22/12/2024

Alternativa e ndryshimit të sistemit qeverisës

0
Florim-Zeqa1

Shkruan: Florim Zeqa

Mosprofilizimi i partive politike ka bërë që të mos dihet qartë se kush është i djathtë e kush tjetër i majtë në spektrin politik kosovar! Kjo nuk është gjë krejtësisht e parëndësishme për politikbërjen e vendit tonë.

Mungesa e profilizimit politik

Të rralla janë vendet në botë me territor kaq të vogël siq është Kosova, të kenë kaq shumë parti politike dhe kaq pak vlera në politik-bërje! Madje shtetet më të mëdha dhe më të fuqishme në botë nuk kanë parti politike aq sa ka Kosova e vogël!

Në shtetet me traditë demokratike gjatë proceseve zgjedhore zakonisht ndodhin ballafaqime të fuqishme mes dy blloqeve politike, përkatësisht në mes të djathtës dhe të majtës, apo në mes të djathtës dhe liberaldemokracisë si alternativë ndryshe nga dy blloqet e mëdha politike.

Ndarjet në dy blloqe të partive politike, mes dy ideologjive të kundërta e bëjnë garën më të interesante dhe më tërheqëse për elektoratin, me ç’rast zgjedhjet përcaktojnë drejtimin politik të shtetit dhe shoqërisë njerëzore për katër vitet e ardhshme.

Ndërsa tek ne, ndarjet ideologjike funksionojnë vetëm si retorikë në zhargonin ditor të politikës, duke mos garantuar stabilitet afatëgjatë politik.

Edhe pse vazhdon terminologjia e ndarjeve ideologjike, ajo nuk funksionon në praktikë si pasojë e bashkëdyzimit apo lidhjeve të koalicioneve mes partive të djathta me ato të majta dhe anasjelltas.

Ngatërrimi i identitetit politik

Dallimi mes dy poleve të “kundërta” në Kosovë është sa një fije floku, për shkak të mosprofilizimit politik. Për këtë arsye kemi ngatërrim të identitetit politik. Për të mos thënë të gjitha, shumica e partive politike por edhe e politikanëve që pozicionohen në taborrin e “djathtë” pas asnjë hezitim i bashkangjiten polit të majtë dhe anasjelltas.

E gjithë kjo bëhet për interesa personale, klanore dhe grupore brenda sojit të njëjtë. Thirrja në djathtizëm dhe lidhja e koalicionit me ekstremin e majtë, përveqse anomali e llojit të vet, e paraqet amoralitetin e skajshëm politik të një politikani.

Lëvizjet e deputetëve të Kuvendit nga njëra parti tek tjetra, nga pozita në opozitë dhe anasjelltas, përveqse kontrabandim i votës qytetare, është pazar i shtrenjt dhe i pistë politik i partive të dështuara në qeverisjen e vendit.

Shitja apo blerja e një deputeti përveqse me para të pista, realizohet edhe me privilegje tjera, me tenderomani apo premtime për ngritje në karrierë politike nga subjekti që e kontrabandon.

ADN-ja shqiptare apo identiteti i pastër kombëtar

Vetëm një frymë e re politike siq është Alternativa Demokratike për Ndryshim (ADN) e shpëton Kosovën si shtet nga katandisja e antivlerave dhe ndalon kontrabandimin e vullnetit të qytetarëve të ndershëm të këtij vendi.

Është ADN-ja shqiptare apo identiteti i pastër kombëtar ajo që mund ta nxjerrë vendin nga humnera e klasës së papërgjegjshme politike, nga kusarët politikë që rropën e ç’rropën çdo gjë, duke e trajtuar Kosovën, përkatësisht pasuritë shtetërore si plaçkë lufte, duke u pasuruar mbi kurrizin e një popullate skajshmërisht të varfër, të shfrytëzuar pamëshirshëm nga njëra palë zgjedhje në tjetrën përmes mashtrimeve dhe gënjeshtrave të njëpasnjëshme, saqë më popullit nuk i bëjnë fare përshtypje proceset zgjedhore në Kosovë!

Kosovës i duhet ADN-ja politike që e ruan kulturen tradicionale, që i ruan doket dhe zakonet e bukura popullore, që e ruan vlerën unikate të kombit tonë, si njëri nga kombet më të vjetra të kontinentit evropian.

Subjektet aktuale politike sinonim i mashtrimit

Subjektet aktuale politike janë bërë sinonim i mashtrimit dhe kontrabandimit të besimit qytetar, besim të cilin e tjetërsojnë pa fije turpi, duke mos e mbajtur fjalën e dhënë para elektoratit.

Kjo në radhë të parë paraqet mungesë respekti, mashtrim dhe tradhëti ndaj elektoratit e cila ka rezultuar me humbje të besimit tek qytetarët e vendit. Politikanët të cilët mashtrimin dhe tradhëtinë ndaj elektoratit e quajnë “guxim” janë aq të mjerë dhe të pavlerë saqë nuk e meritojnë t’iu permenden emrat në politikë, e lërë më t’i votojnë përseri qytetarët e vendit.

Politikanët të cilët kontrabandimin e vullnetit të elektoratit e vlerësojnë si ndryshim, përveqse mashtrues, janë abuzues të vullnetit të qytetarëve dhe rrënues të vlerave të shtetndërtimit dhe ardhmërisë së qytetarëve.

Rirreshtimi i ri politik në Alternativën Demokratike për Ndryshim është fillim i një epoke të re e cila do të shënojë fundin e epokës së antivlerave dhe pabarazisë qytetare, do të shënojë fundin e sistemit të dështuar të qeverisjes parlamentare dhe fillimin e epokës së re të sistemit qeverisës presidencial në vendin tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok