolikë bizantinë. Mesha mbahet në arbërishte.

Arbëreshët e duan kishën e tyre, sepse aty flasin arbërisht në mes veti dhe me priftin që mëshon në gjuhën e tyre. A janë besimtarë? Sigurisht, me tha shoqëruesi arbëresh, që fliste rrjedhshëm arbërisht, ndërsa kishte qenë disa herë në Shqipëri dhe në Dardani. Por besojnë edhe në barazinë sociale që e predikojnë komunistët a të majtët. Me thanë se shtrembër, arbërisht dmth majtë, prandaj bëra një lojë fjalësh se mos e ke shtrembër këtë përcaktim. “Sikur nuk shkojnë në mes veti këto dy të kundërta”, i thash. Qeshi dhe me grishi të shkoja në Klubin e Komunistëve. Burrat e moshës së tretë, në Klubin e të majtëve, në Horën Arbëreshe, me kapela Lenini në kokë, me ngjasonin me pensionistët e Përmetit dhe të Skraparit (kryesisht që e vajtonin para meje kohën e Enverit).

Këta arbëresh të majtë me ngjallën kërshëri. Por na priste prifti i Kishës së Shëngjergjit, kështu që në mes të pensionistëve komunistë dhe dinjitarit katolik bizantin, zgjodhëm të dytin. Prifti na foli gjatë për historinë arbëreshe, ngulimet e para dhe kujtimet që i bartën me vete. Dhjetë vjet pasi rënies së Shkodrës e ngritën kishën e parë në Horën Arbëreshe.

Arbëreshët patën shumë drama, luftëra e përpjekje për të mbijetuar. Nga filmi italian “Salvatore Xhuliano” i Francesko Rosit kemi mësuar për një masakër në Sicili, ku nuk përmendet se punëtorët që u masakruan ishin shumica arbëreshë. Kryetari i Bashkisë, Rosario Petta, na tregoi se një ditë maji të vitit 1947 mafia siciliane, vrau njëmbëdhjetë burra. Në shenj kujtimi arbëreshët kanë ngritur lapidarë, ndërsa e kujtojnë çdo vjet. Grupi ynë u bëri homazhe arbëreshëve të rënë nga plumbat e mafiozëve sicilianë. Ndërkaq, Bashkia e Horës së arbëreshëve e kishte në sallën qendrore një mural kushtuar kësaj ngjarje tragjike. Për te na foli kryetari i Bashkisë, z. Petta, kur e priti me përzemërsi grupin tonë. Ai ishte i entuziazmuar me vizitën tonë dhe i dëshiruar që të kemi kontakte më të shpeshta.

Kurioziteti tjetër është fakti se arbëreshët dikur e shpallën shtetin e pavarur, me tregonte arbëreshi Lisandri (Aleksandri), shoqëruesi ynë. Por e mbajtën vetëm tri ditë. Ushtria zbarkoi në brigjet e Sicilisë dhe e mori situatën në kontroll.

Për arbëreshët mund të flitet shumë. Për ata të moçmit (shkrimtari që shkoi pas të dashurës deri në fund të botës, në Brazilin e largët me një anije që lundroi dy muaj) dhe për të rinjtë e kohës së sotme që e braktisin vendlindjen, sepse kërkojnë punë, duan të studiojnë dhe të hapin e horizontet e dijes. Ndërkaq, provinca nuk u ofron shumë.

Por për këto gjëra, një herë tjetër…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok