06/02/2025

Antiamerikanizmi në Kosovë është antishqiptarizëm

0
Ndue-Ukaj

Nga Ndue Ukaj

Krenaria antiamerikane, të cilën e manifestojnë disa shqiptarë trutharë e idiotë, të infektuar me virusin ideologjik komunist, që është virus antiamerikan, nuk ka lidhje me patriotizëm, nuk i shërben Kosovës, por është një sëmundje e rrezikshme që kërkon kurim urgjent.

Shkrimtari më i madh shqiptar dhe njëri prej njerëzve me kontribut madhor për lirinë tonë, Ismail Kadare, duke i trajtuar mosmarrëveshjet tona kombëtare, ka thënë qartësisht se antieuropianizmi është antishqiptarizëm.

Po, sot, antiamerikanizmi në Kosovë është antishqiptarizëm i pastër dhe duhet të luftohet prej secilit njeri normal që e do vendin e vet më shumë se një aksh lider, cilido qoftë ai.

Kosova që katër vite është udhëheqë prej një qeveri që ka treguar se e ka thellë në zemër mendësinë joperëndimore – dhe ky fakt i shpjegon të gjitha rrjedhat tjera: izolimin, sanksionet e armiqësitë me të gjithë.

Historia jonë e tri dekadave, ngjarjet themelore që e kanë karakterizuar atë, na tregojnë me saktësi, se në krye të vendit tonë nuk është një kryeministër që i është tekur këto katër vite të ketë mosmarrëveshje me Amerikën, për gjoja sovranitetin në veri e përralla patriotike, por një njeri, i cili prej se është në skenën publike, pra, prej Konferencës së Rambujes e deri në ditën e sotme, është në kundërshti të plotë me Amerikën.

Prandaj, në këto zgjedhje, shqiptaret Kosovës përcaktohen mes lirisë perëndimore apo tentativave për të rrëshqitë në despoti orientale.

Krejt tjerat janë rrena të mëdha.

Qeveria e sotme nuk ka lidhje me konceptet perëndimore për shtetin, demokracinë e lirinë, gjë të cilën e ka manifestuar që katër vite në pushtet.

Kjo pushtet i territ dhe i synimeve të errëta për të “vendosë fuqinë aty ku duhet të jetë drejtësia” (G. Orwelli), duhet të ketë fundin me 9 shkurt, që vendi ynë të ruajë ekzistencën e vet, të tillë çfarë e ka, pra, ta ruajë lirinë, demokracinë dhe pavarësinë.

Kosova, të gjitha fitoret i ka korrë së bashku me Amerikën dhe Europën.

Prandaj, kurrë nuk është tepër të thuhet se Amerika, që tri dekada, ka treguar kujdes për vendin tonë si për oborrin e vet.

Dhe, kurrë nuk është vonë pendimi. Kurrë nuk është vonë që njerëzit e droguar me ideologji, të shkunden e të pranojnë se janë gabuar, se janë mashtruar për shkak të dozës së madhe të pijes së urrejtjes ideologjike që e kanë pirë pa masë. Sepse, ideologjia është opium i tmerrshëm e kur bie në midenë e njerëzve të paushqyer me dije, shkakton çrregullim të madh.

Po, pendimi është vlerë e cilësi e madhe njerëzore, po, pendimi është humanizëm i shkallës sipërore. Dhe Kosova e sotme ka nevojë të përjetojë një katharsisë të madh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok