22/12/2024

Anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare – sfidat dhe mundësitë

0
Anton-Marku

Nga Anton Marku

Njëri ndër qëllimet kryesore të Kosovës, si subjekt relativisht i ri në arenën ndërkombëtare, është shtimi i numrit të njohjeve, fuqizimi i shtetësisë dhe etablimi si faktor regjional i paqes. Ky objektiv është formuluar si i tillë që nga themelimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme si një ndër prioritetet qenësore. Në ndërkohë, katërmbëdhjetë vite pas shpalljes së Pavarësisë, me gjithë përpjekjet e pareshtura, ky synim është përmbushur vetëm pjesërisht. Muajve të fundit është duke u debatuar intensivisht nëse, duke pasur parasysh zhvillimet globale, me theks të veçantë në agresionin e Federatës Ruse kundër Ukrainës, anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare do të mund të ndodhë shpejt, duke anashkaluar kështu procedurat formale për një proces të tillë. Por sa do të ishte e mundur që diçka e tillë të bëhet realitet. Është kjo një pyetje e cila meriton një përgjigje që lë anash euforitë e çastit që sjellin titujt e gazetave dhe portaleve.

Këshilli i Evropës

Përhapësit e tezave të mundësisë që Kosova të pranohet në këtë organizëm marrin si shkas largimin e Federatës Ruse në mars të këtij viti, vendin ‘‘vakant‘‘ të së cilës do të mund ta mbushë Kosova. Një krahasim i tillë, sado qëllimmirë të jetë, është i pabazuar dhe i paqëndrueshëm, kjo dhe për faktin se Këshilli i Evropës, pos tjerash, shërben edhe si vend ku qytetarët, si individë apo si grup, mund të deponojnë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut ankesat e tyre ndaj institucioneve shtetërore, duke denoncuar kështu padrejtësitë e bëra në raport me ta. Kur kësaj i shtohet mosmiratimi nga ana e Kuvendit të Kosovës të projekt-kodit për komunitetin LGBTQI i përcjell edhe me manifestime të forta homofobie, atëherë kjo nuk e afron por vetëm sa e largon Kosovën mentalisht nga Strasburgu.

Bashkimi Evropian

Është mbështetësi dhe sponzoruesi më i madh i zhvillimit politik dhe ekonomik të Kosovës përgjatë dekadave të fundit. Sidoqoftë zbatimi kuptimplotë i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe vendimit mbi liberalizimin e vizave janë të lidhur ngushtë edhe me progresin serioz në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Përpos obstruksioneve të vazhdueshme nga ana e Beogradit, vërehet qartazi se edhe Kryeministri Kurti këtë proces më shumë e konsideron debatues se sa bashkëbisedues. Përderisa kjo të mbetet kështu, arritjet do të jenë të varfëra, të ngadalshme dhe me pengesa të vendosura qëllimshëm, në mënyrë që të imponohet ri-dizajnimi i formatit të tij apo dhe që të gjendet një mekanizëm tjetër, i cili do ta zëvendësonte atë. Hezitimi i implementimit të obligimeve të marra nga të dy palët është tregues më se i qartë për këtë.

NATO

Aleanca më e fuqishme ushtarake në historinë e njerëzimit, e përbërë nga 30 shtete anëtare, disa prej tyre në fqinjësi direkte me Kosovën (Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi) është prezent në Kosovë që pas përfundimit të luftës, me 1999, dhe atë në formë të KFOR-it që përkujdeset për një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët e saj. Kampi ushtarak ‘‘Bondsteel’’ afër Ferizajit është një garanci e integritetit të saj territorial. Në anën tjetër, me idenë e hapjes së ‘‘Fondit të Sigurisë’’, e cila si koncept është për t’u mirëkuptuar, shteti po sprovon që, së paku pjesërisht, t’u shmanget përgjegjësive të veta ligjore dhe buxhetin e ushtrisë, i cili përcakton infrastrukturën dhe armatimin e saj, kushtimisht ta lë në duart e qytetarëve, sidomos atyre në diasporë. Nuk do të ishte e dëshirueshme që ky fond të përjetojë fatin e ngjashëm me atë për luftimin e pandemisë, të iniciuar para dy viteve po nga Kryeministri Kurti.

Kosova nuk do të jetë në NATO edhe për shumë vite, por për aq gjatë NATO do të jetë në Kosovë si mburojë e saj ndaj çdo lloj sulmi eventual nga kushdo qoftë.

Organizatat tjera

Në vitet e fundit kishte disa tentativa për të aplikuar për anëtarësim në Interpol dhe UNESCO, të cilat dështuan jo aq për shkak të mosangazhimit të zyrtarëve kosovarë dhe miqve ndërkombëtarë se sa për shkak të propagandës serbe të shtrirë në të gjitha kontinentet, gjë që rezultoi me mossigurimin e numrit të mjaftueshëm të votave për t’u bërë anëtarë të tyre.

Konkludim

Në ndërkohë, ka më shumë se një gjysmë viti që ka skaduar moratoriumi për aplikime në organizatat ndërkombëtare, si pjesë e marrëveshjes së Uashingtonit, të ndërmjetësuar nga kryetari i atëhershëm i SHBA, Donald Trump, dhe Kosova ende është në proces të ristrukturimit dhe ri-definimit të politikës së saj të jashtme, duke u marrë kryesisht me ndryshimet kadrovike brenda Ministrisë, të cilat mbase, pjesërisht, kanë qenë të nevojshme. Është e sigurt se në mesin e diplomatëve të Kosovës ka shumë të tillë, të cilët me përgatitjen e tyre profesionale, etikën morale dhe integritetin personal përfaqësojnë republikën në mënyrë të guximshme, të denjë dhe me takt duke bindur me argumente hezituesit e anëtarësimit të saj në institucionet ndërkombëtare se ajo e meriton që një ditë të bëhet pjesë e tyre.

Deri aty është një rrugë e gjatë por nga e cila nuk duhet hequr dorë asnjëherë. Sot Kosova më shumë se për vrapues në shtigje të shkurtra ka nevojë për maratonistë.

Vjenë, 24 prill 2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok