Aleksandër Vuçiç nuk mund të ndërrojë kursin e tij pro-rus!
Nga Enver Bytyçi
Politikanë dhe diplomatë të Perëndimit prej kohësh shpresojnë shumë që Serbia të ndryshojë lidhjet e saj me Rusinë. Pra, që lidhjet tradicionale të saj me Moskën t’i zëvendësojë përmes aleancës me BE-në, NATO-n e SHBA-të! Më së shumti e shpresojnë dhe e besojnë këtë ndërrim të kursit serb disa diplomatë amerikanë, përfshirë dhe ambasadorin Hill, por edhe ata evropianë.
Aq shumë janë investuar në këtë narrativë këta diplomatë, sa shumëkush e sheh si të padiskutueshme ndryshimin e kursit të Serbisë në aleanca! Madje kanë filluar që tani ta propagandojnë këtë si arritje të jashtëzakonshme të tyre! Në fakt nuk shkon gjithçka kaq rozë. Presidenti i Serbisë e ka shumë të vështirë (për mua të pamundur) të ndërrojë kursin e tij nga Lindja drejt Perëndimit. E di se diplomacia serbe ka aftësinë të “shesë mollë për dardha”!
Dhe këtë pazar mollësh e besojnë diplomatët amerikanë dhe evropianë. Për më keq akoma ata edhe keq informojnë administratën amerikane dhe Komisionin Evropian. Por thelbi nuk ndryshon. Serbia nuk shkëputet nga lidhjet e saj me Rusinë. Edhe nëse një ditë ajo bëhet anëtare e BE-së, do të luajë me dy karrige: – Fshehtas do të ruajë lidhjet me Moskën e në zyrat evropianë do të flasë për aleancën dhe integrimin në BE.
Kjo lojë do të zgjasë deri në momentin që do të bëhet anëtare e BE-së. Më pas Serbia do të jetë Hungaria në katror e Evropës. Nuk do të pranojë të zbatojë asnjë sanksion dhe t’i vendosen kufij Rusisë në ambiciet e kësaj të fundit për ta shkatërruar Unionin Evropian. Se do të ndodhë kjo, këtë nuk e ve në dyshim. Këto që thashë më lart Aleksandër Vuçiç ua ka thënë patriarkëve, akademikëve dhe bashkëpunëtorëve të tij në politikë. “Le të afrohemi me Evropën, u ka thënë. Mos kundërshtoni! Sapo të bëhemi anëtarë të BE-së, ne ndërtojmë sërishmi politikën tonë të pavarur dhe nuk heqim dorë nga Rusia”! Kështu ka qenë në histori.
Serbia edhe gjatë Luftës së Parë Botërore, shkaktare e së cilës ishte, ekonomikisht lidhjet e saj i pati me Evropën. Por në pikëpamje ushtarake, politike e strategjike pati mbështetje të pakufizuar e të pakushtëzuar nga Rusia e Carit Nikolla II. Car Nikolla shpalli mobilizimin e përgjithshëm të ushtrisë së tij më 1 gusht 1914 për ta mbrojtur Rusinë nga ndëshkimi Austro-Hungarez për vrasjen e princit Ferdinand dhe gruas së tij, Sofisë, në Sarajevë.
Dhe pas lufte Europa ndëshkoi Austro-Hungarinë, madje me territore, duke ia dhënë Vojvodinën Serbisë. Historia na ndihmon gjithmonë për të kuptuar proceset që zhvillohen. Ky fakt na bën të besojmë se e njëjta diplomaci e strategji po ndiqet edhe sot. Kjo për meritë të diplomacisë serbe, por edhe të naivitetit ose interferimeve pro-ruse të euro-amerikanëve. Ajo që bën përshtypje më shumë ka të bëjë me faktin se, diplomacia perëndimore nuk po merr në konsideratë faktin që Kisha Ortodokse e Serbisë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të saj, 80 për qind e opinionit publik serb, shumica dërmuese e politikanëve, përfshirë bashkëpunëtorët në qeverisje të Aleksandër Vuçiç, të gjithë këta, janë kundër ndryshimit të kursit strategjik të aleancave të vendit të tyre.
Janë pro-rus dhe anti-perendimorë! Pasojë e kësaj panorama të zymtë janë gjithashtu bojkotet dhe thirrjet për luftë të Serbisë dhe presidentit të saj në veriun e Kosovës. Është vetë Vuçiç, ai që ka frymëzuar e frymëzon aq sa edhe Milosheviçi nacionalizmin ego-centric të Serbisë dhe të serbëve. Vuçiç është autori i lidhjeve shumë të ngushta me Vladimir Putin dhe i preferuari i presidentit rus. Kush mendon dhe beson se në këto lidhje, edhe personale, të presidentit serb me presidentin rus nuk janë krijuar marrëdhënie të pazevendësuara me asgjë tjetër, ai ose është naiv, ose dëshiron t’i bëjë vend Rusisë në Ballkan! Megjithatë, Brukseli dhe Uashingtoni gjithnjë e më shumë po besojnë në ndryshimin e kursit politik e strategjik të Serbisë.
Kjo po shoqërohet me lëshime serioze në dobi të Beogradit. Zgjedhjet e shkuara presidenciale në Mal të Zi, të cilat i fitoi një kandidat me mbështetje elektorale te pjesa pro-serbe e pro-ruse e popullsisë, ishin dhe do të mbeten lëshim i jashtëzakonshëm për Serbinë. Sepse një qeveri pro-serbe në Podgoricë, më së paku krijon akses për hegjemoni serbe te ky vend. Këtij qëllimi i shërben presioni perendimor ndaj Kosovës dhe qeverisë së saj për të pranuar krijimin e asociacionit.
Gjithkush duhet ta mësojë se krijimi i asociacionit të komunave serbe në Kosovë e bën këtë vend të pa qëndrueshëm dhe objekt të diversionit dhe dominimit serb. Po ashtu Serbisë po i jepet akses të dominojë dhe të realizojë interesat e saj shtetërore së paku në Republikën Srpska. Ndërsa në Shqipëri Serbia do të favorizohet me qasje preferenciale në portin e Durrësit! Të gjitha këto po ndodhin për shkak të një fiksioni politik e diplomatik, sipas të cilit “Serbia na duhet në anën tonë” (të Perëndimit)! Por kjo është e pavërtetë dhe e padrejtë.
Perëndimi nuk mund të eliminoje të drejtat e kombeve më të vogla sesa Serbia në Ballkan, thjesht për shkak të një aksioni gjeostrategjik e gjeopolitik. Kjo edhe për faktin se ky aksion do të rezultojë për shkaqet që thashë më lart si i pasuksesshëm. Serbia do ta fitojë të drejtën e dominimit në Ballkan, por nuk do të jetë kurrë aleate e perëndimit. Vetëm Rusia mund t’ia japë këtë mundësi të artë e të qëndrueshme asaj!