22/12/2024

AMALIA, MAMAJA E LULEVE

0
Amalia2

Nga Pierre-Pandeli Simsia

Berati, qyteti muze, qyteti historik turistik me moshën e tij afërsisht 2500 vjeçar, është ndër qytetet më të vizituar nga vizitorë vendas dhe të huaj.

Në hyrje të Beratit, pasi përshkon lagjen e njohur me emrin Murat Çelepies, mes gjelbërimit të përhershëm me pisha kodra e kalasë në krahun e majtë dhe lulishtes në anën e djathtë të bulevardit kryesor, pak më tutje, po në krahun e djathtë të shfaqet ura e gurrtë, ura e famshme, e quajtur Ura e Gorricës e ndërtuar mbi Lumin Osum ne Shekullin e 17-të, fillimisht e ndërtuar prej druri dhe në vitin 1780 u rindërtua me gurë në kohën e Ahmet Kurt Pashës.

Matanë urës, pranë Lumit Osum, rrëzë një mali jo shumë të lartë, mes gjelbërimit të përhershëm të pishave, sheh një panoramë të bukur, mahnitëse, tërheqëse për cilindo që e sheh për herë të parë. Ajo është Lagjja Gorricë.; Gorrica e magjishme më e ftohtë se lagjet e tjera në dimër dhe e freskët në verë, Gorrica që, si edhe vetë Berati, e ka gjelbërimin e përhershëm në të katër stinët.

Siç e kam shkruar edhe herë tjetër, pasi ke hyrë brenda në qytet, të duket vetja sikur je brenda një dekori të ngritur për të luajtur film. Ky është vetëm nje iluzion.

Lagja Gorricë, ose shkurt Gorrica, është një ndër tri lagjet muzeale, karakteristike të Beratit, së bashku me Mangalemin (Këto dy lagje, Mangalemi dhe Gorrica, janë të ndërtuara përballë njëra tjetrës, shtëpitë e ndërtuara njëra mbi tjetrën që asnjë piktor s’do t’i vendoste dot aq bukur dhe që i kanë dhënë emrin Beratit: QYTET I NJË MBI NJË DRITAREVE) dhe Kalaja janë lagje Monument Kulture, që mbrohet nga Shteti Shqiptar.

Shtëpitë në lagjen Gorricë, ashtu sikurse edhe shtëpitë e lagjes Mangalem dhe Kala’ janë mjaft të ngjeshura me njëra tjetrën; shkëlqejnë nga bardhësia e gëlqeres dhe çatitë e shtëpive janë me tjegulla qeramike.

Janë lagje muzeale, ndaj edhe nuk lejohet ndryshimi, modifikimi në ndërhyrjet, në riparimin e fasadave të jashtëme të shtëpive.

Gorrica është e ndërtuar buzë Lumit Osum në rrëzë të malit nga i cili ka marë emrin, Mali i Gorricës.

Dhe, në një ndër ato shtëpi të bukura karakteristike, ndodhet edhe shtëpia e madhe e familjes së nderuar, e respektuar nga qytetarët: FAMILJA MANESTRA (Shkruaj kujtimet e mia të paraviteve 90-të, meqenëse kam 30-të vite larguar nga Shqipëria.

Shtëpia dy katëshe karakteristike e bashkëshortëve të ndjerë Amalia dhe Stavri Manestra, jo shumë larg sheshit të Urës së Gorricës, por shumë pranë shtëpisë sime ku unë u linda dhe u rita, kishte të veçantën e saj.

Që nga porta kryesore e shtëpisë e deri lart në katin e dytë, përveç pastërtisë, bardhësisë së mureve të avllisë, binte në sy numri i madh i vazove me lule të shumllojshme të vendosura bukur dhe me kujdes dhe, ajo larmi’ lulesh nëpër vazo, vazhdonin në shkallët e gurrta deri në koridorin e dhomave të asaj shtëpie.

Fatkeqësisht, bashkëshortët e ndjerë Amalia dhe Stavri nuk kishin fëmijë; jetën e tyre prindërore, dashurinë ndaj fëmijëve, ata e kishin të lidhur me lulet.

Amalia ishte bijë e të njëjtës lagje, Gorricë, bijë nga një familje fisnike e dëgjuar dhe e respektuar; e motra e dy vëllezërve të ndjerë: Gaqi Filipi dhe Filip Filipi, baballarë, prindër shembullorë që lindën, rritën, edukuan, shkolluan fëmijë shembullorë: Kristaq Filipi, Romeo Filipi, Xhuljeta Filipi, Adonis Filipi, fëmijët e të ndjerit Gaqi Filipi dhe, Vladimir Filipi, Edmond Filipi, Ilia Filipi, djemtë e të ndjerit Filip Filipi.

Amalia kishte edhe një motër tjetër, Parashqevi Gjata, që, për fatin e saj të keq edhe ajo nuk kishte fëmijë.

Fëmijë për dy hallat u bënë mbesa Xhuljeta dhe nipërit e tjerë.

Unë personalisht, kam patur fatin e mirë që, jo vetëm familjet Filipi ti njoh mirë, por edhe familjen Manestra, meqenëse shtëpia jonë ndodhet shumë pranë shtëpisë së tyre, siç e kam shkruar edhe më sipër.

Sa e sa shumë herë kemi hyrë e kemi dalë në atë shtëpi të bukur lulesh në fëmijërinë tonë!

Sa e sa shumë herë kemi ndjerë duart e ngrohta të mëmë Amalia-s, siç i thërrinim ne banorët e lagjes, teksa na përkëdhelte.

Amalia ishte grua fisnike e paraqitshme, i tregonte kujdes veshjes së saj, me pamje aristokrate ku dallohej qytetaria, kultura e lartë e saj, e qeshur, shumë e qeshur me të gjithë njerëzit, mikpritëse, meraklie e madhe për lulet…

– Hajdeni, të keqen mëmë Amalia, i thoshte çdo fëmije, çdo vizitori që vinte në shtëpinë e saj për të parë atë mrekulli që ata vetë burrë e grua e kishin ndërtuar me kënaqësi, me duart e tyre të arta “Parajsën e luleve të bukura natyrale”, por, të keqen mëma juve, shikojini lulet, por mos m’i këpusni, kujdes së mos i thyeni.

Mosha e saj në atë kohë nuk ishte për t’i thirrur me emrin e një gruaje të moshuar, mëmë, por ne kështu ishim mësuar t’i thërrisnim asaj gruaje të bukur…

Edhe pse mëmë Amalia i donte shumë lulet, tregonte kujdes të madh në rritjen mirëmbajtjen e tyre, ajo dëshpërohej, madje edhe përlotej kur shihte ndonjë degëz të tharë nga ndryshimi i stinëve, nga ndryshimi i motit.

Shtëpia e madhe e Manestrave, ato vite priste dhe përcillte vizitorë të shumtë jo vetëm nga Berati, por edhe nga qytetet e tjera të Shqipërisë. Fama e saj ishte përhapur gjithandej.

Jam vetë dëshmitar i atyre viteve, vitet 70-të kur një grup grash nga Vlora, gjashtë gra, pasi vizituan Beratin, erdhën edhe në Gorricë për të parë atë mrekulli lulesh nga duart e arta të zonjës Amali’ Manestra.

Më kujtohet edhe një rast tjetër; po një grup grash, nuk më kujtohet se nga cili qytet kishin ardhur në Berat, erdhën për të parë edhe shtëpinë, lulet e mëmës Amali.

Porta kryesore e shtëpisë së tyre, ashtu sikurse edhe portat e tjera të të gjitha shtëpive tona të lagjes rrinte gjithmonë e hapur. Vizitorët, pasi na pyetën për shtëpinë Manestra, ecën drejt rrugicës së shtëpisë së tyre. Hynë në avlli, por, atë orë, ata të dy burrë e grua nuk gjendeshin në shtëpi.

Vizitorët edhe pse u mrekulluan nga avllia plot me lule, nuk dëshironin të largoheshin pa parë edhe ambientet e tjera të shtëpisë në katin e dytë.

Atëkohë, Amalia ishte luleshitëse në një dyqan në qendër të Beratit dhe, pasi një nga ne fëmijët banorë vrapoi për tek dyqani ku ajo punonte, e njoftoi për vizitorët që kishin ardhur nga një qytet tjetër; mëmë Amalia shfrytëzoi orarin e pushimit të drekës për të ardhur në shtëpinë e saj, për të kënaqur vizitorët…

Sa e sa shumë herë ne, fëmijët e asaj kohe, shkonim bashkë me mëmë Amalinë në Velabisht, në Starovë (fshatra shumë afër Beratit, për nga largësia, si dy lagje të Beratit), shkonim me dëshirën tonë për ta ndihmuar, sepse, me dy çanta dore, Amalia shkonte në ato fshatra, gjente dheun, plehun e përshtatshëm, ushqimin për lulet.

Prapa shtëpisë së tyre, në bahçenë e madhe, ata vetë të dy burrë e grua kishin ndërtuar një miniserë për kultivimin dhe rritjen e luleve të ndryshme.

Një ndër vizitoret e rralla në shtëpinë e saj, siç e kam shkruar edhe herë tjetër, ishte, në vitin 1974 kur Artistja e Popullit Vaçe Zela kishte ardhur në Berat bashkë me Ansamblin Shtetëror për një koncert qeveritar.

Dihet nga të gjithë, që e ndjera artiste Vaçe Zela i donte shumë lulet dhe, atyre që u ishte dhënë mundësia të kalonin pranë pallatit ku ajo banonte në Tiranë, u binte në sy ballkoni i saj plot me lule…

Edhe vetë artistja Vaçe u mahnit nga ajo mrekulli që pa në atë shtëpi, në shtëpinë e luleve të shumllojshme natyrale.

Në fillimvitet 80-të, kur të dy bashkëshortët Manestra gëzonin vitet e pensionit, i ndjeri Stavri Manestra, nga një sëmundje e pashërueshme u nda nga jeta.

Po në fillimvitet 80-të, u nda nga jeta edhe njëri vëlla i saj, Gaqi Filipi dhe, për ironi të fatit, pak javë më vonë, vdes edhe bashkëshortja e tij, e ndjera, gruaja fisnike Efterpi.

Sigurisht, dhimbja për humbjen e bashkëshortit, vëllait, kunatës, ishte e madhe për gruan fisnike Amalia Manestra.

E vetme në atë shtëpi të madhe, pas humbjes së bashkëshortit të saj, ajo rrinte, “bisedonte” me fëmijët e saj, me lulet e saja të dashura, por që kurrë nuk i mungoi dashuria, kujdesi i kunatës tjetër, Niqi, i mbesës së vetme, farmacistja Xhuljeta i të gjithë nipërve.

Amalia, mbesën e saj të vetme Xhuljetën e kishte pikën e saj më të dobët, por, në fundin e viteve 70-të edhe Xhuljeta apo Xhuli siç e thërrisnim ne të gjithë, do gjente fatin e saj të jetës për ta ndërtuar jetën e saj të re në qytetin Fier.

A mund të imagjinohet se si mund të jetonin të ndara ato të dyja hallë dhe mbesë kaq “larg” kur ato shiheshin, takoheshin disa herë në ditë?!

Pikërisht, për atë “largësi” për atë dashuri të madhe që kishin ndaj njëra tjetrës, Xhuljeta së bashku me bashkëshortin e saj, vendosën të përmbushnin amanetin e bashkëshortit të hallës, i ndjeri Stavri Manestra, i cili, pak muaj para se të ndahej nga jeta nga një sëmundje e pashërueshme, kërkoi ti vinin pranë në shtëpi mbesa Xhuljeta dhe bashkëshorti i saj, Marengleni…

“Po ju lë një amanet, bijtë e mi; Marenglen i dashur, besoj se e ke kuptuar edhe ti vetë dashurinë, respekrin, vlerësimin tonë ndaj teje. Prandaj po ju lë amanet Amalinë time, Amalinë tonë të dashur, mos ma lini të vetmuar pas vdekjes sime… Xhuli, pothuajse është rritur me ne, në shtëpinë tonë, prandaj kërkoj nga ju, Amalia të jetojë bashkë me ju në familjen tuaj, në shtëpinë tuaj në Fier… (Sa shumë dhimbje, trishtim ndjen njeriu në të tilla raste…) prandaj Xhuljeta dhe Marengleni e vendosën që halla e saj të shkonte e të jetonte vitet e fundit të jetës së saj pranë familjes së mbesës në Fier.

Çdokush e mendon e vlerëson atë gjest fisnik që bëri mbesa Xhuli dhe bshkëshorti i saj Marenglen Panda, prandaj edhe morën uratat e vetë Amalia-s, morën respektin vlerësimin e të gjithë njerëzve që e njohën.

Nga fundi i viteve 80-të, në Berat erdhi lajmi i hidhur, gruaja fisnike Amali’ Manestra kishte ndëruar jetë në shtëpinë e mbesës së saj, në Fier.

Ceremonia mortore, varrimi, u kryen në varrezat e Burdulliasit në Berat si edhe dreka përshpirtmore u shtrua në një nga restorantet e lagjes Gorricë.

Edhe pse kanë kaluar shumë vite që bashkëshortët e mrekullueshëm, të ndjerët Amali’ dhe Stavri Manestra nuk jetojnë, më, emri i saj, kujtohet me respekt tek të gjithë ata që e kanë njohur, madje, në bulevardin e Beratit, nëse ndokush do të përcaktojë një pikë referimi, pikë takimi, shprehet: Tek dyqani i luleve, tek dyqani i Amali’ Manestrës.

Lum çdokush jeton në këtë jetë, i shërben jetës, njerëzve, punës me nder, respekt, dashuri, do ketë përherë pavdekësinë, kujtesën, emrin e ndritur që lë pas.

E tillë ishte edhe e ndritura Amali’ Manestra dhe bashkëshorti i saj, i ndjeri Stavër Manestra.

Në ditët e sotme në atë shtëpi banon nipi i të ndjerit Stavri, zotëria i nderuar, Niko Manestra me familjen e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok