Andon Zako Çajupi, satiristi i andshëm i kohëve tragjike, poeti i sqimës, i zëshmi i patriotizmit të shqiptarëve të Egjiptit
Nga Albert Vataj
Sot 157 vite më parë, më 27 mars 1866 u lind në Sheper të Zagorisë, Andon Zako Çajupi, avokat me pak sukses, poet buzëhollë, dramaturg i shquar, veprimtar patriotik, dhe demokrat. Jetoi dhe vdiq ne Egjipt më 11 korrik 1930.
Në historinë e letërsisë shqiptare Çajupi zuri vend edhe si dramaturg. Rëndësi të veçantë kanë sidomos komeditë e tij “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër” dhe “Pas vdekjes” (shkruar më 1910, botuar më 1937), me të cilat solli një ndihmesë me vlerë në zhvillimin e këtij lloji në letërsinë tonë.
Çajupi u mor gjithashtu edhe me përkthime. Përveç një varg vjershash dhe fabulash që botoi në Baba Tomorri, më 1921 nxori në dritë Përralla të zgjedhura të vjershëtarit të madh La Fontenit, në të cilat, duke u nisur nga kërkesat ideore të shoqërisë shqiptare, rrahu me mjeshtëri çështjet politike, shoqërore, morale etj. të jetës së kohës, satirizoi veset njerëzore dhe shfaqjet negative të shoqërisë me klasa, si grabitjen, mashtrimin, dhunën etj. Më 1922 u botua Lulet e Hindit, përmbledhje me vjersha të poetëve indianë.
Ajo që ka mbetur prej vepërs së Çajupit ka një vlerë shumë të madhe. “Baba Musa lakuriq”, një parodi e bibles është një ndër veprat që ai nuk mundi t’i botojë sa qe gjallë. I mëshohet shumë asaj pjese të krijimtarisë së tij siç është cikli i “vajeve” dhe ajo çka më pak evidentohet është kritika që ai lëvroi me një thellësi mendimi dhe kthjelltësi gjykimi. Ai solli bashkë me Konicën, modelin kritik të të menduarit në kulturën shqiptare. Çajupi është shkrimtari i kapërcimit nga periudha e romantizmit, nga ai mentalitet mbizotërues i shqiptarëve, në modelin kritik të të menduarit. Ai e zbriti poezinë nga qiejt romantikë në tokën e zërit të shpirtit dhe mendjes. Një tipar dallues te Çajupi është erotizmi në veprën e tij, që është prezent më shumë se çdo gjë tjetër. Kjo tregon se edhe në këtë pikëpamje ai qe shumë i emancipuar, dhe poezitë e tij erotike janë shumë fine e sensuale, të drejtpërdrejta, sarkastike, cinike dhe ironike. Kjo ndoshta si një qasje e tij për të guxuar në lëvrimin e një komunikimi ndryshe, një marrëdhënie që jo vetëm e veçon por edhe e shndërron në një shprehje interesimi për ta marrë në konsiderim.
Çajupi në Nivan kreu mësimet gjysmë të mesme, të cilat i plotësoi në një lice francez në Egjipt, ku jetonte i ati. Më 1887, pasi bëri një vizitë në Sheper, që ishte e fundit për të, Çajupi shkoi në Zvicër, atje kreu studimet e larta dhe mori titullin e doktorit të drejtësisë. Në Kajro, ku u vendos për gjithnjë, punoi për një farë kohe si avokat. Nga fundi i shek. XIX mori pjesë gjallërisht në lëvizjen patriotike shqiptare dhe mbajti krahun e saj më të përparuar. Në rrethet e gjera atdhetare u bë i njohur me një artikull që shkroi në kuadrin e diskutimit rreth çështjes së alfabetit, në të cilin doli kundër adoptimit të alfabetit grek për gjuhën shqipe. Më 1909 botoi shkrimin e njohur Klubi i Selanikut, një pamflet dërrmues kundër armiqve të brendshëm të lëvizjes kombëtare shqiptare. Patriotizmi i flaktë dhe qëndrimi i prerë ndaj pushtuesve të huaj dhe veglave të tyre, e nxorën Çajupi në krye të patriotëve që vepronin në Egjipt. Më 1919 u zgjodh kryetar i shoqërisë “Vëllazëria” me qendër në Kajro. Qe frymëzuesi dhe njëri nga hartuesit e memorandumit që shqiptarët e Egjiptit, i dërguan Konferencës së Paqes më 1919 në mbrojtje të tërësisë territoriale të Shqipërisë. Më 1920 themeloi “Shoqërinë e Miqve”, e cila në vitin 1928 e ngriti zërin kundër shpalljes së monarkisë nga ana e Ahmet Zogut.