24/11/2024

AMANDAMENTET KUSHTETUESE DHE DEMOSTRATAT E VITIT 1968

0

– Amandamentet kushtetuese krijuan bazën politike e juridike, ndërsa demostratat përshpejtuan avancimin e pozitës dhe statusit të Kosovës

– Sa e avancuan  Kosovën ngjarjet e vitit 1968, aq më tepër e kthyen prapa ato të vitit 1981

– Pa të drejtë, sot askush nuk i përmend kreatorët e avancimit të pozitës juridike të Kosovës: Fadil Hoxha, Gazmend Zajmi, Syrja Pupovci, Hajredin Hoxha, Ismail Bajra, Ramadan Vraniqi, Rezak Shala, Bardhyl Qaushi, Asllan Fazlia, Daut Nimani, pa përmendur edhe shumë të tjerë anembanë Kosovës, të cilët në shqyrtimin publik të amandamnteve (1968) kërkuan republikë, vetëvendosje, barazi, simbolet kombëtare, etj.

Nga Adil FETAHU

Evoluimi i statusit dhe pozitës kushtetuese të Kosovës (1946 – 1974)

Pa hyrë në historinë e mvetësisë së Kosovës si një nga vilajetet më të mëdha shqiptare, me 22.500 km katrore, në kohën e Perandorisë Osmane, apo të mvetësisë me organet e veta ushtarake e civile gjatë Luftës së Dytë Botërore,- në periudhën prej vitit 1946 deri në vitin 1974, pozita kushtetuese-juridike dhe statusi politik i Kosovës ka pasur ngritje e rënie, të përcaktuara me Kushtetutën e Jugosllavisë dhe atë të Serbisë.

Sipas Kushtetutës së parë të Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë (31 janar 1946; ka 139 nene), “Kosova e Metohia,” ndonëse ishte provincë autonome në kuadër të Republikës së Serbisë, njëherit ishte edhe element i Federatës së Jugosllavisë. Pasi në paragrafin e parë të nenit 2 të asaj Kushetute përmendën gjashtë republika popullore, të cilat e përbënin Jugosllavinë, në paragrafin 2 përmend se Republika Popullore e Serbisë në përbërjen e saj ka Krahinën Autonome të Vojvodinës dhe Provincën Autonome të Kosovë-Metohisë. Siç shihet nga formulimi kushtetues, Kosova edhepse ishte për “një oktavë” më ulët se Vojvodina (Vojvodina ishte Krahinë, ndërsa Kosova – Provincë), të dyja këto ishin elemente përbërëse edhe të Federatës. Shkalla më e ulët e statusit të provincës, në krahasim me atë të krahinës, konsistonte në atë që për Dhomën e Kombeve të Kuvendit Federativ, republikat zgjedhnin nga 30 delegatë, krahina (Vojvodina) 20 delegatë, ndërsa provinca (Kosova) 15 delegatë. Organi më i lartë i krahinës ishte Kuvendi Popullor i Krahinës, ndërsa organi më i lartë i provincës ishte Këshilli Popullor i Provincës (neni 106), por as krahina as provinca nuk kishin pushtet legjislativ, respektivisht nuk mund të miratonin ligje (neni 92). Krahina (Vojvodina) kishte gjykatë supreme, ndërsa provinca (Kosova) nuk kishte (neni 115)Është një dispozitë interesante  në atë Kushtetutë (neni 44), sipas së cilës Kuvendi Federativ mund të pranojë republika të reja dhe të lejojë formimin e krahinave dhe provincave të reja. Kur flet për pranimin e republikave të reja, aludimi ka qenë që Shqipëria të bëhej republika e shtatë e Jugosllavisë (sic!).

Ligji Kushtetues mbi Bazat e Rregullimit Shoqëror-Politik të RFPJ dhe Organeve të Pushtetit Federativ (12 janar 1953), nuk e ka shfuqizua tërësisht Kushtetutën e vitit 1946, veçse ka anulua e ndryshua shumë dispozita të saj, duke rregulluar marrëdhëniet midis republikave dhe Federatës; të drejtat e prodhuesve dhe të qytetarëve, dhe konstituoi pronën shoqërore  mbi mjetet e prodhimit  dhe vetëqeverisjen si sistem shoqëror-politik, në të gjitha nivelet (me Kushtetutën e vitit 1946, ishte prona shtetërore, kooperativiste dhe private). Tashmë qytetarët i quan “populli punues”, duke proklamuar të drejta më të shumta vetëqeverisëse. Kuvendi Federativ përbëhej prej dy dhomash: Dhoma Federativ dhe Dhoma e Prodhuesve, në të cilat zgjedhej nga një deputet në 60 mijë banorë.  Në vend të Presidiumit, tash institucionalizohet Kryetari (i RFPJ-së). Sa përket statusit të Kosovës, ai ligj nuk e ka përmirësuar për asnjë jotë; edhe më tutje mbetet provincë, në përbërje të Serbisë (neni 113). Republikat dhe krahinat i kanë kuvendet  popullore, si organe më të larta, ndërsa provinca (Kosova) ka Këshillin Popullor të Provincës (neni 113/2). Kompetencat e krahinës dhe të provincës, i cakton Republika (e Serbisë) me ligj  kushtetues. Pakicat kombëtare nuk përmendën.

Kushtetututa e RSFJ (1963) e ndërron emërtimin nga Republika Federative Popullore, në Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, ndërsa në nenin 2 përcakton se RSFJ-në e përbëjnë gjashtë republika, duke i përmendur sipas “Azbukës”, ku krahinat nuk i përmend fare dhe kjo tregon se krahinat më nuk ishin njësi përbërëse të Federatës, por vetëm pjesë e republikës (së Serbisë). Në dispozitat për bashkësitë shoqëroro-politike, përmendën: komuna, rrethi, republika, federata (neni 96). Në nenin 33 ishte përcaktuar se qytetarët  janë të barabartë në të drejta dhe detyrime, pa marrë parasysh dallimet  nacionale, racën, besimin fetar, gjininë, gjuhën, arsimimin, pozitën shoqërore.  Ndërsa  në nenin 43, përcaktonte se pjesëtarëve të kombësive – pakicave kombëtare, iu garantohet e drejta e përdorimit të lirë të gjuhës amtare, kulturës dhe shkollimit në gjuhën e tyre. Në nenin 111 ishte përcaktuar se republika mund të themelojë krahinë autonome, kurse në paragrafin 3, thuhej: Në Republikën Socialiste të Serbisë ekzistojnë: Krahina Autonome e Vojvodinës dhe Krahina Autonome e Kosovë-Metohisë, të cilat janë themeluar në vitin 1945, me vendim të Kuvendit Popullor të RPS,në bazë të vullnetit të shprehur të atyre rajonve (sic!). Krahinat autonome janë janë bashkësi shoqëroro-politike në përbërje të republikës, me të drejta e detyra të caktuara në kushtetutën e republikës. Kufijtë e republikave mund të ndryshohen vetëm me pëlqimin e kuvendeve të republikave (krahinat nuk kishin asnjë kompetencë sa i përket ndryshimit të kufijve të tyre!). Siç shihet, me Kushtetutën Federative të vitit 1963, statusi i Kosovës u ngrit për një shkallë të vogël dhe si krahinë autonome u barazua me Vojvodinën, së cilës iu hoq  Gjykata Supreme që e kishte deri atëherë, kështu që krahinave nuk iu lejuan gjykatat supreme.

Amandamentet (ndryshimet) e Kushtetutës  së RSFJ-së të vitit 1963

Ndryshimet e Kushtetutës së Jugosllavisë, të vitit 1963, u bënë për shkak se kishin dalë shumë pengesa në realizimin e reformës ekonomike dhe shoqërore që u inicua në vitin 1965. Në Plenumin IV të PKJ-së, mbajtur në Brione më 1-2 korrik 1966, nënkryetari i Jugosllavisë, Aleksandar Rankoviq, u shkarkua nga të gjitha  funksionet politike dhe shtetërore, për shkak të përgjegjësisë për deformimet dhe keqpërdorimet e shërbimit të sigurimit shetëror, në krye të të cilit Rankoviqi ishte njëzet vjet me radhë. Tash duhej gjetur mënyrën për t’i pajtuar interesat dhe tendencat e ndryshme të kombeve të Jugosllavisë, ndërsa ideologu i të gjitha ndryshimeve sistemore në Jugosllavi ishte Eduard Kardeli.

Ndryshimet kushtetuese u inicuan në Kuvendin e Jugosllavisë. Në periudhën 1967 – 1972, u hartuan, shqyrtuan dhe miratuan tri grupe (sete) amandamentesh. Seti i parë ishin amandamentet I-VI, të miratuara më 18 prill 1967, të cilat kishin të bënin me dobësimin e Federatës, sidomos në lëmin e financimit të investimeve, dhe forcimin e republikave. Amandamentet e grupit të dytë (VII-XIX), që u miratuan më 26 dhjetor 1968, e “federuan” akoma më tepër Federatën, forcuan pushtetin e republikave dhe ngritën statusin e krahinave autonome në elemente konstituive të Federatës. Për pozitën juridike-kushtetuese të Kosovës, ishin me rëndësi amandamentet VII, VIII dhe XVIII. Në amandamentin VII, ishte përcaktuar se RSFJ-në e përbëjnë: RS e Bosnje-Hercegovinës, RS e Maqedonisë, RS e Sllovenisë, RS e Serbisë, me KSA të Vojvodinës dhe KSA të Kosovës, RS e Kroacisë dhe RS e Malit të Zi. Në bazë të autorizimeve që u fituan me ato amandamente, Kuvendi i Kosovës më 24 shkurt 1969 miratoi Ligjin e vet kushtetues, që ishte një avancim kushtetues-juridik, përtej statutit që kishte deri atëherë si aktin më të lartë. Grupi i tretë (amandamentet XX-XLII) që u miratuan më 30 qershor 1971, kishin të bënin më tepër me pronën shoqërore, punën e bashkuar dhe vetëqeverisjen, si bazë e sistemit ekonomik dhe shoqëror-politik, dhe ato quheshin “amandamente të punëtorëve”. Me këto tri grupe amandamentesh u krijua baza për miratimin e Kushtetutës së re të Jugosllavisë (21 shkurt 1974), që ishte kushtetuta më e gjatë në botë (me 406 nene). Menjëherë pas Kushtetutës Federative, edhe republikat dhe krahinat po atë muaj i miratuan kushtetutat e tyre. Kosova e miratoi Kushtetutën e vet, për herë të parë në historinë e saj, më 27shkurt 1974

Kush kërkoi vetëvendosje, republikë dhe kushtetutë për Kosovën?

Avancimi i pozitës kushtetuese-juridike të Kosovës, që u bë me amandamentet kushtetuese në Kushtetutën e Jugosllavisë, nuk ka ardhur as shpejt as lehtë. Ka pasur pengesa e kundërshtime të ashpra nga forcat nacionaliste-unitariste të Serbisë, të ndihmuara edhe nga disa republika tjera. Në diskutimin publik të  propozimit të amandamenteve që i kishte dhënë Komisioni Federativ (koordinues i të cilit ishte Eduard Kardel), në Kosovë u zhvillua një aktivitet i dendur politik dhe profesional e qytetar. U mbajtën shumë mbledhje në nivele të ndryshme, në të cilat u trajtuan çështje të ndryshme politike, juridike, historike, kombëtare. Një ndër çështjet më të diskutuara ishte e drejta e Kosovës për vetëvendosje, deri në shkëputje, sikur e kishin republikat e tjera. Pala shqiptare, këtë të drejtë e bazonte në fakte historike dhe kombëtare, sepse,thoshin ata,sipas kësaj të drejte edhe i janë bashkuar Jugosllavisë (1945), përmes Serbisë federale. Strukturat politike të Federatës dhe të Republikës së Serbisë, këtë të drejtë e mohonin dhe kundërshtoninin, duke thënë se kombësitë nuk e kanë të drejtën e vetëvendosjes.

Në këtë distancë kohore prej gjysëm shekulli, është me rëndësi të dihen akterët, diskutimet dhe kërkesat e tyre tështruara në mbledhjet e Komisionit dhe në aktivet politike në nivel të komunave dhe në nivel qendror të Kosovës. Në ato mbledhje, haptas kërkohej e drejta e vetëvendosjes, statusi i kombit për shqiptarët dhe statusi i republikës për Kosovën, lidhja e drejtpërdrejtë dhe pjesëmarrja e barabartë në organet e Federatës, kushtetuta, liria e  Flamurit kombëtar dhe e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, emërtimi Kosovë, e jo Kosovë e Metohi. Këto kërkesa u shtruan qysh në mbledhjen e parë të Komisionit, që u mbajt më 23 prill 1968, pastaj u përsëritën me këmbëngulje  disa here nëpër  aktivet polite, deri  në mbledhjen e fundit (16 nëntor 1968) të Komisionit për amandamentet (kryetar ishte Fadil Hoxha, nënkryetare Katarina Paternogiq). Kërkesat e tyre, duke potencuar argumente  shkencore, teorike, politike-juridike, historike dhe realitetin e mvetësisë së Kosovës, i paraqitën profesorët e Fakultetit Juridik-Ekonomik të Prishtinës: Hajredin Hoxha, Gazmend Zajmi, Syrja Pupovci, Ramadan Vraniqi (që ishte edhe kryetar i Gjykatës Supreme-dega në Prishtinë),  dhe profesorë e aktivistë të tjerë: Ali Hadri, Fehmi Agani, Dervish Rozhaja, Rezak Shala, Asllan Fazlija, Xhavit Nimani,Bardhyl Qaushi, Hasan Mekuli, Vehap Shita, etj. Edhe në aktivet politike të qyteteve dhe komunave tjera, me shumë vendosmëri kishin shtruar të njëjtat kërkesa. Gazeta “Rilindja” e datës 19 gusht 1968, raportonte gjërësisht  për kërkesat e njëjta që kishin shtruar pjesëmarrësit në Aktivin Politik të Gjakovës, Nga raportet që kishte marrë Komisioni Kushtetues prej 14 komunave në të cilat ishte organizuar diskutimi publik për amandamentet, prej 10 komunave kërkesat ishin pothuajse identike. Natyrisht, kërkesat e tilla me poaq këmbëgulje i kundërshtonin kuadrot dhe strukturat politike serbe, si në Kosovë aq më tepër në Serbi.

Pasi në mbledhjen e fundit të Komisionit Kushtetues, në të cilën Fadil Hoxha njohtoi se kërkesa për republikë dhe ventëvendosje ishte refuzuar kategorikisht në nivel të Serbisë dhe të Federatës,- shpërthyen demonstratat e rinisë shkollore dhe studentëve, me të njëjtat kërkesa, në Prizren, Suharekë, Pejë, Gjilan, Ferizaj, Podujevë, për të kulmuar  në Prishtinë më 27 nëntorit 1968, të cilat u shtypën me dhunë policore dhe ushtarake, me ç’rast u vra Murat Mehmeti, u plagosën, arrestuan, maltretuan e gjykuan shumë të tjerë.

Kërkesat politike të profesorëve të përmendur dhe të kuadrove tjera shqiptare, të shtruara në mënyrë institucionale, dhe të përsëritura e brohoritura në demonstratat e rinisë në nëntor 1968, rezultuan me avancimin e pozitës kushtetuese-juridike dhe me zhvillimin e hovshëm ekonomik, shoqëror, arsimor, kulturor të Kosovës dhe mbarë popullit shqiptar  në Jugosllavi, deri në suprimimin e autonomisë së Kosovës, me amandamentet e Kushtetutës së Serbisë në vitin 1989. Ai avancim i pozitës dhe statusit të Kosovës, ai zhvillim i hovshëm në një klimë politike të ndryshuar pozitivisht,ishte meritë e angazhimit dhe punës së atyre njerëzve. Ajo që nuk mund u sendërtuan  shumë kërkesa tjera, është për fajin e kushtve, rrethanave dhe raportit të forcave të asaj kohe.

Në këtë 50-vjetor të atyre përpjekjeve, atyre demonstratave dhe atyre ndryshimeve positive, duhet t’i kujtojmë me pietet e respekt të gjithë ata burra, ata djemë e ato vajza, që kontribuan dhe sakrifikuan për një frymëmarrje më të lehtë të shqiptarëve në Jugosllavi. Po të mos ishin ato përpjekje, ato sakrifica dhe ato avancime, as sot nuk do ta kishim Kosovën e pavarur, ashtu çfarë e kemi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok