22/12/2024

AMAN PUNONI PËR SHTET

0
Ryzhdi-Baloku1

Nga Ryzhdi Baloku

Duke e ditur se miliona  familje i humbnin shtëpitë e veta dhe “e merrnin botën në sy” gjatë konflikteve të dhunshme dhe luftërave të zhvilluara, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e përcaktoi 20 qershorin “Ditë botërore të refugjatëve”, me synim që të sensibilizohej opinioni për kthimin e asaj popullate në atdheun e tyre.

Meqë këtë të keqe e kanë përjetuar shpeshherë edhe shqiptarët, medoemos obligohemi që ta përkujtojmë këtë datë më shumë se çdo gjë tjetër, në mënyrë që ajo histori e trishtë të mos na përsëritet.

Kjo histori dramatike e popullit shqiptar është përjetuar nëpër shumë etapa historike, duke filluar nga koha e Perandorisë Romake dhe asaj Bizantine, në kohën e dyndjeve sllave të shoqëruara me kolonizim dhe gjatë Perandorisë Osmane. Posaçërisht dramatike ishte koha e luftërave të gjata me shtetet pushtuese fqinje serbe, malazeze, bullgare e greke në luftërat ballkanike me rastin e shthurjes së Perandorisë Osmane. Ishin dramatike edhe luftërat me disa shtete tjera pretenduese për pushtimin e këtyre trevave.

Për shkak të gjendjes tronditëse nga periudhat e përmendura, me miliona shqiptarë u katandisen, për mos t’u kthyer kurrë në atdheun e tyre, e ku  shumica prej tyre janë asimiluar dhe harruar nga historia. Konsiderohet se vetëm në Turqi numri i shqiptarëve është rreth 1.3 milion, ndërsa të atyre me prejardhje shqiptare prej 5 deri në 6 milionë.

Sipas mendimit tim, historia e refugjatëve çam është ndër më të dhimbshmet kundruall atyre që i ka përjetuar kombi shqiptar. Këtë histori dhune të shkaktuar nga grekët e përjetuan çamët që në shekullin e XIV, e njohur në histori si “Masakrat e Despotit”, pastaj masakra e vitit 1912 e njohur si “Marshimi për të pushtuar Epirin”, më 1913 “Masakrimi i udhëheqjes së Çamërisë”, më 1914 “Masakrat në Përmet”, më 1918 kemi “Reformën Agrare” plan ky për grabitjen e tokave të popullsisë çame, më 1919 “Incidentet fetare”, më 1921 “Incidenti për të drejtën e minoriteteve”, më 1936 ndalohet të flitet gjuha shqipe pas vrasjeve të shumta të kësaj popullate nga grekët, më 1923 kemi shkëmbimin dhe dëbimin e çamëve për Turqi, pastaj me 1939 e 1940  internimin e burrave çamë, ndërsa me 1944 janë të njohura “Masakrat e Napolon Zervës”, ku si rezultat kemi dëbimin e tërësishëm të çamëve myslimanë nga Çamëria.

Në ditën e sotshme, kur interneti na mundëson ta kemi çdo informatë të nevojshme brenda pak minutash, si për çudi mund të themi se janë të pakët ata që e shfrytëzojnë këtë mundësi, për mos ta harruar të kaluarën tonë. Kjo mund të vërehet edhe përmes komunikimit në rrjetet sociale.

Në bazë të disa informatave (nga librashitësit dhe bibliotekat), mund të vërehet se numri i lexuesve për libra te shqiptarët është në rënie, e po ashtu edhe për informata dhe shkrime që janë të gjata. Kjo dukuri vërehet edhe me rastet e postimit të shkrimeve në rrjetet sociale të komunikimit masiv. Nëse shkrimet janë më të gjata se disa reshta, mund të vërehet lehtë se pak veta i lexojnë, pa marrë parasysh se kush i ka postuar ato.

Sipas mendimit tim, kjo dukuri e mos leximit mund ta sjellë edhe harresën për shumë çështje, e sidomos atë historike.

Nuk është kohë e gjatë kur popullata shqiptare e Kosovës e përjetoi golgotën, andaj kur shikon sesi të këqijat dhe të mirat po harrohen shpejt, ose sesi njëjtë trajtohen, madje duke e favorizuar të keqen, e bën njeriun normal të çmendet.

Meqë neve shqiptarëve na është përsëritur historia, duke përjetuar madje edhe gjenocid nga të tjerët, tregon se jemi për një studim psikologjik.

Gjenocidin më të ri mbi kurrizin tonë e kemi përjetuar disa herë nga serbët, e megjithatë nuk jemi mbushur mend.

Mirë është të falësh e mos të hakmerresh, por pa e harruar të keqen që na ka ndodhur. Andaj nëse edhe tash nuk e bëjmë ndarjen e të mirës nga e keqja, frikohem që historia e hidhur mund të na përsëritet.

A s’është çudi kur i sheh në podium personat e deridjeshëm të cilët i kanë bërë dëme atdheut dhe kombit tonë duke u rreshtuar në anën e armikut, ata madje jo vetëm që i kemi harruar, por ka edhe raste kur të tillët edhe po dekorohen për merita që fare nuk i posedojnë. Pos kësaj, ka raste kur personat e caktuar tashmë të vdekur që dikur njiheshin si “Rankoviçevca” emrat e tyre të figurojnë si emërtime rrugësh, madje i shohim edhe fëmijët e tyre sesi kanë zënë vende të mira pune.

Pa keqkuptim mund të themi se emrat e tillë u kanë bërë dhe u bëjnë dëm personaliteteve që vërtet i kanë kontribuar çlirimit, madje edhe atyre që u sakrifikuan për atdhe, ndonëse shumë atdhetarë na kanë mbetur sot e asaj dite nën hijen e harresës.

Me shembujt e cekur, kur të këqijtë favorizohen apo barazohen me të mirët, tregojnë udhë-rrëfimin më të dëmshëm që ekziston për atdheun tonë të shtrenjtë, i cili mund të na shpie edhe në zhbërjen e shtetit.

Konsideroj se detyrë mbi detyra i pushteti të sotshëm është që ta vë shtetin të eci mbi binarët e saj, sikurse çdo shtet normal i Evropës dhe Botës, andaj aman punoni për shtet dhe mirëqenie të popullatës, e jo për pushtet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok