22/12/2024

ALEANCA USHTARAKE NATO DHE VLERAT DEMOKRATIKE NË EVROPË

0
u6_2

Nga Frank Shkreli

Të ënjtën që kaloi, Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë, njëkohësisht edhe Komandant i Komandës së Shteteve të Bashkuara në Evropë, Gjenerali Tod Wolters zhvilloi një konferencë shtypi me gazetarët në kryeqendrën e NATOs.  Para se t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve, Gjenerali amerikan, përdori rastin të bënte disa komente mbi një numër çështjesh që kanë të bëjnë me forcat aleate në Evropë, përfshirë mbrojtjen dhe shkurajimin e ndonjë sulmi të mundëshëm në kontinentin evropian.  Normalisht, nuk pritet që një ushtarak i rangut të lartë si Gjenerali Wolters të flasë për promovimin e sistemit demokratik, pasi përgjegjësia e tij kryesore është në fushën e mbrojtjes, por, ai u tha gazetarëve se gjëja që e intereson atë më së shumti, sipas tij, është “promovimi i vazhdueshëm i sistemit të vlerave tona demokratike në Evropë”.  “Mund t’u duket pakëz si e çuditshme”, shtoi ai, “por çdo sekond të ditës, vërej njerëz të cilët po përpiqen të veprojnë në një mënyrë duke u munduar që të na e bëjnë të pamundur të promovojnë sistemin tonë të vlerave të mëdha demokratike.

Gjenerali Wolters u tha gazetarëve se kjo është një çështje në të cilën ai është i përqëndruar në kryerjen e të gjitha detyrave dhe përgjegjësive që ka si Komandant i Forcave të Shteteve të Bashkuara në Evropë dhe si Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropën.   Këto prioritete janë të natyrshme, theksoi ai, si Komandant i Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara në Evropë, por që përputhen shumë mirë edhe me detyrat dhe përgjegjësitë e dyfishta edhe si Komandanti Suprem i Forcave Aleate në kontinentin evropian.

Nga pikëpamja e Shteteve të Bashkuara, vazhdoi ai, prioriteti kryesor është që të bëjmë çdo gjë të mundur në mbështetje të NATO-s, ndërkohë që mbështesim Aleancën tonë — si përparësia e jonë numër një — nënvijoi gjenerali amerikan Tod Wolters, ndërkohë që “ne promovojmë, njëkohësisht, edhe sistemin e vlerave tona demokratike” në Evropë.

“Nga kjo pikëpamje, përparësia numër dy e jona është që të kundërshtojmë ndikimin e dëmshëm të Rusisë.  Dhe kur flitet për ndikimin e dëmshëm rus, duhet të kemi parsyshë sistemin e vlerave tona demokratike që ne promovojmë.”  Gjenerali Wolters tha se ai ndjekë me kujdes veprimet ruse në Evropë.   Është me rëndësi, u tha gjenerali amerikan gazetarëve, “që unë të jem i përqendruar mbi ndikimet e dëmshme ruse, të cilat përbëjnë rrezik ndaj përpjekjeve tona për të ruajtur sistemin tonë të vlerave demokratike, në 29-vendet anëtare që përfaqësojnë NATO-n.”

Dhe si përparësi të tretë me rëndësi, Gjenerali Wolters, përmendi marrëdhëniet dhe angazhimet e Aleancës së Atlantikut të Veriut, që sipas tij, do të thotë se, “Ne bëjmë çdo gjë të mundur për të siguruar dhe  përforcuar gatishmërinë e forcave tona të armatosura, ashtuqë ato të jenë të afta t’i përgjigjen me forcën më të madhe të mundur çdo rreziku dhe kërcënimi ndaj promovimit të vlerave demokratike, të cilat janë aq të rëndësishme jo vetëm për NATO-n, por sigurisht tepër të rëndësishme edhe për Shtetet e Bashkuara”, u tha gazetarëve, Komandanti i Forcave Aleate në Evropë, Gjenerali Tod Wolters.

Si një prej veprimtarive të rëndësishme, nga pikëpamja e NATO-s dhe e Shteteve të Bashkuara — të ndërmarra kohët e fundit nga Aleanca e Atlantikut Verior — gjenerali Wolters përmendi miratimin e strategjisë ushtarake – “si një mjet për të forcuar mëtej sistemin tonë të vlerave demokratike”.   Kjo strategji, u tha ai gazetarëve javën që kaloi, përcakton dy kërcënime bazë ndaj vlerave tona demokratike: një është Rusia dhe dy: terrorizmi ndërkombëtar.  Strategjia e re e NATO-s, nenvijoi gjenerali Wolters, “përcakton objektivat dhe mënyrat për realizimin e atyre objektivave, si dhe mjetet që duhen përdorur me qëllim që të jemi më produktiv dhe më të përgatitur për promovimin e këtyre vlerave demokratike në kontinentin evropian”.

Komandanti Suprem i Forcave të NATO-s në Evropë e mbylli fjalën e tij në konferencën për shtyp — para se të pranonte pyetjet nga gazetarët—duke thënë se promovimi i vlerave demokratike si dhe mbrojtja e zonës Euro-Atlantike është jo vetëm përgjegjësia kryesore e Aleancës së NATO-s si entitet, por edhe e secilit prej 29-vendeve anëtare të Aleancës Ushtarake Perëndimore

Komandanti Suprem i Forcave të NATO-s në Evropë dhe Komandant i Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara në Evropë, Gjenerali Tod Wolters ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Shqipëri në fillim të këtij viti.  Me atë rast, ai ka njoftuar se Aleanca NATO kishte vendosur që të modernizoi bazën ajrore në Kuçovë, sipas standardeve të NATO-s.  Ky hap është cilësuar nga ekspertët si një avancim i pranisë ushtarake të Aleancës Perëndimore në Ballkanin Perëndimor, ku Rusia po përpiqet, për disa vite tani, të shtrijë ndikimin e saj në atë pjesë të Evropës, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.

Shpresoj që prania e NATO-s në Shqipëri, me bazën e saj ajrore në Kuçovë, të mos jetë vetëm një prani ushtarake – megjithëse e mirëpritur edhe si e tillë — për të kundërshtuar përpjekjet e Rusisë, të Kinës dhe Iranit për ndikim në atë rajon dhe në vend – por siç tha javën që kaloi, edhe gjenerali amerikan, Krye-Komandanti i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, Tod Wolters – baza ushtarake e NATO-s në Kuçovë, të jetë gjithashtu edhe një qëndër për të promovuar, njëkohësisht, edhe vlerat tona të përbashkëta demokratike perëndimore në Shqipëri, në Kosovë dhe në rajonin ballkanik në përgjithësi.  Është kot të mburremi se jemi anëtar i NATO-s, nëqoftse nuk sillemi si një vend i tillë.  Nuk mjafton pra të jesh anëtar i NATO-s nëqoftse nuk zbaton rregullat e sistemit demokratik dhe nuk mbron vlerat demokratike mbrenda vendit.

Me rastin e vizitës së Gjeneralit Wolters në Tiranë, Janarin që kaloi, Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka është shprehur se, “10-vjetë pas antarësimit të Shqipërisë në NATO, Shqipëria sot është një vend anëtar i vlefshëm, por edhe i sigurt, ku Aleanca ka vendosur të investojë potencialin e saj.”  Në rregull, por , përball krizave politike të një pas njëshme të viteve të fundit në Shqipëri, a mund të thuhet se Shqipëria është vërtetë një vend demokratik dhe nëse ky vend, si anëtar i Aleancës më të fuqishme ushtarake të vendeve demokratike perëndimore, që ka njohur ndonjëherë bota –ndanë me të vërtetë vlerat demokratike me Aleancën në të cilën bën pjesë dhe për të cilat Gjenerali amerikan Tod Wolters u shpreh se kërcënimet aktuale ndaj këtyre vlerave demokratike, bëjnë që të mos e zejë gjumi i natës.

Mbështetja dhe zbatimi institucional i sistemit, rregullave demokratike dhe i vlerave demokratike perëndimore në një vend anëtar të NATO-s siç është Shqipëria, është jo vetëm mbrojta më e mirë për sigurinë e vendit por është edhe në interesin madhor afat-shkurtër dhe afat gjatë të Kombit Shqiptar.

Komandanti Suprem i Forcave të NATO-s në Evropë dhe Komandant i Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara në Evropë, Gjenerali Tod Wolters me Shefin e SHP të FA, Gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, 24 Janar, 2019, Tiranë. (Kortezi, Elvin Hasanaj, Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë)

(Foto: Stars and Stripes)

(Foto: Stars and Stripes)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok