21/11/2024

AQIF YMERI, NËPËR DRITË E MIRËSI…

0

Nga Basir BUSHKASHI, Artan KURTI

Në fillimars, pas një sëmundje të rëndë, që e mundoi nëpër vite, ndërroi jetë në moshën 67-vjeçare, Aqif Ymeri: mësues i talentuar i matematikës, studjues në fusha të ndryshme të dijes dhe pasionant i vlerave trashëgimore të krahinës së Matit, veçanërisht zonës së Klosit, dëshmuar kjo në disa vepra studimore.

Po kush ishte Aqif Ymeri? U lind në kullën trekatëshe të Ymerajve në lagjen Tanushë të fshatit-Fshat të Klosit, i cili shtrihet në shpatet verilindore të malit, ku prej qindra vitesh qëndron kështjella e Petralbës, një fortesë e qëndresës dhe rezidencë familjare e Gjon dhe Gjergj Kastriotit. Ai u rrit me legjenda e gojëdhëna për këta trima të qëndresës antiosmane. Shpatet rrëzë Petralbës ishin vendi që e tërhiqnin më shumë në fëmijërinë e tij, duke u hedhur herë në “Majkishë” dhe “Lugun e Arrave”, ku thuhej se kishin qenë dyqanet e venedikasve, herë te “Birat e Qytetes”, udhëkalime të fshehta që zbrisnin nëpër thellësitë e malit nga “Maja e Qytetes”, siç thirret ndryshe kështjella e Petralbës nga banorët e fshatit, Fshat dhe herë buzë ujrave të Lezedrës, në mëhallën e Llaveshajve, dajave të tij, ku mësonte për paraardhësit e këtij fisi, si prodhues të zotë të barutit me vijueshmëri ndër breza, deri në 1939, kur do t’u shembej punishtja e fundit nga fashistët pushtues.

Vetitë e këmbënguljes dhe burrërisë Aqifi do t’i trashëgonte nga babai i tij, Liman Ymeri, i cili, si një ish-partizan i vërtetë, pas çlirimit nuk do kërkonte privilegje, përkundrazi, duke qenë njeri që i gjykonte gjërat me objektivitet, ai do të kishte shumë pengesa dhe kokëçarje, për shkak se nuk pajtohej edhe me disa qëndrime të drejtuesve të kohës, sidomos, për të kufizuar pronën private dhe hequr bagëtitë në fshat. Si njeri inteligjent nga natyra, ai bëri aq shumë për shkollimin e gjashtë vajzave dhe Aqifit, djalit të tij të vetëm. Aqifi vetë u shqua që në shkollën fillore si nxënës inteligjent i dhënë pas dijes. Në formimin e tij shkencor, intelektual e qytetar, ndikuan mësues, që ishin personalitete të kohës, si shkrimtari Sulejman Krasniqi, matematicieni Hysen Çabej etj, të cilët jetuan e punuan për disa kohë në shkollat e Klosit. Por, veçanërisht, ai do të ishte i preferuari i matematicienit të shquar, profesor Albert Frashërit, ku falë përpjekjeve të profesorit dhe zgjuarsisë, pasionit e këmbënguljes së Aqifit, ai arriti që në gjimnazin e Burrelit të mbaronte dy vite shkollore brenda një viti, e lejueshme në atë kohë. Kjo dyshe, profesor-nxënës, i ruajtën mardhëniet shkencore, miqësore e familjare deri në fund të jetës së Aqifit, duke lënë një pikëllim të madh tek profesori, i cili nga Terni (Itali), ku jeton prej tridhjetë vitesh, do të dërgonte ngushëllimet, që u thanë në ceremoninë e varrimit, se Aqifi kishte qenë një nga njerëzit e vyer me integritet të lartë shoqëror, që ka pasuruar edhe vetë jetën e profesorit.

Pas kryerjes së studimeve të larta, Aqifi Ymeri filloi punë, gjithë pasion, në shkollën e bashkuar të fshatit Guri i Bardhë (1978-1981), ku u njoh me bashkëshorten e tij, Hanifen, edhe ajo mësuese dhe të dy së bashku krijuan familjen e tyre, që ndër vite do të shtohej me katër trashëgimtarë të denjë, të përkushtuar ndaj prindërve dhe profesionistë të zotë të fushës së shkencave kompjuterike, siç janë Admirimi, Adriana, Aida dhe Arditi. Nga Guri i Bardhë, Aqifi me bashkëshorten e tij, do të zhvendosej në shkollën e bashkuar të Krastës së Martaneshit (1981-1992), ku do të ishte mësues dhe drejtor për disa vite. Gjatë kësaj periudhe ai udhëhoqi praktikat profesionale me nxënësit në minierën dhe fabrikën e pasurimit të kromit Krastë, ku dhe ai vetë mbrojti shkallën e lartë të kualifikimit në sektorin elektrik.

Në fillim të viteve ‘90, duke përkrahur ndryshimet politike, Aqifi kaloi në qeverisjen vendore në detyrën e sekretarit të Këshillit të Komunës Martanesh. Më pas, përsëri i kthehet sektorit të arsimit: mësues e drejtor në Shkollën e Mesme “Shaban Çllaku”, Klos (1996-2004); Përgjegjës i Zyrës së Arsimit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Bashkinë Klos (2005); mësues e drejtor në Shkollën e Mesme Jopublike “Nëna  Mbretëreshë Geraldinë” Burrel(2005-2011) dhe pedagog në Universitetin “Nëna  Mbretëreshë  Geraldinë” (2011-2014), gjithmonë për lëndën e matematikës dhe fizikës. Për një kohë të shkurtër ai kreu detyrën e Shefit të Agjensisë Elektrike, Mat (2006). Si mësues i përkushtuar dhe me kualifikimin më të lartë ai ndër vite është përzgjedhedhur nga drejtuesit e sektorit të arsimit për të organizuar me efektivitet seminare kualifikuese brenda shkollës  dhe është aktivizuar në trajnimin e mësuesve në shkallë rrethi.

* * *

Pasioni dhe puna për një periudhë dhjetra vjeçare në fushën e arsimit do ta nxisnin Aqif Ymerin të gjurmojë, të mbledhë e të hulumtojë të dhëna të rralla mbi çeljen e shkollave shqipe, zhvillimin e arsimit në zonën e Klosit dhe më gjerë, atë të Kryemates, si zona me vlera të çmuara për trevën e Matin dhe pararendëse të shkollës shqipe në këtë trevë. Për fushën e arsimit ai publikoi dhjetra artikuj, duke pasqyruar jo vetëm materiale e ushtrime të matematikës dhe fizikës, por edhe mendime të vyera mbi pedagogjinë, didaktikën etj. Dëshira për t’u marrë me historikun e arsimit, të shkollës shqipe dhe mësuesve të saj, bëri që Aqifi t’i përkushtohet botimit të librave. Në këtë vazhdë ai, me bashkautor Zenel Anxhakun, botuan librin “Breza në shërbim të dijes e vendlindjes” (2005), një monografi kushtuar kontributit në vijimësi të pinjollëve të fisit Hoxha nga Guri i Bardhë, nga çelja e shkollave në fillim të shek. XX me Ymer Hoxhën e në vazhdimësi me mësues e drejtues të arsimit në krahinë, siç ishin djali i tij Tahir Hoxha e më pas Selman e Bedri Hoxha etj.

Me vlera të çmuara është edhe botimi tjetër i tij: “Gjurmë të mësimit dhe shkollës shqipe në Klos (2015), një libër që pasqyron, jo vetëm historikun e pasur të shkollës shqipe në fshatrat e Klosit, por sjell dhe udhëzime e metoda të mësimdhënies, siç janë puna për zhvillimin profesional të personelit mësimdhënës në shkollë. Këtu ai sugjeron metoda, teknika e strategji në mësimdhënie, kompetencat kyçe për nxënie gjatë gjithë jetës, parimet didaktike në mësimdhënien e matematikës etj. Në gjithë punën për përgatitjen e këtij botimi bie në sy aftësia profesionale për të dhënë informacione të çmuara, por edhe shqetësimi i Aqif Ymerit për kualitetin e sotëm të mësimdhënies, që në disa raste lë për të dëshiruar. Ky shqetësim i vazhdueshëm i tij është pasqyruar edhe në parathënien e Prof. dr. Agim Minxhozit: “…sa herë janë ndërruar pushtetet, nën maskën e të ashtuquajturave “reforma për ndryshime progresiste”, janë dëbuar nga arsimi mësuesit më të përgatitur e pasionantë dhe nën drejtimin e injorantëve e hipokritëve partiakë, ata janë zëvendësuar me individë të papërgjegjshëm, manjakë e servilë të tyre, që asnjëherë s’do të mund të bëhen mësues, pavarësisht se në shkollat tona janë marrë për të bërë punën e mësuesit”.

Në fushën e arsimit kontributi i Aqif Ymerit ishte shumëdimensional, si mësimëdhënës, drejtues e trajnues i mësuesve të rinj, veçanërisht si gjurmues e memorizues i historikut të arsimit e shkollës shqipe në zonën e Klosit dhe krahinën e Matit në përgjithësi.

* * *

Falë formimit të tij dhe dijeve në shumë fusha ai vazhdimisht mbajti qëndrim intelektual ndaj vlerave të mjedisit dhe trashëgimisë historike-kulturore të rrallë të zonës së Klosit dhe më gjerë. Si një gjurmues i vëmendshëm dhe studiues i përpiktë bëri një punë të vyer me botimet monografike mbi zonën e Klosit dhe fshatit Fshat, duke iu referuar gjetjeve arkeologjike, trashëgimisë së pasur mesjetare, vlerave etnografike të ardhura deri në ditët tona, ritualeve dhe traditave më të mira të banorëve klosianë, rezistencës së tyre burrërore ndaj pushtuesve që kaluan nëpër Shqipëri. Këto i publikoi fillimisht nëpërmjet artikujve të botuar në shtypin lokal e qëndror, gazetat “Mati”, “Rruga e Arbërit”, “Mësuesi”, revista “Emathia” etj, si: “Mbi origjinën matjane të Kastriotëve”, “Mati qendra më e madhe dhe më e hershme e prodhimit të barutit në Shqipëri”, “Petralba dhe Kastriotët”, “Rruga e Arbërit”, “Kryemati vatër e qytezave të hershme dhe e rezistencës shqiptare”, “Studiuesit e huaj për Matin” etj. Falë një pune disavjeçare në mbledhjen e të dhënave historike në terren, kansultimit me botime të ndryshme dhe punës dyvjeçare në Arkivin Qëndror të Shtetit Shqiptar, ai i pasuroi në nivele të larta dijet për fshatin Fshat, Klosin, Krahinën e Matit dhe krahinat përreth. Në këtë mënyrë u finalizuan me botime librat monografikrafikë “Vatër e hershme qytetërimi” (2010) i ribotuar me plotësime më 2018 dhe “Klosi, vështrim gjeohistorik” (2010), me bashkautorë Rakip Laskun dhe Artan Kurtin. Në të dy këto libra trajtohen në mënyrë të detajuar historiku jetësor i popullsisë së fshatit Fshat dhe Klosit në tërësi: mardhëniet shoqërore, etnokultura me folklorin e pasur, ritualet, ceremonialet dhe veshjet, shkëmbimet ekonomike, tregjet, zejet, monumentet e natyrës dhe të kulturës, ndërtimtaritë dhe veprat inxhinierike etj. Vend të rëndësishëm në këto libra zë trashëgimia iliro-arbërore me gjurmë të dukshme në fshatin Fshat, por edhe fakte të palëkundura historike, që lidhen kryesisht me historinë mesjetare. Për këtë ai i mëshon faktit të bazuar në dokumenta mesjetarë e dëshmi gojore se Petralba ishte një rezidencë e rëndësishme e Kastriotëve. Gojëdhëna të tilla si: “Andrra e Vojsavës”, “Lindja e Gjergjit”, “Lindja e gjalit t’Skanderbegjut”, “Gjurma e kalit t’Skanderbegjut”, “Vdekja e Vojsavës”, “Cuca e Skanderbegjut” etj, janë fakte të mbledhur nga bashkëfshatarët e tij fshatasì (të Fshatit), që ai i sjell për të treguar edhe vijimësinë e jetës në këtë fshat nga koha mesjetare e Kastriotëve. Në një farë kuptimi, Aqifi ishte një ndër mbrojtësit e kohëve moderne të kalasë së Petralbës, tashmë jo me ushta dhe shpata, por me letër dhe penë për të dëshmuar mbi historinë e kësaj kështjelle, lavdinë e qëndresës arbërore kundër pushtuesve osmanë dhe vetë qëndrimeve të akademikëve të sotëm, që nën trysninë politike dhe interesave vetjake, bëjnë deformime të qëllimshme të historisë sonë mesjetare.

Aqif Ymeri ishte dhe një veprimtar këmbëngulës shoqëror. Ishte bashkëthemelues dhe ndër personat drejtues të Shoqatës Historike-Kulturore “Dilaver Kurti” me objekt ekspeditat etnokulturore, konferencat shkencore, evidencimin e ngjarjeve dhe figurave të shquara historike të trevës së Matit etj. Në kuadrin e kësaj shoqate ai do të shquhej si organizator dhe do të mbante kumtesa e diskutime me interes shkencor në konferenca të zhvilluara rreth trashëgimisë historike të kësaj treve në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Muzeun Historik Kombëtar, Muzeun Historik Mat etj. Ai ishte një zë i rëndësishëm i bordit botues të organit të kësaj shoqate, revistës “Emathia” dhe autor i dhjetëra artikujve në fushën e kulturës, historisë, folklorit, publicistikës etj. Për botimet e shumta, me larmi fushash studimore, ai është vlerësuar nga kolegët e shoqatës me trofeun “Penda Budi 2010”. Roli i tij në veprimtaritë e shoqatës dhe jetën dhjetëvjeçare të revistës “Emathia” ishte vetëmohues me plot kuptimin e fjalës, sepse, edhe kur problemet shëndetësore, që ia bënin të pamundur lëvizjet fizike, ai do të ndikonte tek drejtuesit vendorë dhe njerëzit me influencë në politikë, që të mbështesin nismat e përbashkëta për zhvillimin e konferencave, ekspozitave dhe botimeve në dobi të trashëgimisë kulturore.

Në aspektin lokal, me institucionet e qeverisjes vendore të Bashkisë së Klosit, ai ishte kryesor në nisiativat këmbëngulëse për organizimin e sesioneve shkencore mbi ngjarje jubilare, si 100-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë, 100-vjetori i shkollës së parë në Bejn të Klosit, 70-vjetori i shkollës së parë unike në Klos etj. Nisur nga kontributet e tij të shumta, në jubileun e 100-vjetorit të Pavarësisë, Këshilli i Bashkisë Klos, me vendimin nr. 53, datë 22. 11. 2012, i ka dhënë titullin “Qytetar Nderi i Bashkisë Klos”, me motivacionin: “Për kontribut të çmuar në fushën e arsimit dhe promovimit të vlerave historike dhe etnokulturore të trevës së Klosit”.

* * *

Kur flasim për Aqif Ymerin dhe vlerat e tij të veçanta në fushën e dijes, nuk mund të lemë pa përmendur edhe disa tipare të tij njerëzore. Ai ishte një emër që s’mund të harrohet: njeri bujar, i ndershëm, i drejtë, i sinqertë, i papajtueshëm me mediokritetin dhe antikonformist. Ishte mikpritës i rrallë. Shtëpia e tij ishte e hapur për miq e shokë, artistë, shkrimtarë dhe studjues të fushave të ndryshme. Me dashuri priste edhe bashkëstudentët e kolegët e fëmijëve të tij, të cilët nuk përtonte t’i shoqëronte në eksplorimin e natyrës së bukur malore të zonës së Klosit e të Gurit të Bardhë. Ndodhte kështu se Aqifi ishte vetë artist në shpirt dhe në jetë. I pëlqente dhe lexonte letërsi artistike, pasionant i muzikës dhe befasues për miqtë me mënyrën si interpretonte këngët dhe meloditë me instrumentin e fisarmonikës, që dinte të luante aq bukur. Ikja e tij e parakohshme është dhimbje e madhe jo vetëm për familjarët, por edhe për miqtë e shumtë, kolegët dhe ish-nxënësit e tij. Sa kënaqësi ishte të rrije me Aqifin, sepse ai e kishte shpirtin të mbushur me dritë e mirësi dhe veç dritë e mirësi shpërndante te njerëzit me aq fisnikëri. Dhe ashtu, përjetësisht, do të mbetet në mendjen dhe zemrat e tyre, bashkë me veprat e tij, që ua la dhuratë të përhershme brezave…

Burrel, mars 2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok