22/12/2024

ANTIDRAMA “DUKE PRITUR GODONË” – METAFORË E TRAGJEDISË NJERËZORE

0
Samuel_Beckett

Beketi – ndërtues i rrënojave

A thua unë kam fjetur kur të tjerët kanë vuajtur – Beket

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Analiza e veprës – Drama “Duke pritur Godonë” e romancierit dhe dramaturgut irlandez, kryesisht të shprehjes franceze, Semjuel Beket (Samuel Beckett, 1906-1989) u shkrua në vitet 1947-1948, ndërsa u botua në vitin 1952. U shkrua në gjuhën frënge. Më pas u përkthye  në anglisht. Përbëhet prej dy akteve, në të cilat veprimi pak a shumë përsëritet, me ca ndryshime të vogla. Personazhet kryesore janë nga dy: Estragoni dhe Vladimiri si dhe Poco (Pozz) e Luki (Lucky). Në dramat e Beketit, personazhet nga dy janë të shpeshtë. Lexuesi kurrë s’arrin të kuptojë përse e presin Godonë, a do të vijë ndonjëherë ai dhe në fund, a thua ekziston ai.

Duket si një personazh imagjinar, abstrakt i cili asnjëherë nuk shfaqet në skenë, edhe pse i tërë veprimi i dramës rrotullohet rreth tij. E vetmja gjë që dimë për të (sipas rrëfimit të fëmijës) është se ka mjekër të bardhë.

Endacakët e shkurtojnë bisedën me debate dhe me biseda të pakuptimta temash të ndryshme. Kryesisht flet Vladimiri. Supozohet se nëpërmjet dialogëve kuazi-filozofikë të tyre, Bekiti dëshiron në mënyrë subtile (të hollë) t’i përqeshë filozofët dhe intelektualët e mëdhenj.

Ndërrimi i temave konstatohet nga ndërprerjet e shkurtra, nga momentet e heshtjes të shkaktuara nga të menduarit apo nga zemërimi. Dy endacakët shpesh kanë mosmarrëveshje të cilat po ashtu përfundojnë me ndërrimin e temës.

Vepra sillet në radhë të parë rreth çështjes së shpresës. Që nga fjalia e parë që e thotë Estragoni: “Ja që s’po shkon” vërehet se sa e pashpresë dhe e pakuptimtë është jeta e tyre. E vetmja gjë me të cilën merren është të kërkuarit e ndonjë zbavitjeje që do ta shpejtonte kalimin e kohës, gjë që është ironike duke pasur faktin se Estragoni as që është i vetëdijshëm për kohën që ka kaluar. Estragoni harron, ndërsa Vladimiri, edhe pse i shkojnë ndërmend, nuk u beson kujtimeve të veta. Rinë bashkë ngase nuk mund të qëndrojnë pa njëri-tjetrin. Por, duke mos  lënë të shkojnë, njëri-tjetrin e tërheqin në greminë. Në thellësinë e shpirtit pa dyshim janë të vetëdijshëm se Godoja s’ka për të ardhur. Por nuk mund të mos mendojnë se çfarë jete do të kishin kur ta përjetonin ardhjen e tij dhe kur të ishin shpëtuar.

Gjatë pritjes, disa herë tentojnë të shkojnë, por një forcë e padukshme, mbase shpresa, i pengon të nisen. Megjithëkëtë, në thellësinë e shpirtit besojnë se do ta kenë më mirë sikur ta kanë fatin e të shohin se Godoja erdhi.

Një mosikje të tillë nga situata e rëndë prej frike nga diçka më e keqe,  vërejmë edhe te shërbëtori Luki (Lucky), të cilin zotëria e trajton si kafshë. Edhe ai dëshiron të ik prej tij ngase është fatzi, por ka frikë se pa zotërinë do të kishte qenë akoma më i pafat. Dhe kështu, Luki mbetet te zotëria, ndërsa Vladimiri dhe Estragoni vazhdojnë të presin, të trimëruar edhe nga një çun i cili vjen çdo ditë për t’u thënë se Godoja së shpejti do të vijë. Gjatë dramës, një gjë e tillë nuk realizohet.

Drama nuk përfundon ndryshe nga ajo se si fillon, ngase asgjë nuk ka ndryshuar.

Me këtë dramë Beketi është përpjekur të tregojë se sa e pakuptimtë mund të bëhet jeta po qe se e reduktojmë në pritjeE tregon edhe tragjedinë bashkëkohore të pamundësisë së komunikimit dhe raportet e këqija që mbizotërojnë ndër njerëz për arsye se nuk dinë për diçka më mirë apo ngase kanë frikë prej ndryshimeve.

Elementet letrare të veprës

Gjinia letrare: dramë; Lloji letrar: tragjikomedi, absurd; Vendi i zhvillimit të veprimit: nën një pemë (nën një dru), nuk dihet se ku; Koha e veprimit: brenda dy ditëve, nuk dihet kur; Tema e veprës: pritja e Godosë; Ideja e veprës: jeta shkon kot po qe se e kalojmë duke pritur ditë më të mira.

Përmbajtja e shkurtër

Shënim: Veprimi i kësaj drame nuk është i destinuar për ritregim, por për t’i paraqitur problemet tipike të shoqërisë, kështu që vetëm ritregimi mund të duket paksa i pakuptimtë.

Akti i parë:  Është natë, rrugë jashtë qytetit. Estragoni ri nën një pemë (nën një dru) dhe mundohet t’i nxjerr këpucët. Kur s’ia del ta bëjë këtë, ndalet për t’u çlodhur. Me të hyrë Vladimiri, veprimin e përsërit. Estragoni përsëri heq dorë dhe i ankohet Vladimirit se si nuk i shkon. “Ndonjëherë, edhe mua më duket ashtu. Shumë jam mbrojtur nga një mendim i tillë. I thosha vetes: Vladimir, mos u bëj i mençur, nuk ke shkuar deri në fund. Dhe e vazhdoja luftën”.

Në këtë rast mund të supozojmë se Vladimiri nuk e ka me luftën për nxjerrjen e këpucëve, por ky është i pari në vargun e të menduarit filozofik dhe kontemplacion (soditje, kundrim, ëndërrim) i pakuptimtë. Konstaton faktin se Estragoni përsëri ndodhet aty. Përpiqet ta përqafojë në shenjë përshëndetjeje ngase mendoi se kishte vajtur përgjithmonë. Estragoni me pezmatim i thotë se është në pritje. Vladimiri zemërohet dhe e pyet se ku e ka kaluar natën. Mësojmë se Estragoni e kishte kaluar natën në një hendek ku e kishin rrahur, por jo shumë.

Vladimiri e vazhdon bisedën e cila më tepër i ngjan të menduarit zëshëm. Thotë se është ndër të parët të kërcente nga kulla Eifel, kur ende ka pasur kuptim. Estragoni pas shumë mundimesh arrin ta nxjerrë këpucën të cilën nuk mundi ta nxirrte nga e para, ngase nuk e praktikonte për t’i nxjerrë çdo ditë.

“Vladimiri: Ja si është njeriu, qorton këpucën, e në të vërtetë këmba është e shtrembët!”

I nxjerrim skicat e jetëve të mjera të tyre duke krijuar mozaikun prej imtësive. Vladimiri pyet se ç’do të ishte bërë sikur të pendoheshin, por Estragoni ia kthen duke i thënë se do të ishin penduar vetëm pse kanë lindur.

Bisedojnë për Zotin dhe me këtë rast mësojmë se Estragoni ka qenë në shtëpinë përmirësuese ku kishte mësuar për Tokën e Shenjtë. Vladimiri ia tregon rrëfimin për dy grabitës të cilët me Krishtin i kishin mbështetur për kryqi. E habit fakti se vetëm njëri prej katër ungjilltarëve e përmend grabitësin i cili ishte penduar dhe të cilit Krishti i kishte premtuar shpëtim dhe çdokush i beson këtij versioni të rrëfimit.

“Estragoni: Njerëzit janë të marrë”.

Estragoni rrotullohet rreth vetes, vjen te rampa dhe thotë se vendi ku ndodhen është i mrekullueshëm. Propozon të shkojnë, por Vladimiri refuzon me arsyetimin se duhet ta presin Godonë i cili u kishte thënë që ta presin pikërisht ndër atë dru, një shelg i thatë pa gjethe. Bisedojnë nëse vërtet është dru, apo ndonjë krande ose kaçubë. Dyshojnë mos e kanë gabuar vendin e pritjes. Vladimiri thotë se Godoja nuk ka premtuar në mënyrë të prerë se do të vijë.  Ata kanë pritur dje dhe u duhet të presin edhe sot, edhe nesër, edhe pasnesër – derisa të vijë. Edhe pse ka thënë se do të vijë të shtunën pas zgjyrës (skories) së ditës. Ndoshta.

“Por cilës të shtune? A është e shtunë sot? Mos është e diel? Apo e hënë? Apo e premte?”

Pak më parë Estragoni tha se mbrëmë kishin qenë këtu, por tani thotë se nuk është shumë i sigurt. Lutet për pak qetësi. Vladimiri fillon të sillet lartë e poshtë, ndërsa Estragonin e mori gjumi. Kur Vladimiri nisi të ndjehet i vetmuar, e zgjoi Estragonin i cili ia ktheu me të keq. Por më pas deshi t’ia tregonte ëndrrat e tmerrshëm që kishte parë për të cilat Vladimiri nuk deshi të dëgjonte. Pyesin në do ta kishin më mirë pa njëri-tjetrin, por sakaq heqin dorë nga ndarja, ndaj e fillojnë një temë të re. Estragoni dëshiron që Vladimiri t’ia tregojë rrëfimin për anglezin në bordel, por ai refuzon dhe hidhërohet. Një kohë sillen pranë njëri-tjetrit, pastaj përqafohen dhe pajtohen.

“Vladimiri: Ç’do të bëjmë tani?

Estragoni: Do të presim.

Vladimiri: Po, por derisa presim.

Estragoni: Të varemi?

Vladimiri: Të paktën kjo do të ishte një mënyrë që më në fund të marrim fund”.

Për vetëvrasjen flasin me lehtësi. Kjo tregon se jeta për ta nuk ndonjë rëndësi të madhe. E kalojnë kot së koti, në pritje, por duket një fije shprese dhe besimi se ndoshta ndonjëherë do të mund të ishte pak më e mirë. Shtrojnë pyetjen se cili prej tyre do të duhej të varej i pari. Vladimiri pohon se i pari do të duhej të varej Estragoni ngase është më i lehtë se ai. Vijnë në përfundim se megjithëkëtë është më mirë të mos bëjnë asgjë, por vetëm të presin. Të presin dhe të shohin se çka do t’u thotë Godoja. T’i qartësojnë punët.

“Estragoni: Në të vërtetë, për çka e kemi lutur ne?

Vladimiri: Si të them… Në të vërtetë, asgjë konkrete.

Estragoni: Ndonjë lloj lutjeje.

Vladimiri: Ashtu është.

Estragoni: Kërkesë jo konkrete”.

Për herë të parë duket më se qartazi se pritja e tyre nuk ka qëllim për arsye se as vetë ata nuk e dinë arsyen e pritjes. Nuk dinë as çka dëshirojnë, as për çka e kanë lutur, as çka presin prej tij, s’dinë se çfarë përgjigjeje dhe çfarë premtimi u ka dhënë ai. Vijnë në përfundim se Godoja para se të marrë vendim duhet të këshillohet me të gjithë, ndërsa këta janë lutës të thjeshtë të cilët nuk kanë kurrfarë të drejtash ngase i kanë humbur pa pasur mundësi t’u dalin zot.

Duke pasur parasysh faktin se nuk kanë kurrfarë të drejtash, Estargoni e pyet Vladimirin, në janë të lidhur. Vladimiri e injoron pyetjen dhe i thotë të mbajë vesh. Duket sikur dëgjojnë diçka. Duke mbajtur vesh, që të dy mbeten të shtangur në mënyrë groteske. Pas pak vijnë në përfundim se s’dëgjojnë dot asgjë. Estragoni është i sigurt se ajo që kanë dëgjuar s’ka qenë veçse era që e ka lëvizur kallamin, por Vladimirit i ishte dukur se Godoja i bërtet kalit të vet. Estragoni propozon të shkojnë, por Vladimiri arrin ta bindë duke i thënë se ia vlen të presin po qe se ekziston mundësia që sonte të flenë diku ku është ngrohtë. Pas kësaj Estragoni, sikur të ishte fëmijë, ankohet se është i uritur. E refuzon rrepën që ia ofron Vladimiri, ngase dëshiron karotë. Më në fund, Vladimiri e gjen karotën e fundit dhe ia jep Estragonit i cili vjen në përfundim se sa më gjatë e ha ushqimin aq më pak kënaqesh me shijen e tij. Vladimiri thotë se tek ai është e kundërta, duke shtuar se kjo nuk është veçse çështje e temperamentit dhe e karakterit. Te kjo, si te shumë gjëra në jetë, nuk mund të ndikohet.

Estragoni përpiqet të kujtohet se ç’dëshironte ta pyesë Vladimirin, mor nuk ia del dhe kjo e zemëron. Më në fund i kujtohet se kishte dashur ta pyesë në i kanë duart dhe këmbët të lidhura për gunën e Godosë. Vladimiri ia ktheu se nuk i kanë të lidhura. Këtu biseda ndërpritet.

Përnjëherë dëgjohet një britmë e tmerrshme. Estragonit i ra karota. Rendën kah prapaskena, por Estragoni u kthye për ta marrë karotën, por edhe këpucën. Në skenë dalin Luki dhe Poco. Luki ka të lidhur në qafë një litar të gjatë, ndërsa në dorë mban një valixhe të rëndë, karrige që çmontohet, shportë me ushqim dhe gunë. Pozo ka kamxhik.

Endacakët e pyesin mos është Godoja. Pozo u ndje i fyer, por me të mësuar se janë “të llojit të njëjtë”, u qetësua.

“Megjithëkëtë jeni qenie njerëzore. (I vuri syzet). Sikur që e shoh. (I hoq syzet)Nga i njëjti lloj nga i cili jam edhe unë. (Qeshi me të madhe)I të njëjtit lloj si Poco! Me prejardhje hyjnore!”

Ua zuri për të madhe se këtë farë Godoje e presin në tokën e tij, por pastaj erdhi në përfundim se rruga është e çdokujt, ndaj është turp të bëjë një vërejtje të tillë. U tregoi se gjashtë orë kishte udhëtuar pa takuar dikë, kështu që do të qëndrojë pak me ta. Lukin s’e konsideron qenie njerëzore. I jep urdhra Lukit se ç’duhet të bëjë dhe ç’duhet t’i sjellë. Luki është i dëgjueshëm, i zbaton urdhrat dhe e përgatit karrigen dhe ushqimin. Kur endacakët (Estragoni dhe Vladimiri) morën zemër, nisën ta shikojnë Lukin nga afër. Erdhën në përfundim se ai duket i lodhur. Flasin për plagët rreth qafës, mos vallë është budalla, idiot, a ka fyt…nuk e kuptojnë pse e mban në dorë valixhen. Kur Pozo përfundoi së ngrëni, Estragoni e pyeti në mund t’i merrte kockat e pulës që i kishte hedhur ai. Pozo ia ktheu duke i thënë se për këtë duhej pyetur Lukin, por ky heshti, nuk dha përgjigje.

“Poco: O derr, ty të janë drejtuar! Fol!”

Sakaq, Vladimiri reagoi ndaj një sjelljeje të tillë me një qenie njerëzore, duke shtuar se një sjellje e tillë është e turpshme. Poco e injoroi dhe vendosi të ndezë edhe një llullë, përkundër kanosjes së Vladimirit se do të shkojë. Sapo mori të niset, Poco ia përkujtoi Godonë, kështu që Vladimiri hoqi dorë, u ndal. Estragoni nuk reshti së pyeturi përse Luki nuk e lëshon valixhen. Pas disa minutave injorimi, Poco iu përgjigj se Luki mund ta lëshojë valixhen, por nuk do. Ai dëshiron të tregohet para tij se është një hamall i mirë, që mbase ta ndalte. Vjen në përfundim se do të kishte qenë më së miri që të gjitha qeniet si ai të vriten. Lukit iu mbushën sytë. Estragoni u përpoq ta qetësonte dhe t’ia fshinte lotët me shami, por Luki i ra me tub.

“Poco: Ju tregova se s’i honeps dot të huajt!”

Estragoni fillon të qajë, ndërsa Vladimiri e qetëson butësisht. Luki pushon së qari. Estragoni i del para Pocos dhe e pështyn. Poco sqaron se Luki është bufon, palaço i tij. Tani i duhet të vendosë, edhe pse që të dy janë në moshë. Dikur e kishte shërbëtor të mirë, ndërsa sot po e çon në varr. Në fillim, Vladimiri dhe Estragoni e gjykonin Pocon, por tani – Lukin. Vladimiri dhe Estragoni komentojnë sesi kjo është një natë e shkëlqyer, si në cirk. Zhvillohen biseda të pakuptimta dhe ndodhin gjëra të pakuptimta. Vladimiri shkon dhe kthehet i zemëruar. Pozo ndjen një qetësi që lëshohet mbi hapësirë.

“Vladimiri: A thua s’ka për të ardhur nata?”

Poco paralajmëron ikjen e vet, por ndalet edhe pak, pas lutjes së Estragonit. U thotë se edhe po të ishte në vendin e tyre, do ta kishte pritur Godonë deri në orët e vona të natës. Pasi që në mënyrë poetike dhe bizare u tregoi se ç’është muzgu, i pyeti në mund të bënte edhe diç tjetër për ta. Estragoni i thotë se janë lypës dhe se do të ishte mirë t’u kishte dhënë ndonjë lek. Poco u shtir sikur s’dëgjoi dhe i pyeti nëse dëshironin që Luki të vallëzojë, të këndojë apo të mendojë zëshëm. U pajtuan që së pari të vallëzojë, e pastaj të mendojë. Luci e lëshoi për toke valixhen dhe nisi ta luajë “Vallen me rrjetë”. Vladimiri dhe Estragoni s’e pëlqyen gjithaq vallëzimin. Ata donin të dinin përse Luki dëgjon dhe bën krejt çka i thotë Poco. Poco u premtoi se do t’u jepte sqarime, por së pari e urdhëroi Lukin të mendojë. Vladimiri duhej t’ia vinte në kokë kapelën ngase pa kapelë nuk mund të mendonte.

“Luki: Në ç’mënyrë në bazë të punimeve publike të fundit të Puankonit (Poincon) dhe të Uatmanit (Watmmann) rezulton ekzistimi i zotit personal me mjekër të bardhë si jashtë kohës së hapësirës i cili nga lartësia e apatisë hyjnore të vet…”. Luki vazhdon t’i thotë mendimet e veta, fjalitë pa kuptim dhe fjalët e ndërthurura me përpjekjet e deklaratave të mençura. I neveritur, Poco e tërheq litarin dhe Luki, pas përpjekjes së dështuar për t’u mbajtur, bie në tokë. Vladimiri dhe Estragoni të frikësuar mos vdiq, i ndihmojnë të drejtohet, por me të prekur valixhen Luki e merr veten. Poco kërkoi ndjesë për atë që ndodhi dhe e kërkoi orën. Pasi nuk e gjeti, pyeti se kujt i vjen era. Pas një mori falënderimesh dhe përshëndetjesh, vendosi të niset. E tërhoqi Lukin nga vetja.

“Vladimiri: Disi e vramë kohën.

Estragoni: Ajo do të kishte kaluar edhe pa këto ndodhi.

Vladimiri: Po, por jo dhe aq shpejt”.

Përsëri tentuan të shkojnë, por u kujtuan se janë duke pritur Godonë. Nga biseda e tyre mund të konstatohej se Pocon dhe Lukin e kanë njohur prej përpara, por për këtë nuk ishin të sigurt.

Në skenë paraqitet djaloshi, emisari i Godosë i cili u tregon se Godoja sot s’ka për të ardhur, por le të jenë të sigurt se do të vijë nesër. Estragoni erdhi në përfundim se është i pafat, por nuk e di përse. I vërsul djaloshit se gënjen. Vladimiri e bombardoi me pyetje djaloshin: Kush është ai Godojaç’punonme kë jeton dhe çfarë zoti është ai. Çdo pyetjeje djaloshi iu përgjigj me urti. U premtoi se do t’i tregojë Godosë se i kishte parë. Pasi shkoi djaloshi, Estragoni vendosi që këpucët e veta t’ia lërë dikujt që e ka këmbën më të vogël.

“Vladimiri: Mirë ama, këtu pari s’mund të ecësh këmbëzbathur.

Estragoni: Krishti ka ecur.

Vladimiri: Krishti? Ku të  shkoi mendja? Mos vallë do të krahasohesh me të.

Estragoni: Gjatë tërë jetës jam krahasuar me të.”

Mendohen se sa kohë janë bashkë. Vijnë në përfundim se duhet të kenë kaluar pesëdhjetë vjet. U rikthehen disa kujtimeve dhe vijnë në përfundim se do ta kishin më mirë po të kishin shkuar secili në rrugën e vet. Por, tashmë kjo s’ka kurrfarë kuptimi. Thonë se shkojnë, por luajnë vendit.

*   *   *

Akti i dytë – Të nesërmen ndodhemi në të njëjtin vend, në të njëjtën kohë. I vetmi dallim është fakti se shelgu kishte lulëzuar. Pranë rampës ndodhen këpucët e Estragonit dhe kapela e Lukit. Vladimiri hyn në skenë me vrull, i ngadalësoi hapat, duke u ndalur herë-herë për t’u marrë erë këpucëve. Përnjëherë u ndal dhe filloi të këndojë me tërë zërin që kishte.

“Na ishte një qen / Dhe ka vjedhur një koc / Dhe e ka zemëruar kuzhinierin / Dhe ia thyen hundën / Dhe u grumbulluan qentë / Ia çelën varrin / Dhe i vendosën pllakë / Në të cilën shkruante / Na ishte një qen…”

Këngën e përsërit disa herë derisa nuk vjen Estragoni, i zemëruar fort. Vladimiri tenton ta përqafojë, por ai i shmanget. Ishte prekur se Vladimiri këndonte, kurse ky kishte menduar se kishte shkuar përgjithmonë. Vladimiri thotë se njeriu nuk mund ta ndryshojë disponimin sipas dëshirës dhe se që prej mëngjesi është tejet i disponuar ngase gjatë gjithë natës nuk kishte pasur nevojë të çohet. Estragonin ndërkaq gjatë gjithë natës e kishin rrahur, pa e ditur përse. Që të dy e kuptojnë se nuk mund të jenë me njëri-tjetrin, por as pa njëri-tjetrin.

“Estragoni: Do të kishte qenë më mirë që çdonjëri prej nesh të shkonte në punë të vet.

Vladimiri: Gjithmonë kështu thua dhe çdoherë kthehesh”.

Rrotullohet e njëjta bisedë njësoj si dje. Përsëri flasin për të kaluarën, për të vjelat te Bonlai në Rusijon (Bonnellay Roussillon). Estragoni thotë se nuk i kujtohet të ketë shkuar ndonjëherë gjatë jetës diku më larg se vendi ku ndodhet tani. Thotë po ashtu se nuk i kujtohet ta ketë planifikuar ndonjëherë vetëvrasjen, as të Pocos as të Lukit.

“Estragoni: Më së miri do të kishte qenë të më vrasin, sikur edhe tjetrin.

Vladimiri: Kush ai tjetri?

Estragoni: Miliona të tjerë.”

Bisedojnë për zërat në kokat e veta. Për faktin se si janë të pashtershëm, se si të gjithë flasin në të njëjtën kohë, se si nuk u mjafton as fakti se kanë jetuar, as fakti se kanë vdekur. Pyetjes “Ç’do të bëjmë?” – gjithmonë përgjigjja e njëjtë: “Do ta presim Godonë”.

Në qoftë se pjesa e parë e dramës ka pasur elemente të komedisënë këtë çast drama tërësisht kthehet në tragjedi. Shohim personazhe groteske dhe bizare të cilët na dhimbsen për jetën e mjerë.

Vladimiri dhe Estragoni dëshirojnë t’ia nisin nga e para. Vijnë në përfundim se puna më e vështirë është si ta bëjnë hapin e parë. Pastaj shkon më lehtë. Sa për fillim, vendosin të mendojnë dhe t’i shtrojnë njëri-tjetrit pyetje. Zhvillojnë një bisedë kryekëput të pakuptimtë që të përkujton një shqyrtim filozofik të cilin dikush tenton ta përqeshë. Mendohen se për çka do të mendojnë. E fillojnë bisedën lidhur me faktin se si është e mundur që shelgu të ketë lulëzuar  brenda një nate. Estragoni thotë se mbrëmë fare s’kanë qenë në atë vend, por diku tjetër. Në fund të fundit s’ka rëndësi se ku ndodhen ngase kudo ka hapësirë të zbrazët.

“Po, m’u kujtua, mbrëmë kemi shirë kashtë të zbrazët. Qe gjysmë shekulli jemi duke e bërë këtë”.

Vladimir tenton ta bindë Estragonin se mbrëmë kanë qenë këtu. Ia tregon këmbën e lënduar dhe këpucët që i pat lënë ai. Ia rikujton kockat që ia pat dhënë Pozo. Estragoni i mohon të gjitha. Përsëri deshi të shkonte dhe përsëri iu kujtua se presin Godonë. Estragoni e refuzon rrepanin që ia ofroi Vladimiri. Për ta kaluar kohën më shpejt, vendosin që Estragoni të përpiqet t’i veshë këpucët. Vijnë në përfundim se të rinë bashkë, megjithëkëtë u del më mirë. Madje thonë se janë magjistarë të zbavitjes. Pasi që Estragoni ia doli t’i vishte këpucët, vendosi që të mos ia jep dikujt tjetër, edhe pse i vijnë të mëdha. Ndoshta ndonjëherë do të gjejë edhe çorape. U ul po në atë vend ku ishte ulur mbrëmë. I mbuluar me kapotën e Vladimirit dhe duke dëgjuar ninullë, e zuri gjumi. Kishte parë një ëndërr të keqe, ndaj ishte zgjuar i tmerruar, por Vladimiri i jepte zemër. Vladimir dëshironte të ecin pak bashkërisht, por Estragoni ndjehej tepër i lodhur. Përsëri tentoi të shkonte, por Vladimiri ia bëri me dije se janë duke pritur Godonë. Estragoni u ankua se kishin ardhur shumë herët, ngase nata s’dukej se vjen. Vladimiri e ngushëlloi duke i thënë se nata do të vijë befasishëm, mu sikur dje. Pas kësaj, u zbavitën pak me kapelën e Lukit. Vladimiri e vuri kapelën mbi kokë, zuri një farë pozite dhe e pyeti se si i rinte. Estragoni ia ktheu se duket i shëmtuar, si zakonisht. Prandaj vendosi ta mbajë kapelën. Vladimiri propozoi të luajnë Pozon dhe Lukin. Ai do ta luante Lukin, kurse Estragoni – Pocon. I thotë Estragonit t’i bërtasë. Estragoni i bërtiti një herë dhe e la me kaq. Vladimiri filloi t’i bërtasë vetvetes, të vallëzojë dhe të mendojë duke u rrotulluar për toke. Sakaq, vërejti se Estragoni s’është aty pari. Ai kishte ikur.

“Vladimiri: Ku ishe? Mendova se ke shkuar përgjithmonë.

Estragoni: Isha te cepi i humnerës. Ata po vijnë.

Vladimiri: Kush?

Estragoni: Nuk e di.

Vladimiri: Sa vetë janë?

Estragoni: Nuk e di”

Vladimiri klithi hareshëm, i bindur se po vjen Godoja. Sakaq, do të shpëtojnë. Megjithëkëtë, për një çast u mendua dhe erdhi në përfundim se janë të rrethuar. Duhej të iknin ose të fshiheshin. Për këtë kërkojnë një vend të përshtatshëm.

“Vladimiri: … (Ia tregon sallën e shfaqjes). Aty s’ndodhe askush”! (Ndoshta ndonjë farë simboli, alegori). Tentojnë të fshihen pas drurit, por ai fsheh vetëm pjesërisht. Vijnë në përfundim se ai farë druri s’i shërben dot kujt. Kur marrin të shohin se kush është duke ardhur, vijnë në përfundim se nuk vjen kush. I kërkojnë ndjesë njëri-tjetrit dhe shajnë njëri-tjetrin, por në fund pajtohen. Përsëri vijnë në situatë kur nuk dinë se ç’do të bëjnë. Vladimiri propozon gjimnastikë dhe ia nisin punës. Por Estragoni lodhet shpejt. Vladimiri vjen në përfundim se nuk kanë kondicion, ndaj propozon do ushtrime për frymëmarrje. Estragoni i refuzon. Pastaj i drejtohet Zotit për ta pyetur në e sheh dhe i lutet për mëshirë.

Hyjnë Poco dhe Luki. Pozo është verbuar, ndërsa Luki është i ngarkuar njësoj si dikur. Për ta ndjekur më lehtë, litarin në fyt Pocoja ia ka shkurtuar. Në një moment, që të dy bien. Estragoni përsëri mendoi se Poco është Godoja, ndërsa Pozo ri i shtrirë në dysheme dhe thërret për ndihmë. Vladimiri dhe Estragoni pyesin se kush është ky. Estragoni thotë se nuk i kujtohet se kush është. A duhet ta pyesin në ka ende kocka pule dhe a i duhet ndihmë për t’u çuar. Estragoni propozon t’i ndihmojnë po qe se u jep kocka. Vladimiri ndërkaq ia ka drojën Lukit. Megjithëkëtë, vendosin t’i ndihmojnë pa ndonjë shpërblim.

“Vladimiri: Të bëjmë diçka derisa na ofrohet rasti! Jo çdo ditë dikush ka nevojë për ne! Madje as tani nuk kanë nevojë pikërisht për ne! Dikush tjetër do ta bënte këtë po aq mirë, në mos dhe më mirë. Thirrja që e dëgjuam pak më parë i drejtohet mbarë njerëzimit. Por në këtë vend dhe në këtë çast, deshëm ose jo, njerëzimi jemi ne”.

Estragoni e pranon se nuk e ka dëgjuar fjalimin dinjitoz të Vladimirit. Vladimirit kjo nuk i lë përshtypje. Ai lëshohet në mendime filozofike të mëtejme për qëllimin e ekzistencës, duke harruar Pocon i cili vazhdon të jetë i shtrirë në dysheme. Deri në çastin kur Poco u ofroi njëqind franga. Ata e refuzojnë dhe kërkojnë më shumë. Pasi u ofron dyqind franga, përpiqen ta ngrenë, por Vladimiri bie. Estragoni tenton të shkojë, ndërsa Vladimiri i premton se, po qe se mbetet, bashkërisht do të enden nëpër Arjezhë (Ariege). Estragoni nuk heq dorë nga vendimi i vet për të shkuar. Vladimiri mendon se herët a vonë, edhe vetë do të mundë të çohet. Megjithëkëtë, Estragoni vendos t’i dalë në ndihmë, ndaj ia zgjatë dorën. Me këtë rast edhe ai pengohet dhe rrëzohet. Poco ende ndodhet i shtrirë për toke. Lutet për mëshirë (antitezë e ditës së djeshme, kur këta dy kërkonin ndihmë prej tij). Vladimiri dhe Estragoni vendosin të flenë. Poco i zgjon me lutjet për ndihmë. I zemëruar se ia nxori gjumin, Vladimiri e godet. Dy endacakët menduan se Poco vdiq, ndaj u hyri frika. Me forca të përbashkëta nisin ta thirrin. Estragoni ishte i mendimit se do të kishte qenë zbavitëse sikur ta thirrshin me ndonjë emër tjetër. Së pari Estragonit i ra ndërmend Kaini dhe Abeli. Vijnë në përfundim se do të kishte qenë më së miri të kalojnë në diçka tjetër. Përsëri marrin të shkojnë dhe përsëri u shkon ndërmend se janë në pritje të Godosë. Megjithëkëtë, vendosin t’i ndihmojnë Pocos. Nevojiteshin kohë dhe përpjekje për ta mbajtur në këmbë. Poco i pyet në janë hajdutë dhe i lut që të mos e lënë vetë. Poco i pyet se cila pjesë e ditës është. Estragoni dhe Vladimiri nisin të zihen edhe rreth kësaj. Vladimiri e pyet Pocon në ishte verbuar papritmas.

“Poco: Ishte një ditë kur u zgjova i verbër si fati. Ndonjëherë më bëhet sikur ende jam në gjumë”.

Vladimiri ia rikujtoi se një ditë më parë ai shihte, por Poco ia ktheu duke i thënë se të verbrit nuk kanë kuptim për kohën. Ia përshkruajnë Pocos vendin ku ndodhen. I thonë se aty nuk ka asgjë përpos një peme. Poco pyet se ku ndodhet shërbëtori i tij dhe përse nuk përgjigjet e thirr. Iu lut njërit prej pleqve të shkojë për të parë mos është i lënduar Luki. Sërish iu kujtuan njerëzit që i kishte parë Estragoni. Mendojnë se janë strukur diku dhe po i vëzhgojnë. Poco u jep sqarime se si mund t’i afrohen Lukit. Së pari duhet tërhequr litarin, e po qe se nuk reagon ndaj kësaj, duhet t’i biesh në stomak apo në fytyrë. Vladimiri i thotë Estragonit se ky është një rast për hakmarrje. Estragoni i bie me egërsi Lukit dhe me këtë rast e vret këmbën. Vladimiri ia përkujton Pocos se ishin takuar dje, se planifikonte ta shesë Lukin në panairin e Shpëtimit dhe se shihte mirë. Si duket, Vladimiri është i vetmi i cili ka ndjenjë se ka ekzistuar dhe se ekziston koha jashtë momentit të tashëm. Poco thotë se atij asgjë nuk i kujtohet. Mësojmë se në valixhen e Pocos ka rërë. Për shkak të peshës së barrës, Luki bie përsëri. Poco e ngre dhe paralajmëron vajtjen Vladimiri iu lut t’i urdhërojë Lukit që të këndojë dhe të mendojë. Pozo i thotë se Luki është shurdhmemec. Vladimir ia rikujton se një ditë më parë nuk ishte i tillë.

“Pozo: Mjaft më me atë kohën tuaj, se më lodhët! Kjo është absurde! …Ata lindin të shtrirë mbi varr, dita shkëlqen për një çast,  pastaj përsëri vjen nata”.

Poco dhe Luki shkojnë. Gjatë asaj kohe Estragoni flinte. Kur Vladimiri e zgjoi ngase kishte mbetur vetë, ai u zemërua.

“Estragoni: Pashë ëndërr se jam fatlum”.

Vladimiri u mendua për absurditetin e jetës në ditën e përsëritur që e jeton me Estragonin. Vjen djaloshi.

“Vladimiri: T’ia nisim nga e para”.

Djaloshi nuk arrin ta njohë dhe pohon se dje nuk ka qenë aty. Vladimiri e di formulën. E di se ç’ka për të thënë djaloshi. Sonte Godoja nuk ka për të ardhur, por me siguri do të vijë nesër. Vladimiri e pyeti djaloshin në ishte i sigurt se e kishte parë, a do të thotë nesër përsëri se është hera e parë që takohen. Djaloshi ia mbathi. Pleqtë konstatojnë se është koha për nisje ngase po i zë nata dhe se Godoja me siguri nuk ka për të ardhur. Estragoni propozon që t’i ngrenë duart prej tij.

“Vladimiri: Ai do të na dënonte. (Qetësi. E vështron pemën). Vetëm pema jeton”.

Estragoni përsëri propozon të varen tek ajo pemë. Nuk kanë litar. Ai e nxjerr rripin e pantallonave të cilat pastaj i bien deri në kyçet e këmbës. Vijnë në përfundim se rripi nuk ka gjatësi të duhur dhe s’është i fortë sa duhet. U morën vesh që kur të vijnë të nesërmen, të sjellin edhe litar të mirë.

“Estragoni: Unë më nuk mund ta çoj kështu.

Vladimir: Kjo vetëm ashtu thuhet.

Estragoni: Të shkojë secili në rrugën e vet? Mbase do të kishte qenë më mirë?

Vladimiri: Nesër do të varrim veten. Po qe se Godoja nuk vjen.

Estragoni: Po nëse vjen?

Vladimiri: Atëherë kemi shpëtuar”

Vendosin të nisen. Vladimiri i bërtet Estragonit që t’i ngrejë pantallonat.

“Vladimiri: A po shkojmë?

Estragon: Shkojmë!

(Nuk lëvizin fare)”

*   *   *

Personazhet: Vladimiri (Didi), Estragoni (Gogo), Poco (Pozzo), Luki (Lucky)

Vladimiri (Didi) – i paraqitur si një personazh më racional, me dozë të madhe empatie (nuk është durimtar), krijon përshtypjen se vërtet nuk mundet pa Estragonin dhe kujdeset për të.

“Vladimiri: Të bëjmë diçka derisa na ofrohet rasti! Jo çdo ditë dikush ka nevojë për ne! Madje as tani nuk kanë nevojë pikërisht për ne! Dikush tjetër do ta bënte këtë po aq mirë, në mos dhe më mirë. Thirrja që e dëgjuam pak më parë i drejtohet mbarë njerëzimit. Por në këtë vend dhe në këtë çast, deshëm ose jo, njerëzimi jemi ne”.

Është i vetmi që ka perceptim për kalimin e kohës dhe në fund e kupton një të tillë. Për këtë arsye vjen në përfundim se çdo gjë që bën dhe krejt pritja e tij është e kotë. Megjithëkëtë, nuk heq dorë nga pritja.

“A thua unë kam fjetur kur të tjerët kanë vuajtur? A flejë në këtë çast? Nesër kur të duket se po zgjohem, ç’do të mund të them për ditën e sotme? Se me shokun tim Estragonin e kam pritur Godonë? Se Pozo kaloi me hamallin e vet dhe foli me ne? Ndoshta. Por, nga krejt kjo, çka do të jetë e vërtetë? (Estragoni më kot i mbathi këpucët e veta; pastaj e kaploi gjumi. Vladimiri po e shikon). Ai s’ka për të ditur gjë. Do të flasë për goditjet që i mori, kurse unë do t’i jap karotë…. Njeriu ka kohë për t’u mplakur. Qielli është përplot britmash tona”.

Estragoni (Gogo) – Në pjesën më të madhe të kohës sillet si fëmijë, është lakmitar dhe shpejt heq dorë prej çdo gjëje, ndaj edhe nga pritja. Çdoherë Vladimiri e kthen prapa. Pavarësisht nga fakti se shoku i tij kujdeset shumë për të, shpesh planifikon ta lërë dhe të largohet.

Estragoni: Po sikur çdonjëri të shkojë në rrugën e vet? A s’do të kishte qenë më mirë?

Nivel i ulët i empatisë. Personazh skajshëm fatzi.

“Estragoni: Pashë ëndërr se jam fatlum”.

“Estragoni: PO sikur të varemi?”

Nuk ka ndjenja se koha kalon. Harron se ç’ka ndodhur një ditë më parë. “Por cila e shtunë? A është e shtunë sot? Mos është e diel? Apo e hënë? Apo e premte?”

Poco (Pozzo) – padron, skllavopronar, vetjak dhe brutal. Ndaj Lukit sillet si ndaj një kafshe, e nëpërkëmb dhe e përbuz.

“Poco: O derr, me ty e kanë! Fol!”

Me siguri, Lukin e konsideron si qenie më inferiore se veten.

“Por megjithëkëtë, jeni qenie njerëzore (I vuri syzet). Sikundër shoh ( I nxori syzet)Nga i njëjti lloj nga i cili jam edhe unë. (Qesh sa s’bën). I të njëjtit lloj sikur edhe Poco! Me prejardhje hyjnore!” (I drejtohet Vladimirit dhe Estragonit). Në fund mbetet i verbër dhe krejtësisht i varur prej Lukit. Thotë se të verbrit nuk e njohin konceptin e kohës.

“Poco: Mjaft më me atë kohën tuaj, se më lodhët! Kjo është absurde! …Ata lindin të shtrirë mbi varr, dita shkëlqen për një çast,  pastaj përsëri vjen nata”.

Luki (Lucky) – është reduktuar në rrafsh animal (kafshe). Në aktin e parë flet, kur i kërkohet të thotë ndonjë mendim, ndërsa në aktin e dytë është shurdhmemec.

“Luki: Në ç’mënyrë në bazë të punimeve publike të fundit të Puankonit (Poincon) dhe të Uatmanit (Watmmann) rezulton ekzistimi i zotit personal me mjekër të bardhë si jashtë kohës së hapësirës i cili nga lartësia e apatisë hyjnore të vet…”.

I kryen urdhrat pa menduar. Personazhet tjera sillen ndaj tij sikur s’është njeri.

“Poco: Ju thash se nuk i honeps (nuk i duron) të huajt!”

*   *   *

Shënime për autorin

Semjuel Beket (duhet shkruar dhe duhet shkruar Bekit) (Samuel Beckett, Dublin, 13 prill 1906 – Paris, 22 dhjetor 1989) është dramaturg dhe romancier me prejardhje irlandeze. Kritika botërore e ngritur në shkallë miti. Lindi në Dublin më 13 prill 1906. Studioi gjuhën frënge, italiane dhe angleze në kolegjin Trinity të Dublinit. Pas diplomimit, punoi një kohë si mësues në Belfast. Shpejt pas kësaj u shpërngul në Paris. Lektor i gjuhës angleze në ?cole Normale Supérieure në Paris. Atje u njoh me bashkëkombësin e vet, prozatorin dhe poetin irlandez, Xhejmz Xhojs (James Joyce, Dublin, 1882 – Cyrih / Zürich, 1941). Dy shkrimtarët gjenialë dhe gjigantë u bënë shokë. Beketi menjëherë filloi t’i asistojë Xhojsit në kërkimet për veprat e tij, duke punuar si sekretar i tij.

Vepra e parë që e botoi Beketi ishte eseja kritike me titullin “Dante…Brino…Vico..Joyce”. Në këtë ese Beketi merret me krijimtarinë letrare të Xhojsit si dhe me metodikën, teknikën dhe stilin e tij të të shkruarit. Derisa jetonte në Paris, veprat e evta Beketi i botonte në gjuhën frënge. Prej vitit 1935 nisi ta botojë poezinë e vet, kryesisht në përmbledhje. Pas kësaj nisi të punojë në romanin e vet “Marfi” (Murphy). Proza e tij u pranua shkëlqyeshëm nga publiku. Në njërin nga tregimet e tij paralajmëroi daljen në dritë të dramës “Duke pritur Godonë”. Këtë dramë e shkroi në vitin 1952. Kjo antidramë u shndërrua në mit. Në Paris është shfaqur pothuajse çdo mbrëmje. Së pari para një publiku të zgjedhur, elitar. S’ka vend në botë ku s’është shfaqur ajo. Me Godonë e Beketit janë marrë kritikët letrarë më të mëdhenj si dhe filozofët më eminentë të botës. Veprat e Beketit janë përkthyer në shumë gjuhë të botës. Dramat e tij më së shumti janë shfaqur në periudhën e viteve 1950-1970.

Veprimtaria letrare e Beketit është realizuar në kuadër të teatrit të absurdit. Në vitin 1969 Beketi u shpërblye me çmimin “Nobel” për letërsi.

Periudha letrare në të cilën vepron është postmodernizmiteatri i absurdit dhe ekzistencializmiAntiteatri i Beketit përshkohet nga gjurmët e surrealizmit, si nga gjurmët e Xhejmz Xhojsit dhe të tregimtarit austriak me prejardhje hebraike, Franc Kafkës (Pragë, 1883 – Kierling / Vjenë, 1924). Antiteatri i Beketit ka ushtruar ndikim të fuqishëm në zhvillimin e teatrit bashkëkohor.

Protagonistë të Beketit janë njerëzit pa kulm mbi kokë, palaçot, pleqtë e sëmurë apo invalidët, të privuar nga konteksti apo nga çfarëdo rrethimi civilizues, shfaqen nga dy dhe zhvillojnë biseda të gjata, të palidhura, deri në shkatërrimin e leksikut. Në botën beketiane dëgjohet një zë i dehumanizuar. Personazhi beketian është i privuar nga vetitë psikologjike, është pa personalitet psikologjik, i humbur në kohë dhe hapësirë, i reduktuar në ekzistencë lakuriqe, në zë që i flet vetvetes. Fjalët e personazheve beketiane nuk kanë as porosi, as përmbajtje, përcjellin heshtje dhe asgjë, një hiç,

Tema të Beketit janë: rrjedhja e kohës, pritja, banaliteti i përditshmërisë, pamundësia e komunikimit, vetmia, rënia, shkatërrimi, vdekja, rrallëherë kujtimet, por edhe pasioni.

Rënien fizike e përcjell vdekja e sintaksës, zhduken karakteristikat e stilit, mbizotëron monologu i brendshëm, asociacionet e zbrazëta. Mungesë ndjenjash, varfëri të brendësisë së njeriut, toni është sarkastik dhe vetëshkatërrues.

Në veprat e veta, Beketi është i preokupuar kryesisht me ekzistencën njerëzore dhe me problemet e tjetërsimit në jetën moderne. Personazhet e tij janë viktima të fuqive madhore. Veprat e tij janë pesimistepor pothuajse gjithmonë të përshkuara nga humori.

Beketi në letërsi dhe në teatër paraqet kthesë. Ai është promotor dhe themelues i prozës dhe i dramës postmoderniste. Personazhet dhe veprat e tij kanë dalë prej kornizave të faqeve, të letërsisë dhe të teatrit dhe janë bërë simbole të cilat sot i hasim shpesh në jetën e përditshme.

Ia bëri me dije botës disa ndjenja dhe probleme tipike të epokës sonë.

“Pritja e Godosë” u shndërrua në lokucion apo shprehje që shënon apo që nënkupton “pritjen e pashpresë dhe absurde, të pakuptimtë dhe të kotë të dikujt që mbase do të mundë të na shpëtonte, edhe pse një gjëje të tillë as vetë ne nuk i besojmë gjithaq”.

*   *   *

Rreth kategorisë ku do të bënin pjesë romanet e tij – Molloy (1951), Murphy (1938),  Watt…) janë zhvilluar debate, në janë romane moderne, moderniste apo postmoderniste. Por dramat e tij, sapo u botuan dhe u shfaqën, u konsideruan kulm i realizimeve të drejtimit të ri, antiteatrit.

Bashkë me dramaturgun francez me prejardhje rumune, Ezhen Joneskon (Eugene Ionesco, 1912-1994), dramaturgun francez me prejardhje armene, Artur Adamovin (Arthur Adamov, 1912-1970) dhe poetin, romancierin e dramaturgun francez Zhan Zhene (Jean Genet, 1910-1986), Beketi konsiderohet përfaqësues më i rëndësishëm i tipit të tillë të teatrit, i cili e hedh poshtë dialogun e menduar dhe kompozicionin tipik të dramës. I tejkalon kufijtë e zhanreve të deriatëhershme (të komedisë dhe të tragjedisë).

Dramat e tyre përshkruhen si drama absurde, drama të bazuara në humorin e zi.

*   *   *

Beketi ka shkruar edhe romane. Më të njohur janë “Molloy” (1951), “Malone vdes” (Malone meurt, 1952) dhe “Pa emër” (L’Innommable, 1953). U shkruan në vitet 1947-1953.

Drama të njohura të tij janë edhe: “Fundi i lojës” (Fin de partie, 1957), “Shiriti i fundit” (La Derniére bande, 1958), “Prushi”, “Ditë të bukura” (Oh les beaux jours, 1963), “Fjalë dhe muzikë”, “Jo unë” etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok