25/12/2024
At-Zef-Pllumi

Nga Ndue Ukaj

Meqë  sot (28-08-2021) është  ditëlindja e Zef Pllumit, po e ri postoj një  poezi të tijen i bindur se andrra për të  cilën shkruan Pllumi është  andrra e çdo shqiptari të sotëm që  beson se “dashnia nuk vendoset me dhunë.”

Lexuesit shqiptarë At Zef Pllumin e njohin kryesisht si autor të librave monumentalë, “Rrno vetëm për me tregue”, “Histori kurrë e shkrueme”, “Françeskanët e mëdhaj”, “Saga e fëmijnisë”… Por, ai ka shkruar edhe poezi, dhe ato i ka botuar në librin “Antipoezi për shekullin njëzetë (Poema antiepike)”, me pseudonimin Lis Mali.

Këto poezi, siç tregon vetë autori, janë shkruar me lot, gjak e me vnerë dhe kanë lindun gjatë “netve të nji dimni barbar, t’nji dimni shqiptar, kur, jo, s’kishte lule, gjethe e as bar;…”

Vjershat e Pllumit tregojnë botën e madhe të autorit andërrimtar që lufton me tërë qenien, ndonëse “ndër prangat e randa kambë e duer i lidhun” për të rrëzuar kultin e dhunës dhe për t’i ngritë një monument të madh dashunisë.

Këtë poezi, që po e ndaj me ju, autori e ka shkruar kur atij i kishte munguar liria fizike, por jo ajo shpirtërore dhe kjo e fundit e përshkon vjershën si një thirrje e përhershme në ndërgjegjen njerëzore, si një thirrje buçitëse për ndërgjegjësim e angazhim për vepra të mira. Në këtë poezi, gufon dhe rrezaton bota e madhe e françeskanit të përkorë që i përulet vetëm të vërtetës sublime: dashunisë dhe forcës që ka ajo për të bërë botën më të mirë dhe më humane.

Bota shqiptare sot është e çoroditë dhe ka nevojë që të ushqehet me poezi e vepra të tilla dhe jo me dokrra e marrina që prodhon politika dhe instrumentet e tyre për propagandë, që i hasim përditë në ekrane dhe media.

Veprat e artit, janë ilaç shpirtëror për kohë të liga, siç është kjo e jona. Sidomos ato vepra që kanë dalë nga përvoja të forta dhe kohë të liga, dhe që tregojnë forcën e madhe të njeriut për të rezistuar ndaj të keqes. Në këtë drejtim, At Zef, pa dyshim është dishepull i mirë i vlerave humane dhe një nga shembujt më të mirë që kemi si komb.

 

ANDRRA IME

 

At Zef Pllumi

 

S’asht fjala për andrrat që shofim na n’gjumë:

sa pamje shpartalle, skelete pa brumë.

Flluska sapuni me shkumbë.

Kam fjalen për andrrat-dishire gjatë dite,

që t’hedhin n’mendime vite me vite.

Nji send un e dij:

se njerzit ket andërr m’a quejn: utopi!

 

Mbarë token e due, si fushen, si malet

livadh të qëndisun me lulet e lajlet,

ku delet t’kullosin të qeta, pa frigë

nga bishat e egra s’i gjenë ndoj e ligë;

ku bleta zukatse t’bajnë mjaltin nder hoje

që njerzt t’ambelsohen goje për goje.

 

Due ajrin e pastër, pa tym e pa mjegull,

ku syni t’shikoje gjithshkafen me rregull:

ku n’qiellin e kaltër t’ket pëllumba perherë

pa ju versulë flakurim ndoj skifter.

Due njerzit, due popujt bashkuemun unji

Me ‘i sundimtare mbretneshë: dashni!

 

Ket andërr ka pa shumëkush para meje

n’epokat e tjera, çdo komb e çdo feje.

Dhe prap un e dij:

Se u vunë vulën e zezë: utopi!…

Arsyeja dhe zemra njerzore,

që n’kohnat e lashta antike,

andrruene për nji:

“Republikë platonike”.

-Tiranët gopçarët, t’nji kaste, t’nji dore

mbiemnin ja vunë edhe ksaj:

utopike!

 

E s’voni n’epokat e reja, pa pra

n’shkreti shungulloi persritun nji za:

“O njerz, ju vllazen jeni të tanë!

Ju t’gjith kët token e keni për Nanë!”

Por mbretent, fisnikët, kalorsat barbar,

Kurr nuk pranuen t’jenë njerzt barabar.

 

E dij se n’tokë ka dimna e prandverë,

e dij se mbi tokë ka pëllumba e skifterë;

e dij se mbi tokë ka ujq dhe dele,

ka pasanikë e kamb-zdathun me zhele,

por kët s’e kuptoj:

pse n’tokë sundon dhuna,

forca shtasore

jo mendja, jo puna;

se ma dashunisë s’i lanë kurrkund vend

a thue se njerzit janë t’gjithë të pamend!

 

S’pat bota njerz t’mendshëm?

pat, po si s’pat!…

Por o kjenë të plakun

o t’vorfen pa fat.

 

Prandaj un e due at andrrën e mirë:

që njerzit dikur, me hir o pa hir,

do rrxojnë e përmbysin kultin e dhunës,

instinktet shtasore t’mënisë e furtunës,

dhe n’vendin e tyne do t’vehet

Mirsia,

Mendja njerzore,

Zemra e Dashunija!

 

(Vitin e kaluar Botimet Françeskane kanë botuar librin me poezi të Át Zef Pllumit, me titull, Poezi)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok