21/12/2024

Ambasadorja që i mungonte emigrantëve shqiptarë në Greqi prej 30-vjetësh

0
Albert-Zholi

Ardhja e ambasadores Hajdaraga u ka kthyer buzëqeshjen emigrantëve tanë

Nga Albert Z. ZHOLI

Historia e emigracionit shqiptar në Greqi është një histori e rrallë  me zhvillime interesante. Fundshekulli XX e rrudhi edhe njëherë Atdheun  tonë. Edhe ashtu i pakët siç ka qenë, me pjesë të tëra territori e popullsie të ndarë nga trungu, kur priste t’i rritej  shtati duke u bashkuar me Kosovën martire, ky u mpak nga njerëzit që po i iknin, shumica pa kthim. Kjo lëvizje popullsie në drejtim të shteteve të perëndimit e kryesisht, drejt Greqisë, në fillim ngjau si gëzim pas ndrydhjes së gjatë nga shteti totalitar: pastaj, kuptimi i mërgimit e ktheu ikjen në tragjedi, ndërsa tani, gëzimi dhe tragjedia kanë depërtuar  te njëra-tjetra fatalisht dhe përjetohen me ankth. Sepse të shumta kanë qenë humbjet, vdekjet e ndryshme, por më shumë tragjike e të parakohshme. Vdekje nga krimet, por edhe nga përpjekja  e stërmundimshme për të arritur “tokën e premtuar”. Shumë mbërritën, shumë e lanë përgjysmë ëndrrën dhe disa e vazhdojnë. Por Greqia për emigrantët mbetet porta më e madhe pasi aktualisht aty ka më shumë se 650 mijë emigrantë të legalizuar. Lind pyetja: “Në këto 30 vite emigracion sa është kujdesur ambasada shqiptare në Athinë me konsujt për emigrantët? Sa janë të lidhur ata me hallet, problemet, shqetësimet e tyre?! Çfarë ndihme  kanë dhënë dhe japin për të burgosurit dhe të drejtat e tyre?! Sa janë të interesuar ata për mësimin e gjuhës nga fëmijët e emigrantëve dhe çfarë ndihme konkrete kanë dhënë?! Në këto 30- vjet emigracion masiv në ambasadën Shqiptare në Athinë kanë qenë disa ambasadorë që janë munduar të jenë pranë problemeve të tyre”? Por ka pasur edhe situata që nuk ke dëshirë as t’i dëgjosh dhe as t’i përmendësh. Askush nuk mund ta besonte deklaratën e ish- Ministrit në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme (8 korrik, 2020), Gent Cakaj, për shkarkimin e të gjithë stafit të Ambasadës Shqiptare në Athinë, përfshirë edhe ambasadoren. Kjo fortunë në Ambasadën shqiptare në Athinë është motivuar nga Cakaj me mosperformancën dhe shërbime të dobëta ndaj komunitetit shqiptar. Pa humbur kohë ministri Cakaj gjeti edhe emrin që do të zëvendësonte ambasadoren e shkarkuar Ardiana Hobdari . Ajo ishte Luela Hajdaraga, vajza e ish-ministrit të Mbrojtjes, Luan Hajdaraga. Ajo ka studiuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për psikologji dhe është diplomuar për marrëdhënie ndërkombëtare në universitetin e Neë York Empire State Collage.

Të jesht diplomat

Të jesh diplomat është një detyrë e vështirë, por po aq dhe fisnike. Funksionet kryesore të një diplomati janë përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të vendit të tij dhe qytetarëve të tij, mbledhja e informacionit për vendin pritës, si dhe promovimi i vendosjes së lidhjeve miqësore, kulturore, tregtare dhe të tjera midis vendeve. Ndoshta këto tipare janë në figurën e ambasadores shqiptare në Athinë Luela Hajdaraga, E qeshur, korrekte, e dashur, punëtore, e kudogjendur ajo e ka kthyer amabsadën shqiptare në Athinë një shtëpi të dytë për emigrantët. Kushdo që ka qenë dhe është emigrant në Athinë tashmë e shikon shumë qartë ndryshimin. Besohet se diplomatët nuk bëhen, dhe lindin, sepse gjëja kryesore në këtë profesion është talenti, edhe nëse nuk ke mbaruar për diplomaci. Komponentët kryesorë të suksesit në shërbimin diplomatik janë: potencial të lartë arsimor, intelektual dhe kulturor, përvojë historike, si dhe arti i zbatimit të të gjithë kësaj në praktikë. Këto cilësi dhe virtyrte janë pjesë e jetës dhe e punës së Luela Hajdaraga. Sa mori detyrën puna e parë ishte rregullimi i ambientit të jashtëm dhe të brendshëm të ndërtesës. Ajo ishte përballja e parë me çdo njeri që do ta vizitonte atë. Pa një ambient të pastër, të rregullt, nuk mund të vazhdosh punë serioze. Prezantimi i parë dhe tek njeriu është paraqitja e jashtme dhe sjellja: pastaj niveli intelektual dhe kulturor. Tashmë në ambasadë çdo gjë ka ndryshuar. Ambientet jashtë dhe brenda të ngjallin dëshirën për t’u afruar.

Komunikimi i personelit

Personeli ka një detyrë të vështirë pasi të tilla janë dhe hallet e emigrantëve. Një punonjës i ambasadës me çfarëdo detyre është një diplomat në miniaturë. Për vetë specifikën e punës, për vetë larmitë e problemeve, një punonjës ambasade duhet të jetë i aftë si një psikolog i mirë që e di se si të gjejë një qasje për çdo bashkëbisedues dhe ta bindë atë për të drejtën e tij dhe shqetësimin që mbart. Me këtë frymë është instruktuar dhe me këtë frymë punojnë tashmë punonjësit e ambasadës pas ardhjes së zonjës Hajdaraga. Kjo për vetë natyrën e problematikave emigratore, punonjësi duhet   të jetë një person i zhvilluar tërësisht, të ketë një mendje dhe aftësi fleksibël për t’u përshtatur me situatën, me të papriturat e halleve të shumta.

Humanizmi i diplomates

Një diplomat pa qenë human asnjëherë nuk do të ketë sukses. Humanizmi është cilësia më e lartë e një diplomati. Një diplomat i mirë duhet të ketë një numër cilësish personale si humanizëm,  bukuri, ndjenjën e humorit, mirësjellje, takt, një njeri punëtor, i shkathët, psikologjikisht i qëndrueshëm, energjik dhe përgjegjës për çka bën. Këto cilësi janë pjesë e punës së znj. Hajdraga.  Ja si shkruajnë gazetat ( 5 nëntor 2020) për vizitën e znj. Hajdaraga, që i bëri në spitalin e Athinës një fëmijë shqiptar: “Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi, zonja Luela Hajdaraga, ka vizituar sot në Spitalin e Përgjithshëm të Fëmijëve në Athinë ”Panagiotis dhe Aglaia Kyriakou”, shtetasin shqiptar Eriko Mane, i cili, pasi është konstatuar me fraktura të rënda nga tërmeti i djeshëm, është transportuar me urgjencë në Athinë dhe i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale ku gjendja e tij është stabilizuar. Në kuadër të kësaj vizite, zonja Hajdaraga mori kontakt me Drejtorin e Përgjithshëm të Spitaleve të Fëmijëve në Athinë, z. Emanouil Papasava, Drejtoren e Pavionit, znj. Paraskevi Feizidhu dhe doktorin ortoped, z. Konstandin Paleologo, të cilët i falënderoi për ndihmën e tyre të shpejtë dhe u shprehu mbështetjen e Ambasadës të Republikës të Shqipërisë. Ambasadorja Hajdaraga ka komunikuar me familjarët e të plagosurit dhe u shprehu mbështetjen e Ambasadës dhe qeverisë shqiptare për të gjitha nevojat e mundshme gjatë këtyre momenteve të vështira. Ambasada është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet greke lidhur me gjendjen shëndetësore të 14- vjeçarit si dhe çdo informacion të mëtejshëm në lidhje me situatën aktuale dhe mbetet në dispozicionin e familjes e të plagosurit për çdo ndihmë të mundshme.

Problemet e pasaportave

Kur ke një hall mosqofsh emigrant. Kjo për shumë arsye. Por një ndër arsyet kryesore është se emigranti nuk njeh mirë gjuhën e vendit ku është. Nuk njeh mirë ligjet e shtetit ku jeton dhe punon, nuk njeh procedurat. Shumë herë nuk ka dokumentacionin e nevojshëm për të sqaruar problemet e shumta për legalizim, punësim, apo dhe shkollim. Një ndër problemet e emigrantëve shqiptarë në Greqi për 30- vjet ka qenë pajisja me pasapota. Sekserët ishin nëpër këmbët e emigrantëve. Kontakti i drejtpëdrejt me personelin kishte humbur. Roli i sekserëve ishte rritur. Ambasada jonë ishte e mbyllur në interesa që çuan në atë skandal të paparë e padëgjuar, në shkarkimin e të gjithë personelit të ambasadës me ambasadoren në krye. Kjo ishte e vërteta. Po e vërteta sot kush është? Nuk ka më sekser. Nuk ka më sorollatje. Nuk ka më pengesa. Çdo gjë është e saktësuar me rregullore. Askush nuk mund të bëjë jashtë rregullave dhe detyrave që ka. Një ndryshim rënjësor. Kjo e vërtetë i ka qetësuar emigrantët.

Lidhja me gazetarët, shkrimtarët dhe artistët

Në Greqi ka shumë gazetarë, shrimtarë dhe artistë. Ata me artin e tyre janë amabsadorët më të mirë. Aktorët, këngëtarët, muzikantët, valltarët dhe personat e tjerë, këndojnë, kërcejnë, recitojnë, luajnë, interpretojnë, ekzekutojnë, drejtojnë dhe janë të shumtë në Greqi. Ata janë në shumë institucione të artit dhe të kulturës greke. Pra vihet re se shoqëria greke i afron, i punëson ndërsa ambasada shqiptare disa herë ishte treguar mospërfillëse. Sipas koreografit dhe balerinit me famë botërore Andrea Rama, me ardhjen e znj. Hajdaraga çdo gjë ka ndryshuar. Ajo sa filloi punë mori një takim të gjerë me të gjithë këtë kategori emigrantësh. Rruga për bashkëpunim dhe vlerësim është e hapur.

Marrëdhëniet me stafin

Aftësitë ndërpersonale janë thelbësore për të krijuar një marrëdhënie sa më të mirë dhe të shëndetshme. Drejtuesit efektivë duhet të dinë të negociojnë mirë me bashkëpunëtorët dhe të zgjidhin konfliktet duke përdorur metoda formale dhe joformale. Kur komunikimi çalon për arsye nga më të ndryshmet krijohen problematika në punën e përditshme. Kjo mbetet prioritet i punës së znj. Hajdaraga. Prioritet i punës ishte sektori i pasaportave ku tashmë  znj Olsa Sade ka përcjellë një performancë mbresëlënëse. Gjithashtu ajo ka një bashkëpunim shumë shprehës me konsullen Eliverta Radomi për problemet e artit, kulturës. Por një nga problemet me emigrantët ka qenë dhe mbetet me të burgosurit. Të drejtat e tyre shpesh herë janë nëpërkëmbur. Por tashmë puna e Sofokli Vasilit ka bërë që këto probleme të marrin rrugën e zgjidhjes. Albana Tërnova për problemet ekonomike në çdo hap ka mbështetjen dhe këshillat e ambasadores. Një frymë bashkëpunimi që rrallë ngjet. Pra, kjo është  Luela Hajdaraga, ambasadorja e re që po sjell një frymë të re, një mënyrë komunikimi të re në ambsadën tonë në Athinë. Është ambasadorja që i mungonte emigrantëve shqiptarë në Greqi prej 30-vjetësh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok