21/12/2024

Albin së pari ngujo “lopët” tua, pastaj t’kojshis!

0
Florim-Zeqa1

Shkruan: Florim Zeqa

Afërsisht pesë dekada më parë, në kohën e ish Jugosllavisë, diku në një fshat të Rrafshit të Dukagjinit, një Roje e tokave të mbjellura bujqësore të sipërmarrjes shoqërore i cili e kryente punën e vet me përgjegjësi të lartë njerëzore dhe besnikëri ndaj ruajtjes së pronës së përbashkët shoqërore, sa herë që i zënte bagëtinë në arat e sipërmarrjes publike i merrte dhe i ngujonte në “hangar” dhe derisa pronari i bagëtive nuk e paguante dënimin për dëmin e shkaktuar ato i mbetnin të ngujuara në atë vend!

Për çka, Roja e arave të sipërmarrjes publike shpesh kritikohej nga bashkëfshatarët e tij për besnikërinë e tepruar ndaj shtetit që e paguante për punën që e kryente me nder. Mirëpo një ditë prej ditësh bariu i shtëpisë së tij nuk ishte treguar i kujdesshëm dhe lopët nga mali i kishin dalë në arën e mbjellur me grurë dhe Roja besnike menjëherë i kishte marrë lopët e veta dhe i kishte dërguar (ngujuar) në “hangar” derisa i zoti i shtëpisë e kishte paguar dënimin për dëmin e shkaktuar.

Pas këtij rasti më askush nuk ishte ankuar tek Roja e tokave të sipërmarrjes shoqërore, porqë barinjët ishin detyruar të jenë më të kujdesshëm, në të kundërten dihej se çka i priste nëse ktheheshin në shtëpi pa të gjitha bagëtitë!

Sqarim për lexuesit: “Hangari” ishte vendi ku mbahej makineria dhe veglat bujqësore të sipërmarrjes shoqërore, vend ku grumbulloheshin dhe ruheshin produktet bujqësore, me një vend të posaqëm edhe për bagëtitë e sekuestruara.

Vjedhja e koordinuar e shtetit

E nisa këtë shkrim me këtë rrëfim të vërtetë, për t’iu treguar liderëve dhe zyrtarëve shtetërorë, punonjësve të administratës publike dhe shërbyesve civil sesi punohet për shtet me nder dhe besnikëri.

Fatkeqësisht nga paslufta e këndej, e në veçanti pas rishpalljes së pavarësisë së 17 shkurtit 2008 e këndej, liderët shtetëror dhe liderët partiak, apo thënë më mirë politikanët në përgjithësi nuk kanë qenë në nivelin e detyrës dhe përgjegjësisë shtetërore dhe jo vetëm! Një pjesë e konsiderueshme e administratës publike, e shërbyesve civil dhe policisë u kanë ndihmuar politikanëve në zhvatjen e buxhetit të shtetit dhe pasurive publike.

Sa për ilustrim po i permendi vetëm tri raste nga dhjetra e qindra sosh:

Rasti i parë), në koordinim me njëri-tjetrin, vite më parë i nxoren nga “Dhoma e Sigurisë” së Stacionit Policor në Prishtinë rreth 50 kg drogë dhe shuma të konsideruara të parave të konfiskuara!

Rasti i dytë), po ashtu nga stacioni Policor në Pejë u nxorën sasi të konsiderueshme Ari dhe disa mijëra euro të konfiskuara!

Rasti i tretë), nga arka e shtetit u transferuan “gabimisht” 2 milion euro në një xhirollogari private, para të cilat nuk u kthyen më në arkën e shtetit!

Si rezultat i lidhjeve dhe koordinimit të politikës me sistemin e sigurisë (drejtësisë), edhe pas kaq vitesh, nuk u ngrit asnjë aktakuzë dhe askush nuk u dënua për këto vjedhje dhe qindra vjedhjeve të tjera shumëfish më të mëdha sesa të sipërcekurat!

Ndodhi pikërisht kështu për faktin se gardianët e parë të shtetit (liderët shtetërorë dhe partiak) ishin të implikuar në hajnitë më skandaloze në vendet me sigurinë më të lartë shtetërore!

Nga fjalët të kalohet në vepra

Nuk mjaftojnë vetëm deklarimet për luftimin e korrusprionit dhe krimit të organizuar, nga fjalët duhet të kalohet sa më parë në vepra me arrestimin e “peshqve të mëdhenjë” të korrupsionit dhe krimit të organizuar, të nivelit të lartë, qofshin ata qeveritar apo opozitar, kryetar partish apo kryetar komunal.

Por fillimisht duhet nisur nga hajdutët e fondeve të luftës, të buxhetit të shtetit dhe uzurpatorët e pronave publike dhe private, të cilët nuk na pikën nga qielli, por janë pjesë e kësaj shoqërie, të cilët janë pjesë aktive e këtyre partive në pushtet dhe opozitë pa dallim. Ndërrimi i “gzofit” apo kalimi nga njëra parti në tjetrën, është bërë dhe bëhet për të mbuluar gjurmët e hajnisë dhe uzurpimeve 22 vjeçare!

Ujku qimen e ndërron, por zakonin se harron

Disa nga figurat politike që viteve dhe muajve të fundit iu kanë bashkangjitur LVV-së dhe përafruar Albin Kurtit, nuk është se ketë e kanë bërë nga respekti dhe as nga lidhjet programore që kanë me Vetëvendosjen, por janë rreshtuar përkrah tyre për interesa personale apo për të mbajtur në krye të kompanive publike familjarët e tyre nga frika e “fshesës” së Albin Kurtit!

“Shkoi thundra, mbeti gjurma” e thotë një fjalë e vjetër popullore, andaj edhe ujqit e vjetër grabitëçarë nga do që shkojnë të njëjtën punë e bëjnë, edhe në LVV do të vazhdojnë me privilegje të reja derisa t’ju rrëshqasin nga dora, pastaj do ta shajnë edhe Albinin siq i shajtën “padronët” e tyre paraprakë!

Është në dorën e gardianit të parë (kryeministrit të vendit) i cili aq shumë thirret në drejtësi dhe transparencë, në barazi ligjore dhe VETTING në sistemin e drejtësisë, që të niset nga shëmbulli i gardianit (Rojes) të produkteve të sipërmarrjes shoqërore të cekur në fillim të këtij shkrimi, pra, të niset nga shtëpia (partia) e tij, ku nuk i mungojnë abuzuesit dhe uzurpatorët, hajdutët dhe zhvatësit e pasurisë shoqërore dhe publike përgjatë pushteteve paraprake.

Fshehja e hajnisë nën petkun partiak është pak më tepër se shkelje ligjore, është krim! Për këtë arsye gardiani i shtetit (kryeministri) duhet të jetë në krye të detyrës. Le ta dëshmojë veten me vepra e jo me fjalë.

Albin nëse dëshironi të bëheni gardian i mirë i shtetit të Kosovës dhe ta fitoni mbështetjen e gjerë popullore, së pari ngujo “lopët” tua, pastaj t’kojshis, në të kundërtën mund të përballeni me rezistencë të fuqishme nga “të fortët e politikës”, e cila shumë lehtë mund të kthehet në revoltë popullore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok