13/07/2024

AMALLGAMË NDJENJASH

0

Foto: (Nga e majta – pupëz: Syrja Etemi, komandant Malisheva nga Malisheva e Drenicës, – ulur: Fani i Pirokut dhe në këmbë, Enver Ademi)

Shkruan Syrja Etemi

Në shenjë të 22 vjetorit të daljes publike të UÇK-në vendbanimin tim, Sllatinë – Tetovë

(Shpalim i fletëve nga ditari im i luftës: “Ditarosje nën shurukamën e armëve”)

05.07.2001

AMALLGAMË NDJENJASH

Sot pas dite, togje prej rreth 40 ushtarësh të UÇK u zdorgjën në fshat nga “mali” (nga pozicionet mobile në Varvarë, Kala, Breznë). Këtyre iu bashkuan edhe nja 60 pushkë nga vet shllishtinasët (sllatinasët). Në shtëpinë e I.H. të destinuar për Shtab Lokal  të  UÇK-së për provincën time, erdhi  me suitën e tij edhe Komandant  Leka  – si përfaqësues i Brigadës 112 “Mujdin Aliu”. Kurreshtja ishte aq e madhe sa nuk mund të përmbaheshin nga gëzimi, qoftë fëmijët që imitonin komandantët e luftës, qoftë nga të rinjtë  e urtë e rebelë, qoftë nga të moshuarit e ndrojtur  e pa sherr.

Meqë armëpushimi  dypalësh duhej të hynte  në  fuqi nga ora 24, duke filluar nga ora  18-05 min. filluan të shtënat e fuqishme të armëve të lehta këmbësorie, të cilat u intensifikuan nga ora 22-35 min. e që zgjatën deri orë 24. Unë-pa ndonjë rol prej “poterexhiu”, i gjendur në vendin Te Xhamia e fshatit, të them në mënyrë “pasive” ndiqja këto krisma që vinin në të katër anët. Me disa njerëz të paktë që ishim këtu, e s’dinim se  ku të angazhohemi edhe pse dëshironim të kyçeshim në ndonjë “vazife”, sikur u “neglixhuam” nga autoritetet e Ushtrisë. ”Ndoshta te ne “të shkollës” nuk shohin  ndonjë  aftësi  për punë ushtrie! “ –më tha shoku im profesor , L.

-Ndoshta!  Por, nuk është pa ndonjë të vërtetë edhe ky konstatim yti – konfirmova unë.

Harrova të them edhe këtë se, kur  ra Ushtria  poshtë, nga ora 17-00 u  ndërmor aksion për hapjen e istikameve, edhe atë: Te Vaga, Te Udh’e Zavojt, Te Ujti Tharët … Nga vendbanimi im, figura më eksponative ushtarake vlerësohen: Memedin Abazi, i lindur në v.1966, me arsim fillor, i martuar – me tre fëmijë dhe i papunësuar; Hamdi Shaqiri: i lindur në vitin 1965, me arsim fillor, i martuar – me tre fëmijë dhe i papunësuar; Nejazi Saiti, i lindur në vitin 1967, me arsim fillor, i martuar – me dy fëmijë dhe i papunësuar; Bekim Beqiri, i lindur në vitin 1969, me arsim fillor, i martuar – me tre fëmijë  dhe i papunësuar; Enver Neimi, i lindur në vitin 1969, me arsim fillor, i martuar – me tre fëmijë dhe i papunësuar; Adem Ademi, i lindur në vitin 1959, me arsim jo të plotë fillor – me tre fëmijë dhe i papunësuar; Imran Beqiri, i lindur në vitin 1972, me arsim fillor, i pamartuar dhe i papunësuar.

Edhe këto statistika qartë po flasin, apo?

Ndoshta këto parametra, në mos për diç tjetër nuk janë të nevojshme, por, ma merr mendja –  për arsye gjeneralizuese do të kenë peshën dhe domethënien e tyre. Porse, edhe indikatori i mëposhtëm nuk do të jetë aq  relevant kur do të theksoj faktin se njerëz më të afërt dhe kooperativ me strukturat e larta të ushtrisë  është autori i këtij shkrimi, Syrja  Etemi – pedagog, i lindur në v.1961, Lulzim Idrizi, i lindur në vitin 1959 – profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, Nijazi Huseini, lindur në vitin 1958 – arsimtar me shkollë të lartë, Hasan Etemi i lindur në vitin 1955 – me shkollë të mesme.

Nga vendi i punës në Stacionin e Policisë – Tearcë, ashtu të armatosur, u tërhoqën beshkëvendasët e mi: N.M., B.R., B.S., L.Xh. (ky – nga Bogovina), kurse nga strukturat – rezervë, u tërhoq A.J., porse, R.Xh. dhe Xh.F. nuk u përulën  fare, e, ky i fundit i qëndroi besnik deri në fund zotëriut të vet  nga Jegunoci (komandantit të policisë maqedonase nga ky fshat).

Prapë them se të gjithë këto të dhëna që i ceka, në aparencë  duken irelevante, por mendoj se këto do të ndihmojnë, në mos tjetër për t’i nxjerrë këto konstatime:

-Ushtrinë tonë e përbëjnë pjesa dërmuese njerëz të thjeshtë dhe pa ndonjë përgatitje të lartë arsimore;

-Njerëz  të papunësuar dhe të anashkaluar nga ana e  pushtetit;

-Ushtrisë i bashkangjiten një numër shumë i vogël i njerëzve “me shkollë”;

-Kur vin në shprehje cenimi i identitetit kombëtar, edhe njerëz që betimin e japin në altarin e pushtetit, ata do ta “tradhëtojnë” po këtë pushtet i cili nuk tregohet i drejtë ndaj të gjithë qytetarëve të saj…

…Dhe, ja edhe një reflektim:

Nëse ekziston ditë madhështore e nakatosur me plot emocione e ndjenja të papërshkruara, dhe e cila duhet të futet në analet e vendbanimit tim, kjo do të duhej të ishte mu kjo ditë e sotme, 05. 07. 2001, ditë në të cilën, ushtarët tanë të uniformuar, me emblemën e shqiponjës dykrerëshe me krahë, zbritën në fshat , duke bërë një parakalim sa fascinant aq edhe inkurajues për popullatën e vendit. Në sytë e përlotur të bashkëfshatarëve  të mi bulonin plim ndjenjash ankthi e gëzimi, të cilat i manifestonin në mënyra të ndryshme, sidomos duke brohoritur e uruar,  përshëndetur e përqafuar vëllezërisht e miqësisht.

…Në të rënë të muzgut e deri në mesnatë, u kall qielli nga flaka e rrebesheve të plumbave, jo vetëm të ushtarëve të veshur me uniformë, por edhe të shumë e shumë të rinjve të tjerë të fshatit, po besa edhe të burrave të shtyrë në moshë.

Sa arrita të kuptoj për efektin e këtij veprimi, u vërtetova se ky manovrim taktik kishte për qëllim futjen frikës dhe panikut ndër forcat policore të stacionuar në fshatrat maqedone përreth katundit tim, Shllishtinë… Dmth: ishte në sprovë, jo vetëm paradimi i ushtarëve tanë dhe afrimi me popullin, por edhe efekti psikologjik me rrezatime negative tek armiku. U binda se në kohë lufte qenka shumë me rëndësi, por ndoshta edhe kryesorja – efekti psikologjik dhe menaxhimi me të.

Prandaj, me këtë rast u binda se, nëse të gjithë shqiptarët e Iliridës frikohen se mund të bien viktimë e represionit të egër të pushtetit maqedonas, të gjithë mund të japin kontributin e tyre për çlirimin nga ky terror e ta shporim në theqafje të ashtuquajturin “sindrom i robit”!

06.07. (e premte)

Qetë. Njerëzit komentojnë ngjarjen e mbrëmshme. Trema e fshehtë në fytyrat e njerëzve kamuflohet me fjalët  e mëdhaja  që fliten në të katër anët e provincës. Te disa vendas ende vërehet  një dozë e frikës për t’iu afruar ushtarëve të uniformuar të UÇK-së. Frikohen se po identifikohen e zbulohen nga pushtetmbajtësit sllav. Deri sot çdo komunikim, kontakt apo bashkëpunim në relacionin: qytetar – ushtri, është bërë në forma të thuash ilegale apo gjysmëilegale nga droja se nuk dihet sesi do të përfundojë e gjithë kjo shtjellë. Ndoshta do të rikthehet policia dhe ushtria maqedone dhe do t’i “gjuajë” bashkëpunëtorët e “terroristëve”!…

Por, mos të koncentrohem shumë në këto raporte, e t’i lë vend më tepër  reagimeve dhe përshtypjeve të freskëta të mbrëmjes së djeshme, të cilat po rrihen e po lakohen nga njerëzit e të gjitha moshave, duke filluar nga fëmijët, të rinjtë e të moshuarit. Madje edhe gratë e plakat nuk  duket se janë indiferente ndaj gjithë kësaj “potere” të madhe.

Jo mëkot thuhet se në situatat e krijuara trazimi, njerëzit më tepër kanë nevojë për informacione  se për ushqim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok